Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Vazhdon regjimi i pakuptimtë i vizave ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës

Original article.

Për dekada të tëra, Bosnjë-Hercegovina (BeH) dhe Kosova kanë aplikuar regjim vizash ndaj njëra-tjetrës, duke u bërë kështu dy vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që kërkojnë ndërsjelltazi viza për qytetarët e tyre.

Më 3 nëntor 2022, ngjau një zhvillim i rëndësishëm kur të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje të reja në Berlin, nën ombrellën e Procesit të Berlinit.

Ato arritën një marrëveshje për ta vendosur njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Veç kësaj, ato vendosën të heqin regjimin e vizave duke ua bërë të mundur qytetarëve që të kalojnë kufijtë midis BeH dhe Kosovës vetëm me letërnjoftim, duke ndërprerë regjimin e gjatë të vizave që ekzistonte më parë midis të dy vendeve.

Ky qe një hap i mirë përpara në tejkalimin e pengesave rajonale dhe përshpejtimin e ndryshimeve pozitive në rajon.

Ani pse BeH dhe Kosova janë dakorduar për heqjen e regjimit të vizave, nuk është e qartë nëse kjo marrëveshje do të përkthehet në udhëtim pa viza midis dy vendeve.

Kosova mbajti fjalën e saj

Në shkurt të vitit 2023, 82 deputetë në Kuvendin e Kosovës votuan pro miratimit të tri marrëveshjeve të miratuara më parë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Berlin, në nëntor 2022, si pjesë e Procesit të Berlinit.

Megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar plot katër muaj, BeH ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen, duke prolonguar udhëtimin pa viza midis Kosovës dhe BeH.

Mungesa e ratifikimit buron nga mosnjohja e Kosovës nga BeH si shtet i pavarur. Kryesisht kjo vjen si shkak i fuqisë së vetos së përdorur nga Republika Srpska, një nga dy entitetet brenda BeH, që pengon çdo përparim drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Pas Samitit të Berlinit, presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, deklaroi se BeH nuk do të vazhdojë para me procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, duke nënvizuar synimin e tij për të parandaluar çfarëdo përparimi në këtë çështje.

Udhëtimi pa viza pengohet nga barrierat politike

BeH ka bllokuar vazhdimisht zbatimin e marrëveshjes që lejon udhëtimin pa viza ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe BeH. Si rrjedhojë, qytetarëve të të dyja vendeve u kërkohet ende të kalojnë nëpër procedura burokratike për të marrë viza për t’i vizituar familjet e miqtë.

Sistemi kompleks i vizave pengon marrëdhëniet tregtare midis të dy vendeve, duke çuar në një rënie drastike të tregtisë dhe duke dobësuar ekonomitë e BeH dhe Kosovës. Për më tepër, bizneset dhe organizatat duhet të ndajnë mjetet për t’i mbuluar kostot e marrjes së vizave për punonjësit e tyre.

Është me rëndësi të nënvizohet se Zoran Tegeltija, ish-kryetar i Këshillit të Ministrave të BeH dhe anëtar i SNSD (partia politike e Dodikut), nënshkroi të tri marrëveshjet në Berlin së bashku me kryeministra të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Ky akt u pa si shenjë optimizmi jo vetëm për qytetarët e të dyja vendeve por edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili gjeti shpresë në këtë shfaqje bashkëpunimi.

Në fund, është e qartë se taktikat kundërproduktive të Dodikut kanë triumfuar, pasi ai nuk do t’ia dijë për përgjegjësinë institucionale të marrëveshjes së nënshkruar.

Kjo mund të vërtetohet nga vetë deklarata e tij e bërë fillimisht në Beograd, ku pretendoi se Këshilli i Ministrave i BeH nuk miratoi ligjin e nevojshëm për ta mundësuar marrëveshjen.

Madje, ai rikonfirmoi qëndrimin e tij edhe në llogarinë personale në Twitter, teksa iu përgjigj politikanes gjermane dhe deputetes së Parlamentit Europian, Viola von Cramon, e cila bëri thirrje për ratifikimin e marrëveshjes.

BE-ja së pari duhet t’i lejojë qytetarët e Kosovës dhe Metohisë të udhëtojnë lirshëm brenda kufijve të saj dhe më pastaj t’i detyrojë të tjerët ta bëjnë këtë”, tha Dodik në përgjigjen e tij.

Për ta arritur këtë, është kruciale që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare të intensifikojnë përpjekjet e tyre dhe të ushtrojnë presion më të madh. Kjo bëhet edhe më evidente duke pasur parasysh faktin se përgjegjësia tani është veç e njërës palë.

Në fund të fundit, regjimi pa viza nuk do ta ndryshojë qëndrimin e BeH për njohjen e Kosovës, por do të jetë një përfitim i madh për qytetarët të cilët aktualisht përballen me procedura të shumta kur bëjnë vizita të ndërsjella.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.