Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Veprimet e Qeverisë së Kosovës rrezikojnë izolimin, cenojnë tregtinë rajonale dhe rëndojnë qytetarët

Më 14 qershor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u thirrur në shqetësime për sigurinë, vendosi një ndalesë për mallrat me origjinë nga Serbia. Produktet e vetme që nuk u ndaluan ishin materialet ndërtimore. 

Qeveria e SHBA-së tha se Qeveria e Kosovës nuk dha asnjë provë se si kjo ndalesë për mallrat me origjinë nga Serbia i parandaloi kërcënimet e sigurisë.

Bllokada ka shkaktuar konfuzion tek importuesit dhe i ka ndikuar negativisht kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë, duke ua ndërprerë zinxhirët e furnizimit dhe duke e rritur koston edhe për bizneset, edhe për konsumatorët. 

Ky vendim është shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Europën Qendrore (CEFTA), të nënshkruar nga Kosova. 

Në përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, paralajmëroi se, po qe se nuk ka ndryshim të kursit, vendi rrezikon sanksione apo përjashtim të mundshëm nga CEFTA.

Megjithëkëtë, duket se këto kërcënime nuk e kanë trazuar kryeministrin Kurti, qëndrimi i të cilit mbetet i palëkundur. Përtej implikimeve ekonomike, kjo politikë mund t’i rrezikojë marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj dhe mund të çojë në izolim të mëtejmë. 

Ndalesa e mallrave serbe bllokon ekonominë e Kosovës

Që nga pandemia COVID-19, çmimet e ushqimit në Kosovë janë rritur për 20 për qind. Përkundër rënies së inflacionit së fundmi, indeksi i çmimeve për konsumatorin vazhdon të rritet. Për më tepër, vlerësohet se Kosova, për shkak të kësaj ndalese, është duke i humbur afro 500 milionë euro në vit në tregti. 

Në një nga programet e fundit të BBC World Service, pronarët e njohur ndërkombëtarisht të verarisë Lakicevic nga Leposaviqi treguan se si bllokada ka ndikuar në biznesin e tyre. Ata tashmë nuk mund të blejnë shishe dhe kontejnerë më të lirë në Serbi, por janë të detyruar t’i sigurojnë ato në Itali ose Greqi me çmime më të larta, të cilat duhet t’ua bartin konsumatorëve. 

Nëse një kompani e huaj dëshiron t’i shesë produktet e saj në Kosovë ose diku në rajon, duhet ta bëjë këtë nëpërmjet marrëveshjeve rajonale. Kjo për shkak se tregjet individuale, si ky i Kosovës, janë shumë të vogla për t’i arsyetuar eksportet direkte. Si rezultat i kësaj, kompanitë e huaja shpesh lidhin kontrata me Serbinë, si tregu më i madh, për shpërndarjen e produkteve të tyre në vendet e tjera, duke përfshirë edhe Kosovën. 

Megjithatë, nëse Kosova i bllokon kompanitë serbe, gjithashtu e kufizon qasjen në produktet e këtyre kompanive të huaja, duke i detyruar ato të gjejnë rrugë alternative nëpërmjet vendeve të tjera për të hyrë në tregun e Kosovës. 

Kjo ndalesë i ka prekur të gjitha komunitetet në Kosovë; shumë nga to preferojnë produktet serbe për shkak të kualitetit dhe çmimeve më të ulëta krahasuar me konkurrentët e tyre në rajon. 

Kosova rrezikon përjashtimin e mundshëm nga CEFTA 

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, e vizitoi Kosovën dy herë gjatë shtatorit. Ai lëshoi një varg deklaratash duke paralajmëruar se Kosova mund të përballet me sanksione dhe përjashtimin e mundshëm nga CEFTA, nëse nuk e anulon vendimin e saj. 

Për t’i trajtuar shqetësimet e sigurisë së Qeverisë së Kosovës, Gjermania propozoi dërgimin e më shumë skanerëve më të avancuar të sigurisë për t’i menaxhuar kërcënimet e mundshme, në këmbim të heqjes së ndalesës për produktet serbe.  

Për më tepër, Gjermania ia ofroi Kosovës mundësinë që të përfaqësohet vetë në CEFTA, në vend se të përfaqësohet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) – një marrëveshje e zgjatur që buron nga refuzimi i Serbisë për njohjen e Kosovës dhe një synim i gjatë i Kosovës për t’u përfaqësuar plotësisht në forumet rajonale. Sidoqoftë, kryeministri Kurti nuk e pranoi këtë ofertë dhe zgjodhi ta vazhdojë ndalesën. 

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë theksoi se ndalesa e dëmton tregtinë, me rritjen e çmimeve dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit. Ata vërejtën se prodhuesit lokalë po ballafaqohen me barriera të mëdha për të pasur qasje në tregjet rajonale dhe investitorët e huaj po hezitojnë të bashkëpunojnë me Kosovën. 

Për më tepër, ata nënvizuan se nxitja e marrëdhënieve të mira fqinjësore është vendimtare për integrimin euro-atlantik të Kosovës, si dhe paralajmëruan se qasja aktuale mund të çojë në izolim ekonomik dhe politik, duke stagnuar rritjen dhe dëmtuar mirëqenien e qytetarëve. 

Siç deklaroi Sarrazini, tani Kosova rrezikon përjashtimin nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit – tjetër nismë e bashkëpunimit brenda Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. 

Ky vendim e lë Kosovën përherë e më të izoluar, duke kufizuar aftësitë e saj për zgjerimin e lidhjeve të nevojshme për qëndrueshmëri politike dhe ekonomike. Me sanksionet ende në fuqi të BE-së, Qeveria e Kosovës duket se po i trajton më me prioritet përfitimet afatshkurta politike në prag të zgjedhjeve, sesa përqendrimin në mirëqenien afatgjate të qytetarëve të saj.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.