Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Veriu i Kosovës në kontekst të dialogut Kosovë-Serbi dhe stabilokracisë

Me lehtësimin e BE-së dhe mbështetjen e ShBA-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e dytë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve. Një javë më pas, në Ohër, palët u dakorduan për aneksin e implementimit të saj.

Me gjithë mbështetjen perëndimore dhe energjinë e madhe diplomatike të shpenzuar, marrëveshja nuk solli përmirësim të marrëdhënieve për shkak të mospajtimeve mbi implementimin e saj nga pala serbe.

Menjëherë pas takimit në Ohër, Beogradi ka lëshuar deklarata të vazhdueshme të cilat në mënyrë eksplicite shprehnin mosgatishmërinë e zbatimit të marrëveshjes. Me gjithë qasjen destruktive nga ana e palës serbe, Brukseli dhe lehtësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, kanë qëndruar në heshtje.

Përkundrazi, presioni është bartur pothuajse tërësisht mbi Kosovën, duke insistuar në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (AKS), edhe pse në marrëveshje bëhet fjalë për ‘vetëmenaxhim’ e jo specifikisht për asociacion.

Tolerimi i mungesës së intencës për ta respektuar marrëveshjen nga Serbia nënkupton se dialogu ka fokus kryekëput formimin e AKS-së, e jo normalizimin. Kjo edhe pse serbët në veri bojkotuan zgjedhjet lokale në katër komunat në veri dhe presidenti Vuçiq vazhdon me qasjen e tij destruktive.

Kriza më e fundit në veri të Kosovës mund të shihet si një çirrje e Kosovës për t’u dëgjuar. Më konkretisht, kjo krizë është një përpjekje e Kosovës për të siguruar që të arrihet një pajtim mbi implementimin e të gjitha pikave të akordeve Bruksel-Ohër.

Rrjedhimisht, nëse nuk ndryshohet qasja në dialog dhe nuk adresohet njëanshmëria e procesit, do të shkojmë nga kriza në krizë, pa ndonjë përparim domethënës.

Dështimi i zbatimit të marrëveshjes së fundit veçse ka prodhuar një mori krizash në veri të Kosovës. Pas shkuarjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale në veri, grupet ekstremiste serbe sulmuan policinë, KFOR-in dhe gazetarët shqipfolës. Po ashtu, Serbia rrëmbeu tre policë të Kosovës në zonën kufitare, kurse Kosova ndaloi importin e mallrave serbe.

Prandaj, është e domosdoshme që rikthimin e krizës në veri në fund të majit 2023 ta shohim në kontekst të dialogut Kosovë-Serbi dhe dështimit të kapitalizimit mbi marrëveshjen e arritur në Ohër dy muaj më parë.

Veriu në kontekstin e stabilokracisë

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, e kanë prezantuar veriun kryesisht si një problem politik. Qëndrimi i tyre është se problemi në veri të vendit zgjidhet vetëm me autonomi lokale për serbët. Në anën tjetër, Kosova e sheh veriun si një problem të sundimit të rendit, ligjit dhe sigurisë. Rrjedhimisht, është krijuar një mospërputhje në atë se si kuptohen problemet. Shpeshherë, përpjekjet e Prishtinës për ta zgjeruar sundimin e ligjit në veri përcillen me reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtar. Problemi është se fusha e sundimit të ligjit është e ndërlidhur më atë të sigurisë.

Përpjekjet e Kosovës për shtrirje të sundimit të ligjit kanë gjasa që të ngjallin reaksion më të fortë në veri, duke i shndërruar ato në probleme sigurie. Këtu mund të përfshihet edhe puna e kryetarëve të rinj të komunave nga objektet komunale.

Nuk ka arsye të fortë për t’i penguar kryetarët e rinj të punojnë në objektet komunale publike, pasi ata janë të zgjedhur dhe kanë dalë nga një proces zgjedhor, megjithëse legjitimiteti i tyre nuk është i plotë.

Ndërmjetësuesit e kanë thënë deklarativisht se ata kanë dalë nga një proces i plotë zgjedhor i pranuar. Në këtë mënyrë, ata duhet të kenë mundësi t’i përmbushin detyrat e tyre në dobi të komuniteteve lokale nga objektet publike.

Por, ndërmjetësuesit nuk preferojnë fare që Kosova të ndërmarrë ndonjë veprim që ngjall reagim në veri. Kjo gjë u jep Serbisë dhe strukturave kriminale në veri pushtet të stërzmadhuar sepse ata e kontrollojnë agjendën me kërcënimin për jostabilitet. Dorëzimi i parakohshëm ndaj këtyre kërcënime është shtylla e stabilokracisë në Ballkanin Perëndimor.

Tutje, secili veprim i Prishtinës në veri ngjall reagim agresiv nga Serbia, e cila vazhdimisht e mobilizon ushtrinë në kufi me Kosovën.

Kjo bën që problemi të paraqitet gabimisht edhe si problem ushtarak, që është përdorim cinik i frikës së Perëndimit ndaj një konflikti të ri në kontekstin e luftës në Ukrainë. Rrjedhimisht, lufta në Ukrainë ka rezultuar në një superstabilokraci, ku nuk tolerohet asnjë sfidim i hegjemonisë serbe në Ballkanin Perëndimor.

Duke marrë parasysh këto sfida, është esenciale të ketë një përafrim mes kuptimeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës për natyrën e problemeve në veri. Pra, të ketë konvergjencë në të kuptuarit se kemi të bëjmë me problem të sundimit të ligjit dhe sigurisë, dhe jo problem vetëm politik, apo edhe problem ushtarak, sepse gjasat për sulm ushtarak nga Serbia janë të vogla.

Në fakt, gjatë kësaj krize, janë evidentuar një reagim verbal perëndimor ndaj dhunës së shkaktuar nga grupet ekstremiste serbe kundër forcave të KFOR-it dhe një përdorim i forcës në mënyrë cinike nga Serbia për ta promovuar agjendën e vet.

Reagimi i ashpër ndaj Kosovës ishte befasues, por pas sulmeve të ekstremistëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it, pati pajtim që duhet të ketë ndjekje penale të atyre që ishin përfshirë në sulme.

Ndoshta ngjarjet e fundit janë indikatorë se ka fije shprese se po bëhen hapa drejt një konvergjence ku ka pajtim për natyrën e problemit në veri të Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.