Në fund të viteve 50-ta të shekullit të kaluar, Robert Schuman, ish kryeministër francez dhe njëri nga ideatorët e Bashkimit Evropian, në një seri reflektimesh, kishte deklaruar që “Ne nuk do të mund ta pakësojmë siç duhet nacionalizmin e tjetrit duke i kundërvënë nacionalizmin tonë.” Duke vazhduar që “Izolimi është kthyer jo vetëm në shkak dobësimi, por edhe në shkak zvetënimi.” Në atë kohë, raportet ndërmjet gjashtë shteteve të Evropës, ku bënin pjesë: Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu, ishin në një fazë optimizmi. Tashmë kishim traktate të nënshkruara, siç ishte ai për Thëngjill dhe Çelik dhe në rrugë e sipër ishte Traktati i Romës në 1957.
Pas shtatë dekadave nga ky dialog i Schuman duket që BE është në një krizë të madhe të brendshme. Diskutimi i radhës në podcastin Rendi Botëror fokusohet pikërisht mbi multikulturalizmin dhe krizën evropiane. Jemi dëshmitarë që demokracitë perëndimore janë duke kaluar në një test mjaft rëndësishëm. Kriza financiare greke e vitit 2010, vazhdoi me problemet e refugjatëve në vitin 2015 dhe kulmoi me referendumin në Britani të Madhe, duke bërë që ky shtet të largohet nga Unioni pas më shumë se 4 dekadash. Këto ngjarje krijuan një klimë të përshtatshme edhe për lëvizjet populiste, kryesisht ato të ekstremit të djathtë.
Për të diskutuar më në detaje për të gjithë ato që po ndodhin në demokracitë perëndimore, në vetë Evropën dhe BE, për problemet strukturore brenda BE-së, për raportet që BE ka me aktoret joevropianë si dhe për relacionin BE-Ballkani Perëndimor, kishim të ftuar Vjosa Musliun. Vjosa është profesore e Shkencave Politike në Universitetin Vrije në Bruksel, dhe interesimet shkencore të saj janë: intervenimet evropiane dhe ndërkombëtare, pastaj konfliktet dhe politika ekonomike ndërkombëtare.
Gjatë diskutimit, duket që Vjosa ishte, të themi ashtu kushtimisht “e relaksuar” sa i përket krizës së demokracisë dhe miltikulturalizmit në përgjithësi. Sipas saj, “krizat apo tensionet që sot po i shohim në Evropën Perëndimore dhe në botën perëndimore, kanë ekzistuar gjithmonë.” Pra, nuk kemi të bëjmë për një fenomen të ri, por një përsëritje të diçkaje që historia politike, sidomos ajo evropiane është e mësuar dhe e provuar në të kaluarën me to. Në fakt, sipas Vjosës, gjatë këtyre tensioneve apo krizave, Evropa dhe BE, përpos që u ka mbijetu këtyre proceseve, në ndërkohë është riformatizu. Sidoqoftë, sipas Vjosës, “mungesa e një fajtori të dukshëm të demokracive liberale, kemi pasur një rikthim tek “lëvizjet sovraniste,” duke përdorur logjikën që “nëse i kthehemi sovranitetit, kemi me i zgjidhë të gjitha problemet, të cilat janë shpërfaqur dekadën e fundit si rezultat i krizave, ekonomike, financiare, morale dhe të sistemit të vlerave, natyrisht.
Një ndër çështjet që analizohen në vazhdim të këtij podcasti është edhe raport që BE ka kriju me vendet autoritare, si Kina dhe Rusia. Sipas Vjosës, Bashkimi Evropian, ndoshta edhe për shkak të krizave që vazhdon t’i ketë, ka kriju “një vakum përreth vetes” dhe për këtë arsye nuk kemi parë reagime ndaj rasteve sikur intervenimi i Rusisë në Gjeorgji në vitin 2008 dhe pastaj aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Mungesa e një reagimi të përbashkët të BE-së përkitazi më Rusinë, sipas Vjosës, mbi të gjitha vjen si rezultat që vendet anëtare të BE-së kanë interesa komplet të ndryshme në politikën e jashtme. Kjo qasje, sipas Vjosës e ka dobësu edhe më tej idenë që BE të marrë qëndrime e pozicione të qarta të përbashkëta në politikën e jashtme, duke ia dobësuar edhe “fuqinë normative të saj.”
Hapësirë të veçantë gjatë këtij podcasti i kushtohet edhe raportit që Bashkimi Evropian ka me Ballkanin Perëndimor dhe me Kosovën specifikisht. Vjosa ka një kritikë të lidhje ne diskursin dhe debatin që zhvillohet në Kosovë sa i takon idesë se integrimit dhe perspektives së Kosovës që një ditë të bëhet pjesë e BE-së. Sipas saj, mbi të gjitha, debati publik ka nevojë, para së gjithash “me u çkapë nga fetishi për Evropën dhe evropianizimit, si diçka që duhet të ndodhë se s’ka ndryshe.” Duke vazhduar që, është moment shumë i mirë, që si Kosovë të ndalemi dhe të mendojmë sesi t’i ndërtojmë institucionet dhe strukturave shtetërore, “për faktin se duhet të ndërtohen, e jo për faktin që duhet të ndërtohet një shtet, i cili në të ardhmen do të integrohet në Bashkimin Evropian.” Kjo qasje sipas Vjosës vërehet edhe në shtete tjera të Ballkanit Perëndimor, ku ka një ‘tjetërsim të nocionit të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit me integrimin në Bashkimin Evropian.” Kjo mendësi politike është bërë dominuese në Ballkan, që do të thotë që ‘do të duhej të zhvillohemi dhe të krijojmë një sistem funksional, me qëllimin që të bëhemi pjesë e BE-së.” Në përmbyllje, sa i takon iniciativës së “Mini-Schengenit” Vjosa beson që, edhe kjo iniciativë më së shumti duhet të lexohet si reflektim i krizës së BE-së, në kuptimin që për shkak problemeve të brendshme që ka, nuk mund të arrijë një përgjigje të duhur se çfarë të bëjë me Ballkanin Perëndimor.
***
Ky podcast prodhohet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.