Connect with us

Hi, what are you looking for?

Podcasts

Episodi 6: “Britania e Madhe post-Brexit dhe Politika saj e Jashtme” – Mysafir: Gëzim Krasniqi

Rezultati i referendumit i vitit 2016 në Britani të Madhe për largimin e këtij shteti nga Bashkimi Evropian, ishte traumatik në shumë nivele. Së pari, ishte një goditje e madhe për një pjesë të qytetarëve të UK-së, të cilët ishin kryesisht të rinj, dhe njerëz më shkollim të lartë, e që mbështetën fuqishëm mbetjen në Union. Për këto kategori shoqërore, ishte krejtësisht e pa menduar, që të shihej UK jashtë BE-së. Por, tashmë ishte vonë, fushata që mbështeste largimin kishte pasur sukses dhe rezultati i referendumit ishte i qartë. Së dyti, e befasuar ishte edhe vetë BE, e cila për herë të parë po përballej më një situatë të tillë-UK ishte shteti i parë që po largohej nga Unioni në më shumë se shtatë dekada, qëkur BE po funksiononte në forma të ndryshme të organizimit. Dhe së treti, jo më pak të habitura ishin shtetet që pretendonin që një ditë të bëheshin pjesë e Unionit. E këtu e kam fjalën për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vende këto që “integrimin në BE” e kanë shndërruar në slogan politik prej vitesh.

Pas më shumë se katër vite e gjysmë që nga mbajtja e referendumit dhe pas një sage të gjatë të negociatave, UK me 31 Dhjetor 2020 përfundimisht braktisi Unionin, por duke u pajtuar mbi marrëdhënien e re UK-BE. Megjithëse, UK dhe BE janë pajtuar mbi një vargë çështjesh ekonomike e tregtare, një mori pyetjesh ngriten për sa i takon efekteve në politikën e jashtme; si në rrafshin rajonal e evropian, po ashtu edhe në atë global.

Për këtë qëllim, në podastin e kësaj jave, kemi të ftuar Dr. Gëzim Krasniqin. Gëzimi është ligjërues i Nacionalizmit dhe Sociologjisë Politike në Universitetin e Edinburgh si dhe është Drejtor i Programit të studimeve Master për Nacionalizëm.

Gjatë këtij diskutimi, me Gëzimin fokusohemi përgjithësisht në katër fusha; fillimisht mbi vetë idenë e Brexitit, pastaj për pasojat që kjo lëvizje do të ketë në politikën e saj të jashtme, për të vazhduar raportet transatlantike, specifikisht në lidhje me NATO-në dhe roli i UK në mirëmbajtjen e kësaj marrëdhenie. Një theks të veçantë i japim rritjes së nacionalizmit, si dhe në fund, ndalemi në Ballkanin Perëndimor dhe çfarë mund të jetë politika e jashtme e UK-së në raport me rajonin tonë.

Sipas Gëzimit, mbajtja e referendumit dhe vetë ideja e Brexitit nuk është shoqëruar më një plan konkret dhe në momentin që është votuar, njerëzit nuk e kanë ditur se çka po votojnë saktësisht, “shumica e njerëzve nuk e kanë pasë idenë se cilat janë termat dhe kushtet që Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian.” Dhe për këto arsye, sipas Gëzimit, u deshen afro pesë vite negociata, rrëzim të qeverive për të arritur një marrëveshje që “pak a shumë i mbron interesat e të dyja palëve.” Mirëpo, ajo që mbetet ende e paqartë është roli i Britanisë së Madhe në fazën post-Brexit. Duke vazhduar analizën, Gëzimi thotë që edhe anëtaret e BE-së, e sidomos shtete më të mëdha të saj, po  kërkojnë nga Britania e Madhe që ajo vetë të zgjedh se cili është “modeli që UK do të merr që të ndërtojë raportet e reja me BE-në.” Megjithëse nuk ka një politikë të qartë të jashtme, sipas Gëzimit, raportet e UK me shtetet kryesore të BE-së mbeten pak a shumë të njëjta, ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ashtu janë raporte ”kyçe dhe historike dhe me gjasë do të vazhdojnë pavarësisht konstelacioneve politike.”

Në pjesën e diskutimit mbi raportet transatlantike dhe rolin britanik, Gëzimi shpjegon që ekziston një bindje që UK do të angazhohet që të “rifuqizojë rolin e NATO-së, sepse NATO mbetet ombrellë kryesore, që në fakt bën pjesë në një mekanizëm më të gjerë të sigurisë së Britanisë së Madhe.” Sipas Gëzimit, Britania e Madhe asnjëherë nuk ka qenë ithtare e krijimit të një mekanizmi tjetër të sigurisë brenda BE-së. Dhe tani “kur e kemi Britaninë jashtë BE-së, ka gjasa që ajo ide të zbehet për shkakun që do ta linte jashtë Britaninë e Madhe.”

Në pjesën e fundit të diskutimit, Gëzimi parashikon që politika e jashtme e UK-së, nuk duket që do të ndryshojë në permasa të mëdha në raport me Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, sipas Gëzimit largimi i UK nga BE nuk është lajm i mirë, e sidomos për Kosovën, sepse ndoshta “Kosova ka humbë zërin më përkrahës në raport me Pavarësinë e saj.”

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.