Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gjykata e Punës si dëshmi ndryshimi

Gjykata e Punës si dëshmi ndryshimi

Qindra-mijëra punëtorë detyrohen t’i pranojnë shkeljet thelbësore ndaj tyre për shkak se kur i raportojnë vonohen, e si pasojë nuk i raportojnë fare. Gjykata do ta zbatonte, por edhe do ta bënte ligjin. Përmes kësaj gjykate do të përfitonte drejtpërdrejt një numër i madh i qytetarëve që nuk arrijnë t’i zgjidhin problemet e tyre. Ky do të ishte ndikimi pozitiv në jetën e tyre të përditshme. Ky do të ishte ndryshimi.

Ka pak raste kur lëndët në sistemin gjyqësor janë zgjidhur me shpejtësinë e duhur, pa përjashtuar ndonjë lëmi. Raportet vendore dhe ndërkombëtare tregojnë se deri te një vendim final i ndonjë gjykate në Kosovë duhen 4-7 vjet, varësisht se për çfarë bëhet fjalë. Kjo zgjidhje e vonuar drejtësie nuk ka shumë kuptim për shkak të viteve të kaluara dhe kjo e drejtë është joefektive.

Pavarësisht modelit dhe orientimit ideologjik që ndjekin shumë shtete, politikat në lidhje me marrëdhënien e punës janë më të rëndësishmet në kuadër të politikave të tyre sociale. Arsyetimet lidhen kryesisht me atë se punësim i sigurt do të thotë punësim më i lartë, mbledhje më shumë taksash dhe më pak nevojë për transfere sociale, për arsye se, siç do të thoshte profesori danez i sociologjisë Gosta Esping-Anderson, “empirikisht, puna është mjeti më i mirë për luftimin e varfërisë dhe pabarazisë sociale”.

Se çështjet që lidhen me punën gjykohen e nxirren vendime në kuadër të një sistemi më gjithëpërfshirës gjyqësor sesa një sistemi më special, qoftë kjo edhe në kuadër të një departamenti të veçantë. Pra, punëtorit të thjeshtë dhe të pambrojtur i është kufizuar aftësia për të paraqitur padi dhe çfarëdo procedure tjetër ligjore. Krejt kjo në mungesë të sindikalizmit të strukturuar dhe në mungesë të informacionit për procedurën dhe për shumën që duhet paguar për ta pasur mbështetjen e një avokati.

Në Kosovë kësaj çështjeje i është kushtuar pak rëndësi. Me Ligjin për Gjykatat, konfliktet që lindin nga marrëdhënia e punës shqyrtohen dhe vendosen me kompetencë ekskluzive nga Departamenti për Çështjet Administrative që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me juridiksion për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Organizimi, kompetenca dhe rregullat e procedurës që rregullojnë dëgjimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës janë centralizuar në Prishtinë. Ky rregullim e ka vështirësuar tejmase komunikimin ndërmjet punëtorit dhe sistemit gjyqësor përmes të cilit punëtorët presin zgjidhje në afate optimale.

Sistem i këtillë mbretëronte edhe në Belgjikë deri në vitin 1970, ku mosmarrëveshjet juridike-sociale ishin në kompetencë të një sërë gjykatash: gjykata civile, gjykata për mosmarrëveshje në lidhje me kontratat e punës, gjykatat administrative dhe madje edhe gjykatat tregtare. Pas këtij viti u kodifikua kjo çështje, duke pasuar me themelimin e një gjykate të veçantë të punës me kompetencë për mosmarrëveshjet juridike-sociale.

Duhet theksuar se Belgjika e ka këtë sistem plotësisht të pavarur nga sistemi tjetër gjyqësor. Siç edhe shpjegohet në raportin me titull “Gjykatat e punës në Evropë – Punimet e një takimi të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studimet e Punës, “sistemi belg i gjykatave të punës, siç ekziston tani, është një kompromis midis dy tendencave të kundërta: autonomi e plotë jashtë sistemit gjyqësor, nga njëra anë, e integrim i plotë në gjykatat e zakonshme, nga ana tjetër”.

Tutje, Gjykata e Punës në Irlandë ka luajtur një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e punës, duke pasur profil të lartë dhe publikime të rëndësishme të cilat thelbësisht kanë ndikuar në të drejtat e punëtorëve falë besimit publik të lartë të kësaj gjykate. Modeli tjetër do të ishte i një gjykate speciale të punës siç e ka Suedia, të krijuar “për të dëgjuar dhe vendosur mbi mosmarrëveshjet e lidhura me punën”.

Sipas kësaj gjykate, “mosmarrëveshja e punës është çdo mosmarrëveshje që prek marrëdhëniet midis punëdhënësve dhe punonjësve”. Një gjykatë e tillë luan rol aktiv në një proces gjyqësor duke bërë pyetje e duke bërë monitorime. Ky aspekt i organizimit palëve ua mundëson t’i zhdukin mangësitë dhe paqartësitë në argumentet ligjore që ata i paraqesin.

Por, të kthehemi edhe njëherë në Kosovë, për të parë nëse vërtet me ndërrimin e qeverisë së re të votuar në mars të këtij viti janë ndërmarrë hapa konkretë drejt përmirësimit dhe avancimit të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve?

Kryeministri Kurti, në prezantimin e programit të Qeverisë për vitet 2021-2024, përmendi themelimin e dy gjykatave – Gjykatën e Punës dhe Gjykatën Komerciale – por në programin legjislativ për vitin 2021 parashihet vetëm Gjykata Komerciale. Për këtë gjykatë tashmë kemi edhe projektligjin e miratuar në Qeveri dhe të proceduar për Kuvend. Por, nuk kemi gjykatë të punës dhe nuk e dimë se kur do të procedohet dhe nëse do të bëhet përnjëmend.

Themelimi i një gjykate të punës në Kosovë do të ishte dobi e madhe në lidhje me aspektin e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Por, duke mos themeluar gjykatë sa për t’u mundësuar procedimi i ndonjë padie ose apelimi. Një gjykatë e tillë do të ishte në funksion të interpretimit dhe zbatimit të normës juridike nga marrëdhënia e punës, siç është dhe siç parashihet me ligj.

Ministria e Drejtësisë, por edhe deputetët e Kuvendit, duhen të iniciojnë sa më parë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatat, ose edhe të sjellin ligj të ri për themelimin e Gjykatës së Veçantë të Punës, e cila do t’i trajtonte lëndët që rrjedhin nga konfliktet në marrëdhëniet e punës. E nëse kjo s’do të ishte e mundur shumë shpejt, pse të mos themelohej fillimisht një departament i veçantë pranë secilës gjykatë themelore në shtatë rajonet e Kosovës. Sepse zbatimi dhe avancimi i Ligjit të Punës varet edhe nga roli i gjyqësorit në një vend të caktuar.

E drejta e secilit individ, në këtë rast e punëtorit, duhet të realizohet me kohë. Përndryshe e humb kuptimin. Qindra-mijëra punëtorë detyrohen t’i pranojnë shkeljet thelbësore ndaj tyre për shkak se kur i raportojnë vonohen, e si pasojë nuk i raportojnë fare. Gjykata do ta zbatonte, por edhe do ta bënte ligjin. Përmes kësaj gjykate do të përfitonte drejtpërdrejt një numër i madh i qytetarëve që nuk arrijnë t’i zgjidhin problemet e tyre. Ky do të ishte ndikimi pozitiv në jetën e tyre të përditshme. Ky do të ishte ndryshimi.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.