Kritikë e shfaqjes “Burgu Politik – në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit”
Pritëm në rresht, për dy për tre, në hapësirën e errët para burgut. Edhe pse në kohë, kishte të tjerë që po prisnin para meje. Përmes përshpëritjes u munduam të kalonim ankthin e lehtë të pritjes për t’u futur në burg. Burgu është disi i ftohtë. Është asocim i privimit, imazh i vdekjes. Pritja para muzeut “Burgu i Idealit” e bëri të vetën. Pritja na bëri pjesë e shfaqjes.
Gjatë javës së 20 korrikut në ambientet e muzeut “Burgu i Idealit” u dha shfaqja “Burgu Politik – në kujtim të Adem Demaçit dhe Ukshin Hotit” nën organizimin e regjisorëve, Kushtrim Mehmetit, Kaltërim Balajt dhe dramaturgut Pashtrik Brahajt. Në shfaqje luajtën, Lorent Pacolli, Mikel Markaj, Shaban Behramaj, Fitore Jashari, Art Pasha, dhe Blendon Ahmeti. Për muzikën është kujdesur Lulzim Lushtaku.
Një shfaqje në brug
Burgu, në imagjinatën tonë, dominohet nga imazhet filmike të burgjeve, ashtu siç portretizohen në filmat e Hollywoodit, në stilin e filmit “Prison Break”; burgje me hapësira të larta, oborre të mëdha dhe hangare të gjëra punuese. Në muze, qelitë qenë hapësira të ngushta dhe ngufatëse. Ulëse të impovizuara e të vjetra, mure të ngjyrosura keq, e kundërmimi i lehtë i toaletit qenë po ashtu pjesë e skenës – e qelisë. Në formën e një siluete të gjallë e të shkrirë në hijen e vet, në murin para nesh, në formë të një personazhi statik, u shfaq një grua. Hana, një studente e rrëmbyer nga demonstratat. Ajo priti në heshtje derisa publiku i qelisë u kaplua nga errësira dhe u mbërthye nga fryma e qelisë. Në shfaqje pati veç monologje. Monologu synonte shpalosjen e secilit subjekt si individ më vete. Çdo subjekt, fillon me trupin si banor qelie, si realitet fillestar dhe përfundimtar; por megjithatë, zanafilla e këtij trupi shënjon një identitet tjetër, përtej burgut.
Tortura si mjet politik
Tortura ndaj të burosurve është elementi më i theksuar i kësaj shfaqjeje. Tortura është instrumenti për prodhimin e të vërtetës mbi trupin. Në burgjet e Jugosllavisë dhe të shumë autokracive a diktaturave, tortura ka qenë mjeti kryesor i shtrëngimit dhe perversionit të së vërtetës. Për të “dëshmuar” fajësinë, vendin e hetuesisë në zbulimin e fajit e ka zënë interrogimi dhe tortura në burgje. Në rastet e montimeve politike kjo lloj praktike ka qenë evidente. Përmes torturës së ushtruar ndaj subjektit shpikej apo trillohej një e vërtetë, alibi sa për të arsyetuar sistemin dhe pushtetin. Regjisorët e shfaqjes “Burgu Politik”, mjeshtërisht dëshmojnë se pushteti jugosllav burgoste gjithkënd që ishte kundër narrativit të “bashkim vllaznimit”. Ushtrimi i të drejtës për vetëvendosje ishte thjesht një herezi. Të menduarit politikisht ndryshe ishte herezi. Kjo vërehet në monologjet e të burgosurve, të ndryrë për shkak të bindjeve politike.
Burgosja dhe torturimi i të tillëve bëhej për t’i thyer e për të tmerruar bashkëudhëtarët e idealit. Mishel Fuko (Michel Foucault) ka bërë një trajtesë të gjërë në lidhje me pushtetin, ndëshkimin dhe format e tjera të disiplinimit në librin e tij “Disiplinë dhe ndëshkim – lindja e burgut”. Siç thotë Foucault, ndëshkimi nuk kishte për qëllim vetëm trupin e të ndëshkuarit, por edhe “spektaklin traumatizues” me qëlllim të terrorizimit të masave dhe nënshtrimit të tyre përmes frikës. Ekzekutimi zëvendësohet me metoda më të efektshme të ndëshkimit. Pra, mundimi dhe persekutimi i trupit deri në barbari është forma ku përmes trupit thyhet shpirti. Përmes shfaqjes së torturës konstante, regjisorët kanë arritur ndjeshmërisht të depërtojnë dhe krijojnë intersubjektivitetin e dhimbjes, duke e paraqitur torturën si ritual politik, apo duke iu përafruar asaj që sipas Fukosë shpjegohet si ceremoni ku pushteti shfaqet shtypës dhe vrasës i vullneteve njerëzore. Kjo lloj torture është politike ngaqë përmes krimit, shtypjes dhe dhunimit të trupit të tjetrit përpiqet ta suspendojë, ta heshtë dhe asgjësojë idenë e që në thelb është krejt metafizike. Është metafizike ngaqë lidhet me lirinë. E liria është produkt i një vullneti që shkërmoq çdo ligj imagjinar të kauzalitetit. Ata arritën të bëjnë ndarjen midis faktit të dhënë dhe idealit si realitet. Ideali i tyre ishte liria, hapësira e qytetarëve të lirë (rex publica) dhe Shqipëria si përjetësi utopike. Realja dhe Idealja ishin të shkrira në njëra tjetrën dhe ekzistonin në një hapësirë krejt transcendentale, e shënjuar përmes togfjalëshit nana Shqipëri. Ky ideal ishte ngushëllimi më i mirë për dhembjet dhe njëkohësisht shpresë e pavdekshme për liri. Zbërthimi pak më i qartë dhe diskursiv i këtij narrativi i ka munguar shfaqjes. Ajo çfarë ka munguar në këtë pjesë është simulimi i një skene torturimi psiqik, ku subjekti merret në pyetje nga shefi i policisë, e publiku vështron pas xhamit të tejdukshëm.
Burgu si njëmendësi
Burgu bëhet edhe jeta vetë, kurse jeta e kaluar jashtë grilave është veç një dimension imagjinar dhe fiktiv. Këturapnueshmëria (Dasein) është realiteti i vetëm i momentit, historisë dhe së ardhmës. Kjo shpaloset mrekullisht përmes personazhit Hana. Një grua për të cilën burgu është totalitet. Ajo ka mësuar çdo detaj të burgut dhe tortura që pëson është ngacmimi seksual, por ajo çfarë e thyen atë është gjendja e pastorturës e cila krijon një boshllëk sfilitës në shpirtin e saj, në një hapësirë kaq të vogël si qelia e burgut. Tentimi apo vetëvrasja shihet nga ajo si forma e vetme për arratisje drejt lirisë. Vetëdëmtimi fizik është një formë tjetër për t’u liruar nga diktatura e trupit dhe në rast të çfardo përdhunimi ajo të jetë krejt e pandjeshme. Përtej kësaj, prania e gruas në burg, i jep edhe një dimension feminin revoltës dhe rrezistencës së viteve 90-ta në Kosovë. Prania e saj, në fakt, nxjerr në pah edhe përvetësimin patriarkal të rezistencës dhe minimizimin e rolit të gruas në organizimin e kësaj rezistence.
Liria
Dy personazhe, të cilët janë më të spikatur dhe tashmë janë figura emblematike të lirisë, janë Ukshin Hoti dhe Adem Demaçi. Për dallim nga të burgosurit e tjerë, subjekti në rolin e Ukshin Hotit, përmes simbolikës së dritës fosofrizuese ndriçon burgun dhe bëhet fanar për të tjerët. Ai lë gjurmë ndriçuese në burg paçka se dënohet edhe në errësisë. Ai është vetëndriçuesi. Për të gjetur dritën e tij ai futet në thellësinë e errësirës në burg. Eureka! – është shpërthimi i tij, ku bërja (devenír) dhe vdekja renditen në një paralele të përbashkët veprimi. “Bëje ose Vdis” – referuar në një shkrim dhe ligjeratë të mbajtur nga Ukshin Hoti – është rrëfim vetësakrifikues por që bën thirrje për mbajtjen gjallë të idealit të demokracisë. Maksima “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen” e Ukshin Hotit është pësiatje teorike e ndikuar nga praktikat budiste për mohimin e trupit, satyagraha, si formë e një mosbindjeje civile totale dhe pikëpamjet e Hegelit për shtetin, idealin dhe lirinë. Shpirt i çliruar është ai që e ka mundur vdekjen, ose frikën nga vdekja.
Rrezistenca për ideal
Ndërsa për Adem Demaçin, një figurë emblematike e burgut dhe e rezistencës , fija metafizike ku gjendet shpresa dhe motivi për të jetuar quhet “Nëna Shqipëri”. Ai kërkon që ninullat dhe dashnia e nënës të transcendohet dhe sublimohet në dashuri për nënën Shqipëri, mee të mirat e të metat e saj. Ekzistenca e përjetshme e Shqipërisë është ngushëllim i arratisjes shpirtnore. Ukshin Hoti bënte thirrje për çlirim, Adem Demaçi për bashkim. Dhimbja sendërtohet si mangësi për çlirim, kurse çlirimi si përpjekje për bashkim.
Vdekja, zgjimi dhe burgu i trupit
Me të mbaruar shfaqja në qeli, gardiani i dramës na nxori nga qelitë e përjashtë. Kujtova se përfundoi shfaqja duke zbritur shkallëve teposhtë, por në fakt u transferuam në një hapësirë tjetër. Ky qe oborri i burgut me mure të larta dhe qiell të hapur. Ajrin i freskët na përmendi. Qelia na kishte ngufatur. Oborri i burgut u shndërrua në skenë tjetër teatri. Na ra në sy kontrabasisti. Ai ishte i rreshtuar para një sfondi të kaltër dhe në duar mbante kontrabasin e kuqërremtë. Me tinguj të rëndë paralajmëronte fillimin e fundit të shumëpritur: vdekjen. Të gjithë të burgosurit u rreshtuan. Në ankth duke e pritur lirinë, u përballën me vdekjen. Ky është momenti që Peter Szondit do ta quante “dramë brenda jetës”, përmbysja ku fatkeqësia kthehet në fatalitet, në çlirimin përfundmitar: nga jeta mizore në vdekjen eternale. Çdo vdekje e tillë, e kuptimësuar si flijim për ideal është e jashtzakonshme, është kushtrim për zgjim dhe rezistencë, për dallim nga vdekjet e rëndomta që janë çlirim i befasishëm nga burgu i trupit.
Porosia e munguar sociale
Shfaqja, normalisht, ka edhe porosi politike, por të sublimuar dhe nënshtruar brenda tutelës së dhimbjes si përkujtim empatik. Ajo çfarë e bën të veçantë dhe krejt origjinale këtë shfaqje është mizanskena. Ajo zhvillohet në një ambient burgu ku kushtet për realizim dhe akomodimi i tyre duhet të ketë qenë i vështirë. Megjithatë, përthekimi i publikut brenda një presioni psiqik për të vështruar e dëgjuar përjetimet e torturimit fizik, britmat; simulimi i gjakimit dhe lemeria konstante e torturimit, ka lënë nën hije aspektet e tjera të raporteve ndërnjerëzore brenda burgut. Burgu, përkundër torturimit, ka momente solidariteti, bashkëbisedime e takime me vizitorë e familjarë. Aspektet sociale të jetës në burg mungojnë tërësisht. Shfaqja mund të krijojë një imazh të një burgu ku njerëzit vuajnë vetëm brenda një presioni dhe torturimi konstant fizik. Mbështetësi më i madh i një të burgosuri ka qenë i burgosuri, libri dhe shpresa e takimit me familjarët.
Çlirimi dhe bashkimi si mesazh politik
Regjisorët kanë dërguar edhe mesazhe politike me shfaqjen. Burgu, përkundër metodave të persekutimit dhe torturimit, megjithatë ka qenë vatër ku njerëzit e idealit janë kalitur edhe më shumë me idealet e tyre. Ajo që nuk i ka vrarë i ka bërë edhe më të fuqishëm, do të thoshte, Niçe. Ideal nuk është veç çlirimi, por edhe realizimi i një projekti politik. Në pyetjen se çfarë porosie dhe imazh të koduar synon regjisori përmes përkujtimit të idealit, regjisori Kushtrim Mehmeti u shpreh se: “Është e vështirë të ndash vuajtjet, torturën dhe qëndresën nga burimi i saj, Ideali. Harresa e njërës a tjetrës na shpie drejt humnerës. Gjithë ndërtimi i shfaqjes, çdo here mundohet veç tjerash, të përçojë mesazhin e ri-kujtesës, ta fshijë pluhurin e harresës dhe të bëjë kushtrim për idealin e idealistët. E thotë Adem Demaçi: “Në burg është vendi ku shkatërrohet trupi dhe vihet në provë shpirti. Që të dyja nuk të takojnë. Zgjidh! Nëse do trupin, harroje shpirtin! Nëse do shpirtin, harroje trupin!”.” Regjisori tjetër Kaltrim Balaj tha se: Shfaqja është ideuar që të jetë një zë, një figurë, një imazh e bile edhe nje skulpturë për Muzeun “Burgu i Idealit”! Të qëndrosh në burgjet e asaj kohe ku torturat kanë qenë çnjerëzore, ose është dashur të kalosh në një gjendje tjetër (jo në çmenduri!), ose ke qenë Mbinjeri! Unë besoj tek e dyta!”. Sipas interpretimit të regjisorëve, ideali i këtyre të burgosurve ka qenë thellësisht njerëzor. Ideali i tyre ishte ruajtja e njerëzores brenda vetes, esëllia dhe shmangia e çdo lloj çmendurie.
“Burgu Politik” synon të na përkujtojë se njeriu është qenie që harron. Shfaqja në vete është përkujtim i dhembshëm. Njeriu është i dënuar të kujtojë, por falja e bën atë madhështor. Injoranti është personi që fal dhe harron, kurse i dituri madhështor është ai që fal, po nuk harron. Popujt që harrojnë janë të prirë të vuajnë gjithmonë. Prandaj nuk do të harrojmë.