Më 19 janar 2012, Komisioni Europian (KE) ka nisur procesin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke ofruar udhërrëfyesin për përmbushjen e kritereve për të arritur liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
Kriteret të cilat Kosova është dashur t’i plotësojë kanë qenë 95 – më shumë se çdo vend tjetër nga Ballkani Perëndimor. Kjo në vetvete ka paraqitur një sfidë për institucionet e Kosovës, të cilat megjithatë është dashur të punojnë më shumë për të fituar besimin e institucioneve europiane, marrë parasysh faktin se Kosova vazhdon të mos njihet si shtet i pavarur nga pesë vende të Bashkimit Europian (BE).
Që nga publikimi i udhërrëfyesit e deri në vitin 2016, Kosova ka arritur që t’i përmbushë 93 nga 95 kriteret e përcaktuara nga KE-ja. Dy kriteret e fundit – e në fakt edhe më sfidueset për institucionet e Kosovës – kanë qenë: (1) progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe (2) ratifikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Megjithatë, në vitin 2016, KE i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Europian liberalizimin e vizave për Kosovën.
Marrja e këtij propozimi në Kosovë është përcjellë me festë e hapje shampanjash. Pra, një situatë surreale, ku po festohej marrja e një propozimi, ndërsa puna akoma nuk ishte kryer nga asnjëra palë – as nga Kosova, e cila kishte akoma dy kritere të paplotësuara.
Mirëpo, festa për kosovarët nuk zgjati shumë. Këshilli i Bashkimit Evropian, njëlloj sikur javën e kaluar, as atëherë nuk e pati futur liberalizimin e vizave për Kosovën në agjendë, por Kosova ishte propozuar që të hynte në pako me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën për liberalizimin e vizave.
Por, tymi i gazit lotsjellës në Kuvend e kishte mjegulluar edhe arsyen e elitës politike në Kosovë. Opozita asokohe, duke tentuar ta bllokonte ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, efektivisht ia kishte humbur Kosovës mundësinë për lëvizje të lirë. Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina e arritën liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova ngeli e izoluar, e qytetarët e saj të vetmit që duhej të prisnin para ambasadave për t’u pajisur me viza.
U deshën edhe dy vjet të tjerë të binte një qeveri e të vinte një tjetër, në mënyrë që Kosova t’i përmbushte të gjitha 95 kriteret për ta marrë dritën e gjelbër nga KE-ja. Tanimë, kriteret vërtet i kishim plotësuar, por një tjetër kauzë ngjallte probleme – taksa 100% e kryeministrit Ramush Haradinaj. Kjo taksë, ani pse legjitime dhe e ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj një fushatë të egër të diplomacisë serbe, kishte bllokuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Brukseli.
E, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në sytë e BE-së, nuk ka alternativë. Edhe pas përpjekjeve të kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Qeveria Haradinaj ishte këmbëngulëse që kjo taksë të mos hiqej. Por, në ndërkohë, ne përsëri e humbëm momentumin për liberalizimin e vizave.
Shtetet anëtare të BE-së filluan ciklet e tyre zgjedhore, e Kosova ngeli jashtë agjendave. Në ndërkohë, dy shtete me ndikim në BE, Franca dhe Holanda, kishin shfaqur haptazi kundërshtinë e tyre për liberalizimin e vizave, pasi i frikësoheshin një vale të re azilkërkuesish nga Kosova.
Qeveria Haradinaj shkoi, e me të edhe taksa 100%. Por, vizat për qytetarët e Kosovës ngelën. Në ndërkohë, Qeveria Kurti 1, me ta marrë mandatin, u ballafaqua me pandeminë globale COVID-19. Shtetet e BE-së kishin të tjera halle, e vizat e kosovarëve nuk ishin ndër to. Liberalizimi i vizave nuk ishte temë diskutimi sepse edhe progresi i dialogut ishte i mangët.
Në ndërkohë, në vigjilje të mbledhjes së fundit të Këshillit të BE-së, shpresat u rritën që kësaj radhe edhe liberalizimi i vizave do të ndodhte – jo për shkak se Kosova kishte bërë ndonjë progres, por për shkak se kontinenti po ballafaqohej me rrezikun më të madh që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore: pushtimin rus të Ukrainës.
Por, Samiti BE-Ballkan Perëndimor i mbajtur më 23 qershor në Bruksel, lëre që nuk e solli liberalizimin, por ne nuk ishim as pjesë e agjendës. E kjo është një fatkeqësi për qytetarët e Kosovës, të cilët përkundër faktit që vazhdojnë të mbesin të vetmit në rajon që janë të izoluar brenda kontinentit, ironikisht janë më pro-evropianët në kontinentin e vjetër.
Është e vërtetë që Kosovës i është bërë padrejtësi në këtë proces, që nga fakti që i numrit më të madh të kritereve të vendosura krahasuar me të gjitha vendet e tjera të rajonit, e deri te fakti që BE-ja ka vazhduar ta ndërlidhë çështjen e liberalizimit të vizave edhe me procese të tjera, të cilat nuk do të duhej të ishin të ndërlidhura me këtë proces, siç është dialogu Kosovë-Serbi.
Megjithatë, mospranimi i përgjegjësisë nga elitat politike në Kosovë, si nga këta që sot janë në pushtet, ashtu edhe nga ata që dje ishin në pushtet — e të cilët hapnin shampanja — është i papranueshëm.
Qeveritë deri më tani kanë qenë të paafta për të arritur konsensus brenda vendit për temat e rëndësishme, e opozitat e derisotme nuk kanë lënë asnjë rast të vetëm të shkojë huq për të fituar një grusht vota më shumë, qoftë kjo edhe me koston e humbjes së momentumeve të rëndësishme për vendin.
Qytetarët e Kosovës, të cilët e meritojnë të udhëtojnë e të ndihen të barabartë me të gjithë evropianët e tjerë, vazhdojnë të ngelin peng i politikëbërjes së papërgjegjshme; ani pse për ironi të fatit, prindërit e gjyshërit e tyre e kanë gëzuar këtë liri të lëvizjes nëpër botë, edhe atëherë kur Kosova ishte nën diktaturë e okupim.
Megjithatë, liberalizimi i vizave vazhdon të mbetet në “horizont” deri në një datë të pacaktuar.