Connect with us

Hi, what are you looking for?

Politikat reaktive të Kosovës përballë tolerancës së Perëndimit ndaj Serbisë

Ilustrimi: BigEye

Politika e jashtme dhe diplomacia e Kosovës janë në krizë të thellë dhe karakterizohen me mungesë të strategjisë, koordinimit dhe skandale të shumta. Qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj politikës së jashtme është reaktive dhe e reduktuar në konfrontime dhe protesta, si rezultat i tolerancës së Perëndimit ndaj veprimeve agresive dhe shoviniste të Serbisë. Kjo tolerancë është zhvilluar me qëllim të largimit të Serbisë nga Rusia dhe afrimit të saj drejt Perëndimit.

Por, politikat e shteteve perëndimore as nuk diktohen nga Kosova, as nuk vendosen në Kosovë. Edhe pse toleranca e Perëndimit ndaj Serbisë është bazë e fortë për të protestuar, nuk është arsye që Kosova të konfliktohet, t’i denigrojë marrëdhëniet e saj me shtetet aleate dhe të dëmtojë realizimin e interesave dhe objektivave të saj.

Në aleancë me armikun

Kosova është vënë para një dileme të vështirë për shkak të gjendjes globale të sigurisë. Tërheqja e Serbisë drejt Perëndimit për t’i mohuar Rusisë qasjen dhe mundësinë e destabilizimit të rajonit ka ardhur me shumë sfida për Kosovën dhe rajonin.

Hezitimi e kundërshtimi i Qeverisë së Kosovës para kësaj situate të re po provohet të jetë gabim fatal dhe mungesë e lidershipit qeveritar. Ky gabim nuk ndodh për faktin që Kosova nuk ka arsye për të kundërshtuar dhe hezituar, por për faktin që ajo është e pafuqishme t’i ndryshojë politikat e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.

Në një dilemë të ngjashme është gjendur edhe Franca pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1950, Lufta e Koresë krijoi një situatë e cila shtyu vendet europiane të bëjnë hapa radikalë në terma gjeopolitikë.

Këshilli i Atlantikut vlerësoi se kërcënimi më i madh për perëndimin ishte nëse Gjermania Perëndimore do të rreshtohej përkrah sovjetikëve dhe dilema e riarmatosjes së Gjermanisë do të bëhej çështja kryesore e procesit të integrimit të Europës Perëndimore.

Franca, që ishte kundërshtare e krijimit të ushtrisë gjermane, prapa dyerve të mbyllura e pranonte se kjo gjë ishte e domosdoshme. Mospajtimet lidhur me armatosjen e Gjermanisë çuan deri tek i ashtuquajturi Plani i Plevenit, që parashihte braktisjen e ushtrive nacionale dhe krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane nën ombrellën e Komunitetit Europian të Mbrojtjes.

Pas disa kundërshtimesh, Franca në fund pranoi krijimin e ushtrisë gjermane dhe integrimin në strukturat ekzistuese të mbrojtjes kolektive të Perëndimit. Si rezultat, pas arritjes së marrëveshjeve të Parisit dhe Bonn-it më1954, Gjermanisë iu heq okupimi, iu dha e drejta e krijimit të ushtrisë së saj, e një vit më vonë ajo u bë anëtare e aleancës së NATO-s.

Është e domosdoshme të përmendet fakti se Gjermania në tërë këtë proces pati mbështetjen e fuqishme të amerikanëve, e krejt kjo ndodhi vetëm pesë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Rasti i riarmatosjes së Gjermanisë është tregues i masave radikale që shtetet janë në gjendje të marrin kur ekspozohen ndaj kërcënimeve të njëjta ose kanë perceptim të përafërt mbi sigurinë.

ShBA-ja ka humbur rreth 500 mijë ushtarë në luftërat kundër Gjermanisë naziste dhe Japonisë, por vetëm pesë vjet pas përfundimit të luftës, ajo avokonte fuqishëm për krijimin e ushtrisë gjermane. Tutje, Franca ishte pushtuar dhe poshtëruar me vite nën thundrën naziste, por vetëm pak vite pas çlirimit propozoi një plan që parashihte pothuajse bartjen e plotë të sovranitetit në fushën e mbrojtjes te një organizatë ndërkombëtare si Komuniteti Europian i Mbrojtjes.

Mirëpo, gjithë kjo nismë ishte ndërmarrë për t’i akomoduar dilemat dhe nevojën e pjesëmarrjes së Gjermanisë në sistemin perëndimor të mbrojtjes kolektive.

Në të njëjtin drejtim, Kosova nuk duhet të jetojë në iluzionin që bombardimi i Serbisë nga NATO në vitin 1999 është garanci e armiqësisë së përhershme mes shteteve pjesëmarrëse dhe Serbisë. Për Kosovën, tërheqja e Serbisë nga sfera e influencës ruse është shumë e rëndësishme për sigurinë e saj kombëtare dhe stabilitetin rajonal.

Por, procesi nëpër të cilin Kosova dhe Serbia po kalojnë është shumë i ndryshëm krahasuar me Europën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë armiqësore dhe kjo e fundit është shumë ofensive në minimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Për dallim nga Serbia, në rastin e Gjermanisë kanë qenë shumë të rëndësishme edhe roli konstruktiv i autoriteteve të Gjermanisë Perëndimore nën udhëheqjen e kancelarit Konrad Adenauer, garancitë e mospërsëritjes së konfliktit dhe procesi i de-nazifikimit.

Serbia nuk ka arritur të krijojë një klasë politike që nuk ushqen etno-nacionalizmin dhe që e pranon realitetin e ri në Ballkan. Gjithashtu, Serbia nuk ka krijuar një shoqëri që reflekton mbi të kaluarën gjenocidale dhe shërohet nga nacionalizmi toksik. Përkundrazi, ajo është e mbushur me politikanë që marrin vota duke premtuar të kundërtën.

Rasti i pajtimit të Francës dhe Gjermanisë ka dallime të mëdha nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por është tregues i masave radikale në favor të balancimit. Në anën tjetër, qasja pa kushte ndaj Serbisë mund të ketë pasoja të rënda për rajonin dhe do të rezultojë me regres të agjendës së Perëndimit në Ballkan, që duket se ka braktisur vlerat që i ka promovuar deri më sot.

Drejt një politike pro-aktive me objektiva të qartë

Vonë shumë në kryerjen e detyrave të shtëpisë, Kosova është vënë nën presion ndërkombëtar për të ecur para me dialogun. Kosova është gjendur në pozicionin e aktorit joracional, që refuzon të shtensionojë situatën e krijuar dhe është bërë cak i masave shtrënguese dhe penalizimeve nga BE-ja dhe ShBA-ja, duke dëmtuar seriozisht marrëdhëniet me aleatët kryesorë.

Përkëdhelja e joshja e Serbisë nga Perëndimi po përjetohet si tragjedi, por në fakt kjo marrëdhënie e re do të duhej të kapitalzohej qysh prej fillimit, pasi një Serbi në anën e Perëndimit është lajm i mirë edhe për Kosovën.

Në rast se Qeveria Kurti do ta ndiqte traditën e deritanishme të koordinimit të ngushtë me aleatët, të gjitha këto shqetësime do të mund të diskutoheshin edhe përbrenda kanaleve të brendshme të komunikimit e bashkëpunimit. Këto shqetësime pastaj do të mund të ktheheshin në kërkesa për garanci në kuadër të dialogut me Serbinë.

Kosova duhet të angazhohet aktivisht në dialog dhe t’i ketë të qarta qëllimet e saj, të veprojë bazuar në një strategji të qartë të politikës së jashtme dhe jo duke improvizuar e duke u konfrontuar me partnerët ndërkombëtarë.

Kosova nuk duhet të mbjellë logjikën humbës-fitues në proceset që merr pjesë, por të angazhohet me seriozitet në dialog dhe në nisma rajonale e ndërkombëtare, për të garantuar arritjen e objektivave strategjikë dhe për të forcuar subjektivitetin juridik të Kosovës.

Tutje, Kosova do të duhej ta shfrytëzonte procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për të institucionalizuar shqetësimet e saj dhe për të adresuar sjelljen armiqësore të Serbisë. Ajo do të duhej të kthehej në një partner bashkëpunues që braktis logjikën e aksionit protestues të bartur në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare nga përvoja e partisë në pushtet.

Kosova duhet të braktisë moralizimin bosh e të vazhdueshëm që e bën kundrejt akterëve ndërkombëtarë pa pasur asnjë propozim a kërkesë konkrete që i shërben zhbllokimit të proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe zgjidhjes së problemeve me të cilat përballemi.

Përfundimisht, Kosova duhet t’i ndjekë qëllimet e saj dhe të zhvillojë një strategji të qartë se si duhet të sillet në raport me rrethanat e reja të krijuara në rajon, duke siguruar që interesat e saj jetikë të mos rrezikohen.

Author

  • Arbër Ahmeti

    Arbër Ahmeti është jurist dhe hulumtues me specializim në të drejtën ndërkombëtare. Interesat e tij studimore janë në fushën e të drejtës dhe sigurisë ndërkombëtare, drejtësisë penale dhe të drejtës humanitare, si dhe në të drejtën në shtetet e dala nga konfliktet. Ai ka qenë hulumtues i ftuar në Institutin për Paqe dhe Menaxhim të Konflikteve në Akademinë Kombëtare të Mbrojtjes në Austri ku ka mbuluar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe kontribuues në Raportet e Oksfordit për të Drejtën Ndërkombëtare ku mbulon juridiksionin e Shqipërisë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.