Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Të gjithë e kemi vrarë Oliverin!

Me veprim apo mosveprim të gjithë kemi dhënë kontribut që sot Oliver Ivanoviq të jetë në arkivol. Nëse deri sot nuk e kemi kuptuar, në arkivol jemi edhe ne serbët e Kosovës. Sepse ku është dallimi ndërmjet vdekjes dhe jetës sa për të ngrënë, për të pirë, për të fjetur dhe të heshtësh derisa të shqelmojnë apo derisa pret të të vizatohet shënjestra në ballë.

Nuk do t’i përmbahesha shprehjes „për të vdekurit veç fjalë të mira“ sepse do të ishte dyfytyrësi nëse them se asnjëherë nuk kam pasur vërejtje ndaj politikës apo veprimeve të Oliverit. Kam pasur shumë vërejtje, sidomos për faktin që ka biseduar me ata të cilët sot e qëndisin politikën e Kosovës në Beograd si dhe me atyre të cilët e zbatojnë atë në veri të Kosovës, kur i kishte zhvilluar ato biseda. Kisha vërejtje, por edhe u gëzova kur ai vendosi të kandidohej për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut dhe t’i kundërvihej padijes, amoralitetit dhe kapadaillëkut.

Po e quaj me emër megjithëse nuk bëj pjesë në atë kategori të njerëzve të tij të afërt. Por bëj pjesë në atë grup të gjerë të cilin ai e njihte dhe me të cilin ishte zemërmirë, spontan dhe i buzëqeshur, i cili nuk kishte nevojë t’i drejtoheh zyrtarisht sepse tashmë mund ta thirrte me emër.

Këto ditë më sillen nëpër kokë disa situata ku bënte shaka në llogari të djegies së veturave, ndër të cilat ishte edhe vetura e tij. „Mos rrini pranë meje se mund t’ju djegin veturën“ tha duke bërë shaka në një tryezë të rrumbullakët duke pasur ndërmend veturën e djegur të bashkëpunëtorit të tij, Dragisha Miloviq. Përgjigjem, me po atë ton, se edhe mua kjo do të më shkonte për shtati sepse gjithsesi duhet ta ndërroj veturën. „A ke sigurim, nëse po atëherë rri e nëse jo atëherë shko paguaje dhe pastaj hajde ulu pranë meje“, më thotë Oliveri duke buzëqeshur.

Mirëpo, gjithçka që i parapriu atentatit ndaj Oliver Ivanoviqit nuk është për të bërë shaka dhe shumëçka mund të thuhet për këtë gjë. Por sot më së miri është t’i përsëris fjalët e Rada Trajkoviqit: „kërkoj liri për serbët – të flasim lirshëm, të mos na shpërfillin, të mos na shtyjnë, neve që mendojmë ndryshe “.

Diku kam lexuar se më së shumti dyfytyrësi ka në dasma dhe varrime. Ka mjaft edhe këto ditë. Andaj edhe them se të gjithë e kemi vrarë Oliverin.

E kanë vrarë edhe ata të cilët gjatë gjithë kohës kanë qenë zëra të rrallë të arsyes, apo thjesht zëri që dëgjohet, por kanë faj sepse prapëseprapë nuk kanë qenë mjaft të zëshëm. Aty hynë edhe ata që sot derdhin lot dhe shpallin përkujtime nëpër rrjete sociale, ndërsa kanë marrë pjesë në krijimin e fushatës kundër tij ku bënte pjesë edhe prodhimi dhe transmetimi i videos parazgjedhore e cila fyen inteligjencën dhe dinjitetin njerëzor. Gjithsesi e kanë vrarë edhe ata të cilët i kanë mbyllur veshët ndaj paralajmërimeve të tij për sigurinë e cenuar. Të mos i harrojmë edhe ata që kanë hyrë në birë të miut kur qytetarët e Mitrovicës e përcollën për herë të fundit në Beograd. Dhe po, e kanë vrarë edhe ata të cilët e kanë përcjellur nga Mitrovica, sepse nuk kanë guxuar që në zgjedhje të jenë zëri „për“ Oliverin apo zëri „kundër“ padijes, amoralitetit dhe kapadaillëkut.

E kemi vrarë të gjithë ne që jemi pajtuar të jetojmë në një atmosferë dhune ku askush nuk përgjigjet për krim, për vetura të djegura, për përleshje dhe rrahje masive, për kapadaillëk nëpër qytet… ku askush nuk përgjigjet për vrasje.

Fajtorë jemi të gjithë ne të cilët së shpejti do ta harrojmë krejt këtë dhe do të vazhdojmë tutje thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Disa tashmë për fundjavë do ta përmbushin detyrën e tyre të punës në pritje të „liderit“ nga Beogradi duke i dhënë përsëri legjitimitet për politikën e cila na fut në errësirë.

Ka shumë simbolikë në atë që njeriu, i cili krejt jetën dhe veprimtarinë e tij e ka zhvilluar në Kosovë, varroset në Beograd. Ishte e vështirë ta ndrydhje përshtypjen se, atë ditë, kur po e përcillnim nga Mitrovica, atë rrugë do të duhej ta vazhdonim edhe të gjithë ne që ishim në atë kolonë. Na dhimbsej Oliveri por më shumë na dhimbsej vetja sepse me ashpërsi e kuptuam se ku po jetojmë. Sepse kjo këtu nuk është jetë po mbijetesë.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.