Përtej gëzimit që sjell lindja e fëmijës për prindërit, ajo mund të shoqërohet me sfida të ndryshme për ta, përfshirë ato financiare dhe shëndetësore. Posaçërisht nëna mund të ballafaqohet edhe me ndryshime hormonale dhe depresion pas lindjes.
Për këtë episod të rëndësishëm në jetën e prindërve të rinj dhe foshnjës, është thelbësore që shteti të luajë rol përkrahës përmes politikave shëndetësore e sociale, me anë të së cilave do t’ua lehtësonte barrën atyre.
Kur u bëra prind, për shkak të disa rrethanave personale, më rastisi të jetoja herë në Gjermani, herë në Kosovë. Në këtë mënyrë, u ballafaqova me dy sisteme të ndryshme shëndetësore publike dhe pata mundësi që nga përvoja personale të shoh se ku lëngon shteti i Kosovës në raport me mbështetjen e një foshnje.
Shteti gjerman ofron disa mësime të rëndësishme në vitin e parë të foshnjës, të cilat mund t’i praktikojë Kosova, në mënyrë që t’i përmirësojë politikat shëndetësore dhe të ofrojë mbështetjen e duhur për prindërit me foshnje të sapolindura.
Pushimi prindëror
According to Ligjit të Punës, në Kosovë, gruaja ka mundësi të marrë pushim deri në 12 muaj. Në gjashtë muajt e parë, nënës i takon 70% nga paga e rregullt, ndërsa nga muaji i gjashtë deri te muaji i nëntë i takon vetëm 50% e pagës. Në tre muajt e fundit të pushimit të lehonisë punëdhënësi nuk obligohet të ofrojë pagesë për pushimin e lehonisë, sipas ligjit në fuqi. Në anën tjetër, i ati i fëmijës mund të marrë vetëm 2 ditë pushim pas lindjes (Neni 50 i Ligjit të Punës), ndërsa të drejtat e tjera mund t’i realizojë vetëm nëse vdes nëna, ose nëse ajo e braktis fëmijën.
Situata është më ndryshe në Germany. Pushimi i lehonisë nuk ka gjini specifike; ai mund të ndahet nga të dy prindërit deri në 14 muaj, me 65% të pagës. Atje prindërit mund të ndajnë pushimin mes vete, 6 me 6, apo ndonjë kombinim tjetër. Nëse prindërit e ndajnë pushimin, i fitojnë 2 muaj shtesë, pra 14 në total.
Dallimi kryesor mes këtyre sistemeve është se ai kosovar e njeh de fakto vetëm nënën si prind, ndërsa ai gjerman i njeh të dy bashkëshortët si të tillë. Dallimi është kulturor, si rezultat i një mendësie patriarkale, por roli i shtetit është që ligji të mos jetë patriarkal, por i barabartë, pa marrë parasysh dallimet gjinore.
Studimet dëshmojnë që përfshirja e të atit në rritjen e fëmijës ndikon në lidhjen e tyre edhe të mëvonshme dhe gjithashtu në lidhjen mes dy partnerëve. Përfshirja e të atit gjithashtu ndikon në ndarjen e përgjegjësive rreth kujdesit të fëmijës, duke krijuar ambient më të mirë familjar.
Skriningu neonatal
Skriningu neonatal është test që bëhet brenda 24-48 orëve pas lindjes, ku merren disa pika gjaku nga thembra e foshnjës, në mënyrë që të testohet për ndonjë çrregullim eventual. Zakonisht, këto testime përfshijnë sëmundje, si: fenilketonuria (PKU), fibroza cistike, hipotiroidizmi kongjenital dhe anemia drepanocitare. Me gjithë rëndësinë e këtij testi, i njëjti nuk ofrohet ende në Kosovë.
Dokumenti i vetëm që ekziston për këtë në Kosovë është një plan i aprovuar në gusht të vitit 2024 – me një kosto për vetëm 371 mijë e 700 euro për vitin 2024/25, që është një kosto e vogël në krahasim me përfitimet në shëndetin publik, sidomos të foshnjave. Ndërsa kur prindërit duan ta bëjnë këtë test vetë në klinika private, atëherë çmimet shkojnë aty rreth 200 euro, dhe kjo është barrë shtesë financiare për familjet.
Ofrimi i testit të Skiringut neonatal nga spitalet publike është i domosdoshëm për të identifikuar hershëm çrregullimet, si dhe i lejon ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe familjet të menaxhojnë sëmundjet me trajtime që mund të parandalojnë komplikacione të rënda dhe të përmirësojnë rezultatet afatgjata të shëndetit të fëmijës.
Gjidhënia
Gjidhënia ndikon pozitivisht në imunitetin e foshnjës gjatë viteve të para, si dhe në zhvillimin afatgjatë. Megjithatë, për shumë nëna, ajo nuk funksionon për arsye të ndryshme, si ato gjenetike, biologjike, psikologjike, apo nga refuzimi i foshnjës. Roli i shtetit në këtë drejtim është të ofrojë njohuri dhe përkrahje te nënat të cilat dëshirojnë të praktikojnë gjidhënien.
Nga përvoja personale, kur bashkëshortja ime pati vështirësi me gjidhënien gjatë kohës kur ishim në Kosovë, disa pediatër rekomandonin kalimin në marrjen e qumështit me shishe dhe nuk ngulnin këmbë për gjidhënie. Ndërsa kur u konsultuam në Gjermani për të njëjtin problem, mjekët dhe mamitë këmbëngulnin të vazhdonte gjidhënia, përkundër sfidave. Gruaja këmbëngulte që të vazhdonte gjidhënien dhe e vazhdoi procesin. Në fund, dhimbjet e barkut të fëmijës u qetësuan pas disa javëve dhe foshnja vazhdoi të ushqehej me gji deri në moshën njëvjeçare.
Në raste të tilla, kur gjidhënia mund të dekurajohet apo inkurajohet nga profesionistët shëndetësorë, nënave u nevojitet këshillim e përkrahje institucionale. Roli i shtetit është të ofrojë njohuri dhe përkrahje për nënat të cilat dëshirojnë të praktikojnë gjidhënien. Zyra e këshillimit për nënat që kanë probleme me gjidhënie do të ishte një adresë për çdo nënë që has në probleme të tilla, ku do të mund të këshillohej se si të mund t’i tejkalojë ato. Shteti mund të përkrahë edhe organizata joqeveritare, si La Leche Kosova, që këshillojnë lehonat për gjidhënie.
Kalendari i kontrolleve mjekësore
Pas lindjes së fëmijës, është e domosdoshme të ketë vizita të rregullta për të mbikëqyrur zhvillimin e fëmijës. Në sistemin gjerman, janë gjashtë kontrolle të rregullta në vitin e parë, gjatë së cilave fëmija matet, peshohet dhe kontrollohet në trup dhe zhvillim kognitiv e motorik. Këto kontrolle janë ligjërisht të obligueshme për prindërit dhe të rëndësishme për të konfirmuar që fëmija është i shëndetshëm, por edhe për të hetuar herët ndonjë problem apo vonesë në zhvillimin e fëmijës.
Megjithatë, në Kosovë nuk ndodh e njëjta dhe vizitat e rregullta shpesh anashkalohen nga prindërit. Në të njëjtën kohë, disa mjekë insistojnë që vizitat të zhvillohen vetëm kur ka ndonjë shqetësim apo sëmundje. Ndaj, duhet të adresohet mungesa e një kalendari të institucionalizuar me protokoll të qartë për fëmijët. Është e domosdoshme që të ketë më shumë fokus në parandalimin e sëmundjeve përmes kontrolleve të rregullta, e jo vetëm në adresimin e tyre pas përkeqësimit të shëndetit të fëmijës.
Pushimi prindëror, skriningu neonatal, këshillëdhënia falas për nënat gjidhënëse dhe kalendari i obligueshëm i kontrolleve mjekësore, janë vetëm disa shembuj të thjeshtë që sistemi shëndetësor i Kosovës mund t’i aplikojë.