Foto nga iStock.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i vendosur se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje reciproke. Mirëpo, njohja reciproke është e papranueshme për palën serbe, prandaj presidenti Aleksandar Vuçiq insiston vazhdimisht në gjetjen e një kompromisi.
Gjersa një marrëveshje përfundimtare është ende larg horizontit, disa elemente dhe parime kyçe janë të domosdoshme për përparim në normalizimin e mëtejshëm mes dy vendeve:
- Përqendrimi i negociatave në drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën
Trauma dhe pasojat e luftës mbeten të rrënjosura thellë në shoqërinë kosovare. Kjo e bën gjithnjë e më të vështirë për Kosovën që t’i normalizojë plotësisht marrëdhëniet me një vend (Serbinë) që nuk ka shfaqur asnjë pendesë për viktimat e luftës në Kosovë. Narrativa e Beogradit nuk përfshin asnjë njohje ndaj asaj që ndodhi gjatë luftës në Kosovë.
Janë rreth 1600 persona ende të zhdukur nga lufta në Kosovë, shumica dërrmuese e tyre shqiptarë. Në dy dekadat e fundit, Serbia nuk ka treguar bashkëpunim të plotë për të dhënë përgjigje për atë që ka ndodhur me këta individë, apo vendndodhjen e tyre.
Një marrëveshje e mundshme që do të fokusohej në gjetjen e personave të zhdukur dhe në sjelljen e një lloj paqeje për familjet e viktimave, do të ishte një hap i madh përpara drejt normalizimit.
- Zbatimi i marrëveshjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese: 1) Themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë (ASM) dhe 2) Aktgjykimin mbi pronësinë e 24 hektarëve së Manastirit Ortodoks Serb të Deçanit, që vërteton të drejtën mbi pronësinë e Manastirit, po pengojnë seriozisht përparimin në dialog.
Të dyja vendimet janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen. Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ASM-në thuhet se parimet/elementet e përgjithshme të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, gjykata kërkon zbatimin e ASM-së bazuar në marrëveshjen e vitit 2013.
Konkretisht, neni i dytë i aktgjykimit thotë si në vijim: “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe themelohet siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të shpallur nga presidenti i Republikës të Kosovës.” Pavarësisht vendimit të gjykatës, Kurti ka said se ASM-ja “nuk duhet të zbatohet në asnjë mënyrë”.
Moszbatimi i vendimeve përfundimtare të gjykatës më të lartë në vend rrezikon integritetin e sundimit të ligjit, marrëdhëniet ndëretnike dhe përparimin e mëtutjeshëm në dialog. Më e rëndësishmja, kjo tregon se Qeveria e Kosovës nuk është plotësisht e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe zbatimit të vendimeve juridike të formës së prerë.
- Ringjallja e perspektivës euroatlantike në Ballkanin Perëndimor
Në dy dekadat e fundit, BE-ja ka përdorur një qasje “karotë dhe shkop” për ta promovuar demokracinë në rajon, duke shpërblyer përparimin me zgjerim të mëtejshëm dhe duke përdorur ndëshkimin për ngadalësim të reformave. Megjithatë, vitet e fundit, shkopinjtë e BE-së duket se janë bërë më të shpeshtë, ndërsa karotat janë bërë gjithnjë e më të pakta.
Politika e zgjerimit është mjeti më i mirë i BE-së për të shtyrë pozitivisht Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje përfundimtare. Mungesa e shpërblimeve (karotave) do ta bëjë të vështirë për Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen maksimalisht në dialog. Kjo është thelbësore, veçanërisht për Serbinë, që tashmë është një vend kandidat dhe nuk do të jetë e prirë të angazhohet për normalizim të plotë me Kosovën pa një rrugë konkrete drejt anëtarësimit në BE.
Për më tepër, vendet Perëndimore duhet ta konsiderojnë rrugën drejt integrimit të Kosovës në NATO. Edhe pse anëtarësimi i plotë është pothuajse i pamundur duke marrë parasysh rrethanat aktuale, siç është mungesa e njohjes nga katër shtetet anëtare të NATO-s (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja), Perëndimi duhet të marrë parasysh programin Partneriteti për Paqe për Kosovën, në të cilin Serbia merr pjesë.
- Presion ndaj Serbisë që të përafrohet me politikën e BE-së dhe sanksionet ndaj Rusisë
Me përjashtim të Bjellorusisë, Serbia mbetet vendi i vetëm europian që nuk ka vendosur asnjë raund sanksionesh ndaj Rusisë. Pavarësisht thirrjeve të shumta nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të BE-së për të vendosur sanksione, Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë. Përkundrazi, Serbia ka rënë dakord së fundmi për një marrëveshje të re gazi me Rusinë, e cila do të sigurojë një furnizim trevjeçar me gaz rus në Serbi.
Pavarësisht zhvillimeve të tilla, BE-ja nuk i ka bërë shumë presion Serbisë për ta ndryshuar qasjen e saj dhe ka ndryshuar kurs vetëm në muajin nëntor, tetë muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë. Më 23 nëntor, Parlamenti Europian ka miratuar një resolution që potencon se çdo përparim në negociatat e pranimit të Serbisë në BE duhet të lidhet me përafrimin e Beogradit me BE-në për sanksionet kundër Rusisë.
BE-ja dhe vendet e saj anëtare duhet të bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj Serbisë që të shpallë sanksione kundër Rusisë dhe ta rikonfirmojë rrugën e saj europiane. Përndryshe, kjo mund t’i dëmtojë përpjekjet e BE-së dhe kredibilitetin e saj në procesin e dialogut. Në rast se Serbia nuk ndryshon qasje, atëherë BE-ja duhet ta konsiderojë zbatimin e pasojave konkrete, siç është diskualifikimi i Serbisë nga negociatat me BE-në.
- Rritja më e thellë e bashkëpunimit ShBA-BE
Gjatë dy vjetëve të fundit janë emëruar disa emisarë specialë në rajon nga ShBA-ja, BE-ja, Gjermania, Anglia dhe Greqia. Emërimi i të dërguarve është një hap përpara në dialog dhe dërgon një sinjal të qartë, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.
Megjithatë, deri më tani nuk duket se ka pasur shumë bashkëpunim dhe koordinim mes të dërguarve. Ky bashkëpunim do të ofronte mbështetje shtesë politike për Miroslav Lajçak-un, i cili aktualisht po udhëheq bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, dhe në të njëjtën kohë do të shtonte më shumë presion ndaj Kosovës dhe Serbisë për të qëndruar plotësisht të përkushtuara ndaj procesit.
Një çështje specifike ku mund të ketë më shumë koordinim është tema e bashkëpunimit rajonal. Aktualisht ekzistojnë dy procese bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor: Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur (i njohur më parë si Mini-Shengeni). Të gjitha vendet e rajonit mbështesin Procesin e Berlinit, por vetëm ShBA-ja mbështet Ballkanin e Hapur, i cili, ndryshe nga Procesi i Berlinit, është një iniciativë e drejtuar nga vendi i krijuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Bashkëpunimi më i ngushtë ShBA-BE është thelbësor për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vetëm një qasje e koordinuar ShBA-BE mund të shërbejë si katalizator dhe të prodhojë sinergjinë e nevojshme për ta finalizuar një marrëveshje përfundimtare.