Artikulli i përkthyer.
(A personal account of the 1990s, about burned books, newspapers used for cleaning and the ghosts of war still wandering in search of blood.)
***
“May your words blow in the wind”
“May your books burn”
“May the flames swallow your written words”
“May you run out of newspapers to clean your windows”
***
Librat, por edhe gazetat, kur digjen, rrinë ca çaste në një formë të karbonizuar, e po pate shikim të mprehtë, në to akoma mund të lexosh ndonjë fjalë a ndonjë gjysëm fjalie! Por pastaj shumë shpejt, çfarë dikur ishte letër bëhet blozë tërësisht. Dhe po të fryejë erë, bloza, në grimca të vogla, ngjitet në qiell e zhduket në hapësirën e pafundme. Dhe fjalët, dikur të shkruara në letër, tani e humbin krejtësisht kuptimin, bëhen një me erën… bëhen fjalë që i merr era!
Paralufta dhe lufta në gjashtë episode me libra
Episodi i parë. Duhet të ketë qenë viti 1990 ose 1991. Një mesditë, në shtëpinë tonë, zjarrit që ishte ndezur për të pjekur flinë, flakë i dhanë edhe një grumbull librash që u hodhën papërfillshëm. “Nuk na duhen gjë”, na thanë të rriturit neve fëmijëve. Më vonë e kuptuam që ato ishin libra të Marksit, Engelsit, Titos, Kardelit e të bashkëmendimtarëve të tyre. Nga ajo seri e librave të kuq, pat ngelur pa u djegur vetëm libri i Roza Luksemburgut. Ndoshta, ngaqë autorja ishte grua, djegia e librit të saj burrave të familjes tonë me gjasë u ishte dukur shumë bizare. Kushedi!
Por atë ditë ishte hera e parë që po haja një fli të pjekur në zjarrin e librave. Gjersa shkëputja petët e holla të flisë, përpiqesha të dalloja shkronjat që më dukej se kishin ngelur aty nga djegia e librave…
Episodi i dytë. Pak vite më vonë, në Prishtinë, në hapësirën mes Bibliotekës Universitare dhe Fakultetit Filozofik, një ditë qe krijuar një grumbull me libra, bash si një pirg i madh bërllogu. Nga pirgu, librat ngarkoheshin në një traktor nga dy burra që u ndihmonte një roje i armatosur. E kuptuam më vonë se ishin libra shqip dhe se po nxirreshin nga objektet e fakultetit, për t’u… djegur ose flakur në deponinë e bërllogut.
Episodi i tretë. Gjatë luftës, nga një kodër shihnim fshatrat tek digjeshin nga policia dhe paramilitarët e Millosheviqit. Kur ndonjëra nga shtëpitë nxirrte më shumë flakë se sa të tjerat, me humor thonim se ‘pronari qenka intelektual’, meqë supozonim se flakët e mëdha ishin për shkak të librave që tani po digjeshin – digjeshin bukur, nëse do të shpreheshim në frymën e humorit të atyre ditëve. Është e çuditshme, por vuajtjet dhe mizoritë na bënin të hareshëm. Flisnim se përse ia vlente të shkruhet ‘një libër i trashë’; ndër të tjera edhe sepse kur të digjet, nxjerrë më shumë flakë, bëhet zjarr i vërtetë, gjersa librat e hollë digjen shpejt dhe zjarri i tyre është dëshpërues, është një zjarrëth, zjarrë-pak, zjarr-pa-zjarr…
Episodi i katërt. Kur një ditë m’u bë e qartë se edhe shtëpia jonë do të mund të digjej siç po digjeshin shtëpitë e fshatrave tjera përreth, ateherë vendosa t’i fshihja librat. Mbi faqe të dheut s’kishte vend për fshehje. Prandaj vendosa të hapja një gropë diku në tokë dhe t’i fusja aty. Natyrisht, jo të gjithë librat mund t’i shpëtoja, një përzgjedhje duhej bërë. Dhe këtu lindën dilemat: cilat libra ia vlente të varroseshin për t’u ringjallur sërish pas luftës, e cilat mund të liheshin në mëshirën e fatit – edhe me frikën që mund të digjeshin. S’e mbaj mend se mbi çfarë kriteresh pata vendosur. Por besoj që prioritet duhet të kenë pasur librat teorikë të letërsisë dhe dramat, pra ato që ishin më të rralla dhe që besoja se do të më shërbenin… nëse ngelesha gjallë!
Librat e përzgjedhur i mbështolla mirë e mirë me gazeta, i futa në qese plastike, pastaj në një kuti druri dhe mandej i varrosa në gropën e dheut në oborr. Atyre ditëve pashë një ëndërr të çuditshme: lufta kishte mbaruar dhe po hapja gropën e librave. Por librat nuk po i gjeja dot. Oborri i shtëpisë dhe gjithçka përreth u mbush me gropëza të hapura dheu, në kërkim të librave. Gropat m’u bënë varre…
Shpesh më kujtohet ajo ëndërr, edhe tash, pas 20 vjetësh.
Librat i nxora nga gropa kur përfundoi lufta. Ishte njëlloj satisfaksioni, që mes shumë humbjeve, diçka kishte shpëtuar. Atëherë nuk besoja që ka ‘libër të keq’ a ‘të dëmshëm’. Por shumë vite më pas, kur pata lexuar një libër të shkruar me gjuhë të urrejtjes dhe me përmbajtje plot helm, pata shkruar një artikull me titull “Libra që duhen djegur”. Tani mendoj që ky ka qenë një titull jo i menduar mirë. Por çfarë t’i bësh, zjarri i luftës ka aftësi të na ndjellë shprehi të këqija!
Episodi i pestë. Në Prishtinë, pas përfundimit të luftës, banesat e serbëve që kishin ikur për në Serbi, tani ishin uzurpuar nga shqiptarët. Atyre ditëve kontejnerët e bërllogut gëlonin me libra në gjuhën serbe. Pronarët e rinj të banesave po i largonin me neveri. Vendi i vetëm ku mund të gjeje libra atë periudhë ishin kontejnerët e bërllogut. Natyrisht, ky eksluzivitet u hynte në punë vetëm atyre shqiptareve që mund të lexonin në gjuhën serbe.
Episodi i gjashtë. Shumë vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, teksa isha në zyret e një shtëpie botuese në Frankfurt, më thanë se, po të kisha dëshirë, do të mund të merrja ndonjë libër gratis. Unë mora një dëng librash. Ata më panë pak me habi, pastaj më pyetën: ‘lexon gjermanisht?’. ‘Jo’, u thashë. ‘Ah, ndoshta dikush në familjen tuaj lexon!’, më pyetën sërish ata! ‘Jo’, u thash përsëri unë! Dhe tani ata ishin tërësisht të hutuar, por disi, edhe unë isha i hutuar me hutinë e tyre. ‘E përse të duhen, nëse nuk mund t’i lexosh’, më pyetën më në fund ata! ‘Sepse janë libra’, u thashë. Kjo natyrisht nuk shpjegonte gjë, por që pas kësaj nuk më bënë më shumë pyetje, ndonëse dukej qartë se për ta kjo qe fort e çuditshme. Tani, as unë s’kisha se si ua tregoja obsesionin tonë për librat, traumën e historitë që bartja me vete për librat e djegur, të varrosur, për imazhet e librave që hudhen në kontejnerë bërllogu e zhduken nga faqja e dheut…! Kur e pyetën Ernesto Sabaton, se çfarë ka dashur të thotë në njërin prej librave të tij, ai u përgjigjet se s’mund të përmblidhte me njëqind fjalë ato që në libër ishin thënë me treqind mijë. Sepse, sipas tij, atëherë do të kishte në atë libër dyqind e nëntëdhjetë mijë e nëntëqind fjalë të tepërta. As unë atë ditë në Frankfurt, s’kisha si t’u shpjegoja atyre njerëzve në dy minuta, diçka për të cilën flakëve e kontejnerëve u ishin dashur mbi dhjetë vjet kohë të skalisnin në mua traumën – se një ditë do të mund të mbesim pa libra.
Ta çrrënjosësh tjetrin me libra
Këto episode të shkëputura me libra, që kanë ndodhur në një hark kohor rreth 20 vjeçarë, janë për mua peizazhi më dramatik i një hapësire të kontaminuar nga dhuna, mosdurimi ndaj tjetrit, urrejtja, e dëshira për ta çrrënjosur tjetrin, për t’ia djegur e zhdukur deri edhe librat. Edhe librat… se vetëm atëherë zhdukja do t’ishte e e realizuar në plotëni. Spastrimi etnik në Kosovë nuk mund të ishte i suksesshëm, nëse shqiptarëve prapa do t’u ngeleshin librat.
Prandaj ato duhej ngarkuar me traktor e djegur ose hudhur në bërllog. Kur shqiptarët zaptuan banesat e serbëve pas luftës, ata nga aty po largonin librat – dhe ndoshta ndonjë kryq që dikush do t’mund ta kishte lënë prapa. Pra jo orenditë, jo shtretërit, jo pjatat, lugët e gjësendet tjera… ato nuk ishin mjaftueshëm serbe. Por librat në gjuhen serbe po, aty fshiheshin gjurmët e armikut, prandaj duheshin zhdukur. Se vetëm kështu do të mund të zhdukeshin gjurmët e ekzistencës së tyre nëpër ato vendbanime.
Padyshim, histori të ngjashme me libra që janë djegur e shkatërruar gjatë të 90-tave e pas tij ka në krejt rajonin e ish Jugosllavisë. Imazhi më i njohur në publik është ai i bombardimit dhe djegies së Bibliotekës Kombëtare në Sarajevë! Por janë edhe sa e sa biblioteka të tjera të djegura gjithandej rajonit, janë dhjetëra e mijëra biblioteka private të djegura, sa e sa institucione të boshatisura nga arkivat me dokumente, dhe janë sa e sa kontejnerë të bërllogut të mbushur me libra të tjetrit-armik.
Kur menjëherë pas përfundimit të luftës, administrata serbe braktisi Teatrin Popullor të Kosovës, ata me vete për në Serbi morën edhe një pjesë të mirë të arkivit, siç u tha, për ta ruajtur. Morën atë çka mund të merrej në atë periudhë të beftë dhe dramatike, para se të vinin shqiptarët, ‘pronarët’ e rinj të asaj ndërtese. Por disa vite më vonë, thuhej se një drejtor shqiptar i Teatrit Kombëtar të Kosovës, mblodhi dokumente e libra në gjuhën serbe, për aq sa mund të mblidheshin në një natë, dhe ato i nisi për… t’i djegur ose hedhur në bërllog. Kështu kam dëgjuar të thuhet. Në vitin 2014, në disa qytete të Kosovës, një grup ish ushtarësh kokë-nxehur e dogjën në mënyrë të organizuar librin e shkrimtarit dhe publicistit Veton Surroi, në të cilin ai denonconte krimet e luftës dhe korrupsionin e mafinë politike të pasluftës. Janë edhe plot episode me djegie e zhdukje të tjera të librave në tërë rajonin, për të cilat publiku nuk di, ose për të cilat nuk flitet publikisht… E kaluara në këto anë ka gëlltitur e çuar në harresë gjithçka tjetër, por edhe shumë flakë me të cilat janë djegur librat e arkivat.
______
Pjesa e dytë do të botohet të enjten më 30 mars.
*Artikulli “Mbi librat, zjarrin dhe fjalën e shkruar” është pjesë e “Shoqëria e hapur dhe miqtë e saj”, botuar më 2021 me rastin e 30 vjetorit të ardhjes në Balkan të Fondacionit për Shoqëri të hapur”.
Ilustrimi: Bigeye