Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rrëzimi i qeverive dhe ndryshimet gjeopolitike nga shok-efekti i (ri)zgjedhjes së Trumpit: implikimet për Kosovën

Kandidati republikan për president Donald Trump u flet disa mijëra mbështetësve në një tubim në Atlanta, Georgia. Foto nga Shutterstock.

Donald Trumpi do të betohet si Presidenti i 47-të i SHBA-së më 20 janar 2025. Rikthimi i tij përçoi shok-efekte anekënd botës, të cilat kanë filluar të vërehen tashmë. Por, efektet më të mëdha do të vërehen akoma më shumë pas betimit të tij si president. 

Një ndër efektet e para të vërejtura nëpër botë është rrëzimi i qeverive në vendet si Gjermania, Franca dhe Kanadaja, mes të tjerash. Një tjetër ndryshim tektonik është fitorja e rebelëve opozitarë në Siri, që rezultoi me rënien e regjimit të Assadit.

Ndonëse rizgjedhja e Trumpit nuk është shkaktari kryesor i këtyre zhvillimeve politike, emëruesi i përbashkët i tyre është se këto qeveri u rrëzuan pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024.

Këto zhvillime duhet të merren jashtëzakonisht seriozisht nga qeveria e ardhshme kosovare. Kosova duhet të konsiderojë një ndryshim në qasje dhe strategji, sepse çmimi i mosbashkëpunimit dhe sjellja krye në vete mund të ketë pasoja të pariparueshme.

Rrëzimi i qeverive nëpër botë

Një ditë pas zgjedhjeve në SHBA, koalicioni qeverisës në Gjermani u prish, ndërkaq më 16 dhjetor 2024, Olaf Scholz humbi votëbesimin, duke e dërguar kështu Gjermaninë në zgjedhje të parakohshme më 23 shkurt 2025.

Ngjashëm, në Francë, qeveria e sapoformuar e Michel Barnier-it humbi një mocion votëbesimi vetëm tre muaj pas zgjedhjes. Kjo përbën edhe herën e parë që një qeveri franceze bie si pasojë e votëbesimit që nga viti 1962. 

Ndërkaq, në Kanada, aleatja kryesore e kryeministrit Justin Trudeau, Chrystia Freeland, e cila ka mbajtur pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Financave, në një letër publike, dha dorëheqje për shkak të mospajtimeve me kryeministrin Trudeau, lidhur me tarifën e importit prej 25% që Trump ka paralajmëruar se do ta vendosë. Për më tepër, Trumpi në vazhdimësi e ka goditur kryeministrin Trudeau, duke u përzier në punët e brendshme të Kanadasë – të cilën e quan shtetin e 51-të të SHBA-së. E gjitha u vulos me dorëheqjen e kryeministrit Trudeau, të cilën e dha më 6 janar 2025.

Rënia e regjimit të Assadit në Siri

Në Lindjen e Mesme, më 8 dhjetor 2024, grupet rebele në Siri morën kontrollin e qyteteve kryesore të Sirisë, duke përfshirë kryeqytetin Damask, i cili ishte një bastion i regjimit të udhëhequr nga diktatori Bashar Al Assad. Kjo shënoi edhe fundin e regjimit 54-vjeçar të familjes Al Assad, e cila ka udhëhequr me Sirinë që nga viti 1970. 

Që nga fillimi i pranverës arabe në vitin 2011, Bashar Al Assad ka mbetur në pushtet falë ndihmës ruse, e cila në vazhdimësi i ka dhënë mbështetje ushtarake regjimit të Al Assadit për të luftuar forcat opozitare. Ndonëse Trumpi nuk ka qenë i përfshirë në asnjë formë në fitoren e grupeve rebele, fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ka krijuar vakumin e nevojshëm që grupet rebele të thyejnë status quo-në dhe të marrin kontrollin në Siri.

Ani pse të gjitha këto mund të shihen si ngjarje të ndara dhe pa emërues të përbashkët, këto ngjarje kanë ndodhur pas datës 5 nëntor, kur Trumpi ka dalë triumfues në zgjedhjet presidenciale. Këto ngjarje janë ogur i ndryshimeve që skena botërore mund t’i pësojë me rikthimin e Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Implikimet për Kosovën

Ndërkaq, Kosova, fiks 20 ditë pas inaugurimit të Donald Trumpit, do t’i zhvillojë zgjedhjet parlamentare, të cilat do të përcaktojnë edhe qeverisjen e ardhshme të vendit. Përderisa gjatë viteve të fundit, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i ka acaruar marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit, duke zhvilluar politika të cilat kanë qenë jo veç të pakoordinuara, por shpesh edhe në kundërshtim me prioritetet e SHBA-së, një qasje e tillë nuk guxon të vazhdohet tutje. 

Presidentët Biden dhe Trump dallojnë në mënyrën se si u qasen çështjeve politike; përderisa Bideni ka tentuar më shumë gjetjen e kompromisit, Trumpi ka një qasje më intervenuese dhe të drejtpërdrejtë. Potencialisht, kjo mund të jetë e rrezikshme për një vend si Kosova, që komponentin e saj të sigurisë dhe të pjesëmarrjes në arenën ndërkombëtare e ka plotësisht të varur nga aleanca e saj me shtetet perëndimore.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partitë politike në Kosovë duhet të jenë të përgatitura për t’u përballur me të gjithë skenarët e mundshëm. Partitë kosovare duhet ta kenë të qartë që tanimë koordinimi me Uashingtonin është jetik për ecjen para të vendit. 

Përderisa gjatë viteve të fundit ka pasur një retorikë më sovraniste, e cila sugjeronte se Kosova mund t’ia dalë e vetme, kjo retorikë pas 20 janarit do të jetë e kushtueshme për Kosovën. Pavarësisht shumicave që mund të fitohen nga partitë kosovare në zgjedhje, kjo nuk do të përkthehet me automatizëm në stabilitet qeverisës. Dëshmi e kësaj janë ndodhitë në Francë, Gjermani e Kanada. 

Në një situatë të tillë, është tejet e rëndësishme që qeveria e re e Kosovës, në postet e ndërlidhura me politikën e jashtme, të ketë persona të cilët e njohin këtë fushë dhe i kuptojnë dinamikat gjeopolitike. Kjo nënkupton që personat pa përvojë e takt – aq më tepër inatçorë e temperamentë – si ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, assesi nuk do të duhej të lejoheshin të mbanin pozita të cilat ndërlidhen me politikën e jashtme. 

Për më tepër, katërvjeçari i qeverisjes Kurti ka dëshmuar edhe një nevojë urgjente për të investuar në kompani profesionale lobimi, të cilat, përpos që do të siguronin që zëri i Kosovës të dëgjohej në qendrat e vendimmarrjes perëndimore, do të mundësonin edhe prioritizimin e Kosovës në agjendat e aleatëve. Tutje, këto kompani lobimi do të mund të luanin rol të rëndësishëm edhe për futjen e Kosovës në marrëdhënie transaksionale me aleatët e saj, veçanërisht me SHBA-në, ku nëpërmjet marrëveshjeve si blerja e armatimit, Kosovën do ta vendosnin në radarin e Administratës Trump, duke siguruar qëndrueshmëri të raporteve dhe avancim të partneritetit strategjik.

Skena politike e Kosovës duhet të jetë e gatshme për të punuar ngushtë me administratën e re amerikane dhe për të shtyrë drejt përfundimit çështjet të cilat vendin janë duke e mbajtur peng, siç është procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. 

Tashmë është koha që Kosova të tregojë pjekuri në politikën e saj të jashtme, duke dëshmuar se është partner serioz, e jo një fëmijë problematik, i cili në vazhdimësi duhet të qortohet – dhe nën lidershipin e Trumpit, “qortimi” është i kushtueshëm. Ndërsa shpërblimi për bashkëpunim korrekt, Kosovës do të mund t’i hapte një kapitull të ri në procesin e konsolidimit të saj në arenën ndërkombëtare.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.