Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Qasja ekspansioniste e Trumpit, rrezik i drejtpërdrejtë për të drejtën ndërkombëtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, javët e fundit ka sjellë në vëmendje një të vërtetë të pakëndshme, që jo rrallë karakterizon marrëdhëniet ndërkombëtare: kur fuqitë e mëdha ndjekin ekskluzivisht vetëm interesat e tyre kombëtarë, e drejta ndërkombëtare shpesh shpërfillet, ose anashkalohet krejtësisht.

Komentet e fundit të presidentit të porsazgjedhur amerikan tregojnë për një ndryshim në politikën e jashtme amerikane, me tone ekspansioniste dhe tendenca për përdorimin e forcës në shërbim të interesave vetjakë nacionalë, që tejkalojnë normat dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

Ishulli i Grenlandës

Qasja e presidentit Trump ndaj Grenlandës dhe tentimi për ta blerë ishullin është një shembull i qartë i asaj që teoricienët realistë të marrëdhënieve ndërkombëtare e quajnë projeksion i fuqisë. 

Grenlanda është një territor autonom i Danimarkës, që karakterizohet me burime të shumta natyrore dhe ka një pozicion tejet të favorshëm gjeostrategjik, nga ku mund të projektohet fuqi dhe të balancohen ekuilibrat në rajonin e Arktikut. 

Trumpi ka pohuar se kontrolli mbi këtë ishull është një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Për këtë arsye, Grenlanda shihet nga SHBA-ja si një pikë kyçe për kontrollin e linjave tregtare dhe kufizimin e ndikimit rus e kinez në këtë rajon.

Danimarka e ka kundërshtuar me vendosmëri çdo ide për shitjen e Grenlandës. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, said se: “Grenlanda nuk është për shitje,” një qëndrim që reflekton jo vetëm vendosmërinë e saj si lidere e një vendi sovran dhe anëtare e NATO-s, por edhe përpjekjen për ndërgjegjësim se një kërkesë e tillë nënkupton një precedent të rrezikshëm në politikën globale. 

Trumpi, nga ana tjetër, ka shtuar presionin, duke sugjeruar se mund të përdoren tarifa ekonomike për ta detyruar Danimarkën që të bashkëpunojë. Ky është një shembull klasik i aplikimit të forcës nga një superfuqi globale, si instrument për të imponuar vullnetin e saj ndaj një shteti më të dobët.

Kanali i Panamasë

Kanali i Panamasë është një tjetër objektiv i Trumpit, i cili ka akuzuar Panamanë për favorizim të anijeve kineze në tarifat e kalimit të kanalit. 

Kanali i Panamasë është një kanal ujor i ndërtuar më 1904 nga SHBA-ja, për të lidhur qarkullimin ujor tregtar mes oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor. Në këtë kontekst, ky kanal shërben si një arterie thelbësore e tregtisë globale.

Burimet tregojnë se rreth 6% e tregtisë detare globale dhe rreth 40% e trafikut të kontejnerëve të SHBA-së kalon përmes këtij kanali çdo vit, duke e bërë SHBA-në përdoruesin më të madh të kanalit. Konkretisht, në vitin 2021, mbi 73% e të gjitha anijeve që kaluan përmes kanalit ishin të destinuara për, ose niseshin nga, portet e SHBA-së.

Në vitin 1977, presidenti Jimmy Carter arriti një marrëveshje që ia dorëzoi kontrollin e kanalit qeverisë panameze. 

Për Trumpin, ky ishte një “gabim historik” që duhet korrigjuar, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të kanalit në fjalimin e tij inaugurues, si dhe duke sugjeruar se një ndërhyrje e mëtejshme amerikane mund të jetë e nevojshme për të parandaluar zgjerimin e ndikimit kinez në rajon.

Megjithatë, qeveria panameze ka reaguar me vendosmëri, duke mbrojtur sovranitetin e saj dhe duke refuzuar pretendimet e Trumpit si të pabaza. Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, ka said qartë se: “çdo metër katror i kanalit i përket Panamasë.” 

Mirëpo, kjo nuk e ndalon një fuqi të madhe si SHBA-ja që të shtyjë më tej agjendën e saj, duke përdorur mjete ekonomike apo diplomatike për të imponuar kushtet e veta.

Kanadaja 

Edhe Kanadaja, një aleat i ngushtë i SHBA-së, është bërë objekt i diskursit të Trumpit. Komentet e tij për bashkimin e Kanadasë me SHBA-në si shteti i 51-të janë interpretuar gjerësisht si një provokim. Trumpi e ka cilësuar kufirin midis dy vendeve si një “vijë artificiale”. Ai gjithashtu ka deklaruar se Kanadaja përfiton ekonomikisht nga mbrojtja amerikane, pa ofruar në këmbim kontribute të mjaftueshme. 

Megjithëse kjo mund të duket si retorikë politike e çakorduar, ajo përputhet me modelin e politikës së jashtme të Trumpit, që minimizon rëndësinë e normave dhe aleancave ndërkombëtare dhe promovon një qasje të njëanshme dhe transaksionale.

Këto zhvillime nuk janë vetëm një reflektim i ambicieve të Trumpit, por një tregues i ndryshimeve strukturore në sistemin ndërkombëtar. Në një botë multipolare, fuqitë e mëdha, si: SHBA-ja, Kina e Rusia, përdorin fuqinë e tyre për të krijuar një rend të bazuar vetëm në interesat kombëtarë dhe jo në respektimin e rregullave ndërkombëtare. 

Në këtë kontekst, Kina po përdor fuqinë e saj ekonomike dhe ushtarake për të zgjeruar ndikimin në Detin e Kinës Jugore, duke sfiduar të drejtat e shteteve fqinje. Gjithashtu, Rusia ka përligjur aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjet në Ukrainë me justifikime historike dhe gjeopolitike, duke shpërfillur të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Ukrainës.

Këto zhvillime janë tregues se e drejta ndërkombëtare është duke u shpërfillur nga fuqitë e mëdha dhe se politika botërore po hyn në ujëra të rrezikshme të dominuar nga interesat ekskluzivë të shteteve të fuqishme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.