Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gara për integrimin në BE hapet përsëri: si renditen vendet e Ballkanit Perëndimor?

Ilustrimi nga Big Eye

Agjenda e zgjerimit të Bashkimit Europian (BE) ka fituar urgjencë të përtërirë në sfondin e ndryshimeve gjeopolitike, duke përfshirë këtu luftën e Rusisë në Ukrainë, ndikimin kinez, vendosmërinë në rritje të Turqisë dhe rolin kryesor të Shteteve të Bashkuara në çështjet globale. 

Në një botë multipolare, Ballkani Perëndimor mund të luajë një rol të rëndësishëm drejt konsolidimit të pozicionimit të BE-së. Bazuar në dokumentin e Konkluzioneve të Këshillit për Zgjerimin më 17 dhjetor 2024, vërehet një shtysë të re drejt integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë përparimin më të madh. Ndërsa, Serbia dhe Maqedonia e Veriut mbeten të ngujuara në probleme të brendshme dhe, në disa raste, regres. Krejt në fund të procesit është Bosnjë-Hercegovina, e cila ka hapur kapitujt, por mbetet ende shumë larg në procesin e integrimit.  

Mali i Zi në pol-pozicion

Mali i Zi kryeson procesin, duke hapur të gjithë kapitujt negociues – 33 në total – dhe mbyllur 6 prej tyre. Progresi më i madh i Malit të Zi është në fushën e reformave të sundimit të ligjit dhe drejtësisë, ku janë ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar institucionet e pavarura dhe për të luftuar korrupsionin.

Megjithatë, mbeten edhe shumë sfida të tjera, përfshirë përmirësimin e mekanizmave për sekuestrimin e aseteve të paligjshme, zbatimin e suksesshëm të reformave zgjedhore, si dhe zbatimin e masave kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Këto sfida, mes të tjerash, do ta përcaktojnë ritmin e mëtejshëm të integrimit për Malin e Zi.

Serbia ngadalëson shpejtësinë dhe humb primatin

Serbia ka një pozitë të dyzuar në procesin e integrimit. Me 22 kapituj të hapur dhe 2 të mbyllur përkohësisht, progresi i saj në BE është penguar nga tensionet politike dhe mungesa e reformave thelbësore në disa fusha kyçe. Një nga kriteret më të rëndësishme për përparimin e Serbisë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, i cili vazhdon të mbetet një burim i madh tensioni në rajon.

Nga ana tjetër, reformat në luftën kundër korrupsionit kanë qenë të kufizuara dhe shqetësimet për pavarësinë e medias dhe gjyqësorit janë ende të pranishme. Një nga sfidat më të mëdha është përafrimi i politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. 

Shqipëria siguron pozicionin e dytë në garë

Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt BE-së, duke hapur grupet negociuese themelore dhe ato për marrëdhënie të jashtme. Reforma e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë pikat më të forta të progresit të Shqipërisë, duke përfshirë procese të suksesshme, si vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky progres i madh ka tejkaluar nivelin e reformave të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke e pozicionuar Shqipërinë së bashku me Malin e Zi.

Megjithatë, polarizimi politik mbetet një pengesë e madhe, si dhe mungesa e dialogut konstruktiv midis partive politike ka penguar ritmin e reformave të tjera thelbësore, si ato zgjedhore dhe të administratës publike. Për më tepër, liria e medias dhe transparenca në prona mbeten sfida kritike për përmbushjen e standardeve europiane.

Maqedonia e Veriut e ngujuar në pit-stop

Maqedonia e Veriut, ndonëse ka bërë përpjekje të konsiderueshme drejt BE-së, është përballur me bllokime të mëdha për shkak të mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe bilaterale me Bullgarinë. Hapja e negociatave është vonuar, duke e lënë vendin në një pozitë të ndjeshme dhe duke krijuar frustrim te qytetarët.

Përtej problemeve politike e bilaterale, reformat në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë ende të kufizuara. Për më tepër, ndryshimet në Kodin Penal, të cilat prekin çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë, kanë ngritur shqetësime për angazhimin e vendit ndaj reformave të vërteta. 

Bosnjë-Hercegovina në fund të garës

Bosnjë-Hercegovina ka bërë një hap të madh në rrugën e saj europiane me hapjen e negociatave në vitin 2024. Megjithatë, ndasitë politike të brendshme, veçanërisht retorika secesioniste nga Republika Srpska, vazhdojnë të minojnë përparimin.

Reformat në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë të kufizuara, dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ka qenë i dobët. Për më tepër, liritë themelore, duke përfshirë lirinë e medias dhe të drejtat e qytetarëve, mbeten në një gjendje shqetësuese.

Kosova ende jashtë garës

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2023, por ende nuk ka marrë përgjigje. Kosova nuk e ka as statusin e vendit kandidat dhe mbetet shumë larg hapjes së negociatave për anëtarësim. 

Përparimi i Kosovës është vështirësuar nga tensionet e vazhdueshme me Serbinë dhe situata e paqëndrueshme në veri të vendit. Reformat për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë qenë të kufizuara dhe sistemi i drejtësisë ende nuk e ka arritur pavarësinë dhe efikasitetin e plotë.

Një moment kritik për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor

Edhe pse gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten larg anëtarësimit në BE, procesi i zgjerimit është ringjallur duke e kthyer atë në një përparësi strategjike për BE-në. Në një moment të tillë kritik, integrimi i Ballkanit Perëndimor do të përcaktojë jo vetëm stabilitetin e rajonit, por edhe fuqinë dhe kohezionin e BE-së në një botë gjithnjë e më shumë multipolare.

Me rigjallërimin e procesit të zgjerimit, pritet qe BE-ja t’i presë një apo dy anëtarë të rinj deri në fund të 2030-s. Për momentin, Mali i Zi dhe Shqipëria kryesojnë garën, por nëse Maqedonia e Veriut zhbllokon situatën me Bullgarinë dhe nëse Serbia dhe Kosova arrijnë dakordim për një marrëveshje finale mes tyre, gara mund të duket shumë më ndryshe pesë vjet më vonë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.