Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Konteksti filozofik i të drejtave të njeriut

Në një vështrim të distancuar, dy nga konceptet më dominuese të cilat shtrihen dendur në ligjërimin e pasluftës në Kosovë, e që duket se janë në një garë pa fitues, janë “demokracia” dhe të “drejtat e njeriut”. Që nga përfundimi i luftës, këto duket të jenë majaja për projekte, trajnime e raporte të panumërta, aq mbizotëruese saqë inflacioni i tyre duket i pashmangshëm.

Duket se në ligjërimin publik është konsoliduar kuptim legalist i “drejtave të njeriut”, që përfushet shpesh si shënjues i zbrazët dhe operacionalizohet brenda debatit publik në format kryesisht teknik, të fetishizuar madje. Përdorimi i tillë i të “drejtave të njeriut” mund të grumbullohet brenda një manuali me formula e ekuacione, indekse, ilustrime statistikore, metoda për matje “pulsi”, “progresi” etj., e që për nga thatësia mund t’i ngjasojë një udhëzuesi aritmetike. Një konceptim dhe operacionalizim i tillë i të ‘drejtave të njeriut’ rrezikon mbylljen e diskutimeve dhe debatit ende pa u hapur.

Siç ndodh rëndom, disa koncepte konsolidohen si të paprekshme, shërbehen në formate formulaike dhe ngulfaten brenda një logjike përsëritëse, sipërfaqësore. Ndërkaq, a mund të diskutohet vërtet për të “drejtat e njeriut” pa u diskutuar “njeriu” i të “drejtave të njeriut”?

Diskutimi për “njeriun” e të “drejtave të njeriut” do të duhej të ishte hapi i parë drejt komplikimit të çfarëdo diskutimi mbi konceptin, ngase nga këtu ai fillon e zhvishet dhe përfushet në tërë kompleksitetin e tij; obligon tëhollim të ekosistemit që përthekon subjektin e një koncepti thellësisht antropocentrik; fton për konsiderata të shumëfishta; e bën të pashmangshëm një zgjerim kuptimor, më bujar dhe më të ndërlikuar. Dhe ndërlikimi, ndryshe nga si mendohet zakonisht dhe ndryshe nga kuptimi mjekësor, këtu është i domosdoshëm.

Është pikërisht konceptimi antropocentrik i të drejtave të njeriut që ishte kritikuar nga filozofja Hana Arend (Hannah Arendt) në librin e saj Origjinat e Totalitarianizmit (The Origins of Totalitarianism), si konceptim ahistorik i njeriut të zhveshur nga të gjitha atributet e tij përveç, siç thotë Arendi, nga fakti i të qenët thjesht njeri.

Njeriu i zhveshur është njeriu pa histori, pa bashkësi politike, pa të drejta civile e politike, i reduktuar vetëm në njeri, i mishëruar më së qarti në figurën e refugjatit, siç e kemi parë përgjatë tërë shekullit të njëzetë dhe po e shohim edhe në shekullin aktual. Refugjati është shëmbëlltyra e njeriut të pa shtet, i njeriut të përjashtuar nga njerëzimi pavarësisht diskursit tonë humanitar. Dhe kjo është katastrofa e vërtetë sipas Arendit, humbja e bashkësisë politike e cila do të mund t’i garantonte të drejtat e njeriut.

Deklarata e të Drejtave të Njeriut, ashtu sikurse edhe numërimi i të drejtave të njeriut përbrenda instrumenteve legale shtetërore (p.sh. Kushtetutës), vërtet vjen si një grumbull formulash. Megjithatë, gjendja agregate e këtyre teksteve nuk është e ngurtë, por e lëngët, dhe nuk mund të pretendohet që ato mbërthejnë një kuptim të vetëm të fshehur apo të dukshëm brenda koleksionit të formulave, sa të mjaftohemi me mësimin dhe përsëritjen e tyre.

Kur themi në gjendje të lëngët, mendojmë të interpretueshme, të hapura, të diskutueshme, dhe detyrimisht të varura nga një seri kushtesh të tjera të cilat mundësojnë zhvillimet dhe zbërthimet konceptuale që potencialisht mbërthehen në to. Më themelori nga këto kushte është angazhimi kritik me konceptin.

Angazhimi kritik me të drejtat e njeriut ka qenë dhe vazhdon të mbetet karburant i krijimit të horizonteve të pritshmërisë. Ai është i domosdoshëm për vënien në lëvizje të potencialitetit të konceptit.

Një angazhim kritik me konceptin do të duhej të fillonte me diskutimin e origjinës dhe zhvillimit të konceptit; të ngrejë pikëpyetje mbi kuptimet e ndryshme diskursivisht të koaguluara ndërkohë; të marrë në konsideratë marrëdhëniet e pushtetit në procesin e gjenerimit të kuptimeve dominuese nga origjina deri më sot; të hetojë (sh)përdorimet e tyre retorike dhe ideologjike; etj. Të gjitha këto dhe aspekte të tjera kërkojnë që koncepti të kuptohet brenda ekosistemit në të cilin ka evoluar dhe të asimilohet duke marrë parasysh konfigurimet rrethanore lokale.

Në dy dekadat e fundit hapësira akademike është gjallëruar me kritika të ndryshme të konceptit, që vijnë nga këndvështrime disiplinare të llojllojshme. Përtej dobishmërisë dhe pragmatizmit politik të të drejtave të njeriut, është e domosdoshme të angazhohemi me pyetje të vështira që mundësojnë të menduarit përtej ekuacionesh për ta çliruar konceptin nga ngushtësia dhe për të dalë nga raporti absorbim/riciklim i formulave të ngurta.

Për të aktualizuar një kuptim më të ndërlikuar që do t’i hapte rrugë një serie diskutimesh mbi konceptin është e domosdoshme që praktika e deritanishme ku dominon “trajnimi” mbi të drejtat e njeriut të balancohet me përbërës më substancialë, filozofikë e kritikë, të cilët jo vetëm se kontekstualizojnë zhvillimin e konceptit të të drejtave të njeriut, por edhe provokojnë debate mbi aspekte të ndryshme të të kuptuarit të tij dhe njëkohësisht zgjerojnë të kuptuarit e tyre për të siguruar përfshirje më të gjerë të grupeve dhe kategorive që deri më sot e kanë gjetur veten në margjina të shoqërisë njerëzore.
__

Ky editorial botohet në kuadër të projektit “Historia dhe konteksti kulturor i të drejtave të njeriut në Kosovë”, realizuar nga Instituti Britm i Parë.

Ky aktivitet është përkrahur nga HumanRightivism Project, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) dhe zbatuar nga Community Development Fund.

Author

  • Instituti Britm i Parë

    Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit kosovar dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë kosovare. I themeluar në vitin 2020 në Prishtinë, Britmi i parë së shpejti do ta lansojë edhe uebfaqen e tij si mjetin kryesor të komunikimit me publikun.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.