Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Meksika – vendstrehimi i shkrimtarëve ballkanikë që ikin nga lufta

Vladimir Arsenijeviq, «Mexico – ditari i luftës», përkthyer nga Anton Berishaj, Sabaium bb, Prishtinë, 2000.  

Më në fund, pas shumë tentimesh, më ra në dorë libri i shkrimtarit serb Vladimir Arsenijeviq, “Mexico – ditari i luftës”. Një libër i shkruar në vetën e parë në të cilin autori rrëfen tri ngjarje madhore: e para, pranimin e ftesës nga Bashkim Shehu në emër të Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve (PNSH) për një rezidencë letrare; e dyta, përjetimet e tij personale dhe të të afërmve të tij gjatë bombardimit të Beogradit; e treta, takimi me poetin Xhevdet Bajraj, i cili, po sikur autori, kishte marrë të njëjtën ftesë për një rezidencë letrare. Ky është skeleti i librit “Mexico – ditari i luftës”, kurse ngjarjet më të imëta të rrëfyera nga autori, janë mishi që e plotëson anatominë e librit.

Vladimir Arsenijeviq, me anë të këtij libri e përmbys narrativën nacionaliste për “anën e mirë të luftës”. Ai na e dëshmon se pa marrë parasysh kush është nismëtari, pasojat – natyrisht, me dallime të konsiderueshme e të pakrahasueshme në mes vete – i bartin të dy taborret. Për më tepër, ai mëton që nëpërmjet librit të tregojë se mbi të gjitha mizoritë që i prodhon lufta, duhet të mbizotërojë njerëzorja midis popujve, edhe në qofshin subjekte të një lufte shkatërrimtare, siç ishte lufta e Kosovës. Për Arsenijeviqin, dhe kjo është më se e rëndësishme të thuhet, nuk ka popull të mirë a të keq, por ka regjime shtypëse të cilat i kundërvihen një populli. Prandaj, në tërë librin sundon klima e pafuqisë kundrejt një autoriteti sipëror, siç është regjimi kriminal i Millosheviqit, apo, në rastin e bombardimit të Beogradit, forcat paqeruajtëse të NATOs.

Arsenijeviq ishte i anatemuar në regjimin politik të kohës në Beograd. Duke e parë këtë gjendje të tij, ftesës së Bashkim Shehut i përgjigjet me sinqeritet të plotë e me një vetëmohim të pashoq: “Mua askush, vërtet, kurrë dhe për asgjë nuk më ka burgosur as përndjekur, nuk kam bash kurrfarë kontakti me pushtetin… E di që jam në njëfarë liste të personave që nuk mund të dalin në programet e televizionit shtetëror, mirëpo, të jem i sinqertë, unë atje as që do të shkoja, madje edhe sikur të më ftonin me këmbëngulje…». Kjo për gjendjen individuale të tij, e cila nuk është e vetmja brengë, prandaj shton se “[…]detyrohem të jetoj në një vend ku çdo ditë, tashmë me vite, është gjithnjë e më keq dhe se, aq gjatë, i duroj të gjitha pasojat absurde dhe katastrofike të formës së privatizuar të një sociopati, i cili është i lig e egoist…”. Ai pohon se individualisht nuk ekziston në vendin e tij. Por, mbi të gjitha e shqetëson represioni kolektiv, të cilit i nënshtroheshin ai dhe bashkëmendimtarët tjerë.

E, pak kohë më vonë, kur të gjitha ndërdyshjet lidhur me këtë aventurë gati se e prekin epilogun, ndër to edhe blerja e një fletoreje me kapakë të trashë enkas për shënimet në Meksikë – ‘fletorja meksikane me diell’ – më 24 mars 1999 në Beograd fillojnë bombardimet e NATO-s, të cilat Arsenijeviqin e gjejnë me “rreth njëqind dinarë, një pako cigare dhe frigoriferin gjysmë të zbrazët”. Kështu, në fletoren që e kishte paraparë t’i shkruante kujtimet e Meksikës, nis dhe i shkruan përjetimet e jetës nën bombardim.

Askush më mirë sesa kosovarët nuk e di se ç’do të thotë të jesh i huaj në qytetin tënd. Paçka se bombardimi i Beogradit qe kundërveprim për krimet e Millosheviqit gjithandej Kosovës, një gjë e tillë, natyrshëm se do të përjetohej rëndë nga qytetarët e ndershëm serbë që nuk kishin gisht në ato krime, nuk pajtoheshin e madje i kundërshtonin me të gjitha mjetet që i kishin në dispozicion. Në këtë pjesë të ditarit, autori ndan me lexuesit pjesën më private të jetës së tij duke përfshirë hollësi rreth konsolidimit të familjes e rrethit të tij në raport me situatën, peripecitë për të marrë lejen e udhëtimit për Meksikë bashkë me çapitjet për të dalë nga Serbia, deri kur, përfundimisht, më 27 maj 1999, nga dritarja e avionit lexon se çka shkruan në një mal, “[…]pas të cilit, këtë e kemi tepër të qartë tashti, fillon Qyteti i pambarim…”Ave Maria Auxiliadora!

Xhevdet Bajraj dhe Vladimir Arsenijeviq 

Kapitulli i tretë “Xhevdeti dhe unë” paraqet pjesën boshtore të librit: momentet e vështira të pritjes për aterimin Xhevdet Bajrajt në tokën e nxehtë meksikane – pa ditur shumë për mirëqenien e këtij të fundit, takimin e autorit me Xhevdetin dhe bisedat e tyre të gjata, për të mos thënë rrëfimin kronologjik për përjetimet jashtëzakonisht të rënda të Bajrajt. Këtu ai merr detyrën e lajmësit të historisë plot emocion të poetit Bajraj. Nga mënyra e rrëfimit kuptohet se personi që dëgjon po e ndan dhimbjen me personin që flet. Këtë e pranon edhe vetë autori, duke thënë se “[…] historia ime e ‘luftës’ do të përfundojë, do të jetë e plotë dhe e drejtë vetëm kur t’ia kundërvë një lloj raporti mbi një përvojë identike, megjithëse larg e larg më tragjike, të Xhevdetit dhe tërë familjes së tij.”

Po të mos dinim për Kosovën e fundviteve të ’90-ta, përjetimet e Bajrajt, familjes së tij, por edhe shumë familjeve tjera kosovare do të ngjanin surreale edhe për ne që vijmë nga ‘e njëjta anë’, e le të mos flasim për autorin, i cili vjen nga ‘ana e kundërt’. Por, diskursi i këtij të fundit është ndërtuar mbi premisa tërësisht humaniste dhe pa ngarkesa që burojnë nga -izma të shumëllojshme, e më së shumti, nga nacionalizmi dhe fashizmi.

Autorin, siç duket, e mbreson fort odiseja e Xhevdet Bajrajt, në rend të parë, brenda Kosovës në mes të luftës, e deri te udhëtimi përfundimtar drejt Meksikës, së bashku me të shoqen Vjollcën, dy djemtë dhe plot kujtime nga Rahoveci. Kujtime, që në vrojtimin e parë, nuk të japin përshtypje se mund të kenë ndodhur brenda një jete njeriu, që atëbotë ishte afër të katërdhjetave: nga çastet e lumtura deri te çastet e helmëta, kur ndodhej në zgrip të ekzekutimit.

Në një rast, Arsenijeviq, me anë të një fjalie të vetme, na jep një tabllo të plotë të heqakeqjeve të Bajrajt: “Qamilja, e ëma e Xhevdetit, vendosi të shkojë deri në Prizren, për t’i vizituar atje bijat e saj, Dritën dhe Besën, për t’i blerë Xhevdetit cigare normale (të cilat do t’i paguante 80 DM për kuti me dhjetë pako, vetëm të mos e shikonte të birin e saj t’i derdhte qeset e çajit dhe t’i mbështjellë me letër gazete që, me kalimin e ditëve të luftës gjithnjë e më të rreptë, po bëhej një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë në Rahovec)”. Kjo fjali, por edhe shumë të tjera si kjo që gjenden brenda librit dëshmojnë për stilin e hollë të autorit, i cili e di fare mirë se çka po rrëfen dhe, para së gjithash, kujt po ia rrëfen.

                                  Image

Domethënëse për këtë kapitull është rëndësia që Bajraj u jep të gjitha viktimave të luftës. Linja e tij e rrëfimit nuk kufizohet vetëm brenda individit, por ai me një dhimbje të pashembullt i tregon autorit – dhe nëpërmjet tij edhe lexuesit – për njerëzit që e rrethonin dhe me të cilët kishte ndarë kohë të konsiderueshme nga ‘jeta e tij e parë’: para se të merrte rrugën e gjatë për në Meksikë. Personazhet e tij nuk janë fiktivë, sikundër që nuk janë as homogjenë, por me emra e mbiemra që njëherë e njëkohë janë përballur fyt-a-fyt me ato që lufta i kishte rezervuar për ta, përfundimi i të cilëve ishte ku më i lehtë e ku tragjik.

Do të ishte e mirëseardhur, sidomos për lexuesit e memoaristikës që, mbase me ndonjë redaktim a korrigjim të atykëtushëm, ky libër të ribotohej, sepse po mbushen 23 vjet qëkur u botua në gjuhën shqipe dhe s’mund të gjendet askund. Ndër të tjera, edhe si kujtim për poetin brilant Xhevdet Bajraj, të cilin që nga 22 qershori 2022, në mesin tonë e kemi vetëm nëpërmjet poezisë së tij dhe rrëfimeve të Arsenijeviqit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.