Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Trupi – banesa e fundit e qenies

Kritikë shfaqjes Burrnesha

Një grua e bukur me stil burleske e me një buzëqeshje plot sharm pret në hyrje të sallës. Në të dy anët kishte publik kurse në mes, në formë të një pellgu, ishte përgatitur pista e gjërë, sikur pistat e modës, për të performuar aktorët në skenë. Shfaqja kish filluar para se publiku të futej në sallë.

Gruaja në pritje është Edit Durham (Semira Latifi). Ajo po bëhej gati të fillonte ligjeratën e saj, për virgjëreshat e përbetuara, apo siç njiheshin ndryshe, burrneshat. Ajo njoftoi gjërë e gjatë për motivet, objektin e studimit dhe gjetjet e saj në këtë studim të lodhshëm akademik. Qysh në fillim, teksa flet për refugjatët në Londër, ajo nxjerr në pah relativitetin e universaleve kulturore. Një prind në Londër është akuzuar për pedofili për shkak të puthjes së penisit të sapobërë synet të djalit të tij të vogël. Ai është burgosur pasi ka postuar foton në rrjete. Merret vesh që, autori Jeton Neziraj, qysh në fillim, më tepër se provokim emocional, ofron një pasqyrë kritike, një ide apo interpretim të homogjenitetit dhe heterogjenitetit botëkuptimor lindje-perëndim.

Editi i drejtohet masës studentore duke zhvilluar një diskurs të posaçëm në lidhje me prerjet kulturore, kundëvëniet dhe dallimet me kulturat e tjera, të cilat ndjekin një trajektore tjetër zhvillimi qytetërimor. Ajo flet për burrneshat, virgjëreshat e përbetuara, gratë-burra, të cilat janë shfaqur si fenomen social në veriun e Shqipërisë, me ç’rast gratë, duke u shndërruar në burra dhe në vetëmohim të seksit dhe gjinisë, shfrytëzojnë priviligjet e një shoqërie të thekur patriarkale. Gratë e këtilla, sipas ligjerimit të Durhamit, pasi që betoheshin para pleqërisë së fshatit, bëheshin “burrnesha”. Ky betim nuk thyhej kurrë. Gruaja e përbetuar, tash e tutje, ndërtonte një tjetër gjini, përjetonte një tjetër seksualitet. Ajo bëhej një burrë. Ato ishin krenare dhe respektoheshin nga rrethi.

Image

Edit ka zbuluar një burrneshë dhe atë do sjellë në Universitetin e Londrës dhe ajo do të flasë para një audience studentore. Juliani (Kushtrim Qerimi), një drag queen, pasi dëgjoi ligjeratën e Editit me plot pasion, i ofron asaj që në këmbim të një shume parash, të organizojnë një performancë kuir (queer) në teatrin Soho në Londër. Gjallërimi i një personazhi si Juliani, në mënyrë kaq origjinale me raste ekzagjërimi kiç përçon emocion të veçantë tek publiku.

Sose (Tringë Hasani) quhet burrnesha, e cila jeton në Malësinë e thellë të veriut të Shqipërisë. Si antropologe dhe studiuese, Editi vjen nga Londra dhe arrin të takohet me Sosen. Në intervistën e saj jo formale, Sosja, shpalos ecejaken e saj të dhimbshme. Duke u bërë burrë, ajo u bë zot shtëpie, trashëgoi pronën dhe përvetësoi lirinë e burrit. Të kesh pronë do të thotë të jesh i lirë. Gratë nuk kanë pronë, as nuk trashëgojnë gjë.

Sosja arrinë në Londër. Metropoli nuk i ngjan fare natyrës idilike të bjeshkëve të Shqipnisë. Londra është ngulfatëse për të. Para studentëve, ajo flet me siguri të lartë dhe vetëbesim. Pas pyetjeve të shumta, ajo pyetet edhe për dashurinë, me pak fjalë: se si dashuron ai/ajo. Sosja e kupton dashurinë si ngjyrë të kuqe që bojatisë gjithkënd. Ajo i do të gjithë njësoj: si burrin ashtu dhe gruan, si fëmijën ashtu edhe të rriturin. Sado  e esëllt Sosja në përgjigjet e saja, paradoksi i shpërfaqet në bindjen e palëkundur se “burri është burrë” dhe “gruaja grua” dhe se natyra ka parapërcaktuar rolet e tyre, porse, megjithatë, një grua siç ishte ajo, kishte mundësinë të zgjidhte të banonte në një trup burri. Përkundër që trupi i saj mund ta tradhtonte, si në rastin e menstruacioneve, dashuria do i jepte lirinë e do ta çlironte prej biologjikes dhe narracionit të ndërtuar mbi këtë trup.

Edith Durham ka shkruar gjërë e gjatë për këtë fenomen në librin, “Shqipëria e Epërme” (1909), si dhe në veprën “Për fiset, ligjet dhe zakonet e ballkanasve” (1928). Më tepër se një akademike, në shfaqje ajo paraqitet edhe si një grua që jeton dhe dashuron si njerëzit e tjerë. Ajo madje edhe tundohet nga Juliani, i cili për dallim nga bota akademike që gllabëron çdo dije të botës për ta shndërruar si armë kontrolli dhe pushtimi, paraqitet si imazh i konsumerizmit grykës. Ai mrekullohet nga fjalimi i Soses në Universitetin e Londrës. Ai e sheh atë tamam si ‘fresh meet’ që mund t’i servohet një publiku tashmë të bezdisur nga shfaqjet e shumta, pa kuptim dhe të mërzitshme kuir.

“Burrnesha” na nxit të reflektojmë rreth trupit njerëzor, rreth kontektstit social dhe sistemit shoqëror që determinon një botëkuptim të caktuar rreth trupit. Virgjëreshat, përtej një migrimi të shpirtit drejt një trupi tjetër, shpërfaqin aftësinë, vullnetin dhe domosdoshmërinë e konstruktit të ri gjinor si mundësi për liri dhe jetë. Përmes personifikimit të “virgjëreshës”, shfaqja  dekonstrukton mitin e biologjisë fataliste dhe trupit si realitet përfundimtar të strehimit të qenies.

Në anën tjetër, përmes drag queen-it, ajo ndërton një diskurs kritik mbi vullnetin e lirë, zgjedhjen e një trupi tjetër që rrezikon të jetë autodisfatist në gjeografinë e vendeve liberale demokratike. Të qenit i lirë, shpeshherë, nënkupton të qenit lehtë i ekzpozueshëm, të qenit i pambrojtur dhe “pre e lehtë për gjah të butë”, siç do të thoshte Niçe. Liria befshëm shndërrohet në vegim, ku trupi objektifikohet dhe bëhet mall për zhvatje nga simbioza e kapitalizmit dhe botës së spektaklit.

Regjisori Erson Zymberaj ia ka dalë mirë të bëjë ndërthurjen e dallimeve identitare që shkrihen brenda tërësisë dhe brishtësisë njerëzore. Tre personazhe përbëjnë tri etapa të zhvillimit historik njerëzor, por që ndërnyjëzohen në teatrin Soho. Sosja –  një virgjëreshë e përbetuar – prentendon që në sajë të vullnetit të saj të lirë, të ketë vendosur fatin e vet dhe ka trashëguar privilegjet e një burri, porse ndjehet e fyer të dalë para një publiku të huaj dhe ngufatës e të flasë për zgjedhjet e saj, aq më tepër – “për pak para” siç thotë ajo – të shesë nderin para një publiku të heterogjen në teatrin Soho. Sose megjithatë, ka një kod etike tradicionale të përgjegjësive paçka se ajo përpiqet të shijojë gjëra të reja.

Image

Skenografia (Bekim Korça) e kësaj shfaqjeje ndërtohet nga publiku i ndarë në dysh që i përngjet reflektimit “ne” dhe “ata.” Kundërshtia binare shfaqet vrullshëm. Kontrastet përbëjnë dallimin. Dialektika andej-këndejju-nebarbari-qytetërimlindje-perëndimburrneshë-drag queen, shtrihet në çdo cep të lojës. Ndërkaq,  nën mirazhet e zbehta të ndriçimeve të forta të binës karshi mund të shohim edhe mimikat e publikut përballë. Skena i përngjet një sfilate mode, amfiteatri universitar apo një teatri bashkëkokohor modern, ndërsa loja shfaqem mu në mes, midis nesh. Qilimi me motive tradicionale entike shqiptare i projektuar në podiumin e sallës me qëllim të shpërfaqjes së autentikes, të vjetrës dhe traditës; vaska e ndiçuar e stillit të filleve të modernitetit e që sot konsiderohet shenjë e aristokracisë perëndimore; akordimi me ndriçimin spektërplot të ngjyrave të dritave përbrenda errësirës përpirëse shpërfaqin mjeshtërisht ndërthurrjen e tri enteriereve, sa të ngjashme po aq edhe të ndryshme në këtë mozaik.

Kostumografja Yllka Brada përmes veshjes së personazheve paraqet modën dhe mendësinë konceptuale: Sose me tirqit e veshur paraqet traditën, Edith me veshje moderne paraqet modernitetin e kostumeve dhe narracionin anti-tradicional dhe Juliani, si drag queen, me veshje shumëngjyrshje jashtë çdo konstrukti paraparë mode, shënon frymën postmoderne të modës si art që i kundëvihet modernitetit. Kjo larmi shoqërohet edhe me harmoninë muzikore, që përpos dinamikës, ndërsen në heshtje shkarkimin shpirtëror, rrjedhshëm pa shpërthime të mëdha, midis ndjenjash dhe nyancash ku spektatori mbetet i hutuar midis epokave historike.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.