Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Anmiq s’kam, se nuk rrnoj në të kaluemen unë

I mirënjohuri roman grafik “Kthimi në Kosovë” tashmë në shqip

Janë nemose dy teste për m’e dallu nji kryevepër arti. I pari: i kthehesh mbasi ta kesh përfundu. Përjetimi i parë, i ngjeshur emocionalisht, dikton ripërjetimin. I dyti: vepra depërton larg përtej atij që lloji i vet i artit ka për publik të rëndomtë. “Retour au Kosovo” (Kthimi në Kosovë), romani grafik nga Gani Jakupi dhe Jorge González (Dupuis, Paris 2014) i kalon të dyja.

Pa iu kredhë fort në fabul, kënaqësia e shpalosjes së të cilës i duhet lënë lexuesit, romani grafik, i disponueshëm tashmë në shqip, trajton temën e Kosovës në më të freskëtat ditë të pasluftës. Lexuesit shqiptar i vjen edhe me kërshërinë e këtij me pa se si ky segment i historisë sonë të re u paraqitet kulturave europiane nëpërmjet këtij përbashkimi të shprehjes letrare e grafike. Nëpër internet, mes vlerësimeve e paraqitjeve në polonishten, italishten, e spanjishten që veprën e përkthejnë, e shumë të tjerave në frëngjishten e origjinalit, gjenden një intervistë në TV5 Monde, një tjetër për RAI3, madje një dokumentar kushtu sa këtij romani grafik, aq edhe Kosovës së paspavarësimit.

Rrëfimtari dhe kryeprotagonisti i “Kthimi në Kosovë” kanë të njëjtën adresë uni: skenaristin e fabulës. Të varguara si në udhëpërshkrim, ngjarjet janë episodike. Personazhet parakalojnë, një grusht sosh veç kthehen, sa me shestu skeletin e një vepre të vetëpërmbajtur artistike. Njëra nga linjat e rrëfimtarisë është ajo e Gani Jakupit gazetar, ngarku që në Barcelonë, ku jeton me familjen, me i sjellë reportazh një reviste spanjolle nga pasojat e luftës në Kosovë, çka bën që ky roman grafik të tërheqë disa momente ndërtekstorësie me një tjetër të Jakupit, ku shtjellohet më vete.

Vepra ka edhe përmasën e një historie gojore, e mund të lexohet edhe si memoar, sepse janë aty edhe kujtimet, rrënqethjet, ankthet e vajet e vetë autorit. Lufta nuk është më as e kroatit, as e boshnjakut. Ajo është tashmë dhimbje vetjake, “e vetmja që mundet me të ba me ia ndie tanë absurditetin”, paralajmëron pasazhi i shkëputur në kopertinën e pasme.

Dy arte në një

Gjuha ndijore e rrëfimtarisë së Jakupit mundëson me e lexu tekstin edhe si vepër letrare më vete, që as nuk ua ka nevojën ilustrimeve thjesht përshkruese, çfarë rëndom janë ato të ‘stripave’. Megjithatë, kur jemi te ilustrimet, ndjenjat që ato evokojnë janë të një atmosfere lufte e paslufte, e cila nuk ka si të mos jetë e trazuar. E jashtëzakonta tjetër e këtij romani grafik, që e nalton mes të rrallëve, është prandaj mishërimi i artit të fjalës së Jakupit me artin figurativ të Jorge González-it, majën tjetër të këtij botimi. González shkon përtej sesa me përsëdytë tekstin e Jakupit, i vetëdijshëm ndërkohë se ç’stimuj pamorë me i përçu lexuesit. Në artin e tij shohim edhe vijëzime para se vizatime, piktura abstrakte e jo krejt, fotografi të shkrira në ilustrime me tipare aq autentike, sa me t’u bë se ka jetu në Kosovë.

Image

Një fytyrë e padjallëzuar vajze, e vetmja në gjithë romanin grafik, me shikimin që autori Jakupi nuk ia ka harru as mbas pesëmbëdhjetë vjetësh, kur shkruan tekstin, në interpretimin e ilustruesit González kthehet në portret sa gjysma e faqes, si një pasqyrë zmadhuese për mesazhin e autorit para kujtdo që ende mund të ketë mbetë i egër ballas ‘tjetrit’ në këtë gadishull të trazuar luftrash, si për t’i thënë: qe, kqyru, o mëri e çartur njerëzore! Do të ishte punë e vyet sikur kjo vepër të përkthehej edhe në Sërbi, një orë e më parë madje.

Tjerakund, ndërsa lexojmë për njërin nga më çnjerezorët prej krimeve këtu të përshkruara, dekapitimin e një fëmije kry faqe një miratimi shumësisht të heshtur, ilustratori na nxjerr, me gjetje krejt origjinale, veç të kuqen e mërdheztë të atij tmerri. E, ndonëse ngjarja zhvillohet vonë në kapitullin e dytë, skenaristi na e ka paralajmëru hisen e fajit të çdo spektatori të nemitur me dy citate qysh në nisje të kapitullit të parë: “Nëse qëndron neutral përballë nji rasti padrejtësie, ia mban anën keqbamësit”; “Nëse nuk ia ndal dorën keqbamësit, për çka saktë mundesh me u krenue”.

Jorge González-in redaktorët e Aire Libre me të drejtë e cilësojnë si artist që di me i ndërthurë më intimen me gjeografiken. Rastis madje që më intimja të jetë mënyra se si ilustrohet hapja e romanit grafik, me makthet e gjumit copë-copë të autorit në nisje të luftës, kurse gjeografikja, e përdorur me shkathtësi sidomos kur ilustrohen dëbimet në masë të popullsisë, të jetë edhe pamja përmbyllëse e tij.

Image

Një rokadë në linjën kronologjike

Është fort e guximshme një shkëputje në linjën kronologjike të rrëfimtarisë, që gjatë leximit të parë mundet me u përvjedhë e pavënëre. Protagonisti, fillimisht në Barcelonë, merr rrugë për në Kosovë pak ditë mbasi këtu hyjnë forcat tokësore të NATO-s. Kapitullin e parë e mbyll avioni në fluturim nga Barcelona drejt Ballkanit. I dyti çelet me protagonistin rrugëve të boshatisura të Prishtinës për te shpia e fëminisë, në njëfarë idile nokturne të cilën ia ndërpret një tog ushtarësh të huaj që, ndesh me pritshmëritë e tij, e përshëndesin, në shqip madje. Mbas këtij, autori nxjerr episodin tjetër: një grua vendase që ec me hap të shpejtuar, të cilin e ngadalëson sapo ndeshet me ushtarët e NATO-s. Episodi, i ilustruar bardhezi, në fund kuptojmë se vjen nga kronika e lajmeve që protagonisti sheh në ekran. Kronologjikisht, ky episod i prin pararendësit me protagonistin rrugëve të Prishtinës, e madje edhe skenës me avionin në fluturim, meqë përmendja e ekranit aludon se protagonisti ngjarjen po e dëshmon nga shpia në Barcelonë, ende pa marrë udhë.

Ani pse protagonistin e kishim lënë rrugëve të Prishtinës për te shpia e fëminisë, episodi vijues na kthen te ardhja e tij në Ballkan: as a “Aeroplani na uli në Greqi. Pjesën e mbetun të rrugës duhemi m’e ba me taksi, nëpër Maqedoni”. Shkurt, katër episode që kronologjikisht do të vargoheshin si 1-2-3-4, vijnë këtu me renditjen 2-4-1-3. Megjithatë, rrëfimi jo vetëm nuk stonon, por veç kështu arrin efektin e krahasvënies së dy përvojave të autorit me të uniformuarit e huaj, krejt të ndryshme nga ato me Ushtrinë Jugosllave gjatë viteve 1990.

Gërshet

Nuk luhet veç me renditjen e skenave. Në nisje të kapitullit tre, në tri kutiza rrëfyese përmbi tri ilustrime lexojmë narratorin që sqaron:

– Korrik. Prap në Kosovë, shoqnue nga nji delegacion OJQ-sh. Jemi tre: Davidi, kryesuesi i Federatës (logjike!), unë (përfaqësuesi i vendasve)…
– …dhe Eva. [ilustrohet portreti i saj]
– Nji veprimtare. [portreti nga më afër]

“Nuk e kuptoj praninë e privilegjueme të kësaj vajze. Ka pasë veprimtarë fort ma të përfshimë nga OJQ të ndryshme!” rrëfen kutiza e radhës. Ilustrimet e mëtejme copëzohen si fraktale, e me to, renditja e kutizave rrëfyese, deri këtu goxha lineare, koklavitet. Për më shumë, Jakupi nëpër to shtron dy linja rrëfimi: e para, biseda me përfaqësuesin nga OJQ-të; e dyta, sqarimet që ia jep Davidi, kryesuesi i Federatës, rreth pranisë së Evës. Më e bukura që të papërudhurve në këtë lloj arti mundet me u ndodhë në këtë faqe është me u shpërudhë, duke i lexu kutizat bash duke kapërthurë të dy linjat e rrëfimtarisë me secilën fjali vijuese. Lexojmë prandaj:

– Takojmë gjithë ata njerëz.
– Asht serioze, e zellshme edhe punëtore shembullore.
– Herë-herë, duhet me sqarue se qëllimi ynë nuk asht me financue “nisma private”.
– Davidi më tregon arsyen pse Eva asht e pranishme.
– Por, s’asht dramatike; Kosova po vlon prej organizatave që kërkojnë me ba punë të mira.
– Premtimi për këtë rrugë ka qenë e vetmja mënyrë me e bindë mos me ia mësy me hy vetë në Kosovë në mes të luftës.

Sfidë kjo teknikisht vështirë e përftueshme për artin e letërsisë, e që ofron përjetim të rrallë leximi:  njëfarë gërsheti’ narrativ me fjalinë për njësi.

Në një intervistë for “Kthimi në Kosovë”, Jakupi kritikon skenaristët e romaneve grafike që kridhen rëndshëm në atin letrar, sidomos “franko-belgët, që janë më të vetëdijshëm për fuqinë e fjalës e që veten e marrin për Maupassant dhe nxjerrin shfrime të gjata në vend të dialogëve të efektshëm”. E vërteta është se dialogut, fatmirësisht, i ik edhe vetë në këtë shmangie prej normës së këtij arti. Dialogu do t’ia ulte regjistrin e gjuhës në bisedor, kështu në dëm të shprehjes e të përjetimit letrar.

Vlerat 

Është relativisht e lehtë, në një mbasluftë krejt të freskët, me mbledhë dëshmi mizorish majtas e djathtas, prej përvojash të dëshmuara a të dëftuara. Dhe në këtë arti-shkërben-jetën të Jakupit, kësosh ka mjaft: vrasje, varreza masive, djegie pronash, bagëti të cofta, një akt dekapitimi madje. Tmerre, absurditete, ndeshtrasha, në një kohë aq të brishtë për krejt një shoqëri, gjenden këtu me bollëk.

                       Image

Larg më e vështirë – prandaj pikë kulmore për veprën – është me i qëmtu, në atë zallamahi të gjithkahshme, fijet e pakëputura të të njerëzishmes. Ato, në të cilat pozicionimet identitare si shqiptar e sërb (një ‘unë’ e një ‘tjetër’ pra), meqë të përkohshme për qenien, as dytësore nuk janë. Ato që degëzohen veç nga një shpirt aq i dëlirë, sa i predispozuar me i pikasë edhe te të tjerët. Çfarë shëmbëlltyrash të kulmimit të njerëzores shohim në thjeshtinë e përvujtë të personazheve që veç parakalojnë, si baba, Neza (i kusheriri), spanjollja Eva, komshiu sërb, ose edhe të tjera, që përmenden pa u pa: i biri polic i komshiut sërb, jase plaku që shpërndan ujë.

as a “Kthimi në Kosovë” mbetet gjatë në kujtesë, jo veç për faktimin e ngjarjeve, por për vlerat universale që ngërthen. Shi për këto fiton përmendje të veçantë në Panairin e Librit Cognito në Bruksel më 2015 dhe çmim të veçantë të jurisë nga festivali Romix i Romës në kategorinë e romanit grafik po atë vit.

Priremi t’u përshkruajmë, të rrallëve që e arrijnë këtë pikë çiltërsie të paanuar, aftësi të veçanta arsyetimi, e t’i cilësojmë si mendje të mprehta intelektuale. Kjo, sado e vërtetë, nuk është tabloja e plotë. Ka, në të përbashkëtën karakterizuese të këtyre të rrallëve, diçka aq fëminore, që u mundëson me e pa botën me sytë përherë kërshërorë prej të rishtardhurve në të, sa me ia dalë aq me patëkeq me rrëfy gjithçka cok siç ka ndodhë, jo prej optikës së mirakandjeve personale, as asaj të stereotipizimit të individit në bazë të një elementi rrethanor.

I vetëdijshëm, Jakupi e mshel rrëfimin bukur me citatin e vënë në titull të këtij artikulli.

Përkthimi në shqip u mendu fillimisht me iu prezentu publikut në Gran Fest Kosova, festivalin ndërkombëtar të romanit grafik që Gani Jakupi e bie në Prishtinë më 20-22 maj sivjet, për të tretën herë me radhë, kësi shtegu me artistë prej Kube, Japonie e Barcelone ndër të tjerë, në përpjekjen për t’i mbjellë farën këtij arti edhe ndër artistët shqiptarë. Jakupi më vonë vendosi që “Kthimi në Kosovë” të paraqitet si ngjarje e veçantë në fillim të qershorit, si ardhje e një vepre të shquar të romanit grafik në truallin e rrëfimit të vet. Lexuesit, që gjatë festivalit do të gjejnë mjaft romane grafike të mirënjohura ndërkombëtarisht, do të kenë, kur “Kthimi në Kosovë” t’u prezentohet në qershor, një bazë të gjerë për krahasimin e saj përbrenda llojit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.