Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Poezia është qëllimi ynë antropologjik (I)

Monumentalen në poezinë “Vdekja e poetit” (“Bukuria e zezë”, Rilindja, 1980. fq. 33.) autori Beqir Musliu e ka krijue pas vdekjes së poetit (akëcilit poet), si tip psiko-social, në një mërzi të thellë, e cila sipas Giacomo Leopardit që e citon Giorgio Agamben (“Çelnaja”), është “dëshira për lumtuni, e lanun, në njëfarë mënyre, në gjendje të kullueme” sepse poeti është aty, tue-bamja [tuebamësia] e tij është fërkèm (gjurmë), kujtesë (jo thjesht si akt dhe aktim i shfaqur, por ashtu  qysh i kujtohet),… me e kuptue atë verë të lules dhe Vdekjen e Poetit), si drita e vetimës, pra ngjarje, si personazh konceptual, monument; dhe kjo është një lumturi së cilës i është eliminuar llumi, pra me e kujtue jo vdekjen, por verën e lules është lumturi e kulluar…

Poezia e Beqir Musliut është shfaqje – ngjarje siç ishte edhe vetë autori i saj (Zeigen) – e cila shënjon veprën e mbyllur, përfundimtare dhe të nemitur (e pagojë!?) sepse është sakrale…!? Të mbash vesh dhe të dëgjosh me orë të tëra të gjithë zërat në natyrë, të vëzhgosh me ditë të tëra sendet e pagoja, rrjedhën e prronit, piklat e  shiut, të vështrosh yjet dhe të dëgjosh shkëputjet e tyre nga qielli, të përpiqesh t’u japësh gjuhë gjërave (objekteve) e fenomeneve që për nga natyra janë të nemituna, ja kjo është ajo punë që e ka bërë një jetë njeriu Musliu.

Gjërat e nemitura janë të mundshme (Deleuze&Guattari) dhe bëhen të nimete (‘të njëmendëta’; që e përfshijnë zeigen-in heideggerian, që d.m.th. jo me tregue, por me e thanë qenësoren) e kjo ndodh vetëm gjatë zbulesës beqiriane, në art. Sipas Deleuzes&Guattarit, pasoja e natyrshme e këtij përshkrimi asht se arti jo vetëm që nuk asht shprehje e njerëzores, por madje s’ka të bajë fare me njerëzoren, asht gjaja ma e huej ndaj njerëzores. Alain Badiouja, tue folë në seminar për librin e Deleuzes&Guattarit, spikat se krijimi nga njeriu i jonjerëzores [çmosnjerëzores] nëpërmjet artit përban shenjën e qartë të epërsisë së artit, në raport me krijimtaritë tjera (Alain Badiou). Këta dy autorë mbrojnë qëndrimin se  arti ruen, madje në botë arti asht e vetmja gja që ruhet. (Deleuze&Guattari, po aty, fq. 203;) “Ai ruan dhe ruhet në vetvete (quid juris), edhe pse nuk jeton ma gjatë se suportet dhe materialet e veta (quid facti), gur, telajo, ngjyrë kimike etj.)

Sipas tyne, ajo çka ruhet, sendi ose vepra e artit, asht një bllok ndijimesh, domethanë një kompozim perceptesh dhe afektesh.Gianni Vattimo, tue iu referue Heideggerit, “ajo që mbetet e krijojnë poetët” sipas Holderlinit, thotë: “ajo që mbetet e krijojnë poetët: jo gjithaq si ajo që stërzgjatet  në kohë (“ruhet”),  jo ajo që ruen dhe ruhet sipas Deleuzes&Guattarit, por mbetet, si “ajo që mbetet”: gjurmë, kujtesë, monument.

Vattimo kur flet për krijimin (ardhjen, në kuptimin e ardhjes së bukës) e fjalës poetike mendon se me operacionin poetik mëtohet të mbërrihet ajo gjyserrësina, Lichtung, nocion heideggerian që lidh zdritjen me terratisjen, në të cilën e vërteta shfaqet jo ma në formë të qartësisë metafizike,  e cila me veprimin eroziv që koha ushtron mbi veprën, atë e shndërron në monument (Vattimo.)

Për Norman O. Brown-in, krijimi i monumenteve madhështore si piramidat dhe rrokaqiejt  tregojnë se sa asht edhe veprimtaria “ekonomike” po ashtu ikje nga vdekja. Monumentalen në poezinë “Nana i bani rangët e shpisë e ra me fjetë”  e kam krijue pas vdekjes së nanës si tip psiko-social, në një mërzi të thellë, e cila sipas Giacomo Leopardit që e citon Giorgio Agamben, asht “dëshira për lumtuni, e lanun, në njëfarë mënyre, në gjendje të kullueme” sepse nana asht aty, tu-bamja [çtuebamësia] e saj asht fërkem (gjurmë), kujtesë (jo thjesht si akt dhe aktim i shfaqun, por ashtu  qysh më kujtohet, e shpejtë si drugëz, si drita e vetimës, pra ngjarje, si personazh konceptual, monument; dhe kjo asht një lumtuni së cilës i asht eliminue llumi, lumtuni e kullueme.

Alain Badiou për konceptin e Deleuzes&Guattarit mbi artin shkruen se këta dy autorë artin e cilësojnë si krijimtari monumentesh. “Çdo vepër arti asht një monument”, thonë ata. Sipas Badiou-së, një pozicion i tillë sjell më veti një varg të tanë metaforik, i cili shërben për me e shprehë idenë se arti ka të bajë me visoret dhe me personazhet (d.m.th. percepte dhe afekte.) Por, sipas tij, metafora e vërtetë dhe ma e përgjithshme ka me qenë  ajo e monumentit.

“Bukuria e zezë” e Beqir Musliut: Vetëdije e re estetike 

I lindur në Gjilan, Musliu është një udhëtar që një jetë njeriu kthehet prapa për të qarë fatkobin e qenies dhe kolektivitetit të tij, që na shfaqet si imazh i Majës së Zezë, që vuajtjen e ka të përsosur, madje si emblemë e mësymjeve jo vetëm të idealit estetik, por përsosmërisë antropologjike (përsosjes së njeriut në-botë), që ka me i plakë shekujt, i bukur dhe i plotë. Poezia nuk është art….por qëllimi ynë antropologjik!” – shkruante Josif Brodski. “Poezia nuk është art, madje nuk është as degëzim i artit. Ajo është diçka më tepër. Nëse fjala është ajo që na dallon nga speciet e tjera, atëherë poezia – ose veprimi gjuhësor më i arrirë – është qëllim antropologjik. Kushdo që e konsideron poezinë vetëm në qerthullin e e kënaqësisë së zakonshme të të lexuarit, kryen një krim antropologjik, dhe pikë së pari kundër vetes së vet”(Josif Brodskij. “Conversazioni”. A cura di Cynthia L. Haven. Adelphi. 2015.)

Madhështia e kësaj poezie, është Maja e Zezë, si ideal estetik dhe si monument fizik –  kontrapunkti ose masa (etaloni) tjetër i të maturit të së bukurës, duke arritur deri në fund të së bukures së asaj Maje: Ambëlsia e mbijetesës së një kohe tragjike dhe dalja në breg – në lirinë e një toke stërgjyshërish… Ka ndonëse kritikë që Musliun – krijuesin e figurës së bukurisë së zezë – të cilën për nga funksioni poetik e krahasojnë me “Lulet e së keqes – (ligësisë)” të Charles Baudelaire.

Ndër ta është Sabri Hamiti, për të cilin imagjinimet e Musliut shkojnë në thellësinë e kohës së kujtesës dhe në paskajësitë e hapësirës, sepse ai e strukturon të shkuarën në sfondin emotiv të së sotmes.Te poezia e Musliut, lexuesi zbulon të bukuren sipërane, të kulluar nga teprimet, ndajshtesat e epitetet,  në fund të një shpirti të trazuar (që kohës si kategori filozofike ia ndajshton dimensionin estetik) që kapërcen korridorin kohor dhe me të bëmat nga e shkuara na jep emocione të forta sot e këtu, që në rarfshin estetik – siç lamentonte vetë poeti – në preludiumin e librit “Bukuria e zezë, se çdo bukuri e ka edhe të zezën e vet – pra kobin, që në fund ia ha kryet krijuesit të saj!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.