Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rëndësia e adresimit të problemeve të shëndetit mendor dhe domosdoshmëria e trajtimit

Shëndeti mendor luan një rol kyç në jetën e secilit individ dhe ndikon në mirëqenien e tyre. Shëndeti mendor ndihmon në menaxhimin e stresit, ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore dhe përcaktimin e zgjedhjeve personale, mes të tjerash.

Nga ana tjetër, shëndeti i dobët mendor mund të ketë pasoja serioze negative në mirëqenien e individit, si dhe në aftësinë e tij për të punuar dhe ndërvepruar. Shpesh, shëndeti i dobët mendor çon në probleme të tilla si izolimi social, i cili prish komunikimin dhe ndërveprimet e një personi me të tjerët.

Kjo mund të ketë efekte veçanërisht të dëmshme për fëmijët dhe adoleshentët, zhvillimi i të cilëve varet nga krijimi i lidhjeve me anëtarët e familjes dhe bashkëmoshatarët e tyre.

According to Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në katër persona preken nga probleme të shëndetit mendor gjatë jetës së tyre.

Vlerësohet se çrregullimet e ankthit janë problemet më të raportuara të shëndetit mendor në ShBA. Llogaritet se mbi 42 milionë amerikanë vuajnë nga një çrregullim i tillë. Ndërsa, në nivel global konsiderohet se mbi 800 milionë njerëz vuajnë nga çrregullime të ndryshme të shëndetit mendor.

Në shumicën e rasteve, këto vështirësi kalojnë pa u vërejtur nga rrethi familjar apo shoqëror. Kjo ndodh sepse shpeshherë njerëzit kanë tendencë t’i fshehin sfidat e tyre të shëndetit mendor nga familjarët, miqtë apo bashkëpunëtorët, sepse e kanë të vështirë të kërkojnë ndihmën e nevojshme profesionale.

Kjo është edhe më evidente në vendet në zhvillim, siç është Kosova, sepse roli i psikologut është relativisht i ri dhe edukimi për rëndësinë e psikologut ka munguar në tërësi.

Po ashtu, vite më parë, problemet e shëndetit mendor janë parë kryesisht si probleme që shkaktohen nga “faji i dikujt”, apo se sepse janë të prekur nga “syri i keq”. Gjithashtu, njerëzit kanë besuar se problemet e tilla në thelb janë “çrregullime të pashërueshme të trurit”, gjë që e ka intensifikuar frikën dhe stigmën që i rrethon këto probleme.

Si pasojë, njerëzit me probleme të tilla janë izoluar nga familja e shoqëria dhe janë diskriminuar si në punë, ashtu edhe në dhënie të kujdesit dhe trajtimit gjithashtu.

Sot, në krahasim me të kaluarën, ka një tjetër mënyrë se si njerëzit në përgjithësi i shohin problemet e shëndetit mendor, edhe pse akoma ka shumë njerëz që adresë primare për kërkim të ndihmës nuk e kanë psikiatrin apo psikologun.

Në shumë raste, personat që kërkojnë ndihmë tregojnë se fillimisht janë ‘’trajtuar’’ për disa kohë nga persona që nuk janë kompetentë apo nuk kanë shkollim adekuat për trajtim të problemeve të tilla, e më pas kanë kërkuar ndihmë te psikologu.

Prandaj, është jashtëzakonisht e domosdoshme të flitet për problemet e shëndetit mendor dhe të sensibilizohen qytetarët për trajtimin adekuat të këtyre problemeve te profesionistët e fushës.

Kosova ende nuk ka një skanim të gjendjes së shëndetit mendor dhe çrregullimeve predominuese. Si rrjedhojë, nuk ekzistojnë të dhëna sistematike dhe të strukturuara, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e rasteve më të cenueshme dhe trajtimin e tyre.

Për më tepër, në mesin e qytetarëve të Kosovës akoma ekziston një nivel i lartë i stigmës ndaj problemeve të shëndetit mendor, si dhe nuk ka gatishmëri të plotë për të kërkuar ndihmë për shëndetin mendor, siç kërkohet ndihmë për probleme të tjera që lidhen me shëndetin fizik.

Po ashtu, akoma ekziston frika nga stigmatizimi dhe paragjykimi nëse e pranojnë hapur se po ballafaqohen me një problem kronik apo sfidë akute të shëndetit mendor.

Viteve të fundit ka një gatishmëri më të madhe për të folur për shëndetin mendor, por edhe për të kërkuar ndihmën e nevojshme profesionale. Po ashtu, Kosova ka përjetuar rritje domethënëse të institucioneve që ofrojnë shërbime të shëndetit mendor, si dhe të numrit të profesionistëve të cilët janë të përgatitur për të ofruar ndihmë profesionale.

Kështu, mënyra më adekuate për t’i kapërcyer paragjykimet e njerëzve është nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë, siç është ndarja e historisë personale me të tjerët.

Studimet e deritanishme tregojnë se njerëzit që kanë përjetuar probleme me shëndetin mendor dhe nuk i fshehin historitë e tyre, kanë më pak ndjenja negative për veten dhe vështirësitë e tyre.

Rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim mund të luajnë personat me influencë publike, siç janë sportistët, këngëtarët, artistët, etj. Ndarja e historive të tyre të përballjes me problemet e shëndetit mendor me publikun e gjerë është dëshmuar të jetë shumë ndikuese dhe efikase edhe te simpatizuesit e tyre apo popullata e cila përballet me sfida të ngjashme, që të kërkojnë ndihmë profesionale.

Mosmarrja me kohë e ndihmës nga ana e psikologut apo psikiatrit, varësisht nga specifikat e problemit, e vështirëson trajtimin adekuat, si dhe e ul mundësinë e përmirësimit.

Është jetike të kuptojmë se shëndeti mendor nuk duhet të mbetet një temë tabu. Hapi i parë është të pranojmë dhe të flasim hapur për sfidat e shëndetit mendor dhe kërkimin e ndihmës kur është e nevojshme, pa frikën e stigmatizimit apo gjykimit. Adresimi i problemeve në kohë sa më të hershme nënkupton edhe mundësi më të mira për trajtim efektiv.

Hapi i dytë është ofrimi i shërbimeve profesionale nga institucionet përgjegjëse dhe forcimi i rrjeteve të tyre të mbështetjes. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një shoqëri ku çdo individ ndihet i sigurt për të adresuar dhe trajtuar si duhet sfidat e shëndetit mendor.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.