Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Stereotipet gjinore dhe ndikimi i tyre në historitë e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës në Kosovë

Ilustrimet nga: Artan Balaj

“Zëra të pa dëgjuar” përmban rrëfime thellësisht prekëse, që zbulojnë histori të pa treguara të burrave dhe djemve të mbijetuar të dhunës seksuale në kohë lufte.  Libri i kujtimeve vë në qendër të vëmendjes rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë, të cilët kanë jetuar tmerre të paimagjinueshme, si mënyrë për të sfiduar narrativat dominuese të kohës dhe për të hedhur dritë mbi një aspekt të heshtur të tragjedisë njerëzore.

Në margjinat e errëta të luftës, ku dhuna dhe vuajtjet lënë plagë të pashlyeshme, disa zëra shpesh mbeten të heshtura, të varrosura nën peshën e tabuve shoqërore dhe stereotipeve të rrënjosura thellë.

Dhuna seksuale si armë e luftës i është drejtuar masës së gjerë dhe nuk ka qenë homogjene. “Tradicionalisht“ vetëm gratë dhe vajzat janë perceptuar si caqe të përdhunimit, por raportimet nga terrenet e luftës dhe zonat e konfliktit tregojnë se dhuna seksuale nuk i ka kursyer as burrat e as fëmijët.

“njëfarë hije, njëfarë akulli e kam n’shpirt, nuk po mundem m’e largu, se mâ nuk m’dhemb ҫka m’kanë ba, dhimta m’ka kalu, por shpirtin e kam akull” – I mbijetuar fëmijë.

Image

Fjalia e mësipërme është shkëputur nga rrëfimi i dhimbshëm i një të mbijetuari i cili në kohën kur është përballur me krimin e tmerrshëm ka qenë vetëm 14 vjeçar. Libri që mbani në duar përpiqet të hedh dritë, për më tepër, edhe mbi këto rrëfime të cilat reflektojnë realitetin rrëqethës të zërave të pafajshëm, të zërave të fëmijëve, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen tonë kolektive.

Burrat dhe djemtë civilë të dhunuar në rrethana lufte, jetojnë të stigmatizuar tej mase në shoqëri, njëjtë apo mos më shumë se gratë dhe vajzat që e përjetuan këtë krim lufte. Në rastin e burrave të dhunuar, stereotipet gjinore të “forcës” dhe “burrnisë” kanë ndikuar ndjeshëm në stigmatizimin e tyre. Koncepti tradicional për burrin si një figurë e fuqishme që përballon sfida të vështira është kundërthënës me përjetimin e vuajtjeve të dhunës seksuale gjatë luftës, pasi që dhuna seksuale si armë lufte tregon se burrat, ashtu si gratë, janë të ekspozuar ndaj rrezikut të dhunës dhe se realiteti është shumë më kompleks dhe sfidues sesa imazhi i konstruktuar shoqëror për fuqinë fizike burrërore.

Perceptimet e tilla shoqërore të cilat e ndërlidhin figurën e burrit me imazhin e “burrnisë”, bën që të mbijetuarit të jetojnë me barrën e rëndë të turpit, që nuk kanë mundur të mbrojnë veten (dhe në shumë raste edhe gratë) nga akti poshtërues i dhunimit. Ata ndjehen të thyer dhe fajtorë, duke ndikuar negativisht në vetëvlerësimin dhe shëndetin emocional. Pasojat e kësaj ndenjeje të dobësisë dhe turpërimit kanë bërë që burrat t’iu qasen shërbimeve të nevojshme rehabilituese me më shumë vështirësi se gratë dhe të hezitojnë të kërkojnë trajtim profesional dhe njohje të statusit.

Të mbijetuarit burra dhe të mbijetuarat gra kanë nevoja dhe sfida të ndryshme për shkak të ndërveprimit të faktorëve biologjikë, psikologjikë, social dhe kulturorë. Andaj, edhe qasja dhe ofrimi i shërbimeve të rehabilitimit dallon në një  masë në mes tyre. Tek burrat, aspekt thelbësor është trajtimi i ndjenjave të turpit dhe fajit duke i sfiduar dhe ri-përkufizuar normat shoqërore. Ndërsa tek gratë terapia fokusohet në rikthimin e ndjenjës së lirisë dhe fuqizimit, duke sfiduar çdo ndjenjë të brendshme të pafuqisë.

Në librin e kaluar “Përtej dhimbjes, drejt guximit”, botuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me forumZFD programi në Kosovë, u shpalosën rrëfimet e partnerëve dhe familjarëve të grave të mbijetuara të dhunës seksuale në luftë, dhe, për herë të parë në kontekst të punës hulumtuese, në diskurs publik u sollën rrëfimet e dy burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Këto rrëfime të kontekstualizuara shpërfaqën dinamika mbi atë se si dhuna seksuale e përjetuar në luftë ka ndikim në rrethin familjar dhe më të gjerë, duke zgjatur ciklin e traumës dhe duke mirëmbajtur turpin si rezultat i stigmës dhe paragjykimit shoqëror.

“Zëra të pa dëgjuar” është një përmbledhje ekskluzive e rrëfimeve të burrave dhe djemve, të cilët përjetuan brutalitetin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky libër ka për qëllim dokumentimin e krimeve të luftës, informimin e publikut të gjerë mbi të vërtetën e dhimbshme dhe ballafaqimin me të kaluarën.

“Zëra të pa dëgjuar” sjellë në plan të parë rrëfimet drithëruese, duke hedhur dritë mbi përvojat e burrave që janë përballur me traumën e dhunës seksuale dhe janë shfaqur si fenerë qëndrueshmërie, guximi dhe force. Ky libër synon të përforcojë zërat e të mbijetuarve dhe të sfidojë stigmën shoqërore që rrethon të mbijetuarit burra dhe djem, duke inkurajuar edhe zërat e tjerë të heshtur të dëgjohen.

Këto histori janë dëshmi e gjallë e burrave të mbijetuar, që refuzuan t’u dorëzoheshin përvojave të tyre traumatike. Në vend të kësaj, ata gjetën forcën për t’u përballur me të kaluarën e tyre, për të ecur ngadalë në udhëtimin e tyre shërues dhe për të rindërtuar jetën e tyre me qëllim dhe vendosmëri të palëkundur.

Falë guximit të të mbijetuarve, punës së gjatë profesionale nga ekipi psiko-social i QKRMT-së, si dhe raportit të mirëbesimit të ndërtuar ndër vite, protagonistët e këtij libri arritën ta tejkalojnë ndjenjën e fajit dhe turpit që i kaplonte. Me synimin për t’i kontribuar dokumentimit  të  së vërtetës, ata vendosën të flasin, duke e mposhtur dhimbjen dhe duke gjetur forcën për ti ndarë përjetimet e tmerrit të ndrydhura me vite, me publikun e gjerë.

Ky libër nuk është vetëm një përmbledhje rrëfimesh personale, me theks të veçantë tek burrat dhe djemtë; është një thirrje për veprim, një sfidë për shoqërinë që të përballet me supozimet dhe paragjykimet e saj, ku burri shihet si i pamposhtur dhe i paprekshëm nga ky krim, të pranojë betejat unike me të cilat përballen të mbijetuarit burra dhe të avokojë për një mjedis më gjithëpërfshirës, më të ndjeshëm dhe mbështetës për të gjithë ata që kanë përjetuar dhunën seksuale.

Së bashku, ne kemi fuqinë për të thyer heshtjen, për të fuqizuar të mbijetuarit dhe për të krijuar një rrugë drejt një të ardhmeje ku guximi mbizotëron mbi heshtjen.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.