Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Vallëzimi delikat i Serbisë me BE-në dhe Kinën

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic ka dhënë shumë deklarata duke thënë se hyrja në Bashkimin Europian është e “rëndësisë më të madhe” për vendin e tij. Mirëpo, në të njejtën kohë, ai ka përndezur marrëdhëniet me Kinën, një aleancë që mund të shuajë ambiciet e tij europiane. Pse do të çonte Vucic-i dëm mundësinë që Serbia të bëhet shtet anëtare e BE-së? Pse ka rëndësi kjo për SHBA-në dhe BE-në?

Pas shumë vitesh së qeni kundër BE-së, Vucic duket sikur bëri kthesë gjatë vitit 2008, kur u shkëput nga partia nacionaliste, anti-BE, Partia Radikale Serbe (SRS) dhe bashkëthemeloi Partinë Progresive të Serbisë (SNS).

Atëbotë, serbët filluan të shohin veten brenda BE-së. SNS-ja studioi të dhënat, përbrendësoi porosinë pro BE-së në fushatat e saj politike, dhe shpejt u bë popullore. Brenda natës, Vucic-i transformoi në mënyrë oportuniste imazhin e tij nga nacionalist e euroskeptik në eurofil.

12 vite pas, më 2020

Toni i Vucic-it ka ndryshuar në vitet e fundit. Më 15 mars të këtij viti, për shembull, Serbia kishte vetëm 27 raste të konfirmuara me COVID-19, e megjithëkëtë Vucic shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Ai e shoqëroi këtë vepër, e cila ndryshe mund të dukej si parandaluese dhe e  matur, me fjalë të ashpra për BE-në: “Solidariteti europian nuk ekziston,” tha ai, duke shtuar se e vetmja shpëtimtare e Serbisë është Kina. Kjo me gjasë është shprehja më e qartë krahasuese e Vucic-it që favorizon Kinën para BE-së.

Përgjatë javëve në vazhdim, Kina ofroi furnizime dhe pajisje mjekësore për Serbinë, dhe në këmbim, një medie proqeveritare vendosi postera me porosi pro kineze gjithandej Beogradit. Një video që shfaq Vucic-in duke puthur me pasion flamurin kinez u bë virale.

Së voni, në kontekstin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Vucici deklaroi:

“Mund të flasësh me disa njerëz në Europë sa të duash, por besoni, ata vërtet s’të dëgjojnë. E kanë agjendën e tyre, dhe për ta, një president i shkëlqyer serb do të ishte ai i cili pranon të gjitha kërkesat, presionet dhe shantazhet e tyre.”

Duket qartë se presidenti serb është i frustruar me BE-në.

Ti më kruaj shpinën, unë të kruaj tënden

Gjatë viteve 1990, Kina akumuloi mjaft kredit politik në Serbi. Atëbotë, Kina abstenoi nga shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ishin kritike ndaj mizorive serbe në rajon. Më 1999, Kina kundërshtoi gjithashtu Operacionin e Forcave Aleate të NATO-s ndaj caqeve serbe si përgjigje ndaj sulmit të Serbisë ndaj Kosovës. Madje, Kina humbi tre njerëz kur aleanca bombardoi aksidentalisht Ambasadën Kineze në Beograd. Serbia dhe Kina ndajnë të njejtin sens të viktimizimit nga ai incident. Vendi ku ka qenë Ambasada e vjetër Kineze është programuar të bëhet Qendra e re Kulturore Kineze, e cila përkrah dy Instituteve të Konfuçit në Serbi, do të zgjerojë edhe më tej diplomacinë e butë dhe propagandën e Kinës.

Për më tepër, ndryshe prej shumicës së shteteve anëtare të BE-së, Kina nuk ka pranuar të njohë sovranitetin e Kosovës që prej se kjo u shpall e pavarur më 2008, çështje kjo e rëndësisë së madhe për Beogradin.

Si këmbim, Serbia gjithashtu i ka mbajtur anën Kinës. Beogradi mbështet politikën Një Kinë në raport me Tajvanin; zevëndëspresidenti i partisë së Vucic-it akuzoi Shtetet e Bashkuara dhjetorin e kaluar se “po i qesin zjarrit benzinë”, duke iu referuar Ligjit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë të Hong Kongut; dhe në korrik të vitit 2020, ajo ishte i vetmi vend europian që nënshkroi deklaratën e përbashkët drejtuar Këshillit për të Drejtat e Njeriut të KB-së, së bashku me vendet si Korea e Veriut, Irani, Zimbabveja, në mbrojtje të “gjenocidit” kinez ndaj ujgurëve.

Por, që Serbia t’i bashkohet BE-së, Beogradi duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Brukselin. Vitin e kaluar, Serbia arriti të rreshtohet me 57 përqind të deklaratave të BE-së, duke rënë nga 99 përqind harmonizim në vitin 2012. Rreth çështjeve që kanë të bëjnë me situatën në Ukrainë, Siri, Mianmar, Iran, Bellorusi, Hong Kong, Burundi, dhe Zimbabve, pozicionet e Serbisë janë më afër Rusisë dhe Kinës se sa BE-së.

BE-ja kundër Kinës

Fjalimi kundër BE-së dhe pro Kinës, që Vucic e dha në mars gjatë fillimit të pandemisë, dha përshtypjen se partneriteti kinez është më i rëndësishëm se BE-ja. Realiteti është se marrëdheniet e Serbisë me BE-në kanë qenë, dhe vazhdojnë të jenë, shumë më të rëndësishme në aspektin e shumës së parave të investuara.

Kina po rrit me shpejtësi investimet e huaja (FDI) në Serbi – prej €2.5 millionë më 2010, ato janë rritur në €318 milionë më 2019. Megjithëkëtë, shuma e tanishme është shumë më e vogël se investimet e BE-së në tërësi, që është €1.87 miliardë më 2019. FDI-ja nga Hollanda (€704.5 milionë), Rusia (€658.7 milionë), Hungaria (€463.9 milionë) dhe Zvicra (€378.7 milionë) poashtu qenë më të mëdha se kontributet e Kinës në ekonominë e Serbisë.

Ndonëse e vështirë për t’u matur, Serbia përfiton gjithashtu nga një klimë edhe më e madhe investimesh për shkak të statusit të saj si kandidate në BE dhe për shkak të reformave që i është dashur të ndërmarrë si pjesë e atij procesi.

Tregtia mes Serbisë dhe Kinës është rritur shpejt, gjithashtu. Ajo ka arritur në shumën e $1.18 miliardëve më 2010 dhe arriti në $2.837 miliardë më 2019. Megjithatë, marrëdhënia është sheshazi në favor të Kinës: Serbia eksportoi vetëm $329.2 milionë në Kinë, ndërkaq importoi $2.5 miliardë nga Kina, duke sjellë deficit të madh tregtar për Serbinë.

Në të njejtën kohë, eksportet e Serbisë në Kinë janë të dobëta në krahasim me eksportet në BE. Sipas delegacionit të BE-së në Serbi, “Vlera e eksporteve serbe në BE është trefishuar prej gati €3.4 miliardë më 2009 në gati €11.3 miliardë më 2019.”

Për më tepër, statistikat tregojnë se BE-ja në tërësi është larg donatori më i madh i ndihmave në Serbi, ndonëse sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e serbëve mendojnë se Kina është kontribuesi më i madh (më shumë reth kësaj, më poshtë). Sipas BE-së, ajo ofroi €1.539 miliardë asistencë për Serbinë gjatë Instrumentit për Asistencë Para Anëtarësimit për periudhën 2014-2020. Një raport i ri i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington tregon se Kina është vetëm donatori i pestë më i madh në Serbi dhe “ka dërguar vetëm 12 përqind të ndihmës së premtuar në Serbi që prej vitit 2009 (€6.6 milionë prej €56 milionëve).”

Mes viteve 2017 dhe 2019, Serbia pranoi €5.5 miliardë në hua përmes Belt and Road Initiative (BRI), më shumë se çdo shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor. Huamarrje të tilla krijojnë rrezikun që Serbia të bëhet edhe më e cenueshme ndaj diplomacisë kineze të kurthit të borxheve. Huatë kineze janë shpesh të paqarta dhe vijnë me kushte që anojnë shumë me tepër kah kreditorët se sa kah interesat e borxhlinjve. Sipas Nicholas Crawford-it nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, “[që prej] 2010, Serbia ka ndërmarrë të paktën 11 projekte infrastrukturore për të cilat është marrë vesh paraprakisht që të financohen me Kinën dhe pastaj i dha tenderat firmave kineze.” Një qasje e tillë mund të bijë në kundërshtim me regullat e BE-së për garën dhe trasparencën.

Pse puthja e flamurit?

Përkundër përfitimeve nga marrëdhëniet ekonomike me BE-në, qytetarët e Serbisë janë më së paku pro-BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe më së shumti pro-kinezë, jo vetëm në rajon, por edhe në Europën Qendrore dhe Lindore. Puthja e flamurit nga Vucic-i dhe mesazhet përcjellëse e ripërforcuan përshtypjen rreth vullnetit të mirë kinez karshi Serbisë.

Një hulumtim i realizuar nga Instituti për Çështje Europiane gjatë javës para fjalimit të Vucic-it kundër BE-së dhe pro-Kinës në mars, gjeti se 4 nga 10 serbë kishin përshtypjen se Kina ishte donatori më i madh në Serbi, ndërkaq vetëm 17.6 përqind mendonin se ishte BE-ja.

Një tjetër hulumtim i realizuar para fjalimit të Vucic-it në mars, pyeste serbët se a do të votonin pro apo kundër anëtarësimit në BE, dhe 50 përqind e tyre u përgjigjën pozitivisht. Sidoqoftë, 39 përqind dhe 46 përqind e njerëzve radhitën Kinën si “tejet të pëlqyeshme” dhe “disi të pëlqyeshme” (85 përqind në total), ndërkaq vetëm 20 përqind (tejet të pëlqyeshme) dhe 43 përqind (disi të pëlqyeshme) kishin të njejtat qëndrime për Gjermaninë, shtet kyç i BE-së.

Prandaj, Vucic-i mund të jetë duke e përgatitur ngadalë publikun serb jo që ta kundërshtojë domosdo integrimin në BE, por që të paktën të jetë indifiderent ndaj tij. Sa më shumë që të përforcojë perceptimin e pëfitimeve të Serbisë nga Kina, aq më pak ka gjasë që publiku të kërkojë anëtarësimin në BE.

Çka atëherë?

Një supozim i përhapur perëndimor është se anëtarësimi në BE shërben si karrota më e rëndësishme për të ndihmuar reformat politike dhe ekonomike në Serbi. Ndonëse anëtarësimi në BE mund të jetë i dobishëm për Serbinë si e tërë, ai nuk mund t’i shërbejë aq shumë interesave të elitave sunduese në Serbi. Ndonëse Vucic-i publikisht përkrah idenë e integrimit në BE, autoritarizmi i tij në rritje, korrupsioni dhe kapja e shtetit, kanosin anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe në të njejtën kohë duke e bërë antërësimin në BE më pak të dëshirueshëm për të, nëse prioriteti i tij është që të sillet ashtu. Kina nuk do ta kritikojë në asnjërën prej këtyre çështjeve. Por, në mënyrë që Serbia t’i bashkohet BE-së, ajo duhet të zbatojë një seri reformash që lidhen me demokratizimin, sundimin e ligjit, transparencën dhe liberalizimin e tregut.

Në thelb, Vucic po zhvillon atë që ekspertët e negociimit do ta quanin si “alternativën më të mirë të marrëveshjes së negociuar” (BATNA). Ai po krijon përshtypjen se ka shumë alternativa përpos BE-së për të rritur ekonominë e Serbisë. Thënë më qartë, Kina nuk është e vetmja përgjigje e Vucic-it për anëtarisimin në BE. Ai po e përforcon BATNA-n e tij duke promovuar integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe në Unionin Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia, dhe duke bërë ujdi dypalëshe tejet të dukshme (e ndonjëherë të dyshimta) me Rusinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Numrat e Vucic-it më së shumti do të prekin serbët e rëndomtë, si politikisht edhe ekonomikisht. Në të njejtën kohë, me vite SHBA-ja dhe BE-ja e kanë paraparë integrimin e Europës si qëllim strategjik të shprehur më së miri nga ideja e Europës si “e tërë dhe e lirë”. Në rrethanat e sotme, Serbia nuk do të jetë pjesë e kësaj skeme, veçanërisht për shkak të ndarjeve brenda BE-së rreth politikave që lidhen me Ballkanin dhe zgjerimin, dhe në mungesë të përpjekjeve të koordinuara mes SHBA-së dhe BE-së rreth Kinës dhe Ballkanit.

***

Artikulli origjinal në Just Security

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.