Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gruaja si parandaluese të ekstremizmit të dhunshëm

Illustration: Big Eye

Roli i gruas në luftën kundër terrorizmit dhe në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm është një dilemë që përsëritet jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera. Ideja e përfshirjës së perspektivës gjinore në fushën e sigurisë,  në përgjithësi, është mjaft e re. Psh. Kombet e Bashkuara e kanë miratuar Rezolutën 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë në vitin 2000. Kjo rezolutë e thekson rolin e rëndësishëm të grave në ndërtim të paqes dhe sigurisë si dhe ju bën thirrje shteteve anembanë botës të përfshijnë gratë në mënyrë të barabartë me burrat në procese vendim-marrësë për ndërtimin e shoqërive demokratike dhe paqësore. Megjithëkëtë, ka qarqe që dekurajojnë përfshirjen e gruas në institucione të sigurisë dhe në ndërtim të paqes.

Dilema se a duhet t’i përfshijmë gratë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm është e paqëndrueshme dhe diskriminuese, kjo për disa arsye. Fillimisht, duke parë që gratë mund të jenë pjesëmarrëse aktive në ekstremizëm të dhunshëm si rekrutuese dhe përhapëse të ideologjive të ndryshmë të dhunshme, është esenciale që perspektiva gjinore të jetë e përfshirë në hartimin e programeve të parandalimit dhe de-radikalizimit. Gratë duhet të trajtohen si të barabarta me burrat edhe në këtë aspekt, meqë vlerësimi që gratë janë vetëm viktima të ekstremizmit të dhunshëm është i gabuar.  Historikisht, gratë kanë qenë pjesëmarrëse në organizata ekstremiste të dhunshme. Një ndër rastat e para të studiuara është edhe rasti i Ilse Schwipper, një grua gjermane që në vitet 1970 vendosi t’i bashkohet lëvizjes anarkiste të dhunshme “2 Qershori” (2 June Movement) në Gjermaninë Perëndimore. Pas intervistave të shumta, Schwipper tregon që traumat dhe tragjeditë personale që i ka përjetuar kanë luajtur një rol të veçantë në procesin e radikalizimit të saj. Ajo vendosi t’i bashkohej lëvizjes anarkiste pas humbjes së vajzës së saj.

Ngjajshëm, Beate Zschaper është një grua tjetër që në të 20tat vendosi t’i bashkohet organizatës ekstremiste të dhjathtë “the Zwickau Cell”, duke kryer sulme e vrasje ndaj imigrantëve, policisë dhe disa raste të shpërthimeve dhe vjedhjeve. Mund të ngriten paralele të ngjashme ndërmjet këtij rasti dhe Schwipper meqë të dyja gratë kanë përjetuar trauma qysh në moshë të re. Prandaj, e kaluara traumatike dhe problemet me personalitetin si një faktor kyç drejt radikalizmit, nuk vlen vetëm për burrat por njejtë edhe për gratë. Këto dy gra janë vetëm disa shembuj nga të shumtat raste në të cilat gratë kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në organizata ekstremiste të dhunshme. Ajo cfarë dallon nga burrat shpeshherë janë përvojat personale si gra në shoqëri të caktuara që i shtyejnë këto gra drejt këtyre organizatave.

Në këtë pikë, një perspektivë gjinore që i targeton gratë dhe përvojat e tyre në shoqërinë kosovare është më se e nevojshme në programe të parandalimit dhe risocializimit.  Si përkthehet kjo në praktikë? Gratë në shoqërinë Kosovare përballen me probleme të shumta, duke filluar nga qasja në tregun e punës. Statistikat e fundit tregojnë që vetëm 13% e grave në Kosovë janë aktive në tregun e punës dhe pjesa tjetër jo. Një hap i mirë drejt parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm është krijimi i mundësive të barabarta për qasje në tregun e punës. Kjo duhet të bëhet paralelisht me promovimin e të drejtës në pronë, meqë konsideroj që pavarësia ekonomike është parakusht për emancipimin e gruas në përgjithësi. Intervistat e QKSS me gratë pjesëmarrëse në konfliktet e Sirisë dhe Irakut dhe potencialisht pjesëmarrëse të organizatave ekstremiste të dhunshme, tregojnë që asnjëra nga këto gra nuk kanë qenë të punësuara e as që flitet për pronë në emrin e tyre.

Një hap tjetër i rëndësishëm që mund të bëhet është të fuqizohet roli i gruas në komunitetin ku ajo jeton, dhe jo vetëm si nënë. Në Afrikën e Veriut, për shembull, ka një numër të madh të iniciativave të sukseshme të marra nga gratë në kuadër të luftimit të ekstremizmit të dhunshëm. Soad Begdouri Elkhammal ka krijuar Asociacionin Maroken të Viktimave të Ekstremizmit pasi që ka humbur burrin dhe djalin e saj në sulme vetvrasëse në 2013. Ajo ka nisur një kampanjë të fuqishme kundër ekstremizmit të dhunshëm në shkolla, duke përdorur aftësitë e saj si mësuese për të ngritur vetëdijen kundër ekstremizmit të dhunshëm tek te rinjtë dhe gratë tjera.  Në Pakistan, Shazia Khan, një viktimë e terrorizmit nga komuniteti Hazara, bën të pamundurën të plotësojë kërkesat e komunitetit të saj. Përkundër kërcënimeve të shumta, Shazia ka filluar të fotografojë trupat e viktimave të terrorizmit duke ua lehtësuar familjeve të ndryshme identifikimin e trupave të familjarëve të tyre. Ajo punon çdo ditë që të ndërtojë një komunitet i cili do të mund të përballet me probleme të tilla.

Diçka tjetër që mund të bëhet për të përfshirë një perspektivë gjinore në programe të tilla, është të krijohet një kanal koordinimi dhe komunikimi i veçantë që do të mund t’i përfshijë gratë edhe në zonat më rurale të Kosovës. Për cfarë e kam fjalën këtu? Gjatë punës tonë në terren, shpeshherë jemi njoftuar nga gratë – nëna të personave që kanë shkuar në konfliktin e Sirisë dhe Irakut, që ato edhe pse i kanë parë shenjat e para të radikalizmit tek fëmijët e tyre nuk kanë ditë se ku t’i adresojnë shqetësimet e tyre. Ajo çfarë mund të bëhet në këtë aspekt është të krijohet një kanal/hapësirë e veçantë ku nënat mund të paraqesin shqetësimet e tyre në lidhje me rrezikun potencial nga grupet ekstremiste. “Mothers Schools” është një nga shembujt më të sukseshëm në botë, si iniciativë e cila ka krijuar hapësira të sigurta për nënat të prekura nga ekstremizmi i dhunshëm.

Procesi i parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm është proces i gjatë, i cili kërkon mjaft durim meqë të arriturat nuk janë të menjëhershme. Mirëpo, zgjidhja afatgjatë është e sheh si kyçe rolin e barabartë të gratve në këtë proces. Problemi duhet parë në aspekt të pabarazisë gjinore e jo të kufizohet vetëm në angazhimin e grave në programe që lidhen direkt me ekstremizmin e dhunshëm.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.