Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ideologjia nuk është as filozofi, as shkencë e as fe

Në muajin Mars u bënë dy vjet nga vdekja e Dariush Shayegan (1935 –2018), filozof dhe kulturolog iranian-francez. I lindur në një familje heterogjene, nëna gjeorgjiane e sektit sunit dhe babai azer-turk shi’it, gjë që ia dha mundësinë të mishërohet me gjuhët e kulturat perse, turke, gjeorgjiane. Ky diversitet kulturor e identitar do ta ndiqnin tërë jetën dhe do të bëheshin shtrati i mendimit të tij filozofik. Pasi kreu shkollimin në shkollën katolike “Shen Lui”, ku mësoi gjuhën franceze, Shayegan shkollimin e vazhdoi në Londër e Gjenevë, e më pas studimet për Indologji i vazhdoi në Universitetin e Sorbonne’it, në Paris. Pasi u kthye në Tehran, një kohë ligjëroi religjionet sanskrite dhe indiane. Gjatë qëndrimit në Iran, frekuentoi dhe ambientet tradicionale të medreseve, dhe për një kohë u shoqërua me filozofin dhe iranologun francez, Henry Corben. Në Iran njihet për studimet në Indologji dhe veprat rreth traditës, modernizmit, ideologjisë, identitetit dhe për disa shkrime mbi poetët e mëdhenj persë. Ishte autor i një romani në frëngjisht “Land of Mirage”, me të cilin më 26 dhjetor 2004 nga Shoqata e shkrimtarëve francezë u shpërblye me çmimin ADELF. Në vitin 2009 Shayegan u nderua me Çmimin Global të Dialogut, një çmim ndërkombëtar për “arritje të jashtëzakonshme në avancimin dhe zbatimin e kërkimit të vlerave ndërkulturore”. Shumicën e librave i shkroi në frëngjisht dhe gati se të gjitha i ka të përkthyera në persisht, por edhe në gjuhë të tjera.

Përsiatjet dhe veprimtaria intelektuale e tij janë vuliminoze, e në dyvjetorin e vdekjes së tij,  Shayegan-in mund ta përkujtojmë me ravijë zimet tij rreth ideologjizimit të traditës dhe fesë, të shprehura në librin “What is a religious revolution?”.

Në fillesat e veprimtarisë së tij filozofike, Shayegan duke qenë nën ndikimin e Heideggerit, Jaspersit e Jungut, në librin “Azia përballë perëndimit”  flet për katër ndërmarrje që kishin çuar në degradimin e mendimit modern perëndimor. Sipas tij, ndër arsyet e mbizotërimit të nihilizmit në Perëndim është se mendimi spiritual-filozofik u zhvendos në mendimin teknik, të menduarit mbi qenien u zëvendësua me të menduarit rreth teknikës, egocentrizmi zuri vendin e shpirtërores dhe spekulimet për “jetën pas vdekjes” u zëvendësuan nga adhurimi i historisë dhe ekzaltimi me te. Ky projekt i mendimit modern kishte zbehur metafizikën dhe kishte varfëruar dimensionin shpirtëror e imagjinar të njerëzve, dhe kështu kundrohej si rrezik edhe për shoqëritë myslimane, të cilat që nga fundi i shek. XIX kishin filluar të modernizoheshin me një hov të madh.

Me zbehjen ose thënë ndryshe me relativizimin e metanarrativave dhe idealeve të modernizmit, studiuesit e dijeve shoqërore hetuan kthimin ose ringjalljen e traditës dhe fesë në shoqëri. Preokupimi me modernizmin dhe Perëndimin në përgjithësi shihet edhe te intelektualët lindorë, disa prej të cilëve, fenë dhe traditën e projektonin si mburojë përballë vrullit të modernizimit të shoqërive të tyre. Pra, për ata, tradita dhe feja nuk kishin kuptimin e të shenjtës dhe moralit siç kishin pasur dikur, ngase tashmë qenë  shndërruar në ideologji për luftimin e një ideologjie tjetër që vinte nga Perëndimi. “Kur një traditë ose një fe hyn në një koncept tjetër të historisë, natyrisht që i ndryshon dhe orientimi, dhe nga një sistem i caktuar intelektual futet në një tjetër sistem, dhe kështu detyrohet të rivalizojë botëkuptimet që sundojnë atë shoqëri ose të marrë formën e atyre koncepteve. Tradita dhe feja shndërrohen në përmbajtje të këtyre formave. Por në fakt, në raste të tilla është forma ajo që sundon dhe orienton përmbajtjen. Dhe kështu veproi Ali Sheriati, i cili përmbajtjen e fesë dhe traditës e futi në formën e marksizmit. Kjo është ajo që e quaj “Perëndimizim i pavetdijshëm”, pra kur ti një koncept perëndimor e lufton me koncepte perëndimore, pa qenë i vetëdijshëm për një gjë të tillë. Ali Sheriati derisa luftonte marksizmin perëndimor, në fakt e kishte marksizuar fenë islame”, thotë Shayegan.

Pra, nuk është i vogël numri i intelektualëve myslimanë që fenë dhe traditën e shfrytëz(ojnë)uan si instrumente ideologjike për luftimin e koncepteve dhe ideve perëndimore. Andaj duke mospërfillur dimensionet thelbësore të fesë dhe traditës, pra shpirtëroren, imagjinatën dhe moralin, krijuan individë dhe grupe radikale, të cilët përfunduan në nisma radikale dhe mbase dhe terroriste. Diçka të ngjashme Shayegan-i e kishte parë dhe përjetuar nga afër, dhe si rezultat kishte rimenduar pozicionet e mëparshme intelektuale, nga ku kishte filluar mendimi kritik i tij dhe veten e kishte gjetur në mes të kulturës tradicionale iraniane-islame dhe kulturës moderne. Kurse për te, tradita përfaqësonte origjinalitetin, orgjinën dhe thellësinë e kulturës, ndërsa ideologjia shënjonte “dijen mashtruese” dhe sistemin e mbyllur, e cila të vërtetën apriori e konsideron të sajën dhe nuk është e gatshme të dialogojë dhe t’i ekspozohet kritikës. Por edhe pse në botën perëndimore në të kaluarën, por edhe sot hedhin shtat ideologji të ndryshme që mëtojnë dominimin e shoqërisë, si duket atje është instaluar, ose po përpiqet të imponohet racionalizmi kritik, i cili, në objekt të kritikës vendosë çdo ide që pretendon se është e vërtetë absolute dhe përjashton e linçon idetë e botëkuptimet e rivale. Kështu, nisur nga ajo që një mekanizëm i tillë, siç është racionalizmi kritik, nuk funksionon në botën islame, atëherë rrethanat për instalimin e ideologjive absolutiste janë tepër të favorshme.

Për Shayegan-nin, ideologjitë në kohërat tona luajnë rolin e legjendave të kohërave të lashta, sepse nga njëra anë, shpirti ose intelekti kolektiv ushqen imagjinatën e një grupi të shoqërisë, ndërsa në anën tjetër, të dyja këto, miti dhe ideologjia pretendojnë se kanë mburojë shkencore. “Çdo ideologji ka dhe një ngarkesë të madhe emocionale, të cilën e familjarizon me një patos dhe eksitim, dhe në anën tjetër, ka një dimension logjik-racional të cilës i jep formë shkencore-filozofike. Në këtë mënyrë, ideologjia nuk është as shkencë, as filozofi e as religjion.” Ai është i mendimit se në qoftë se shkenca mbështetet në fakte dhe përvoja të sakta dhe të paanshme, ideologjia bazohet në dogma, dhe për te nuk ka rëndësi nëse hipotezat e saj janë të kordinuara kujdesshëm me fakte dhe përvoja, sepse ato pranohen apriori si të vërteta të pamohueshme. Andaj, duke pasur parasysh modernizimin kozmetik dhe sipërfaqësor të shoqërive myslimane, në to filloi të përjetohet një “shizofreni kulturore” (Shayegan) dhe në këtë mënyrë, feja dhe tradita u rikthyen në luftën kundër modernizmit, por kthimi i tyre ishte vetëm si ideologji, pra të zbrazura nga dimensionet e tyre ontologjike.

Prandaj, sipas Shayegan-it, tradita e ideologjizuar më nuk është traditë, por është një formë e veçantë e ideologjisë që në vete përmban të gjitha të metat e ideologjisë. Me këtë ideologjizim, humbet dimensioni hyjnor dhe i shenjtë i fesë dhe i traditës. Si rezultat i kësaj, lindin fundamentalizmat dhe radikalizmat e ndryshëm, të cilët të zhveshur nga aspektet morale dhe hyjnore të feve dhe traditave të lashta, detyrohen të përqafojnë veprime të dhunshme dhe linçuese, karaktersitika këto të ideologjive moderne.

Ideologjizimi i traditës dhe fesë, sipas Shayegan-it rezultoi në katër zhvendosje. E para ndodhi në konceptimin e historisë, ku demitizimi i kohës dhe historisë sakrale u zëvendësua me historinë profane dhe sekulare. E dyta qe ndryshimi në sferën kulturore, ku interpretimi sipërfaqësor e skriptual ngadhënjeu mbi interpretimin filozofik-mistik. E treta, u shpërfaq në sferën e antropologjisë, ku individi ideal më nuk ishte ai me vyrtyte morale e shpirtërore, por aktivisti revolucionar dhe radikal. Dhe e katërta, ndodhi në fushën e diskursit, i cili tashmë fenë e ka shndërruar në teori politike dhe e ka zhveshur nga konceptet e saj thelbësore, si mëshira, mirësia dhe dashuria.

Shayegan-i mendon gjithashtu se dimensioni mistik i fesë dhe i traditës përpos që rezulton në estetikë dhe në një ndjenjë sublime, aplikimi i tij në një sistem shoqëror mund të jetë me pasoja. “Ky rrezik mund të shfaqet në kohën kur misticizmi mëton të aplikohet si një mendim social. Misticizmi absolutisht është pë rtejhapësinor dhe në te nuk ndërhyn fare koncepti i kohës. Është një rreth, njëra anë e së cilës është pafillimësia, dhe fundi i saj amshueshmëria, dhe të gjitha shkallët e qenies janë brenda këtij rrethi. Nëse kjo strukturë mbetet vetëm në rrafshin e subjektit është një gjë shumë e bukur. Por nëse mëton të aplikohet në shoqëri, atëherë përbën rrezik të madh. Prandaj, tradita dhe ideologjia apo revulucioni dhe “bota tjetër” i përkasin koncepteve të ndryshme historike dhe nëse ngatërrohen, atëherë gjendja mund të eskalojë”. Vlen të nënvizohet gjithashtu se Shayegan-i në periudhat e mëvonshme të veprës filozofike pajtohet me modernizmin, dhe pohon se edhe në një ambient modern, individi mund të ruajë shpirtëroren, por vetëm se tashmë kjo shpirtë rore jo doemos duhet të burojë nga Irani, Islami a Lindja, por ajo mund të dalë nga secili vend i botës.

Por ajo që vë shtirëson dakordimin me Shayegan-in është mendimi esencialist i tij për fenë dhe traditën dhe mospërfillja që i bënë historisë së qytetrimit islam. Sa arrij të kuptoj, fenë dhe traditën ai i koncepton vetëm si depërtime mistike, imagjinare dhe morale, dhe nuk përfillë fare dimensionet tjera të tyre si ato ligjore, politike, teologjike e kozmologjike. Ai sikur nuk dëshiron të merret me praninë e ideologjive që janë shpërfaqur në luftërat, zënkat, polemikat e dijetarëve myslimanë, të cilat shpesh rezultonin gjithashtu edhe në përleshje më të gjëra në shoqëri. Ndërsa në anën tjetër, Shayegan-i, ideologjinë e konsideron si një produkt modern perëndimor dhe përjashton nga orbita e mendimit të tij të gjithë ato ideologji përgjatë historisë së botës islame.

Megjithatë Shayegan mbetet njëri nga intelektualët më të mëdhenj që i shërbyen dialogut kulturor midis Lindjes dhe Perëndimit dhe njëri nga filozofët më të njohur iranian jashtë Iranit.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.