Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Fardidizmi, tradita intelektuale e Oksidentofobisë – Pjesa II

Ahmad Fardid pati influencë të madhe te shumë mendimtarë dhe ideologë të sistemit islamik të Iranit, por në të njëjtëjn kohë, konsiderohet si njëri ndër figurat intelektuale më të kritikuara, qoftë për afrinë që pati me sistemin islamik, e qoftë për idetë filozofike e politike.

Pas instalimit të sistemit islamik në Iran në vitin 1979, u heshtën intelektualët më me ndikim të kohës në këtë vend, siç ishin Ehsan Neraghi, Dariush Shayegan, Hamid Enayet dhe Sejid Husejn Nasr, me akuzat se kishin qenë bashkëpunëtorë të regjimit pahlavi. Për këtë dhe kritikët mendojnë se Ahmad Fardid me kritikat e tij të pakompromista kundër Perëndimit, mëtonte ta shtrinte ndikimin në skenën politike dhe intelektuale të vendit, dhe kështu të shndërrohej në ideolog dhe mendimtar zyrtar të pushtetit të ri. Pra, sipas tyre, kritikat e Fardidit për modernitetin e Perëndimin nuk qenë esenciale, por më tepër kishin karakter identitar e politik, si dhe me pasoja të thella për mendimin modern iranian.

Fardidi gjithashtu gjykohet se nuk i kishte njohur mirë ose i kishte keqkuptuar e keqinterpretuar Heideggerin dhe Ibn Arabiun, dhe kështu, filozofin gjerman e kishte kuptuar e interpretuar me ide mistike. Fardidi duke imituar Heideggerin, – ku ky i fundit kishte shpallur fundin e filozofisë, – synonte t’i jepte fund racionalitetit, dhe atë ta zëvendësonte me njohje mistike. Ky ngatërrim i filozofisë me misticizmin në qasjen e Fardid ka rezultuar që në shoqërinë iraniane të shtrijë ndikimin ndër njerëz (shumë prej tyre poetë e mistikë) të cilët shprehin mendime absurde dhe ndjekin projekte politike e identitare jashtë kontekstit të kohës. Po kjo armiqësi kundrejt racionalitetit, shumë qëndrime të tyre i ka bërë të pakuptueshme dhe kanë rezultuar në projekte sociale imagjinare. Mendimi racional në vetevete është kritik dhe ndihmon zhvillimin individual dhe shoqëror në çdo aspekt. Nëpërmjet racionalitetit, gjithashtu mund të parandalohen mendimet dhe veprimet ekstreme e të dhunshme, nga të cilët sot po vuajnë shoqëritë myslimane. Pa një mendim kritik e shkencor, mund të dalin në skenë invidë e grupe, të cilët me pretendime të llojllojshme hyjnore e mistike, krijojnë kriza socio-politike. Shoqëria iraniane e ka të freskët një president bashkë me një kabinet qeveritar, që pretendonin se po i shërbejnë “Imam Mehdiut”, madje disa prej tyre pretendonin se për mision kishin krijimin e kushteve për shpjetimin e ardhjes së tij, që do të thotë, të krijojnë sa më shumë kaos.

Mansur Hashemi mendon se Fardidi mund të kritikohet në shumë dimensione, por aty ku mendojmë se ai është më origjinal, në fakt bënë gabimin më të madh. Ai e kishte kuptuar mirë se në çdo epokë historike shpërfaqet një e vërtetë, e cila e shtrin ndikimin e saj anembanë, dhe që modernizmi i projektuar në Perëndim, është e vërteta e epokës sonë. Por, mendimi i tij që e klasifikon kohën historike në disa epoka është e paarsyetueshme. Pastaj duke bërë parashikime për të ardhmen, ai nga një filozof shndërrohet në një klerik imagjinues. (Hashemi, 134) Klasifikimi i historisë në “pardje”, “dje”, “sot”, “nesër” dhe “pasnesër” është një klasifim i pakuptimtë dhe tepër absurd. E absuderditeti është edhe më i madh kur thotë se e pardjeshmja, kur njeriu ka jetuar bashkë me të vërtetën e Qenies ishte një epokë ideale. Kjo nënkupton se në epokën e pardjeshme, pra në epokën e profetëve, njerëzit ishin të mirë e të lumtur, por ajo përfundoi me daljen në skenë të filozofisë greke. Ndërsa nga të dhënat historike, madje edhe nga ato fetare dihet që edhe Profetët kishin armiq e kundërshtarë të shumtë, madje disa prej tyre ishin vrarë e persekutuar, e disa të tjerë as që kishin guxuar t’i thërrisnin njerëzit në fenë e tyre. Duhet theksuar se gjithashtu edhe pas filozofisë pas-sokratike greke, tradita profetike vazhdoi, dhe këtu kryqëzohen epokat historike të Fardidit. Ai thotë se të pasnesërmen do ta jetojnë vetëm lindorët, pra vetëm ata do ta përjetojnë të vërtetën në kohën e Imam Mehdiut, ç’ka bie ndesh me mësimet eskatologjike të fesë islame, sipas të cilave, Mehdiu në secilin vend të botës do ta vendosë paqen dhe sigurinë dhe nën sundimin tij të gjithë do të jenë të lumtur.

Fardid gjithashtu pas vetes la një trashëgimi përjashtuese e stigmatizuese ndaj gjithçkaje perëndimore dhe kjo ka bërë që në Iran të kultivohet një shkollë mendimi, e cila çdo gjë perëndimore e konsideron djallëzore, ndërsa modernizmin si epidemi shkatërrimtare për njerëzimin. Pra, çdo gjë që lind dhe prodhohet në Perëndim, qoftë në fushën kulturore, shkencore, ekonomike apo ideologjike, sipas kësaj shkolle, është e dëmshme për shoqëritë joperëndimore. Sepse të gjitha produktet kulturore e teknologjike të Perëndimit janë të programuara për të shtrirë hegjemoninë dhe kolonializmin kulturor e politik të Perëndimit në vendet tjera joperëndimore. Një refuzim i tillë  ka sjellë pengesa dhe dëme të pariparueshme që individët dhe grupet që veprojnë për zhvillimin kulturor e politik të shoqërisë iranaine, t’i çojnë përpara idetë dhe ndërmarrjet e tyre shkencore-kulturore. Fajësimi i Perëndimit për secilën të keqe politike dhe sociale, si dhe për çdo prapambeturi e moszhvillim kulturor të iranianëve dhe myslimanëve, ka rezultuar në thellimin e këtyre problemeve dhe vetëm sa ka shtyrë ballafaqimin me ta dhe kështu moszgjidhjen e tyre. Prandaj, oksidentofobia e trashëguar nga Fardid, mund të llogaritet një tragjedi me pasoja të thella për një pjesë të traditës intelektuale iraniane. Ali Mirsepassi pohon se Fardidi dhe bashkëmendimtarët e tij, mendim perëndimor e konisderonin vetëm traditën filozofike gjermane dhe franceze (pra atë kontinentale), në të cilin më tepër kultivohej një mendim sekularist dhe antifetar, dhe nuk e kishin as idenë më të vogël mbi filozofinë analitike anglosanksone, nga tradita e të cilës kishte lindur një model i shkëlqyeshëm i bashkjetesës së fesë dhe shtetit. Por që shkolla e Fardidit, sot refuzon mendimin perëndimor si tërësi, dhe kështu, shoqërinë iraniane e ka privuar nga shumë ide e modele të shkëlqyeshme socio-politike. (Mirseppasi, f. 136)

Mirsepassi argumenton se Fardid e shihte veten në pozitën e një filozofi misionar dhe pretendonte se është një mendimtar i gjithëdijshëm, dhe kjo është njëra nga traditat që intelektualët iranianë e trashëguan nga ai. “Guxoj të pohoj se shumë intelektualë të njohur iranianë, në një masë të madhe, pavetëdijshëm veprojnë brenda kornizave të diskursit fardidian. Tani vetëm mbetet të shihet se kush është Fardidi i kohës dhe cili intelektual është i kapluar nga madhështia e më të madhit të kohës sonë” (Mirseppasi, f. 67). Ky vetëmadhërim i Fardidit, krijoi një traditë tepër arrogante dhe përjashtuese në mesin e intelektualëve iranianë, të cilët rrallë janë të gatshëm të dialogojnë mes vetes, dhe vështirë lejojnë të kritikohen mendimet e tyre. Një traditë jo e panjohur për ne shqiptarët.

Fardidizmi dhe fardidistët sot janë shumë më të kufizuar se vetë Ahmad Fardid, i cili, për shumë vite ishte shkolluar për filozofi në qendra të mëdha perëndimore. Ngase, pjesëtarët e kësaj tradite intelektuale, Perëndimin e kritikojnë pa e vizituar dhe qëndruar në ndonjë vend të botës perëndimore, si dhe pa njohur krijimtarinë kulturore perëndimore në gjuhët origjinale. Duke u nisur nga silogjizmi i Fardidit “dyfish i perëndimizuar”, me të cilin i quante intelektualët iranianë që nuk e kuptonin se ishin perëndimizuar, atëherë fardidistët mund të emërtohen “dyfish oksidentofob”, ngase nuk e kuptojnë se pse dhe si janë “oksidentofobizuar”.

Me gjithë kritikat kundrejt projektit të tij intelektual, i cili u prezantua fare pak, Fardid llogaritet njëri nga intelektualët më të shquar të shekullit të kaluar në Iran, ndërsa pa kuptuar mendimet dhe idetë e tij, nuk mund të kuptojmë shumë realitete kulturore, politike dhe shoqërore të Iranit bashkëkohor.

—-

Literatura:

Ali Mirsepassi (1386/2008). Iranian Intellectuals: Social hope and philosophical despair. (versioni persisht), Teheran.

Muhamed Mansur Hashemi (1393/2014). Hoviyat andishan ve Miras-e fikri’i Ahmad Fardid [Nativistët dhe trashëgimia intelektuale e Ahmad Fardidit], Tehran.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.