Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Zgjedhja e presidentit si pjesë e reformës zgjedhore

Sa herë që është përmendur çështja e reformës zgjedhore dhe kushtetuese në Kosovë, mënyra e zgjedhjes së Presidentit ka qenë njëra ndër temat boshte të diskutimit. Por, ashtu siç nuk u zgjidhën çështjet problematike që reforma zgjedhore mëtonte të adresonte, as pjesa e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit nuk u përfundua asnjëherë.

Kështu, në vitin 2011 pas asaj që u konsiderua si ‘vjedhje industriale e votave’ në zgjedhjet e dhjetorit 2010 dhe zgjedhjes së Presidentes nga ‘zarfi’, në Kosovë  ishte themeluar një komision parlamentar për amendamentimin e Kushtetutës. Megjithatë edhe pse ky Komision kishte përfunduar punën e vet, raporti me të gjeturat dhe çështjet për të cilat ishin dakorduar partitë politike nuk u miratuan asnjëherë në Kuvend.

Kjo çështje u riaktualizua përsëri në vitin 2015 nga z. Hashim Thaçi (në atë kohë zëvëndës kryeministër dhe kryetar i PDK-së në koalicion me LDK e si rezultat i së cilës pritej të zgjedhej President) dhe në fund të vitit 2016 kur i njëjti, por tash në cilësinë e Presidentit, kishte themeluar një komision për të hartuar projektligjin për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit.

Kjo iniciativë e Presidentit ishte kritikuar shumë nga zëra të ndryshëm të shoqërisë në Kosovë dhe si rezultat ky komision ishte bojkotuar nga partitë që atëbotë ishin në opozitë dhe një pjesë e shoqërisë civile. Për pasojë e këtij bojkoti as rekomandimet e këtij komisioni nuk arritën asnjëherë të diskutohen apo miratohen në Kuvend.

Por cila ka qenë arsyeja që i ka shtyrë vendimarrësit politikë për të propozuar ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit? Ajo që mund të konsiderohet si një nga pikat e para që bie në sy, ka qenë që për shkak të problemeve të shumta që Kosova ka pasur me zgjedhjen e presidentëve nga Kuvendi i Kosovës, është parë e arsyeshme që kjo kompetencë t’i hiqet Kuvendit dhe t’i kalohet sovranit. Për më shumë, zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit ndikon edhe në stabilitetin e Qeverisë ngase aktualisht nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin, shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje. Kështu, zgjedhja e Presidentit jo vetëm që e ka vendosur Kuvendin në pozitë të vështirë, por ai post ka qenë pjesë e pazareve për themelimin e qeverisë. Për më shumë, dy Presidentë të Republikës së Kosovës janë detyruar të dorëhiqen si rezultat i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte konstatuar që Presidentët po i mbanin ato poste apo ishin zgjedhur jo në përputhje me frymën dhe procedurat kushtetuese.

Përtej kësaj, ata që e kanë shtyrë më së shumti idenë e zgjedhjes së drejtpërdrejtë kanë mëtuar që Presidentit t’i shtohen edhe kompetenca shtesë nga ato që aktualisht ka. Interesant është edhe fakti që shumica absolute e qytetarëve të Kosovës mbështesin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të vendit.

Në një anketë të zhvilluar nga Instituti Demokratik i Kosovës në vitin 2015, kur qytetarët ishin pyetur lidhur me preferencat e tyre për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, 89.7% e të anketuarëve janë shprehur të favor të zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, kurse vetëm 10.3% janë deklaruar se duhet ruajtur sistemin aktual.

Një e dhënë tjetër interesante që kishte dalë nga kjo anketë tregonte që rreth 86% e qytetarëve të Kosovës do të ishin të gatshëm të dalin në zgjedhje, për të zgjedhur Presidentin në mënyrë të drejpëtdrejtë. Kjo bëhet edhe më interesante kur krahasohet me daljen prej 41% të qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura në maj 2017 (edhe pse dalja reale konsiderohet se do të ishte dukshëm më e lartë në rast se do të pastroheshin listat zgjedhore nga personat e vdekur, gabimet teknike dhe diaspora).

Duke qenë se sistemi aktual i zgjedhjes së Presidentit e vendos Kosovën në vendet me sistem parlamentar, në krahasim me praktikat me vendet e tjera të rajonit dhe Europës, shihet që 16 shtete zgjedhin drejtpërdrejt Presidentin ndërsa dhjetë sosh e zgjedhin nga Kuvendi.

Një nga argumentet kyçe që përdoret nga përkrahësit e zgjedhjes së drejpërdrejtë të Presidentit ka të bëjë me rritjen e legjitimitetit dhe mundësisë për llogaridhënie direkte te zgjedhësit. Për shembull, hulumtimet e ndryshme kanë treguar që pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale është më e lartë në krahasim me ato gjysmëpresidenciale dhe kjo vjen si rezultat i kompetencave të Presidentit, ngase politikat e tij/saj do të udhëheqin vendin në të gjithë sektorët. Një punim i KDI i vitit 2015, tregonte që në zgjedhjet e fundit presidenciale në republikat presidenciale në Evropë dalja në zgjedhje është 86.12%, në ato gjysmëpresidenciale është 63.41%, kurse në republikat parlamentare është 56.43%. Në krahasim me anketën e KDI, atëherë edhe në Kosovë parashihet një trend i ngjashëm i daljes.

Duke u bazuar në këto zhvillime të dekadës së fundit në Kosovë, reforma zgjedhore e bashkë me të edhe ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit nuk janë më vetëm nevojë, por një domosdoshmëri dhe garant të funksionimit të mirëfilltë të ndarjes së pushteteve dhe funksionimit normal të tyre në praktikë.

Për shembull, fryrja artificiale e kompetencave të Presidentit në raport me politikën e jashtme, më konkretisht me kryesimin dhe zhvillimin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë larg syve të Kuvendit, që sipas Kushtetutës ruan të drejtën ekskluzive të marrëveshjeve ndërkombëtare, përsëri ka krijuar një ngërç në funksionimin e Kuvendit. Ky ngërç i funksionimit normal të Kuvendit po u shkakton qytetarëve dhe institucioneve të tjera publike pengesa në jetën e tyre të përditshme por edhe po dëmton raportet e Kosovës me vendet partnere, duke qenë se ligjet e marrëveshjet që duhen votuar në Kuvend po presin me muaj të tërë. Ngjashëm ndodh edhe me rolin që Presidenti i vendit do të duhej të kishte në garantimin e funksionimit të institucioneve të pavarura, ngase për shkak se vetë Presidenti ka qenë pjesë e pazareve të partive politike; së paku në perceptimin publik është krijuar përshtypja se kjo ka ndikuar tash gati një vit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të jetë pa mandat, sepse partitë kanë ngritur dilema për përbërjen.

Megjithatë në konstalacionin aktual politik, reforma zgjedhore dhe kushtetuese duket e largët. Kjo jo për faktin se nuk ka nevojë për një reformë të tillë, por vullneti politik për të bërë atë mungon. Përderisa nuk ka një vullnet politik, reformat gjithmonë do të mbesin në tentativë dhe do të jenë shpërfaqje e situatave të pakëndshme politike ose e epsheve të individëve për jetëgjatësi në skenën politike.

Si e tillë, reforma e mirëfilltë zgjedhore duhet të vijë si rezultat i analizave të mirëfillta, një konsensusi politik dhe assesi nuk duhet të lihet në mëshirën e ambicieve momentale të partive politike apo individëve brenda partive politike. Kjo duhet të ndodhë jo vetëm për shkak që po u kushton qytetarëve të Kosovës në mungesë të kontrollit dhe llogaridhënies në mes të pushteteve e që do t’u sillte atyre politika më të mira, por po u kushton edhe vetë partive politike me humbje të besimit te qytetarët dhe me dalje të ulët, që po vë në pikëpyetje vetë legjimitetin e Kuvendit, Qeverisë e rrjedhimisht edhe vetë Presidentit dhe institucioneve që dalin nga to.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.