Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Brexiti si përmbysje e liberalizmit, përkohësisht

Ilustrimi nga Big Eye.

Hiç më pak se para një dekade, liberalizmi ishte sinonim i jetës politike, shoqërore dhe ekonomike në Britaninë e Madhe. Por, çka ndërroi aq thelbësisht që e shtyu ishullin e ftohtë të BE-së të përmbysë këtë rend shoqëror dhe të braktisë BE-në?

Para 10 vjetësh, që të tri partitë politike të asaj kohe drejtoheshin nga liderë që operonin brenda nuancave të liberalizmit dhe mirëqenies sociale. Tony Blair, David Cameron dhe Nick Clegg ndiqnin politika centriste dhe përkundër dallimeve ideologjike ndaj BE-së, ata ishin relativisht ngjashëm në esencën e liberalizmit.  Si rezultat, idetë ekstremiste e populliste ishin gati të pazëshme dhe nuk zgjonin interesim në popullatë.

Të hapur ndaj zbarkimeve të punëtorëve të sapo-anëtarësuar evropianolindorë të BE-së, krenarë me shtetin e mirëqenies sociale, të zotuar për kohezion ndëretnik dhe të drejtat e mundësitë ë barabarta për secilin, shteti britanik ishte njëri nga tregimet e suksesit evropian. Edhepse BE-ja perceptohej si halë në syrin e disa politikanëve në vend, Britania megjithatë ishte një reformuese e BE-së dhe partneri më i fortë i SHBA-ve në Evropë. Pragmatizmi anglo-sakson në politikë-bërje edhe ekspertiza e tregut të lirë i jepte bllokut evropian një frymë freskuese.

Përqafimi i tregut të lirë dhe mirëseardhja ndaj fuqisë punëtore nga BE-ja ishin aq të theksuara, sa që me zgjerimin e BE-së në vitin 2004, Britania, e pastaj Irlanda dhe Suedia, ishin shtetet e vetme në BE që nuk i aplikuan masat tranzicionale që kufizonin lëvizjen e punëtorëve lindorë të BE-së deri në shtatë vjet. Të gjitha shtetet tjera të bllokut, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, aplikuan këto masa nga frika se migrimi masiv do të destabilizonte tregun e punës.

Ekonomia e fortë e Britanisë së Madhe, e cila definitivisht u përforcua edhe më shumë me migrim të hatashëm të evropianolindorëve, ishte e mjaftueshme për ta tretur sadopak euroskepticizmin në vend. Triumfi i lirive tek çdo shtresë e popullatës dhe ekonomia stabile sollën besimin tek ata se “kontinentalët” nuk janë edhe aq të “çuditshëm”. Perceptimet se BE-ja ka deficit demokratik dhe ngufatë sovranitetin e vendit ishin lënë anash karshi prosperitetit ekonomik në tërë ishullin. Pjesë kyçe e këtij prosperiteti ishte mu ai talenti i migrantëve të BE-së që kontribuonin në rritjen ekonomike. Zgjerimi i BE-së kah shtetet lindore solli dobi të mëdha në tregun e punës. Mirëpo, në sytë e britanikëve ky prosperitet ekonomik nuk i atribuohej BE-së, por ishte meritë e politikave të lidershipit të atëhershëm.

Globalizmi vazhdoi me një intensitet të shpejtë me besimin se secili po del fitimtar. Megjithatë, më vonë u bë e qartë se fraksione të popullatës nuk ishin duke përfituar nga ky rend i ri dhe brenga e tyre nuk dëgjohej nga elitat qeverisëse. Problemet që ndjeheshin nga popullata lokale ishin ndryshimi drastik i komuniteteve të tyre dhe ngarkimi i shkollave e spitaleve falë imigracionit.

Kapaku i zhgënjimit erdhi në vitet që pasuan krizën financiare të vitit 2008. Kah viti 2010, imigracioni rekord fuqisë së lirë punëtore nga Evropa Lindore dhe vala e zbarkimeve nga Rumunia dhe Bullgaria, kishte lënë shumë të papunë në mesin e britanikëve. Rritja e shpejtë e popullatës dhe krijimi i dy botëve paralele midis emigrantëve dhe popullatës lokale nëpër vendet jo aq metropolitane ritheksoi euroskepticizmin, sidomos në Partinë Konservatore të vendit.

Referendumi i 23 qershorit erdhi pas një premtimi të Kryeministrit të atëhershëm David Cameron se nëse e fiton mandatin e ardhshëm, ai do të hap rrugën për referendum. Bindja e tij ishte se ky premtim do t’ia siguronte fitoren në zgjedhjet e vitit 2015. Njashtu, ai llogariste se mandati i ardhshëm do ta gjente sërish në koalicion me Liberal Demokratët e përbetuar evropian, të cilët pa dyshim se do ta bllokonin një referendum të tillë.

Por, bixhozi i premtimit i doli dardhë me bisht. Ai triumfoi në zgjedhjet e 2015 me shumicë absolute përkundër të gjitha sondazheve mu për shkak se dha një premtim të tillë.  Përmbysja e vlerave të diversitetit dhe tolerancës u dëshmuan kur partia e Liberalë Demokratëve që kishte 57 ulëse në parlament në vitin 2010 ra në vetëm 8 në 2015.

Kritikat për deficitin demokratik në BE u rritën kur federalisti Jean-Claude Juncker u emërua President i Komisionit Evropian me agjendë për federalizim edhe më të thellë dhe zvogëlim të fuqive të kryeqyteteve evropiane. Cameron i premtoi popullit se do të negociojë lirinë e lëvizjes me BE-në, por përpjekjet iu përmbysën në Janar 2016 nga Angela Merkel, e cila sigurisht sot hamendet nëse një marrëveshje atëbotë me Cameronin do ta parandalonte Brexitin.

Beteja e humbur e Cameronit me BE-ne për reformim të lëvizjes së lirë betonoi bindjen në popullatë se BE-ja është jo e reformueshme, dirigjuese dhe jokooperative. Për shumicën e britanikëve unioni ekonomik të cilit ata iu bashkuan në vitin 1973 ishte shndërruar në union politik për të cilin ata nuk u pyetën kurrë.

Brexiti shkundë nocionin e liberalizmit dhe paraqet mllefin e masave të cilat u anashkaluan me vite të tëra. Për një progresiv, vota anti-BE e Britanisë kuptohet si izolim dhe largim nga bashkëpunimi ndërkombëtar e përgjegjësitë kolektive në kontinent. Përderisa populli britanik asnjëherë nuk e përqafoi në thelb projektin evropian, ata megjithatë kanë një hise të madhe në suksesin e këtij projekti. Braktisja e një blloku që shihet si modeli më i suksesshëm i stabilitetit në Evropën e pasluftës përjetohet si atentat kombëtar nga besimtarët e këtij projekti.

Megjithatë, rendet shoqërore janë të përkohshme dhe evoluojnë si rezultat i rrethanave dhe dinamikave të kohës. Britanikët, si edhe shumë herë në histori, dëshmuan apetitin për të marrë një iniciativë të freskët e të pashoq që duket absurde për rendin aktual botëror. Rrugëtimi i ri i Britanisë është sfidues dhe me shumë të panjohura.

Por, Brexiti paraqet një mundësi të re për një popull që përqafon ndryshimin dhe arrin unitet në momente të krizave. Vetëm koha do të tregojë nëse britanikët sërish do të jenë ata që ia mësojnë Evropës një formë të re të liberalizmit dhe mirëqenies evropiane. Evidenca historike e inovacionit britanik tregon se gjasat për këtë janë të mëdha.

Ky artikull është pjesë e një serie shkrimesh që kanë për qëllim të analizojnë rendin evropian post-Brexit.

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.