Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fatalizmi apo klientelizmi, dilema e sotshme

Ilustrimi nga Big Eye.

Zgjedhjet e para e të lira demokratike në shumicën e ish vendeve komuniste, kishin një pjesëmarrje shumë të lartë të votuesve. Me kalimin e kohës dhe me rritjen e zhgënjimit nga qeveritë e para demokratike, kjo pjesëmarrje filloi të binte në mënyrë drastike vazhdimisht. Kjo vlen edhe për Kosovën, ku zgjedhjet e para kishin një pjesëmarrje rekorde e cila ra ndjeshëm me kalimin e viteve, dhe kjo përqindje tani mezi arrin në rreth 40% të qytetarëve me të drejtë vote. Sigurisht që nga vendi në vend dhe ndër vite kishte dallime për nga konteksti politik e historik. Mirëpo, të gjitha këto vende kishin tendencë të ngjashme, meqë rëndësia dhe roli i sistemit demokratik e përfaqësimit politik vihej në pikëpyetje.

Studiuesit e shumtë dhe të ndryshëm filluan ta ndërlidhin këtë dukuri jo vetëm me joefikasitetin e qeverive, me shkallën e lartë të korrupsionit apo me nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik por edhe me mungesën e mirëfilltë të alternativave politike nga ana e subjekteve politike opozitare. Një dukuri e cila u quajt TINA, nga shkurtesa e fjalisë ‘there is no alternative’ apo në shqip, ‘nuk ka asnjë alternativë’. Lodhja nga klasat e korruptuara politike, por edhe nga paaftësia opozitare, të ofrojnë platforma të realizueshme politike e zgjidhje të duhura të nevojave të qytetarëve, ishin shkaqet që vonuan demokratizimin në shumë shtete e në disa raste kontribuuan dukshëm në ngritjen në pushtet të ekstremistëve e populistëve dhe në disa vende madje ndikuan edhe në instalimin e autoritarizmit.

Në rastin e Ballkanit, e sidomos në rastin e Kosovës, kjo anomali e përcjell demokracinë dhe zhvillimet politike në vend për një kohë mjaft të gjatë. Si mund të shpjegohet ndryshe paradoksi, kur në një anë janë evidente pakënaqësia e vazhdueshme dhe aq e lartë me qeveritë e deritashme, dhe në anën tjetër  pamundësia e subjekteve opozitarë që të mobilizojnë elektoratin e zhgënjyer dhe të fitojnë zgjedhjet. Sidomos, kur kihet parasysh që deri tani janë mbajtur disa palë zgjedhje dhe koalicionet qeverisëse kanë qenë gati në përbërje të njëjtë partiake. Sigurisht mund të thuhet, që klientelizmi dhe kapja e institucioneve publike nga ana e partive në pushtet, e pamundësojnë një garë të drejtë dhe korrekte zgjedhore, por ky nuk është argument i mjaftueshëm. Pasi që pikërisht klientelizmi e korrupsioni do të duhej të ishin shkaqet kryesore për ndryshime politike. Meqë, këto ndryshime politike nuk po ndodhin, atëherë arsyet janë edhe të natyrës tjetër.

Sociologu gjerman Max Weber, duke diskutuar për udhëheqjen gjermane, thuajse para një shekulli e quante ketë si ‘politikë shterpë’. Ai pohonte se duke u ankuar për të kaluarën dhe duke ndjellë frikë, bartësit politikë po i shmangeshin përgjegjësisë politike e shoqërore dhe po krijonin etikë të rrejshme, e cila bazohej në demagogji e populizëm. Me fjalë tjera, kritika ndaj politikës pa alternativë të mirëfilltë nuk çon në zhvillim shoqëror e shtet funksional. Përkundrazi ato mund të sjellin vetëm politika sentimentale e të pëlqyeshme eventualisht nga masa por jo edhe domosdo të arsyeshme e të duhura. Zhvillimet e mëvonshme historike dëshmojnë se Weber-i me këtë kishte të drejtë plotësisht.

Lëshimet politike të opozitës në Kosovë gjatë këtyre viteve, kanë qenë të shumta dhe të ndryshme, por njëra nga këto është se janë marrë së tepërmi dhe vazhdojnë të merren kryesisht me qeverinë dhe shumë më pak me vetë qytetarët dhe nevojat e tyre. Dukë vënë në pah kryesisht keqqeverisjen, por jo edhe duke ofruar mënyrën dhe rrugën e duhur të një qeverisjeje më të mirë. Opozita apo thënë më mirë, liderët partiakë të opozitës, duken në disa aspekte më të paareformueshëm sesa vetë partitë në pushtet që po humbasin legjitimitetin politik dhe qeverisës çdo ditë e më tepër.

Në debatet e ndryshme teorike e akademike, kritika bëhët qëllim në vete i vlerësimit objektiv dhe i përmirësimit konstant. Kurse në politikë, ku synohen të përfaqësohen interesat e masës dhe jo vetëm të shpalosen pikëpamjet personale, gjendja qëndron shumë më ndryshe. Të kritikosh ashpër dhe në vazhdimësi qeverinë dhe politikat e tyre, dhe të mos ofrosh zgjidhje e alternativa më të qëndrueshme e të besueshme, nuk i vjen në ndihmë askujt. Aq më pak qytetarëve të rëndomtë, të zënë peng në betejat e zhurmshme dhe dëshpëruese për pushtet. Sepse, në këtë mënyrë po u zgjatet jeta politike atyre politikanëve që keqqeverisin, abuzojnë me pushtet, që izoluan dhe varfëruan popullin dhe që nuk meritojnë aspak votëbesimin e qytetarëve.

Politika nuk bëhet me komunikata por as me anketa. Vetëm duke ofruar alternativa të politikave publike dhe duke i bindur konkretisht qytetarët sesi do të qeveriset, si do të përmirësohet ekonomia e mirëqenia e tyre, mund edhe të priten ndryshimet politike. Por, me një qasje fataliste, ku parashihen luftërat, krizat dhe situata apokaliptike, nuk mund të përmirësohet as gjendja e rëndë socio-ekonomike e as nuk mund të luftohet sistemi ekzistuese klientelist. Me ligjërim të tillë politik, vetëm do të frikësohen qytetarët për të dalë në votime dhe do të zhgënjehen tutje edhe ata qytetarë të gatshëm për ndryshime të duhura. Ndërkaq ndryshimet politike nuk varen vetëm nga numri i votave apo i deputetëve, por veçanërisht nga ndryshimi thelbësor e i tërësishëm i mendësisë dhe veprimtarisë politike. Dhe për të bërë këtë, duhet pikësëpari të ofrohen alternativa më të mira qeverisëse.

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.