Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Drejt shtetdështimit

Gjatë dekadës së fundit, zhvillimi ekonomik dhe as lufta kundër korrupsioni nuk kanë qenë në qendër të prioriteteve të UNMIK-ut. Meqenëse statusi politik i Kosovës kishte mbetur pezull, konsideratat primare të UNMIK-ut, në periudhën e administrimit mbi Kosovën, do të udhëhiqeshin nga premisat e stabilitetit. Duke u udhëhequr nga këto premisa, UNMIK-u nuk do të jetë fort i interesuar as për transparencë dhe as për llogaridhënie kundrejt qytetarëve të Kosovës. Kjo prodhoi një ‘paqe të korruptuar’, përmes së cilës mirëmbahej status quo-ja në Kosovë me çmimin e legjitimimit të një klase politike kosovare, që po përfshihej gjithnjë e më shumë në afera korruptive dhe krim të organizuar. Mjafton këtu të themi se në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë – proces ky fillimisht i udhëhequr nga UNMIK-u dhe më pas nga institucionet vendore – vetë lidershipi politik vendor ishte përfshirë në procesin e privatizimit, duke marrë në pronësi kodra, male dhe fusha të Kosovës. Fabrika, ndërmarrje, dhe kooperativa.

Ndonëse UNMIK-u ishte i vetëdijshëm për këto keqpërdorime, zyrtarët e tij e tregtonin stabilitetin e misionit të tyre dhe paqen negative në Kosovë. Siç ka vënë re Denisa Kostovicova, UNMIK-u ishte kritikuar në vazhdimësi për qeverisje joefektive të ekonomisë në Kosovë. UNMIK-u nuk kishte arritur që të luftonte strukturat klandestine dhe kriminale as në mesin e shqiptarëve dhe as në mesin e serbëve. Sipas Kostovicoves: ‘UNMIK-u bleu stabilitetin politik duke i toleruar strukturat lokale kriminale. Ekzistenca e papenguar e operacioneve të inteligjencës në hije, të kontrolluar nga partitë politike shqiptare dhe strukturat e sigurisë në hije të vendosura nga Beogradi në komunitetin serb në Kosovë e ilustrojnë këtë’.

Për Seymour Lipset ekziston një lidhje e pazgjidhshme mes legjitimitetit, demokracisë dhe stabilitetit të një sistemi politik. Në rastin e Kosovës, UNMIK proceduralisht nuk ishte llogaridhënës karshi qytetarëve të Kosovës, kurse lidershipi politik dhe partiak shqiptar i trajtonin institucionet publike si res privatae. Derisa lidershipi politik në Kosovë de jure zgjidhej qytetarët e Kosovës, legjitimiteti i këtij lidershipit matej nga pranueshmëria e tij nga UNMIK-u. UNMIK-u mbante ‘çelësat e institucioneve. Vetëm ata që mund të kontribuonin në stabilitet (lexo mirëmbajtjen e status-quo-së), mund t’i merrnin këta çelësa dhe të formonin qeveritë e përkohshme pas luftës.

Ndonëse stabiliteti është shumë i rëndësishëm dhe veçanërisht në shoqëritë e dala prej luftës, ajo që duhet të operacionalizohet tutje është një ndarje mes stabilitetit negativ dhe pozitiv. Me stabilitet negativ po nënkuptoj stabilitetin e mirëmbajtur nga bashkësia ndërkombëtare, ku stabiliteti nuk është rezultat i ballafaqimit real të interesave dhe nevojave të forcave të ndryshme shoqërore, por imponim i administratës ndërkombëtare, e cila nuk është llogaridhënëse para asnjë instance.

Me stabilitet pozitiv po nënkuptoj një stabilitet të garantuar nga forcat politike vendore në bashkëpunim me shtetndërtuesit ndërkombëtarë, i ndërtuar mbi parime të qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe demokracisë liberale. Meqenëse UNMIK-ut i mungonte një strategji dalëse nga Kosova, në mënyrë që ta mirëmbante status quo-në dhe stabilitetin, kishte zgjedhur një rrugë të shkurtër – bashkëpunimin vetëm me lidershipin politik vendor. Këta të fundit ndjeheshin llogaridhënës vetëm ndaj UNMIK-ut, por jo ndaj votuesve vendorë. Duke qenë se lidershipi politik kosovar mund të ndëshkohej dhe persekutohej politikisht ose juridikisht vetëm nga UNMIK-u dhe jo nga gjykatat dhe qytetarët e Kosovës, në këmbim të ruajtjes së këtij stabiliteti, UNMIK kishte lejuar që lidershipi politik kosovar të keqpërdorte pushtetin politik për përfitime private.

Paqartësia e statusit ka kontribuar shumë në përkrahjen  e një elite politike në Kosovë që nuk e kishte as sensin e llogaridhënies kundrejt qytetarëve dhe as vizionin e zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit.

Kjo paradigmë e stabilitetit e kishte vonuar vendosjen e një sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë. Në raportin e parë të nëntorit 2004, Kai Eide shkruante për nevojën e reduktimit të prezencës së UNMIK-ut, transferimin e pushtetit tek institucionet e Kosovës, dhe rritjen paralele të prezencës së Bashkimit Evropian. Sipas tij, status quo-ja ishte e paqëndrueshme. Ai rekomandonte nisjen e negociatave për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Në raportin e dytë të 2005  ‘A Comprehensive Review of the Situation in Kosovo’, pos tjerash, Eide shkruante se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë faktorët kryesorë që e rrezikojnë stabilitetin e Kosovës. Edhe UNMIK-u edhe institucionet e përkohshme vetëqeverisëse kishin dështuar në luftimin e tyre. ‘Solidariteti brenda klanit, kodet e heshtjes, problemet me gjuhë dhe mungesa e përvojës së institucioneve lokale të zbatimit të ligjit të gjitha kanë kontribuar në këtë dështim’, shkruante ai. Thelbi i kritikës së Eide në lidhje me zhvillimin e institucioneve të reja të Kosovës ishte me sa vijon:

“Zhvillimi i institucioneve të reja është minuar nga një tendencë e fortë mes politikanëve që e shohin vetveten si llogaridhënës ndaj partive të tyre politike sesa ndaj publikut të cilit i shërbejnë. Partitë politike kanë tendencë t’i shohin institucionet e reja dhe shërbimin civil si ‘fushë’ të tyre. Kështu që emërimet bëhen në baza politike apo klanore sesa në bazë të kompetencës. Shumë shërbyes civil janë të brengosur për këtë paaftësi për të dalluar autoritetet politike nga shërbimi civil dhe efektin që prodhon kjo në zhvillimin e një administrate të qëndrueshme dhe stabile”.

Bashkësia ndërkombëtare, respektivisht Grupit i Kontaktit, duke qenë i vetëdijshëm se këto elemente mund të gërryenin legjitimitetin e institucioneve të Kosovës së pavarur, kishin pasur dilema se çfarë misioni ndërkombëtar do të duhej ta zëvendësonte UNMIK-un.  Duke qenë se UNMIK-u kishte dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit në Kosovë, konsensusi minimalist i Grupit të Kontaktit ishte që misioni që do të zëvendësonte UNMIK-un të ishte një mision evropian për sundim të ligjit. Pas negociatave të gjata mes Serbisë, Kosovës, BE dhe OKB-së, përfundimisht EULEX kishte zbarkuar në tërë territorin i Kosovës.

Ndonëse njëra prej brengave kryesore të planifikuesve të misionit evropian në Kosovë ishte që EULEX-i të mos i ngjasojë UNMIK-ut. Si një prezencë e fortë ndërkombëtare tashmë e delegjitimuar në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përkundër kësaj brenge, EULEX-i do të vendoset në Kosovë pikërisht nën ‘çadrën’ e UNMIK-ut dhe operon brenda Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. David Cadier shtronte dilemën sesi një mision i sundimit të ligjit mund t’i fuqizojë institucionet, të cilat zyrtarisht nuk i njeh. Raportin e EULEX karshi pavarësisë së Kosovës e konsideronte si sjellje skizofrenike.

Përkundër arritjes së kompromisi për vendosjen e këtij misioni në bazë të Rezolutës 1244, EULEX, ka mbajtur një prezencë të pahetueshme të stafit të tij në veri të Kosovë, dhe ka dështuar që ta parandalojë kontrabandën dhe krimin e organizuar në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Në pjesën jugore të Kosovës, premtimet dhe diskursi shpresëdhënës se EULEX-i do ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë rastet e ‘profilit të lartë’, ka dështuar plotësisht. Duke i vërejtur këto dështime, ministri gjerman i mbrojtjes, Thomas De Maiziere, kishte theksuar se EULEX-i është në rrugë të gabuar. Ai shprehte pakënaqësinë e Gjermanisë rreth arritjeve të këtij misioni, duke theksuar se EULEX-i kishte ‘nevojë për një fillim të ri, emër të ri, strukturë të re, njerëz të rinj dhe mandat të ri’

EULEX-i është perceptuar si mision i sundimit të ligjit, që kishte për qëllim fuqizimin e institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Kosovën e pavarur. Institucionet dhe lidershipi i Kosovës, meqenëse e kanë ftuar EULEX-in përmes Deklaratës së Pavarësisë, kanë ndjekur një qasje të dyfishtë ndaj EULEX-it. Në njërën anë e kanë kritikuar këtë mision për mosefikasitet të zbatimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, sidomos në pjesën veriore të Kosovës dhe, njëkohësisht, nuk kanë qenë bashkëpunues kur EULEX-i ka vepruar për të zbatuar ligjin. Sidomos kur cak i veprimeve ligjore të EULEX-it ka qenë krimi i organizuar dhe korrupsionit në mesin e lidershipit politik në Kosovë.

Studimet e organizatave vendore tregojnë se EULEX-i ka dështuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Kritika të tilla karshi EULEX-it janë adresuar edhe nga Gjykata Evropiane e Auditorëve. IPOL, në një studim të tij të dhjetorit 2009, vëren se operimi i plotë i EULEX kishte ngjarë në 9 dhjetor 2008, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Sipas këtij studimi, mbetej për t’u parë nëse kjo koincidencë ishte diçka ironike, ose e qëllimshme. Shtatë vite pas, lirisht mund të konstatohet se data e vendosjes së EULEX-it në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit më shumë ka qenë koincidencë. Krimi i organizuar dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë probleme shqetësuese në Kosovë. Duke qenë se UNMIK-u kishte dështuar që ndërtoi një sistem ligjor të mirëfilltë në Kosovë, pritjet ishin të mëdha se BE-ja do ta ndihmojë Kosovën për ndërtimin e një shteti ligjor. Këto pritje të kosovarëve ishin ushqyer edhe nga deklarata e zyrtarëve të EULEX-it për luftimin e korrupsionit edhe brenda lidershipit politik vendor, përmes diskursit tashmë të njohur të ndjekjes së ‘peshqve të mëdhenj’.  EULEX-i ka pasur edhe mjetet financiare, por edhe kapacitete njerëzore që ta çlirojë Kosovën nga ky korrupsion stabil i vendosur në Kosovë qysh nga koha e UNMIK-ut.

Sipas një studimi të KIPRED, nga viti 2009 deri më 2013, mesatarisht, në çdo vit, Kosova ka ndarë 151 milion euro për gjithë strukturat shtetërore në fushën e sundimit të ligjit. Në anën tjetër, EULEX, me një staf 5 herë më të vogël të gjyqtarëve që merren me vepra penale, ka buxhet prej 114 milion euro (1.3 herë më i ulët se i Kosovës) në baza vjetore, dhe kishte shqiptuar 3 herë më pak aktgjykime në krahasim me gjyqtarët e Kosovës. Derisa, në mesatare, secili prej 192 gjyqtarëve kosovar që merren me raste penale kanë shqiptuar 44 aktgjykime, secili prej 36 gjyqtarëve të EULEX-it, në mesatare, ka shqiptar 2.1 vendime, pra 21 herë më pak. Sa i përket aktgjykimeve në rastet e profilit të lartë, për kundër faktit se stafi i gjyqtarëve të EULEX-it është 5 herë më i vogël se stafi i gjyqtarëve kosovar, gjyqtarët e EULEX-it kanë shqiptuar 3 herë më pak vendime (0.29 vendime për një gjyqtar) në raport me gjyqtarët kosovarë (0.94 vendime për një gjyqtar).

Po ashtu, një raport i botuar së fundi nga Lëvizja FOL shpalos përpjekjet e kufizuara të EULEX-t për ta luftuar korrupsionin. Që nga vendosja e tij në vitin 2008, EULEX ka nxjerrë 70 aktgjykime për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Prej këtyre aktgjykimeve, 47 kanë pasur të bëjnë me rastet korrupsionit dhe 23 me rastet e krimit të organizuar. Përkundër këtij numri të vogël të aktgjykimeve, nuk dihet saktë numri i rasteve që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe në këtë raport theksohet se EULEX-i nuk kishte ndjekur mjaftueshëm rastet e profilit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar. Arsyeja e mosndjekjes dhe e përfundimit me sukses të rasteve të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ishin ndikuar nga konteksti politik i Kosovës, respektivisht nevoja për të garantuar stabilitetit. Duke ruajtur kështu kredibilitetin e politikanëve të korruptuar.

Duket se sikurse UNMIK-u, edhe EULEX-i e ka prioritizuar stabilitetin para zhvillimit demokratik të Kosovës. Qysh në preambulë të Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së – njëra prej bazave juridike me të cilin ishte vendosur EULEX-i në Kosovë – shkruhej se EULEX-i ka për qëllim që ta forcojë stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Kritikuesit e EULEX-it argumentojnë se njëra prej arsyeve për tërheqjen e EULEX-it nga luftimi efikas i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, sidomos tek rastet e profilit të lartë që lidhen me ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë departamentesh, është pikërisht frika që një veprim i tillë mund të shkaktojë destabilitet në Kosovën e paspavarësisë.

Së fundi, Aidan Hehir, në një shkrim të botuar në ‘National Interest’, ka argumentuar se Perëndimi ka ndërtuar një shtet të dështuar në Kosovë. Për të argumentuar këtë, Hehir liston shumë probleme në Kosovë. Në mesin e tyre: korrupsionin, mungesën e stabilitetit social, fasadën e multietnicitetit, disponimin negativ të qytetarëve kundrejt institucioneve të vendit etj. Ndonëse problemet të cilat përmenden në shkrimin e Hehir janë reale, klasifikimi i Kosovës si shtet i dështuar është dyfish problematik. Së pari, sepse klasifikimi i Kosovës si shtet i dështuar është i pasaktë, për faktin se Kosova është larg më mirë se vendet që janë të vendosura në listën e vendeve të dështuar (por, pakrahasimisht më keq, tepër më keq se vendet që janë funksionale, me qeverisje llogaridhnëse, demokraci të konsoliduar dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik). Së dyti, ky klasifikim është problematik, për faktin se prodhon një argument fals. Sipas këtij argumenti: me pavarësinë e saj, Kosova ka krijuar një shtet të dështuar që eksporton destabilitet në BE. Shkollarët që e kanë prezantuar këtë argument si Hehir, Chandler etj, në fakt, kanë qenë edhe kundër intervenimit ‘imperialist’ të NATO-së në Kosovë. Megjithatë, janë dy shkollarë tjerë që argumentojnë ndryshe.

Sipas Florian Bieber, Kosova nuk është shtet i dështuar, por një shtet minimalist. Kurse Wolgang Koeth përmes pyetjes me sa vijon tregon falsitetin e argumentit se ‘Kosova është një shtet i dështuar’, argument ky që është prezantuar shpeshherë nga aktor politik që janë kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës. Koeth pyeste: ‘A mundet që dështimi i Kosovës (dhe, si pasojë, eksportimi i jostabilitetit në rajon dhe BE) të parandalohej në mënyrën më të mirë duke e trajtuar atë si: (1) shtet sovran, (2) protektorat të UN/BE-së apo (3) si pjesë e ri-integruar e Serbisë?’. Ri-integrimi i Kosovës në Republikën e Serbisë nuk do të mund të bëhej sërish pa përdorimin e ushtrisë, dhe kjo do të shkaktonte destabilitetin më madh jo vetëm rajonal por edhe atë evropian. Koeth theksonte se bashkësia ndërkombëtare nuk kishte asnjë alternativë të besueshme në horizont kundër pavarësisë së Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë së saj, Kosova kishte hyrë në një fazë të re të ambiguitetit politik në marrëdhënie me jashtë, pra, në një limbo të re. Siç ka argumentuar Alexander Yanis, ndonëse deklarata e pavarësisë së Kosovë ishte një hap përpara, ajo nuk e zgjidhte përfundimisht as konfliktin brenda Kosovës dhe as statusin e saj në raport me jashtë. Derisa para vitit 1999, ambiguiteti politik ishte i brendshëm, për faktin se Rezoluta 1244 ndërthurte në vetvete objektiva kontradiktore duke e ruajtur sovranitetit e RSFJ-së në njërën anë dhe duke u dhënë kosovarëve kompetenca për vetëqeverisje deri në përcaktimin përfundimtar të statusit të ardhshëm, shpallja e pavarësisë prej ‘përfaqësuesve të popullit të Kosovës’ mendohej se do të qartësonte përfundimisht statusin e Kosovës. Megjithatë, ky ambiguitet nuk do të përfundonte në tërësi. Nga brenda, sovranitetit i Kosovës së pavarur ishte kërcënuar vazhdimisht nga ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë përmes instrumentalizimit të strukturave paralele serbe sidomos në veri të Kosovës, kurse në raport me politikën e jashtme, nëse e përdorim terminologjinë e Stephen Kransner, sovranitetit ligjor ndërkombëtar i Kosovës vazhdon të mbetet i mjegullt me faktin se Rezoluta 1244 e KS ende mbetet në fuqi. Derisa rruga e Kosovës drejt OKB-së mbetet e paqartë dhe e mjegullt, paqartësia ekziston edhe në raport me BE-në. Ende pesë shtete anëtarë të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Duke e trajtuar statusin e Kosovës si çështje të hapur, BE-ja ka mundësi që të humbë jo vetëm kredibilitetin si një aktor ndërkombëtar, por, edhe legjitimitetin në sytë qytetarëve të Kosovës. Duke u diskredituar ngjashëm sikurse UNMIK-u. Ndonëse, Kosova, në fazën aktuale, është larg përmbushjes së standardeve evropiane dhe statusi i saj i mjegullt mund të mos krijojë probleme të menjëhershme në relacionet e tanishme Kosovë-BE, kur Kosova do të afrohet në proceset integruese evropiane, do të shtrohet nevoja imediate për një qartësi të plotë të Bashkimit Evropian karshi Kosovës. Komisioni Evropian vetëm për vitin 2009-2010 ka alokuar 103.6 milion euro për të ndihmuar procesin e ndërtimit të institucioneve. Duke qenë se politikat e kushtëzimit të BE-së dhe standardet evropiane që do të duhej t’i përmbushte Kosova në 10 vitet e ardhme do të duhej ta transformonin Kosovën rrënjësisht, BE-ja duhet të ketë një politikë unike karshi Kosovës. Siç është theksuar në Strategjinë e Sigurisë 2003 të BE-së, kredibiliteti i politikës së jashtme të BE-së do të varet nga të arriturat në Ballkan, dhe veçanërisht në Kosovë. Kredibiliteti i kësaj politike, parasëgjithash, do të matet, me kushtëzimin dhe përkrahjen e Kosovës që të përmbushë standardet evropiane në fushën e sundimit të ligjit. Në mënyrë që Kosova të bëhet shtet funksional. Dështimi potencial i Kosovës do të jetë edhe dështim i politikës së jashtme të BE-së. Ky dështim nuk do të mund të izolohej vetëm në Kosovë. Paradigma e stabilitetit të korruptuar dhe korrupsionit stabil duhet të përmbyset në Kosovë. Mes stabilitetit të korruptuar dhe sundimit të ligjit nuk do të duhej të kishte dilema.

Nëse BE-ja edhe lidershipi politik vendor vendosin që me çdo kusht ta mirëmbajnë stabilitetit e korruptuar, ky është kushti që e çon Kosovën drejt dështimit. Drejt shtetdështimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.