Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kush dhe si po i numëron ushtarët e UÇK-së?

Ligji për kompensimin e veteranëve të UÇK-së po nxit debat se sa korrupsion ka në zbatimin e tij, por po ashtu edhe për fizibilitetin e financimit të një ligji të tillë në një shtet të varfër si Kosova. Në shikim të parë, ky debat është politik dhe përqendrohet në trashëgiminë e UÇK-së. Duam të kontribuojmë në këtë debat me një mendim të pavarur të përqendruar në dy argumente kryesore:

1.    Ndonëse diskutimi për trashëgiminë e një lufte guerile, në Kosovë sikur çdo kund në Evropë, ka qenë pashmangshëm politik, publikut duhet t’i servohet informacion më i qartë për ligjin dhe për ndërlikueshmërinë e definimit të profilit të luftëtarit gueril;

2.    Nëse është problem me ligjin, atëherë qeveria duhet ta marrë një qëndrim të qartë që të krijojë një mekanizëm të pavarur dhe konsensual për të mbikëqyrë regjistrimin e veteranëve ashtu që t’i shmanget korrupsionit, ose në rast se Kosova nuk ka buxhet për pensionet e veteranëve, ta rrëzojë ligjin në tërësi.

Sa është numri i veteranëve?

Regjistrimi i veteranëve të UÇK-së ka filluar në vitin 2014. Që atëherë, 66,300 aplikues kanë aplikuar që t’u njihet statusi në njërën nga kategoritë e ligjit për veteranët e UÇK-së në luftën e vitit 1998-1999 kundër Serbisë. Numri i veteranëve të UÇK-së të verifikuar nga komisioni shtetëror tani është 46,230. Komisioni e ka dërguar raportin në qeveri për aprovim.

Shumë njerëz e kanë kontestuar shifrën e komisionit, përfshirë kryeministrin Isa Mustafa, i cili vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e cila kishte zgjedhur rrugën e rezistencës paqësore dhe që mbetet rivale politike e PDK-së dhe AAK-së, partive që dolën nga UÇK-ja. Ai ka theksuar se numri i veteranëve të regjistruar tejkalon çdo parashikim dhe pritje dhe ka shprehur shqetësim që ky numër tejkalon dyfish buxhetin e parashikuar për implementimin e ligjit. Qëndrimi i tij pasqyron sentimentin e një pjese të madhe të opinionit publik, që vazhdon të mbesë skeptik ndaj idesë se UÇK-ja ka qenë lëvizje masive.

Meqë partia më e fuqishme politike në parlament dhe në qeveri është Partia Demokratike e Kosovës, e cila është formuar nga lidershipi i UÇK-së, rivalët politikë e shohin komisionin të ndikuar politikisht për të ndikuar në forcimin e bazës elektorale të PDK-së, por edhe partisë më të vogël të dalë nga lufta, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e siguron përkrahjen elektorale nga rrjetet shoqërore që përkrahën UÇK-në në pjesën perëndimore të Kosovës. Për shkak që rekrutimi dhe veprimi i UÇK-së ka pasur karakter të fuqishëm rajonal, një numër i madh i atyre që do të pranojnë pensione të veteranëve do të përfaqësojnë një rrjet të gjerë të përkrahjes për të njëjtat parti. Një gjë e tillë ushqen akuzat për korrupsion ndaj Komisionit për gjoja verifikim “të anshëm”.

Është interesant se numri i veteranëve të regjistruar kontestohet edhe nga shoqatat kryesore të veteranëve dhe ish udhëheqësit e UÇK-së, të cilët thonë se guerilja – pjesë e të cilës ishin – kurrë nuk arriti të rekrutojë aq shumë rekrutë gjatë luftës. Krenarë me karakterin e UÇK-së si një grup i vogël heronjsh dhe elitë patriotësh, ata janë dyshues ndaj ardhacakëve të vonshëm në radhët e tyre për përfitime politike apo financiare.

Diskutimi kryesor po zhvillohet rreth numrit të veteranëve të UÇK-së. Gjenerali Agim Çeku, i cili ishte Shef i Shtabit të UÇK-së më 1999 dhe mbikëqyri shpërbërjen e organizatës guerile, parashikoi se në fund të procesit të fundit për verifikimin e statusit të veteranit, numri i veteranëve do të ishte gjithsej 24,500. Shifra e tij personale ndalej në rreth 13,000, por ky numër më i madh ka gjasa që është marrë nga shënimet e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) të vitit 1999.

Nga qershori deri në shtator të vitit 1999, në partneritet me udhëheqësit e UÇK-së, dhe si pjesë e marrëveshjes për çarmatim të nënshkruar mes UÇK-së dhe NATO-s, IOM-i kishte regjistruar luftëtarët që ishin pajtuar t’i dorëzonin armët dhe kishin kërkuar të reintegroheshin në shoqëri – qoftë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, polici apo profesione tjera, pasi t’i kenë përfunduar trajnimet. Shifra përfundimtare ishte 24,577.

Si është e mundur që numri i veteranëve të UÇK-së të jetë aq i kontestuar dhe aq i pabarabartë, varësisht nga kush e bën numrin, dhe në bazë të cilave rregulla të përfshirjes? Arsyeja është e dyfishtë: 1. për shkak se për dallim nga ushtarët e rregullt, pjesëtarët e UÇK-së nuk ishin të gjithë të identifikueshëm, ndonëse shumë prej tyre e kanë veshur uniformën, andaj debati mbi numrin e tyre është politik dhe rrallë i bazuar në fakte; 2. sa i përket ligjit për veteranët, ai përfshin kategori që janë definuar gjerë, njëjtë sikur ligjet e tjera për veteranët e luftërave guerile në Evropë, të cilët nuk e kufizojnë numrin te ata që kanë mbajtur armë.

Guerilët evropianë

Ka shumë pak ose asgjë të veçantë për Kosovën në këtë debat. Gjithkund në Evropë trashëgimia e luftëtarëve jokonvencionalë siç është rasti me guerilët, ka qenë dhe është temë shumë e diskutuar nga shoqatat, individët, partitë politike, mediat – përfshirë memoare, gazeta e libra – dhe nga shteti vet, që shpesh është në konflikt me kujtesën e lokalizuar. Këto çështje janë ato që historiani francez Henri Rousso i quan “vektorë të cilët e rrëfejnë të vërtetën dhe e shmangin atë në të njëjtën kohë, dhe e ndikojnë opinionin publik, por mbesin të ngujuar në dyzimin e lehtë të rezistencës dhe bashkëpunimit, heroit dhe tradhtarit”.

Kjo është arsyeja pse shtatëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka ende paqartësi dhe mospajtim në Francë, për shembull, se kush luftoi kundër nazistëve dhe sa partizanë kanë qenë në të vërtetë. Menjëherë pas luftës, i tërë kombi ishte pjesëmarrës në rezistencë, sipas fjalëve të Gjeneralit De Gaulle, i cili ishte i interesuar në konsolidimin e pushtetit të tij në vend. Vetëm pas kalimit të një periudhe historianët e ekspozuan këtë mit duke zbuluar kujtimin e shtypur të Vichy-t, apo të bashkëpunimit të një pjese të madhe të Francës me nazistët.

Komunistët francezë, pjesa më mirë e organizuar dhe militante e rezistencës, ishin krenarë që në mesin e tyre ishin vetëm disa vetë, dhe kurrë nuk i numëruan partizanët e shumë nacionaliteteve tjera, sidomos hebrenjtë e huaj: këta të fundit nuk kishin më konstituencë dhe kurrë nuk kanë mundur të mburren për rolin e tyre. Gratë pothuaj asnjëherë nuk janë numëruar deri së voni. Hulumtime serioze vazhdojnë të rafinojnë definicionin se kush rezistoi dhe çdo zbulim i ri është traumatik për gjetjet që i bën dhe sesi “vektorët” e ndryshëm e përdorin këtë dije.

Në Itali debati për rezistencën ka qenë veçanërisht i ndërlikuar në periudhën e pasluftës, meqë lufta e partizanëve ka përbërë mitin dominues themelues të Republikës. Por “vektorë” të ndryshëm mbështetën interpretime tjera të fenomenit të njëjtë, dhe në vitet e 90-ta historianët si Claudio Pavone filluan të flasin për rezistencën edhe si luftë civile dhe të klasave. Politikanët e rinj djathtistë që synonin pushtetin e përvetësuan këtë ide duke e ekzagjeruar dhunën e partizanëve dhe duke lobuar për dhënien e pensioneve për fashistët e periudhës pas vitit 1943, që deri në atë moment ishin trajtuar si tradhtarë për shkak se kishin luftuar me nazistët, për shkak se në të njëjtën kohë ata kishin qëndruar pranë Repubblica di Salo-s fatkeqe të Mussolinit, përderisa partizanët ishin “banditë” të parregullt.

A janë veteranë vetëm ata njerëz që mbajtën pushkë?

Këto debate mbase kurrë nuk do të shuhen, as me kalimin e kohës, përderisa “vektorët” e ndryshëm përfshihen në rishkrimin e natyrës dhe trashëgimisë së rezistencës. A do të jetë ky fati i Kosovës gjithashtu? Përgjigja është po.

UÇK-ja ka filluar si lëvizje klandestine e një grushti luftëtarësh në vitet e 90-ta; një grup i ngushtë i familjeve rurale, studentëve dhe elementeve nga diaspora. Deri në eskalimin e luftës nga Millosheviqi për shuarjen e kryengritjes në fund të vitit 1997, një pjesë e madhe e popullatës dhe lidershipit politik të Kosovës nuk i ka njohur dhe nuk është pajtuar me veprimet e tyre. Pa hyrë në detaje, vijat e konfliktit të brendshëm në Kosovë, të vizatuara gjatë luftës janë rimëkëmbur në periudhën e pasluftës përmes garës politike mes partive rivale, për të cilat trashëgimia e luftës vazhdon të mbesë çështja e përsosur emotive për të mobilizuar.

Në realitet lufta guerile është fenomen i vështirë për ta kuptuar dhe shpjeguar. Për këtë arsye hulumtimi rigoroz dhe ngatërresat politike duhet mbajtur të ndara. Hulumtimi shkencor dhe krahasimi me raste tjera tregojnë se veteranë të luftërave guerile nuk janë vetëm ata që mbajnë armë gjatë një periudhe të caktuar kohore.

Tashmë në shkencat politike po shtohet literatura e cila përqendrohet në bashkëveprimin mes forcës guerile dhe përkrahjes civile në luftë asimetrike si përcaktues kyç të suksesit të gueriles, përderisa studiuesit përpiqen të kuptojnë sesi guerilët varen nga popullata civile për mbijetesë. Rëndësia e kësaj marrëdhënieje është e spikatur që në Artin e Luftës, të shkruar në shekullin e V nga Sun Tsu e deri te vendi që kjo marrëdhënie zë në doracakun klasik mbi taktikat e gueriles të liderit revolucionar kinez Mao Tse Tung, të përpiluar në bazë të përvojës së tij në luftën kundër imperialistëve japonezë në mesin e shekullit XX. “Guerilja duhet të jetë në gjendje të lëvizë nëpër popullatë sikur peshku noton në det” – shkroi ai.

Se a bëhet fjalë për informata, strehë apo ushqim, organizatat guerile, të cilat mbështeten në taktika të goditjes dhe ikjes kundër një armiku shumë më të fuqishëm, nuk mund të mbijetojnë pa përkrahjen e civilëve. Pjesëtari i forcës guerile shpesh është pika e fundit në një zinxhir të gjatë të përpjekjes për ta mbështetur luftën, dhe me guerilët aq thellë të futur brenda komuniteteve që i përkrahin, ku mund ta vëmë kufirin mes pjesëmarrësit dhe jopjesëmarrësit?

Disa themelues të UÇK-së kanë shpjeguar se familjet e tyre dhe ato të pjesëtarëve tjerë në rajonet ku operuan kanë qenë të angazhuar në logjistikën e kryengritjes së armatosur. Ata janë mbështetur në strategjinë e rekrutimit të pjesëtarëve të UÇK-së nëpër vendbanime lokale për të vendosur kredibilitet me popullatën vendase, – mungesa e bashkëpunimit dhe mosbesimi i të cilëve i kishte pamundësuar përpjekjet e mëhershme për të nisur një lëvizje të armatosur në Kosovë. Siç ka thënë një udhëheqës i lartë i UÇK-së, “nuk ka pasur shans për UÇK-në të shkojë përpara nëse nuk është mirëpritur në shtëpitë e njerëzve… Nuk mund të udhëheqësh luftë nëse popullin e ke kundër.” Ata që e njohin historinë e kaçakëve e dinë se këta kaçakë vendorë janë mbështetur në familjet e jatakëve, të cilët siguruan bazën e veprimeve të tyre dhe u konsideruan si banditë nga pushteti.

Kjo çështje komplikon numërimin e pjesëmarrësve guerilë, që është pazakonshëm i nënvlerësuar. Në Francë, për shembull, numri zyrtar i pjesëmarrësve në rezistencë, të regjistruar menjëherë pas përfundimit të luftës, nuk i ka përfshirë pjesëmarrësit civilë dhe pothuajse asnjë grua nuk është përfshirë. Dallimet në numra janë po ashtu rezultat i faktit që si në rastin e UÇK-së në Kosovë, jo të gjithë i janë bashkuar gueriles në të njëjtën kohë, dhe shumë më shumë morën pjesë kur gjasat për fitore po shiheshin. Sot e kësaj dite, numri i pjesëmarrësve në rezistencë është temë debati dhe historianët si Robert Gildea dhe Olivier Wieviorka, dy autorë që së fundi kanë bërë botime të rëndësishme mbi rezistencën, i konsiderojnë luftëtarë edhe ata që vetëm kanë shkruar grafitë në mure, apo që kanë bartur dy grepa bambuje (deux gaules në frëngjisht, për të sinjalizuar përkrahjen për de Gaulle) apo që kanë transmetuar informacionin sekret në Londër.

Definicionet ligjore të veteranëve guerilë

Kjo është arsyeja pse ligjet për veteranët janë të gjera dhe përqafojnë ato që duken kategori të gjera të njerëzve. Ligji i Kosovës për veteranët është shumë gjeneroz duke përfshirë: invalidët e luftës të UÇK-së; luftëtarët veteranë të UÇK-së – qytetarë të Kosovës dhe të huaj; të deportuarit e UÇK-së; anëtarët e UÇK-së – “secili person që, me vendim apo ndonjë akt tjetër, është caktuar të ushtrojë detyra konkrete për përkrahje politike, logjistike, financiare apo detyra të tjera të marra nga komandantët e njësive, shtabet dhe zonat e UÇK-së, respektivisht shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999; pjesëmarrës në luftë, por jo gjatë tërë periudhës së luftës; luftëtarët e zhdukur të UÇK-së, si dhe stafi i Kryqit të Kuq që ka operuar në zona të luftës”.

Kur vlerësohet numri i veteranëve të UÇK-së, duhet të jetë e qartë që bëhet fjalë për më shumë sesa luftëtarë, për shkak se guerilja nuk mund të ekzistojë thjesht si një grup luftëtarësh, siç e shpjeguam më lart, dhe për shkak se ligji reflekton një fakt të tillë. Fatkeqësisht, për karakterin e UÇK-së ka pasur shumë më shumë diskutime politike sesa studime, dhe shumë pak apo fare edukim të opinionit publik për vetë ligjin. Kjo është arsyeja pse debati për numrat e komplikon më shumë seç e sqaron problemin.

Një vështrim i thjeshtë i ligjit të Italisë për kompensimin e veteranëve partizanë tregon se definimi i gjerë për veteran nuk është aq i jashtëzakonshëm. Në vitin 1945, komisione rajonale ishin themeluar për të verifikuar tri kategori të parashikuara me ligj: partizan, patriot dhe meritues [benemerito]. Partizan ishte dikush që kishte vdekur në betejë apo kishte mbetur invalid ose kishte luftuar për të paktën tre muaj, ose ishte plagosur por megjithatë kishte luftuar për më pak se tre muaj, apo ishte anëtar i komandës (i angazhuar në aktivitete të ndryshme përfshirë mbledhjen e informacionit) për gjashtë muaj, apo ishte zënë për aktivitete ushtarake dhe ishte mbajtur në burg për gjashtë muaj. Patriot ishte dikush që kishte luftuar për më pak kohë, apo që i ka ndihmuar rezistencës. Dhe meritues ishte dikush që ishte më pak se patriot, por që rrezikoi për t’u ndihmuar çetave. Kjo vetëm pjesërisht i përfshiu njerëzit që ishin të angazhuar në logjistikë, e në veçanti gratë. Megjithatë, vetëm në Piedmont, ishin 100,000 njerëz të regjistruar sipas këtij ligji.

Procesi i regjistrimit në Itali ka ndodhur menjëherë pas luftës. Në Kosovë, ky regjistrim po ndodh 17 vjet pas luftës për shkak se ka pasur kundërshtim të fuqishëm për Ligjin e veteranëve, përfshirë edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila e ka administruar Kosovën për gati dhjetë vite. Njëri nga argumentet ishte se Kosova nuk do të mund të përballojë edhe një sistem të asistencës.

Italia doli nga lufta e shkatërruar dhe e varfër, por nuk i harroi ata që luftuan për lirinë e saj. Kosova tashmë ka ndërmarrë mbi vete një rrezik të ngjashëm. Megjithatë, duket se për këtë çështje ka mëdyshje dhe mbase ka arsye të forta të mendohet që një shumë e tillë parash nuk mund të sigurohet për t’i financuar gjithë ato pensione.

Mënyra për ta zgjidhur një çështje të tillë nuk është debati i pafund, por masa të qarta politike. Nëse problemi qëndron te buxheti, atëherë qeveria duhet t’i kërkojë parlamentit ta shfuqizojë ligjin. Por, nëse ka dyshime që numri i veteranëve të regjistruar është shumë i lartë edhe kur të merren parasysh kategoritë e gjera të ligjit, atëherë një task-forcë e pavarur dhe reprezentative duhet ta rishqyrtojë punën e Komisionit, t’i përmirësojë gabimet dhe t’u japë fund spekulimeve të pafundme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.