Është qershori i vitit 1999, por jo në këtë univers, në një tjetër. Paralel. Një nga universet e pakufi që krijohen nga dridhjet e lehta të telave. Atyre telave që përbëjnë gjithçka. Edhe mua, edhe ty, në të gjitha versionet tona të mundshme. Dhe ngjarjet në vijim mund të tingëllojnë si të pavërteta në universin tuaj. Por diku, disi, ato mund të jenë edhe të vërteta. Kuptimi i tyre mund t’u mbijetojë shumëfishësisë së universeve.
***
Në këtë qershor, në këtë univers, është krijuar përshtypja se kaosit i cili ka mbizotëruar Ballkanin për një kohë të gjatë , po i vie fundi. Bombardimet e vazhdueshme nga NATO duket që më në fund po japin efektet e tyre. Sidoqoftë, situata ende mbetet shumë e brishtë. Lufta qe aq e rëndë sa që njerëzit ende nuk po arrijnë të i kuptojnë ndjenjat e tyre. Për më tepër, ekziston një frikë e madhe që ndalimi i këtij konflikti, do të shndërrohet në problem të brendshëm shtetëror. Pushtetarët kosovarë, të cilët në idenë e supremacisë nacionale shpërlanin mendjet e popullit kosovar, nuk e kanë të gjatë. Në këto troje, kosovarët moti nuk kanë organizuar protesta më të mëdha se këto kundrejt këtyre pushtetarëve. Frustrimi ndihet gjithandej. Zemra e Kosovës, është duke u mëvetësuar nga ‘ndërkombëtarët’ për shkak të një lideri të papërgjegjshëm kosovar. Në anën tjetër, serbët po festojnë gjithandej. Pas një periudhe të gjatë ata ndihen që mund të jenë pjesë e një shteti që iu takon atyre. I gjithë Beogradi është i mbushur me njerëz që këndojnë, vallëzojnë e valëvisin flamuj serb. Liderët politik po u thonë popullit të tyre se kjo tokë nuk mundet më kurrë të tjetërsohet. Sipas tyre, e vërteta më në fund po triumfon. Serbia më kurrë nuk do të jetë pjesë e Kosovës. Kosova kurrë më nuk do të mund ta pushtojë Serbinë.
***
Është nëntori i vitit 2001. Universi mbetet i njëjtë. OSBE-ja po mbikëqyrë zgjedhjet e para të mbajtura për Kuvendin e Serbisë. Pas zgjedhjeve, duket që partitë politike serbe do të krijojnë një koalicion të gjerë. Synimi i tyre është që unanimisht të zgjedhin një Kryeministër dhe President. Kosova është plotësisht kundër këtij procesi. Në sytë e popullit dhe përfaqësuesve të shtetit, ky është një akt i papranueshëm. Me këto veprime, bashkësia ndërkombëtare në mënyrë indirekte po e sfidon durimin e popullit brenda Kosovës. Në anën tjetër, nacionalizmi duket që ka arritur kulmin në Serbi. Ekziston një frymë mjaft shqetësuese. Kosovarët në Serbi, që kryesisht jetojnë në katër qytetet jugore, por edhe në qytetet e tjera, ndihen të kërcënuar. Sulme sporadike janë dëshmuar të kenë ndodhur gjithandej. Situata nuk është e ngjashme në Kosovën Veriore, ku ende jeton një numër i vogël i serbëve.
***
Mars 2004. Grupe të shumta serbësh kanë sulmuar makinat e NATO-së që e mbrojnë urën, me synim dëbimin e shqiptarëve nga pronat e tyre. Ata duan që kosovarët të mos jetojnë më kurrë në ato treva. Objektet fetare kosovare, po demolohen gjithandej. Edhe vetura e të ashtuquajturit kryeministër të Serbisë, është sulmuar. Serbët po e tregojnë fytyrën e vërtetë të tyre. Ata nuk mund të durojnë bashkëjetesën me popuj të tjerë. Edhe nëse për të mos lejuar diç të tillë, ata duhet të kthehen kundër liderëve të tyre. Kosova nuk mund të qëndrojë duarkryq. Fati i jetëve të mijëra qytetarëve kosovarë është në duar të pasigurta. Presioni i madh ne Kosovë ka mobilizuar elitën politike kosovare. Disa nga këta liderë, kanë shkuar edhe në Serbinë jugore. Ata kanë diskutuar me popullin tonë atje, duke iu garantuar që ata nuk mund të dëmtohen nga askush. Shteti i Kosovës do të i mbrojë ata me çdo mjet.
***
Shkurt 2008. Serbia, shpalli sot në mënyrë të njëanshme pavarësinë. I ashtuquajturi Kryeministër i Serbisë lexoi deklaratën mbi të cilën ata e shohin vetën si të ndarë dhe të pavarur nga Kosova. Atë e bëri shpejt dhe ngutshëm, sikur frikësohej se Presidenti apo Kryetari i Kuvendit do t’ia merrnin fjalën pak para se ta shpallte atë. Separatizmi serb arriti të ketë mbështetjen e perëndimit, edhe pse tendencat për margjinalizimin e popullit kosovar në Serbi janë të qarta. Kjo është një ditë zie për drejtësinë ndërkombëtare. Por, territori i Kosovës mundet të ndahet vetëm përkohësisht nga gjiri i saj. Serbia nuk është asgjë më shumë se një projekt ndërkombëtar. Ajo është mëshirim i interesave imperialiste amerikane dhe i dëshirës për dominim të rajonit nga ta.
***
Janar 2015. I ashtuquajturi shteti serb po vazhdon me metodat e njëjta të frikësimit ndaj kosovarëve. Ata nën hije po bindin serbët të protestojnë kundër ministrit kosovar për kthim dhe komunitete në të ashtuquajturën qeveri të Serbisë. Masa të shumta njerëzish janë mbledhur në sheshin kryesor të Beogradit, me qëllim shkarkimin e tij. Ata janë konfrontuar me policinë, dhe kanë sulmuar objektet shtetërore të Kosovës në Beograd, të uzurpuara nga politikanët serb pas konfliktit të brendshëm. Njëjtë si në marsin e vitit 2004, ata po shfaqin agresivitetin e tyre edhe ndaj serbëve që bashkëpunojnë me popullin tonë atje. Ministri kosovar është bërë cak i sulmeve, vetëm e vetëm që të mos lejohet kthimi i kosovarëve në shtëpitë e tyre. Barbarizmi dhe fashizmi serb s’ka të ndalur.
***
Fundi i shtatorit, viti 2016. Historia tanimë ka marrë dimension krejt tjetër. Kosova ndihet e fyer me mënyrën se si është trajtuar deri tash. Zëri i saj racional se intervenimi i NATO-s në Serbi, dhe instalimi i institucioneve paralele atje nuk është legjitim, ka hasur në vesh të shurdhër. Edhe pse ata janë dëshmitarë të një fashizmi supresiv e të pastër serb, për shkak të interesave të tyre, vazhdojnë të qëndrojnë mënjanë. Andaj, obligimi i mbrojtës së kosovarëve në Serbi, nuk mundet të jetë asgjë tjetër veçse mision parësor për Republikën e Kosovës. Në një takim më ambasadorin amerikan, kryeministri kosovar potencoi dështimet në garantimin e të drejtave të kosovarëve atje. Kosovarët qe njëzetë vite nuk po munden të kthehen në tokën ku kanë lindur. Bashkësia ndërkombëtare nuk po duket aq e gatshme për të ndërhyrë në përmirësimin e gjendjes në terren. Kryeministri i Kosovës shpjegoi që NATO-ja intervenoi kundrejt një lideri të papërgjegjshëm kosovar i cili shpërlante mendjet e popullit të Kosovës, por nuk po reagon ndaj një populli i cili me vetëdije të plotë po shtypë kosovarët. Në fund, me ironi, ai shtroi një pyetje: “A thua, a do të intervenonte bashkësia ndërkombëtare nëse Kosova do të ishte në vendin e Serbisë?”
***
Kjo histori alternative nuk ka epilog. Fundet nuk janë gjë tjetër pos fillime të reja. Fundet perceptohen si të tilla veç nga të fundosurit. Të përfunduarit. Gjithçka tjetër është veç pak ushqim për mendje të shëndosha.
________________
Foto: Quinn Dombrowski / Flickr Creative Commons [CC by 2.0]