Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Popullizmi dhe demokracia

Fitorja e befasishme e presidentit tashmë të ri amerikan, Donald Trump, në një shtet me traditë të gjatë e ndër më shembullorët në botë për demokraci, sjell dilema të reja. Dilemat dhe brengat janë si rreth të ardhmes së sigurisë botërore ashtu edhe rreth ndikimit që mund të ketë kjo në skenën politike, elektorale dhe demokracinë në shumë vende të tjera të globit.

Debate dhe analiza të ndryshme akademike e politike anekënd globit po zhvillohen rreth shkaqeve e pasojave të zgjedhjes së tij, por edhe rritjes e ndikimit tek forcat politike të së djathtës ekstreme. Në një pjesë të mirë të këtyre reflektimeve theksohet dukuria e popullizmit si një doktrinë politike mbi të cilën burrështetas si Trump, Berlusconi, Putin, Erdogan, Victor Orban dhe shumë udhëheqës të tjerë në botë po marrin pushtetin dhe po e mbajnë atë për kohë të gjatë.

Suksesi i tyre në zgjedhje vë në pah lëvizje politike përtej të djathtës e të majtës tradicionale, dhe nevojën për rikonceptim të sistemit partiak, orientimeve ideologjike si dhe ndryshimet paradigmatike në politikën që njihej deri tani. Në mënyrë paradoksale zërat popullist dalin si kundërshtuesit më të zëshëm e të ashpër të globalizmit apo liberalizmit ekonomik. Ndërkohë që prijësit e këtyre rrymave politike, si të lartpërmendurit, shpesh janë përfituesit më të mëdhenj të tyre. Meqë dallimet konvencionale rreth të majtës dhe të djathtës nuk janë aq thelbësore, popullizmi ka një zbrazëti ideologjike për t’u shërbyer me çështje të dy krahëve, në mënyrë dhe trajtë pothuajse të njëjtë. Siç ishte rasti me ekstremin e majtë nga Hugo Chavez apo së fundmi me Syriza në Greqi apo me të djathtën e ekstremit në Francë, Austri, Finlandë etj. Por, çka e karakterizon popullizmin si rrezik ndaj demokracisë? A është kritika ndaj të huajve, kundërshtimi i neoliberalizmit, apo luftimi i elitave ekonomike ajo që po çon në rritjen  dhe suksesin zgjedhor të tyre? Apo afërsia me popullin e ‘rëndomtë’ dhe thjeshtësia e ofrimit të zgjidhjeve mjaft komplekse dhe tejet të rënda socio-ekonomike?

Në parim popullistët, duke u thirrur gjithmonë në emër të popullit, refuzojnë pluralizmin, pasi që pretendojnë se janë përfaqësues dhe mbrojtës vetëm të interesave të popullit. Ata e konsiderojnë shoqërinë të ndarë në dy grupe antagoniste, ku ‘populli’ përbën pjesën e pastër e ideale, kurse elitat në pushtet dalin të korruptuara e të pavlefshme. Kjo çon në polarizim të skajshëm të raporteve politike e shoqërore, ku subjektet dhe liderët popullistë synojnë ndarjen midis popullit dhe establishmentit politik, ekonomik, mediatik etj. Një faktor që e thellon këtë ndarje është radikalizimi i diskursit, sidomos karshi ‘armiqve’, kundërshtimi i sistemit ekzistues dhe manipulimi i resentimenteve respektivisht frikës dhe paragjykimeve latente ndaj grupeve të caktuara shoqërore. Akuzat politike për gjendjen sociale dhe ekonomike shfrytëzohen për të rritur urrejtjen ndaj ‘sistemit’ dhe përfaqësimit politik e me ketë edhe të demokracisë. Nëse popullistët arrijnë pushtet dhe e konsolidojnë atë mjaftueshëm ekziston rreziku real që demokracia liberale të përfundojë në një sistem autoritar, ku të tjerë që nuk janë me ‘popullin’ mund të përjashtohen. Së fundmi shembulli me Turqinë nën pushtetin autokratik të Erdogan, ku me mijëra kundërshtarë politikë u larguan nga pozitat e vendet e punës dhe me qindra gazetarë e politikanë u burgosën, na e ilustron këtë tendencë më së miri.

Tendencat populliste si në të kaluarën, jo fort të largët, ashtu edhe tani po hasim në rritje çdoherë e më shumë në Evropë dhe veçanërisht në Evropën Juglindore: përderisa në Evropën perëndimore ksenofobia, pra urrejtja ndaj emigranteve, po kthehet si temë bosht dhe forcë shtytëse në rritjen e popullizmit. Në rajon janë, si zakonisht retorikat nacionaliste e tonet shoviniste ato që përfshihen dhe ndikojnë në rritjen e popullizmit. Sidomos, gjatë fushatave zgjedhore, gjë që me zgjedhjet presidenciale si në Bullgari apo së fundmi ato në Maqedoni na ilustrojnë qartazi. Se kemi të bëjmë me një retorikë çdo herë e më populliste, mund ta vërejmë edhe ne rastin e Kosovës, ku politikat publike e sektoriale ose orientimet makro-ekonomike nuk duken si prioritet i forcave politike e as që paraqesin tema debatesh. Janë çështjet ‘kombëtare’ ato që vlojnë gjakrat në diskursin publik e veçanërisht në përballje politike. Në kohën kur kushtet e rënduara socio-ekonomike kërkojnë veprime strategjike e të duhura, preokupimi për të demonizuar institucionet shtetërore dhe bërë akuza të ndërsjella, flet për krizë të demokracisë. Ndërsa në kohë krizash besimi ndaj institucioneve rëndom zëvendësohet me besimin në personin apo grupe shpëtimtare, që ofrojnë zgjidhje ‘popullore’.

Kjo dukuri sado që duket triviale, është tregues i mjaftueshëm i tendencave të shtuara të popullizmit. Pasi që një ndër hapat e parë të rrymave populliste, është të shtohet mosbesimi në institucionet publike. Nxitja e mosbesimit ndaj institucioneve dhe dyshimit të përgjithshëm ndaj rendit shtetëror, bëhet për të mobilizuar masat për ndryshim të tërësishëm të sistemit ekzistues. Zakonisht diskursi i tillë përcillet me urrejtje ndaj përfaqësuesve të këtyre institucioneve ose edhe ndaj atyre grupeve që nuk mbështesin ide të tilla. Në rastet kur e djathta ekstreme përdor retorikën anti-establishment për të mobilizuar masën e pakënaqur e të frikësuar, janë emigrantët e politikat e migrimit që instrumentalizohen për të krijuar një klimë kërcënimi nacional.

Në rastin tonë, janë sidomos negociatat me Beogradin dhe marrëveshjet, që shfrytëzohen për të ndjellë frikën, dyshimin e mosbesimin e vazhdueshëm ndaj institucioneve dhe elitave në pushtet. Nuk janë dallimet ideologjike, as programet partiake ose politikat publike, por pikërisht kjo çështje, që shërben si arenë e platformë politike mbi të cilën synohet përkrahja e ‘popullit’ e me këtë edhe marrja e pushtetit. Ofrimi i zgjidhjeve të shpejta e të përgjithshme për sektor e çështje të ndërlikuara është karakteristikë tjetër e popullizmit. Për gjendjen e rëndë ekonomike, sociale jepen ‘zgjidhje’ të shpejta e të lehta. Kurse ne çdo ditë po ballafaqohemi me probleme të cilat kërkojnë seriozitet e përkushtim të shtuar për t’i zgjidhur ato.

Diskursi dhe veprimet populliste janë sikur kameleoni, që ndryshon ngjyrën sipas ambientit, pasi që përshtatin qëndrimet e premtimet përherë sipas rrethanave e kërkesave të masës. Nëse sistemi demokratik është në krizë, si anekënd botës ashtu edhe në Kosovë, zgjidhja assesi nuk është, e as nuk mund të jetë popullizmi. Sepse, të luftohet për pushtet, nuk do të thotë kurrsesi që duhet të shembet sistemi e aq më pak të urrehen institucionet  publike.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.