“Socializmi – apo tirania e më të ligëve dhe e më të patruve, – domethënë, e të cektëve, e lakmitarëve, dhe e palaçove, në zenitin e tij – është, në thelb, konkluzioni logjik i “ideve moderne” dhe i anarkisë së tyre latente: por në atmosferën e ngrohtë të mirëqenies demokratike kapaciteti për vendosmëri apo madje edhe për të arritur në një përfundim çfarëdo, është i paralizuar. Njerëzit binden – por jo më arsyes së tyre. Prandaj socializmi, në përgjithësi, është esencialisht i kalbur. Dhe nuk ka asgjë më zbavitëse sesa të vëzhgosh shpërputhjen mes fytyrave të ngrysura dhe të dëshpëruara të socialistëve të sotshëm – e çfarë nuk na zbulon ne stili i tyre, mjerim dhe ndjenja të çoroditura! – dhe lumturisë së shpresave dhe dëshirave të tyre prej qengji. Megjithatë, në shumë vende në Evropë, shkaku i tyre mund të ketë shpërthime dhe ballafaqime të dhunshme dhëmb me dhëmb: shekulli i ardhshëm ka mundësi të shkundet fuqishëm në më shumë se një vend, dhe Komuna e Parisit, e cila ka mbrojtës dhe përkrahës edhe në Gjermani, do të duket vetëm si një dhimbje e lehtë lukthi krahasuar me atë që do të vijë. Sido që të jetë, gjithmonë do të ketë tepër mjaftueshëm njerëz me prona që socializmi të përbëjë ndonjëherë diçka më shumë se një atak sëmundjeje: dhe këta njerëz të pronave janë si një dhe i vetëm me një besim, “njeriu duhet të posedojë diçka në mënyrë që të jetë dikushi.” Ky, sidoqoftë, është prej instinkteve më të vjetra dhe më të shëndetshme; më duhet të them: “njeriu duhet të dëshirojë më shumë sesa që ka në mënyrë që të bëhet më shumë.” Se ky është mësimi që vetë jeta ua mëson të gjitha qenieve të gjalla: moraliteti i Zhvillimit. Të kesh dhe të duash të kesh më shumë, me një fjalë, Rritje – kjo është vetë jeta. Në mësimet e socializmit “vullneti për mohim të jetës” është dobësisht i maskuar: njerëz dhe raca të dështuara duhet të jenë ato që kanë zhvilluar këso lloj mësimi. Madje, do të dëshiroja të mund të bëheshin disa eksperimente për të dëshmuar se në shoqërinë socialiste jeta e mohon vetveten, dhe i pret vetë rrënjët e veta. Toka është mjaftueshëm e madhe dhe njeriu është ende i pashterur deri në fund për një mësim praktik të kësaj natyre dhe demonstratio ad absurdum – qoftë edhe nëse kjo do të arrihej me humbje të pafund jetësh – që të jetë e vlefshme për mua. Megjithatë, Socializmi, si një urith që nuk gjen prehje poshtë themeleve të një shoqërie, të zhytur në budallaki, do të jetë në gjendje të arrijë diçka të dobishme dhe për t’u përshëndetur: do ta vonojë “Paqen në Tokë” dhe tërë procesin e qulljes së karakterit të tufave demokratike; e detyron evropianin të sigurojë rezerva shtesë të intelektit, – dhe po ashtu e shpëton Evropën për pak kohë nga kërcënimi i marasmus femininus.”
*
Më thoni, a nuk e shohim fytyrën e Liderit te ato fytyrat e ngrysura e të dëshpëruara të Nietzsches? Sa herë ajo fytyrë më prezantohet nga kullat televizive (nganjëherë më duket se më flet vetëm mua), ajo më vije si valë stuhish të së ngrysurës, të ceremonisë mortore e cila në fund të fjalimit thotë lavdi!, të statujës së bronztë që komunikon kumtin e kobshëm për popullin, një rekuiem për të gjithë të gjallët, viktima të mashtrimit të tij të madh. A nuk e shohim lumturinë e shpresave dhe dëshirave prej qengji në fytyrën e secilit aktivist-idealist? Apo të të kooptuarve të shoqërisë civile, të cilët më në fund iu nënshtruan shantazhit të lëvizjes, shantazhit se duke mospërkrahur lëvizjen po i përkrahin kriminelët, se të qëndruarit përmbi zhvillimet politike është cinizëm postmodern, se të qëndruarit indiferent apo qoftë edhe vetëm të qëndruarit neutral është të zgjedhësh anë, është të neutralizosh forcën e vetme progresive, shansën e vetme “për të bërë shtet.” Të kërkosh të mbash distancë dhe të provosh ta kërkosh të vërtetën përmes mënyrave tua të pavarura është ta përkrahësh regjimin kriminal. E një regjim kriminal është regjim vrastar. Më thoni, pra, cili nga humanistët civilë, pacifistët integrues, socialistët demokratë, gazetarët-martirë të interesit publik, OJQ-istë “celebrities”, yje të mbrëmjeve televizive, do t’i rezistonte këtij shantazhi? Pothuaj asnjëri, mbase vetëm ata që nuk i shohim kurrë në TV, ata që nuk shkruajnë statuse në Facebook, joheronjtë; ata që nuk dalin me shkrime në portale. Ideja se mund të jenë në anën e regjimit kriminal e vrastar i tmerron, se disi, kushedi si, mund të jenë bashkëfajtorë në krimet e pushtetit. E kuptoni ç’do të thotë për një humanist të dhembshur demokratik të jetë në anën e gabuar të historisë? Do të thotë ta jetosh ferrin dyfish, një herë në tokë e pastaj në përjetësi. Të piqesh dy herë në turrën e druve të ndërgjegjes, të shkrumbohesh në furrën e moralit. Ky shantazh e shpjegon pse edhe disa të vetëshpallur socialdemokratë apo demokratë liberalë, jo vetëm i bashkohen Partisë mëmë por edhe vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik asaj pavarësisht se çka, pavarësisht se çdo veprim i saj shkon kundër besimeve të tyre, pavarësisht se ato veprime janë në kundërshtim me të kaluarën e tyre, me natyrën e tyre, më duhet të them: konformiste. Këta janë soji prej të cilëve përbëhen regjimet totalitare. Por kush jam unë të gjykoj, një rrogëtar qeverie, argat i zellshëm i regjimit kriminal. Vetëm para dhjetë vitesh e më pak po luftoja korrupsionin dhe krimin e organizuar me një vetëmohim të pashoq. Ky është mëkati im kardinal, i pafalshmi!
I jeni dorëzuar një mendjeje të ngushtë, totalitare, një mendimi që nuk njeh të ndryshmen, që të kundërtën e njeh vetëm si negative që duhet nënshtruar dhe absorbuar si vetvete. I jeni nënshtruar mashtrimit nacionalisto-ideologjik, të maskuar si luftë për shtet. Jeni joshur nga idetë progresive të një intelektualizmi të stisur, të kritikës superiore të mbështjellë me mëri e hakmarrje; jeni ndjerë të vegjël e inferiorë e prandaj jeni dorëzuar pavullnetshëm në gjirin e intelektualizmit të majtë si një foshnje e braktisur në lumin e rrëmbyeshëm. E majta është seksi, është revolucioni! Është madje erotike! Prandaj revolucionin e doni nga shtrati, prej rehatisë së ngrohtë shtëpiake, që assesi të mos e braktisni sigurinë e gjirit familjar borgjez. Mbase Nietzsche ka të drejtë, socializmi të paktën do ta vononte qullosjen e karakterit të tufave demokratike. Por kam frikë se jemi vonë edhe për të.
*
Regjimi do të vazhdojë të jetë kriminal, ai do të vazhdojë të jetë vrastar, edhe atëherë kur ju do të besoni se ai është demokratik. Nuk ka kauzë, nuk ka atribuim përgjegjësie e prandaj nuk ka as drejtësi – të paktën jo si e drejtë natyrore dhe e përhershme. Historia nuk do të na e sjellë progresin, ky është mashtrimi më i madh i Iluminizmit. Është projektuar një regjim monstruoz, në mënyrë që kauza pastaj të jetë heroike. Kërkohet viktimizimi përmes burgosjeve, viktimave, gjakut e martirizimeve, vetëmohimit e sakrificës, me armik të përmasave karikaturiale, në mënyrë që ngadhënjimi të jetë i përmasave dramatike, në një luftë për jetë a vdekje. Diçka si të thuash: Bibla e shpjeguar për alienë! Pyetjen të rrosh a të mos rrosh, duhet ta kishim zgjidhur qëmoti; duhet të ishim përcaktuar për jetën. Por jo, mendja e robëruar vetëm të rezistojë di, ajo asnjëherë nuk di të jetë krijuese dhe inventive. Vetëm si e nënshtruar ndjehet vetvetja.
Ajo ka specializuar në drama dhe spektakle publike. Në rolet kryesore është gjithmonë Lideri dhe fytyra e tij e ngrysur që na e kumton lajmin e kobshëm, manipuluesi suprem! E masat statiste ekzaltohen. Sa më e ngrysur fytyra, sa më i tmerrshëm kumti, aq më të ekzaltuara masat. Histeri e plotë! Luftë Totale dhe Radikale u kërkonte Goebbelsi gjermanëve dhe ata ekzaltoheshin. Lëvizja nuk mund të jetojë pa drama, asaj i duhet dramë në mënyrë që t’i japë jetë materies së vdekur. Populli është pjesëmarrës aktiv në këtë shfaqje spektakolare, ai merr dhe jep: merr dramë, jep zbrazëti, boshllëk shpirtëror e mendor. Lëvizja ka arritur ta bëjë politizimin e skajshëm të qytetarëve pikërisht për shkak se hapësira për indoktrinim ka qenë e lirë, sikurse ka qenë për imamët e Lavdrim Muhaxherit. Në mungesë të çfarëdo alternative kulturore, artistike apo shpirtërore, ajo ka gjetur hapësirë që t’i ngrysë shpirtrat e tyre në dramë politike, e cila vetëm sa e thellon mjerimin dhe vuajtjet e tyre. Mund ta imagjinoni një parullë në njërën nga mitingjet e ardhshme të lëvizjes, “s’duam bukë, duam spektakël!” Derisa të pësojmë kolaps nga mbidoza.
Dhe tash kemi arritur në një gjendje të trullosjes shoqërore deri në atë pikë sa është bërë tërësisht e pamundur të kuptosh ndonjë gjë, të kuptosh çfarëdo të vërtete sado e thjeshtë qoftë ajo. Mashtrimi dhe e vërteta janë futur nën një jorgan dhe prej saj ka lindur një çoroditje, një pështjellim i plotë i kapaciteteve gjykuese. Mosbesimi është shndërruar në esencën tonë, ne nuk i besojmë asnjë autoriteti final më. Dhe, ndonëse është zierje e saj, ky assesi nuk është vetëm faji i lëvizjes, partitë aktuale bëjnë çmos që ajo të fitojë. Këta punojnë ditën e natën që qytetarët të zhgënjehen maksimalisht ashtu që në fund të triumfojë lëvizja. E megjithatë, nuk do të jetë kurrfarë fitore, sepse brumi i saj nuk do të jetë afirmimi i ndonjë vlere pozitive, por përbërësit e saj do të jenë inati, mëria, urrejtja, smira, hakmarrja. Do të jetë votë tërbimi, dhe këto zakonisht zhgënjejnë më së thelli.
Sidoqoftë, fitorja e popullit do ta ketë një të mirë: do ta përshpejtojë arritjen e fundit tonë. Sepse andej jemi nisur, symbyllur! Çdo ndërhyrje është vetëm vonim, sepse shpëtim nuk ka. Sa më shpejt ta arrijmë fundin, aq më mirë do të jetë. Tekembramja, është i vetmi konkluzion logjik.
*I tërë paragrafi i parë është marrë nga vepra e papërfunduar e Friedrich Nietzsche-s, Will to Power, botuar pas vdekjes së tij.