Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Vetëvendosje nuk është Prishtina – Prishtina nuk është Vetëvendosje!

Illustration: Big Eye

Kur fillova ta lexoj kolumnen e Armend Mazrekut, mendova: “Saktë!”, dhe iu gëzova faktit që dikush më në fund po deklarohet për raportin e zhdrejtë të analistëve me Vetëvendosjen, çështje për të cilën ka kohë që ankohem e diskutoj në rrethin tim shoqëror. Mirëpo, tutje gjatë leximit hasa në disa pasaktësi. Si studente e magjistraturës, kjo është koha më e papërshtatshme të merrem me çfarëdo aktiviteti tjetër përpos provimeve. Mirëpo, vlerësova që është e udhës të bëj një replikë të shkurtër rreth atyre që i ka thënë Mazreku, me shpresën që po kontribuoj në një debat që ia vlen të shtjellohet edhe më shumë.

Si fillim, propozoj të fokusohemi tek perceptimi se në Prishtinë nuk ka korrupsion. Para së gjithash, duhet ta kemi të qartë se korrupsioni në Kosovë ekziston në të gjitha format e manifestimit të tij. Pra, në Kosovë nuk kemi vetëm Grand Corruption që nënkupton formën top-down dhe ndodhë në nivelet më të larta të sistemit politik, ku vendim-marrësit krijojnë ligje, rregullore, apo në përgjithësi kushte të volitshme për bizneset të cilat përfaqësojnë interesat e tyre, apo thënë ndryshe me të cilat do ta ndajnë përfitimin. Korrupsioni në Kosovë i ka rrënjët aq thellë sa manifestohet edhe në formën e Petty Corrupion, që nënkupton se qytetari për një certifikatë të lindjes i jep 10 euro dhe e kryen punën më shpejt. Në këtë pikë kryetari i Prishtinës nuk ka kontroll mbi secilin zyrtar të Komunës së Prishtinës, dhe përgjegjësia e tij nuk është të çrrënjosë këtë dukuri nga praktikat tona shoqërore, mirëpo çka  dua të them është që nuk mund të themi që Prishtina është oazë në Kosovën tonë korruptive.

E dyta, mungesa e korrupsionit është me peshë vetëm atëherë kur krahas saj ka edhe projekte të mëdha zhvillimore. Vetëvendosjen në Prishtinë në gjithë periudhën qeverisëse e ka përcjellë problemi i harxhimit të buxhetit. Fatkeqësisht, për nevoja të këtij shkrimi më duhet të renditem në anën e Bajrush Morinës dhe të them që qeverisja e mirë, edhe pse vërtetë që sidomos në Kosovë ndërlidhet ngushtë me mungesën e korrupsionit, nuk përfundon me mungesë të korrupsionit. Nuk mund të ketë qeverisje të mirë atëherë kur nuk ka projekte të mëdha zhvillimore, nuk ka parqe, parkingje. Mungesa e korrupsionit dhe transparenca, karakteristika këto që i ka qeverisja e Shpend Ahmetit, kanë kuptim vetëm atëherë kur përmbushet elementi kryesor i qeverisjes së mirë që lidhet me efikasitetin dhe realizimin e projekteve. Domethënë, mungesa e korrupsionit është element pozitiv dhe funksional vetëm atëherë kur ka vendime, projekte e zhvillim përmbajtësor.

Tutje, në shumicën e rasteve kur Vetëvendosje në nivelin qendror e ka shansin të ndikojë në diskursin shoqëror, atëherë mbizotërojnë temat e bashkimit kombëtar, negociatave e demarkacionit. Për këtë mund të bëhet një test i thjeshtë. Nëse e pyetni cilindo qytetar në rrugë të Prishtinës për çka lufton Vetëvendosje, do të thotë për bashkim kombëtar. Nëse ua bëni pyetjen pasuese: Cila është çështja e dytë për të cilën lufton Vetëvendosje, do të thonë demarkacioni, negociatat e kështu me radhë. Madje, jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal, komuna e Prishtinës, për shembull, organizon panairin Blej Shqip e jo Blej Produkte Kosovare (nuk di si do të ndihesha po t’isha qytetare serbe e Prishtinës në raport me përfaqësimin që kjo komunë ma bën, sigurisht jo mirë). Njëjtë ndodhë edhe kur me 28 nëntor, Komuna e Prishtinës, posaçërisht, kujdeset që flamujt kuq e zi të vendosen në gjithë Prishtinën.

Një tjetër pikë e ngritur nga Mazreku është që Lëvizja Vetëvendosje po e lufton dhe parandalon korrupsionin. Të jesh i pakorruptuar nuk është e barazvlefshme me luftim dhe parandalim. Luftimi i korrupsionit mund të bëhet në disa forma, por jo vetëm duke mos qenë i korruptuar.

Mungesa e korrupsionit në Komunën e Prishtinës nuk reflekton gjithë kontributin e Vetëvendosjes në luftën kundër korrupsionit. Vetëvendosje si parti parlamentare e ka për detyrë të ngrisë këto çështje në parlament e gjetiu. Nuk e mohoj që Vetëvendosje ka bërë një gjë të tillë në të kaluarën, mirëpo fokusi i kësaj partie ende mbetet tek temat e mëdha. Kësisoj, domosdo, edhe perceptimi i qytetarëve të Kosovës përfshirë analistët do të jetë, me të drejtë, që nuk mjafton që në një komunë që nuk ka korrupsion, është duke qeverisur mirë dhe e ka përmbushur misionin. Për më tepër, kjo nuk reflekton përpjekjet apo kontributin e tërë partisë në luftën ndaj korrupsionit.

Krejt në fund, pajtohem që analistët në Kosovë nuk po ia japin një shans Vetëvendosjes! për të dëshmuar që do të qeveris mirë me Kosovën. Për këtë sigurisht që kanë arsye personale e profesionale. Vetëvendosje, në anën tjetër, duhet të reflektojë se pse ka krijuar këtë antipati në mesin e analistëve. Për mua ende mbetet e paqartë se si sidomos në krahasim me alternativat qeverisëse që i kemi pasur gjithë këto vite, analistët vazhdojnë të hezitojnë ta përkrahin Vetëvendosjen. E kuptoj përgjegjësinë profesionale që e kanë. Ata duhet ta ruajnë neutralitetin, mirëpo ky neutralitet sipërfaqësor nuk është asgjë tjetër pos anim ndaj status quo-së.

Po marr lirinë ta krahasoj situatën politike në Kosovë me atë në Amerikë. Në raport me alternativën qeverisëse dhe vlerat politike që përfaqëson Vetëvendosje në krahasim me dy partitë kryesore, mund të themi që rasti është i ngjashëm me Partinë Demokratike dhe atë Republikane (sidomos me Trump si kandidat, tani president i zgjedhur). Dhe ndërsa në Amerikë pamë një rreshtim absolut në anën e Demokratëve nga të gjithë analistët me mend në kokë, sidomos duke e parë alternativën e rrezikshme që ofronte Trump, në Kosovë ende nuk kemi një përkrahje të tillë për ndryshim, me gjithë përvojën dhe njohuritë që i kemi për alternativën e rrezikshme dhe shkatërruese që dy partitë kryesore në vend ofrojnë. Kur jemi tek ofrimi i shansit, ta hajë dreqi, Amerikanët ia dhanë shansin një njeriu si Trump në emër të ndryshimit të status quo-së, pse nuk duhet ne t’ia japim shansin Vetëvendosjes? Amerikanët i dinë gjanat :).

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.