Rritja e tensioneve me Serbinë pas provokimeve të shtuara që po bëhen nga Beogradi me rastin e zgjedhjeve presidenciale që po afrohen pas dy muajsh në Serbi, ka sjellë befas rishfaqjen e propozimeve për ndarjen territoriale të Kosovës në baza etnike. Deri diku është e kuptueshme që kjo tezë të manifestohet në arenën ndërkombëtare nga analistë që shqyrtojnë gjithfarë alternative teorike apo lobistë të mirëpaguar, por e pakuptueshme pse të propozohet ditëve të fundit nga figura publike shqiptare si Rexhep Qosja, Ben Blushi, Mustafa Nano, apo Lutfi Haziri.
Veriu i Kosovës i banuar në shumicë dërmuese nga komuniteti serb ka qenë sfidë problematike dhe e vështirë për Kosovën e prandaj edhe qasja që po çon drejt zgjidhjes së këtij problem ka qenë e kujdesshme, e matur dhe komplekse. Nga ana tjetër qasja që avokon ndarjen e Kosovës, pra zgjidhjen e problemit me një të rënë të lapsit, të kujton veprën e famshme satirike, të Andon Zako Çajupit, ‘Pas Vdekjes’, në të cilën një nga personazhet kryesorë ishte njëfarë Doktor Adhamudhi. Ky palo doktor demek për shërim kishte shpikur “këtë methodë të re: të dhemb një dorë? Preje që të shpëtojë tjetra! Të dhemb një këmbë? Me vrap sharroe që të shpëtosh tjetrën! Të dhemb një sy? Kërreje çpejt që të mos sëmuret dhe tjetri!”.
Lehtësia me të cilën flitet për ndarje e shkëmbime territoresh të kujton epokën para një shekulli, ku fatet e jetëve të miliona njerëzve vendoseshin nga aristokratë të kancelarive të Fuqive të Mëdha që gjendeshin mijëra kilometra larg tyre dhe përdornin metodën që më së miri e ka sintetizuar Lordi Kurzon, kur thoshte se popujt janë të përziere (mixed) dhe duhen pastruar (unmixed). Ndarja mes Pakistanit dhe Indisë me logjikën e Kurzon-it dhe zhvendosja tragjike e popullatave muslimane dhe hindu në nënkontinentin e Indisë në vitin 1947 u shoqërua me pothuaj 2 milionë civilë të vrarë. Në shumë raste ndarja është e paevitueshme mirëpo ka raste kur ndarja nuk sjell detyrimisht paqe në rajon. Mjafton të shikohet rasti i sipërpërmendur i Indisë me Pakistanin për të parë se edhe pse kanë kaluar një proces të dhimbshëm e të përgjakur të ndarjes dhe shkëmbimit të popullsisë marrëdhënie mes këtyre vendeve ende janë tejet të tensionuara. E njëjta gjë mund të thuhet deri diku edhe për Greqinë dhe Turqinë pas traktatit të Lozanës së vitit 1923. Në rastin tonë, edhe nëse hipotetikisht pajtohemi me propozimin e ndarjes, cilat janë garancitë që nuk do të kemi probleme të mëtutjeshme me Serbinë? Maqedonia e shkretë ka ende probleme me Maqedoninë për çështjen e emrit të një shteti që është shuar diku 23 shekuj më parë.
Mirëpo në gjithë këtë lojë të pseudo-lordëve shqiptarë, që iu duket vetja si Kurzoni e sillen si Dr. Adhamudhi, harrohet edhe një element tjetër, Shqipëria është larg të qenit një fuqi në arenën ndërkombëtare. Përveç përpjekjeve të figurave të Rilindjes sonë Kombëtare dhe forcës së kryengritësve tanë, faktori kyç për pavarësinë tonë ishte padyshim vullneti i Fuqive të Mëdha. Ishin Austro-Hungaria dhe Italia të lidhura nga Aleanca e Trefishtë prej dekadash, ato që shtynë përpara dhe mundësuan një shtet të pavarur shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve edhe pse fatkeqësisht tejet të cunguar. Në këtë aspekt duhet patur parasysh se edhe tani vështirë se mund të ndërmerret një veprim në arenën ndërkombëtare në mënyrë unilaterale pa konsultuar komunitetin ndërkombëtar, sidomos kur je i dobët. Konjuktura ndërkombëtare aktuale dhe vullneti i aleatëve tanë që kanë qenë vendimtarë në çlirimin e Kosovës dhe në realizimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë, është totalisht kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe homogjenizimit të tyre, të cilën e konsiderojnë një kuti pandore me reagim zinxhir në gjithë Ballkanin.
Një ndër arsyet përse në Shqipëri ka opinionistë, të cilët në mënyrë të shpenguar flasin për shkëputjen e veriut shpjegohet edhe me mungesën e njohurive mbi realitetin aktual në Kosovë si dhe teorive bazike të zgjidhjeve të konflikteve. Ka teoricienë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Chaim Kaufmann, që e mbështesin ndarjen territoriale (partition) si alternativë më të mirë për zgjidhjen e konflikteve sesa ndarja e pushtetit (power sharing) në kushtet kur grupet etnike e kanë të pamundur që të jetojnë së bashku në një shtet heterogjen. Mirëpo pjesa me e madhe e pakicës etnike serbe poshtë lumit Ibër është integruar, paqëtuar dhe ka marrë pjesë prej vitesh rregullisht në jetën politike të Kosovës ndërsa duke nisur prej marrëveshjeve të Brukselit të prillit 2013 edhe veriu ka nisur integrimin. Në veri u organizuan zgjedhjet vendore të para në vitin 2013 në kuadër të shtetit të Kosovës dhe një vit më pas veriu mori pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare duke u përfshirë institucionalisht në jetën politike të shtetit të ri. Falë marrëveshjeve Kosova kontrollon doganat e veriut që ishin më parë han pa porta dhe Serbia është duke shkrirë gradualisht strukturat paralele që sfidonin hapur shtetin e Kosovës. Realiteti i veriut është krejt ndryshe nga viti 2008, kur pas shpalljes së pavarësisë strukturat paralele serbe bllokuan me barrikada lidhjet me veriun dhe dogjën dy pikëkalimet kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. Pra nëse asokohe mund të kishte arsye apo argumente për të propozuar ndarjen e veriut të ngelur jashtë kontrollit sot nuk ka asnjë motiv për ta justifikuar këtë propozim që i leverdis vetëm Serbisë.
Nëse shikohet modeli i Ramsbotham i përshkallëzimit dhe shtensionimit të konfliktit fazat e përshkallëzimit konsiderohen dallimi, kontradikta, polarizimi, dhuna dhe lufta e mandej etapat e shtensionimit në periudhën postkonfliktuale shkojnë nga lufta në armëpushim, marrëveshje, normalizim dhe mandej në pajtim. Në rihapjen e negociatave para pak ditëve, presidenti i Republikës së Kosovës ka shpallur që dialogu i Brukselit tanimë do të hyjë në etapën e fundit në atë të pajtimit duke shkuar drejt një traktati të fqinjësisë së mirë që i vë kapak procesit të shtensionimit. Kjo do të thotë se edhe në marrëdhënie bilaterale me Serbinë gradualisht po shkojmë drejt zgjidhjes së problemeve dhe qasja e deritanishme e shtetit të Kosovës në partneritet me ndërkombëtarët po i jep frytet e saj. Me pak fjalë, të flasësh për ndarje sot kur jemi në këtë fazë të dialogut me Serbinë dhe në këtë dinamikë të procesit të integrimit të veriut është në rastin më të mirë injorancë e naivitet dhe në rastin më të keq një veprim dashakeq ndaj interesave shtetërore të Kosovës që çon ujë tek mulliri i Serbisë.
Ideja e ndarjes së Kosovës është një ide e hershme e trajtuar gjerë në Serbi vitet 90-të nga akademikë të njohur serbë si Dobrica Çosiç, Branimir Krstiç, Aleksandër Despiç, Dushan Batakoviç etj. Të gjithë këta kanë propozuar që serbët të merrnin një pjesë të majme të territorit të Kosovës që përfshinte pasuri natyrore dhe ishte në përmasa shumë herë më e madhe se përqindja e popullsisë serbe. Së fundmi në Beograd propozuesi më i zëshëm është bërë ish-kryeministri dhe ministri aktual i jashtëm, Ivica Daçiç, i cili ka qenë edhe zëdhënës i Milosheviçit dhe ka trashëguar lidershipin e partisë së tij. Me sa duket logjika e tanishme e këtyre propozimeve të dëshpëruara është që “të kapim çfarë mund të kapim nga Kosova” , në kushtet kur është bërë e qartë se nuk mund ta kthejnë dot nën kontroll të gjithën. Po ashtu dihet mirë që Bashkimi Evropian nuk pranon anëtarë me probleme me fqinjët dhe njohja e Republikës së Kosovës herët a vonë është e paevitueshme për Beogradin. Ky skenar të kujton në njëfarë mënyre versionin miniaturë: ndarjen aktuale të Ukrainës, pra atë që ndodhi me rajonin e Donbasit dhe Krimenë në Ukrainë. Në kushtet kur qeveria ukrainase e dirigjuar nga Moska u rrëzua dhe Ukraina qartazi u orientua drejt integrimit Euro-Atlantik, atëherë Rusia në pamundësi për ta kontrolluar më Ukrainën, vendosi të grabisë nga Ukraina Krimenë e të përpiqet të marrë territoret lindore të banuara nga rusët. Po ashtu një tjetër qëllim mund të jetë thjesht hedhja e një karremi joshës që ta kapin shqiptarët naivë, të cilët bien pre lehtë e populizmave me harta historike, për të nxitur sa më shumë zëra shqiptarë që të flasin për ndarje e shkëmbime territoresh. Sa më të fortë të jenë këta zëra aq më pak seriozë dhe i sinqertë duket projekti i konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe aq më shumë zbehet mbështetja dhe respekti ndaj nesh i aleatëve tanë, të cilët këto zëra i konsiderojnë si prerje në besë ndaj zotimeve që kemi marrë përsipër.
Përmendja e ndarjes së Kosovës si një strategji e mundshme është një tërmet i vërtetë për themelet e ndërtimit të shtetit të pavarur të Kosovës dhe cenon rëndë pozicionin moral dhe respektin që ka projekti i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova e shpalli pavarësinë pas negociatave të gjata në Vjenë dhe fitoi besimin dhe miqve ndërkombëtarë për të ndërtuar një shtet të ri vetëm pas marrjes përsipër të adoptimit të Pakos së Ahtisaarit, me gjithë të mirat dhe të këqiat e tij. Kosova e ka gëzuar një mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare për konsolidimin e brendshëm të shtetit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke u zotuar se po ndërton një shtet civik dhe shoqëri që akomodon pakicat. Kjo do të thotë se me shpalljen e pavarësisë në 2008 ne kemi pranuar disa rregulla specifike role që mund të konsiderohen nga shumëkush pilula të hidhura të domosdoshme, dhe përpjekja për t’i ndryshuar apo për mos t’i respektuar ato pak vite më vonë, shkatërron besimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës.
Po ashtu duhet patur parasysh që Kosova e fitoi gjyqin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke u bazuar mes të tjerash në atributet që kishte në Kushtetutën jugosllave të vitit 1974. Pra jo në kuadër të popullit shqiptar në Serbi por të derivateve të atributeve të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Kushtetuta e vitit 1974, e ngriti Kosovën në një entitet të fortë juridik të federatës jugosllave dhe në kuadër të anëtarësimit në dy agjenci të specializuara të OKB-së, Bankë Botërore dhe FMN, Kosova ka marrë përsipër që të paguajë një pjesë të borxhit jugosllav që i takon në kuadër të këtij entiteti të dikurshëm. 112 shtetet dhe dhjetëra organizatat ndërkombëtare e njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran në bazë të territorit të dikurshëm të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Pra rishikimi i territorit të shtetit të Kosovës me synim homogjenizimin etnik, vë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe legjitimitetin ndërkombëtar të gjithë këto arritjeve të deritanishme të Kosovës.
Të flasësh sot për ndarje e shkëmbime territoresh e popullsie, është një papërgjegjshmëri e pandjeshmëri e madhe sidomos përkundrejt mbi 2000 shqiptarëve, të cilët ende kanë mbetur në Mitrovicë në lagjet sipër Ibrit si dhe në fshatrat shqiptare Cerajë, Koshtovë, Bistricë, Boletin e Çabër. Po ashtu ndaj mijëra shqiptarëve të tjerë të dëbuar, të cilët mezi presin qetësimin e normalizmin e gjendjes në veri për t’u rikthyer tek vendlindja dhe pronat e tyre. Shkëputja e asaj pjese të territorit të Kosovës padyshim do të thotë pastrim dhe dëbim të shqiptarëve nga veriu. Përveç kostos së dhimbshme të zhvendosjes së popullsisë së pafajshme civile, duhet pasur parasysh edhe kostoja e madhe natyrore që do i vinte Kosovës prej ndarjes, duke qenë se katër komunat me shumicë serbe të veriut përbëjnë 15% të territorit, kanë një pjesë të mirë të pasurisë minerale nëntokësore të vendit si dhe Gazivodën, rezervuarin më të madh ujor të Kosovës.
Në favor të ndarjes nuk vlen as argumenti i skajshëm nacionalist shqiptar për shkëmbime territoresh sepse s’ka ndonjë leverdi. Po të shihen hartat e vjetra etnike të Ballkanit duket qartë se shqiptarët para luftës Ruso-Turke shtriheshin deri rrëzë Rashkës e sipër Sjenicës, pra edhe më në veri të kufirit të sotshëm kosovar të Jarinjës. Pra edhe po të ecet me logjikën romantike nacionaliste të këmbënguljes për vënien në vend të padrejtësive historike, i bie që duke dashur të ndërrohet veriu i Kosovës me Luginën e Presheves, të kërkohet të ndërrohen troje historike shqiptare me troje të tjera shqiptare.
Së fundmi ushqimi i retorikës së ndarjes së Republikës së Kosovës dhe shkëmbimit territorial me trojet e Luginës së Preshevës është gjithashtu e dëmshme për bashkëatdhetarët e ngelur në Serbi. Politikanë të ndryshëm Luginës së Preshevës e përdorin shpesh këtë retorikë populiste që ngjit lehtë tek bashkatdhetarët zemërplasur e të vuajtur të Luginës dhe po ashtu arsyeja pse kryetari i Gjilanit e përdor këtë propozim lidhet pikërisht me praninë e bollshme të votave të preshevarëve në këtë komunë. Mirëpo e vërteta është se propozime ushqejnë iluzione e shpresë të rreme tek ky popull dhe dëmton pozicionin dhe reputacionin e pakicës shqiptare në Serbi përkundrejt ndërkombëtarëve. Iluzionet e parealizuara kuptohet që përkthehen në dëshpërim e dorëzim, e në mos në braktisje të territorit nga banorët shqiptarë të atjeshëm. Gjithashtu sa herë deklarata populiste të papërgjegjshme të tilla bëhen në Luginë, Beogradi fiton pikë ndaj ndërkombëtarëve duke i portretizuar shqiptarët si faktorë destabiliteti që kërcënojnë kufijtë dhe nuk duan të integrohen. Në këtë mënyrë justifikon para Brukselit diskriminimin politik dhe ekonomik që vazhdon të bëjë ndaj shqiptarëve të Luginës, duke thënë se fajin e kanë vetë shqiptarët që nuk bashkëpunojnë por ushqejnë ëndrra për separatizëm e aneksim prej Kosovës.