Sekularizmi është një ndër termet më të keqpërdorura, në skenën politike botërore në përgjithësi po sidomos në skenën politike në Kosovë. Në shumë vende të ndryshme, sikur në Turqi, sekularizmi shpeshherë është përdorur për qëllime të këqija, për presion ndaj opozitës politike, ose edhe për etiketimin e disa si “tradhtarë kombëtarë”. Dua ta them në fillim të shkrimit që nuk mendoj që kjo është situata në Kosovë. Nuk besoj që në Kosovë dikush e përdor, ose e keqpërdor, sekularizmin për ta shtypur dikë tjetër, apo për qëllime të këqija. Por ka edhe aso situatash kur sekularizmi përdoret kundër dikujt, përdoret për qëllime politike. Unë besoj që në këso situatash sekularizmi keqpërdoret sepse përdoruesi nuk e din çka është sekularizmi ose për shkak të dëshirës së madhe për të qenë “të Perëndimit”. Se kuptoj pse ne duhemi aq shumë ta dëshmojmë veten që jemi perëndimorë, duke marrë parasysh që në të vërtetë jemi perëndimorë, por kjo do të ishte temë e një shkrimi tjetër. Të kthehemi prapë tek sekularizmi.
Sekularizmi është një term shumë i padefinuar, jo në aspektin e fjalorit por në aspektin e mendjes së njerëzve. Por, definimi që përdoret dhe nënkuptohet më së shumti, sidomos në shkencat politike, është ndarja e shtetit dhe kishës (fesë). Unë bëj pjesë në grupin e atyre që besojnë se në qeverisje shteti me çdo kusht duhet të ndahet nga kisha (feja), asnjëra të mos e kontrollojë tjetrën, apo të përzihet në punët e tjetrës.
Sot e shohim që sekularizmi përdoret më shumë si një lloj feje alternative, ku në një shtet sekular njerëzit, e sidomos ata që dëshirojnë të merren me politikë, duhet të besojnë dhe t’i falen; ose përdoret në vend të ateizmit, ku njerëzit duhet të mos besojnë në asnjë fe edhe në jetën private dhe këtë duhet ta dëshmojnë publikisht. Ajo e para është trend në rritje nëpër gjithë botën, kurse kjo e dyta më shumë ne vende në zhvillim, sikur Kosova, sepse në vendet e zhvilluara sikur Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet Evropiane, apo Kanada, ky nuk është problem i madh pasi që të gjithë njerëzit si dhe politikanët dhe burokratët e shfaqin jetën e tyre fetare shumë lirshëm ne publik, derisa nuk i ngatërrojnë punët e shtetit me punët personale, besimit ose mosbesimit.
Sidomos me disa incidente në ditët e fundit në Kosovë, sekularizmi prapë u shfaq si një temë diskutimi, dhe reagimet e shumta ishin që “Kosova është shtet sekular dhe grupet fetare, më konservatorë, nuk mund ta ndryshojnë këtë.” E vërtetë që Kosova është shtet sekular dhe ashtu duhet të mbetet , por atë çka bëri drejtori i shkollës Don Bosko, Don Izidor Llukiq; ose ata që e sulmuan Azem Deliun, nuk janë krime kundër sekularizmit por janë akte penale, krime, dhe duhet të dënohen si të tilla. As Ipeshkëvia e Kosovës e as Bashkësia Islame e Kosovës nuk e kanë për detyrë të reagojnë për këtë, edhe pse më shumë kanë kërkuar nga BIK-u të reagojnë edhe pse sulmuesit nuk ishin të punësuar nga BIK-u, sesa nga Ipeshkëvia, edhe pse Llukiqi është pjesë e Ipeshkvisë.
Sekularizmi nuk bën të nënkuptohet si imponim i një ideologjie tek tjetri, ideologji e të qenit indiferent me jetën shpirtërore personale, të besimit apo të mos besimit. Sekularizmi duhet të nënkuptohet vetëm në atë që feja të mos përzihet në punët e shtetit. Kurse aktorëve politikë nuk mund t’u kërkohet ta fshehin identitetin e tyre fetar. Në këtë mënyrë sekularizmi po e zë vendin e një feje tjetër, e imponuar që të gjithë duhet të besojnë. Atëherë nuk mund të flasim për një sekularizëm perëndimor, alla franga, por një ideologji imponuese.
Sikur që feja nuk përzihet në punët e shtetit, në një shtet sekular edhe shteti nuk përzihet në punë fetare. Punët fetare janë në duar të shoqërisë civile, deri në kufijtë e ligjit. Por, kur kalohen ato kufij edhe atëherë shteti nuk merret me ato raste nga pikë qëndrimi sekular apo teolog, por nga pikë qëndrimi ligjor. Nëse ka ndodhur ndonjë vepër penale atëherë pa marrë parasysh se kush dhe për çfarë arsye e ka bërë, institucionet e shtetit e konsiderojnë atë akt penal në kategorinë e duhur me ligj. Përndryshe nëse shteti vendos se çfarë është e lejuar me një fe, ose çfarë duhet të mendojnë besimtarët e njërës fe atëherë shteti nuk është sekular sepse e kontrollon besimin. Ky sekularizëm mund të jetë vetëm sekularizëm rus, ku shteti i kontrollon institucionet fetare, jo perëndimore ose çfarë nënkuptojmë me laicitetin francez.
Për shembull, për ata që nuk i kanë përcjellë nga afër zgjedhjet e partisë demokratike në Amerikë, rezultati i zgjedhjeve ishte sikur një ëndërr e keqe për Presidentin Trump. Kryetar i partisë u zgjodh Tom Perez, djalë i prindërve emigrantë nga Republika Dominikane dhe ish Ministër i Punës në administratën e Obamas. Rivali i tij më serioz ishte Keith Ellison, kongresisti i parë mysliman në Amerikë. Menjëherë pas zgjedhjeve, punën e parë që bëri Perez ishte të nominojë Ellisonin si zëvendës të tij në partinë demokratike. Tash partia demokratike në Amerikë udhëhiqet nga një fëmijë i emigrantëve dhe një mysliman. Në partinë demokratike Ellison ishte i nominuari nga ana progresistëve të partisë, i mbështetur nga senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren.
Njëjtë sikur zëvendës presidenti Joe Biden apo të tjerët që janë të rregullt në kishë të dielave, besimi personal i politikanëve apo burokratëve nuk është kundër natyrës sekulare të shtetit që ata/ato shërbejnë. Mos të flasim për Kanadanë që me qëllim kanë zgjedhur ministra në kabinet nga të gjitha komunitetet fetare në shtet, dhe prapë sekularizmi i shtetit është në vend.
Imponimi i tillë i sekularizmit si një besim në vete, apo si ateizëm, është shumë i dëmshëm. Së pari është i dëmshëm për njerëzit si unë që besojmë që sekularizmi është sistemi i duhur, dhe i vetëm, për qeverisje, sepse konfliktet e tilla vetëm sa i bën njerëzit më skeptik kundër sekularizmit. Por gjithashtu është i dëmshëm për ndarjen dhe përçarjen e njerëzve, si ata që besojnë dhe praktikojnë fe të ndryshme ashtu edhe ata që nuk besojnë ose nuk praktikojnë ndonjë fe. Politika është një institucion dinamik dhe aktorët politik duhet të janë afër popullit. Nëse ata detyrohen të vendosin barriera në mes tyre dhe popullit atëherë besimi në institucione shtetërore bie dhe njerëzit fillojnë t’u besojnë institucioneve, apo organizatave tjera, që nuk kontrollohen dhe janë jotransparente. Shteti sekular nuk është e thënë që të udhëhiqet nga të “pafetë”, dhe kjo nuk duhet të lihet të përdoret nga ata që kanë synim t’ia humbin besimin e institucioneve shtetërore në sytë e popullit. Imponimi që politikanët duhet të duken “pa fe” e bën këtë, dhe kjo është e rrezikshme, së pari pasi që populli mendon qe nuk janë të reprezentuar, së dyti sikur ne Turqi, kur vijnë në pushtet pastaj haptas e cenojnë sekularizmin e shtetit pasi që ndjenjat i kanë pasur të shtypura me kohë, dhe edhe ata mendojnë që sekularizmi dhe besimi personal nuk mund të bashkëjetojnë.
Ne si aktivistë, shoqëri civile, apo edhe shkollarë duhet të promovojmë sekularizmin e mirëfilltë, që askush të mos ndihet i shtypur, gjithkush të ndihet i reprezentuar, si dhe popullata t’i besojë institucioneve shtetërore më shume se organizatave ose institucioneve alternative. Ndarja e shtetit dhe fesë është për të mirën e të gjithëve, por asnjëra nuk duhet ta kontrollojë tjetrën, dhe asnjëra nuk duhet ta shtypë tjetrën. Për këtë ekziston shteti sekular, ku vendimet shtetërore nuk merren me anë të besimit ose mosbesimit në njërën fe, por ku gjithkush ka të drejtë të besojë ose të mos besojë, si dhe të jetojë jetën personale, dhe ta shfaqë atë, sipas atij besimi.
Kjo temë duhet të diskutohet edhe më shumë, sepse vetëm me diskutime të mirëfillta mundemi te arrijmë në zgjedhje më të përshtatshme, pa i shtypur ndjenjat ose mendimit e dikujt.