Franca. Parisi dhe periferia. Graffiti, bomba, mbishkrime dhe postera në kolegje dhe rrugë rreth në 1968.
Si për të treguar se historia nuk ecën me një marsh, Kosova është bashkëkohëse e ngjarjeve të vitit 68, sepse 50 vjet pas këtyre ngjarjeve po e vuajmë traumën e rëndë të përballjes me fundin e një ëndrre. Ëndërr kjo e shkatërruar nga e njëjta mendësi dhe e njëjta formë organizimi.
“Bëhu realist, kërkoje të pamundshmen! Gjitha fuqia imagjinatës! Barrikadat bllokojnë rrugët, por hapin shtigjet! Pronarit i duhesh ti, ty s’të duhet ai! Punëtor: ti je 25 vjeçar, por sindikata jote është nga shekulli i kaluar! Lereni Partinë Komuniste aq të pastër kur të dilni, siç do të dëshironit ta gjeni duke hyrë! Socializmi pa liri është kazermë! Kur Asambleja Nacionale bëhet teatër i borgjezisë, të gjithë teatrot e borgjezisë duhet të bëhen Asamble Nacionale!”
Maji 68’ na la 50 vjet nga sot. Shumë shkrime e libra, evokime kujtimesh e perkujtime figurash rikthyen tek e majta eterin e ditëve revolucionare. Diku nostalgji, diku përpjekje aktualizimi.
Horizonti për botën e re frymëzonte, kushtet e situatës thërrisnin revoltë. Mbi 10 milionë punëtorë iu bashkuan protestave dhe pushtuan fabrikat duke luftuar me ngulm për t’i dhënë fund – tash dhe këtu shfrytëzimit e shtypjes. Rinia studentore okupoi vendbanimin e tyre – Universitetin, duke kontestuar edhe hierarkitë e riprodhimin shoqëror që ai mundësonte. Një shpërthim i rrallë artistik, me fuqi të imagjinatës dhe forma të reja. Gjinia, seksi, familja. Secila marrëdhënie, secili rol shoqëror i rendit të vjetër do të shqyrtohej nga e para. Muret flisnin, flamujt valonin, koha po ndalej. Parisi jehonte botë tjetër.
Ta mendojmë dështimin
Nisja e shkrimit duke përzgjedhur disa parrulla m’u duk me vend, jo për ta risjellur frymën e ngjarjeve. Kushedi, përmes parrullave të përzgjedhura; teksa shohim natyrën e kërkesave, agjencitë dhe kolektivitetet e përfshira, e sidomos marrëdhënien midis tyre; edhe mund të hedhim dritë mbi vetë epilogun fatal. Mbi të gjitha, me durim dhe kurajo duhet ta përqafojmë dështimin. Ta mendojmë, ta flasim dhe ta zhbirojmë pashë më pashë sikur ferrin, në të gjithë rrathet, në të gjitha skutat.
Maji 68’ s’ka si të mos jetë makth i pakapërcyeshëm i dështimit për veprimtarët e kohës. Një praktikë e rrallë politike dhe kulturore, me vullnet, aksion e entuziazëm, përballë një dështimi historikisht spektakolar. Gjenerali De Gol i larguar me avion në bazën ushtarake në Gjermani kthehej në Paris duke i shpallur zgjedhjet. Këtu fillon ndalimi i vrullit, për të marrë rrugë një proces i gjatë paqtimi, qetësie dhe kompromisesh.
Shikuar nga perspektiva e një shoqërie të drejtë barazitare, kërkesat e studentëve çojnë në përmbushjen e realizmin e individit. Duhet njohur e vlerësuar goditjen që i dhanë këto ngjarje shoqërisë së kalbur konservatore e patriarkale. Por, humbja e betejës i ka modifikuar kauzat për t’ia përshtatur ato valës së re sunduese të kapitalit. Liritë e kërkuara u zvetënuan për t’u kooptuar brenda furisë neoliberale duke e zhytur mëtej individin drejt formave të reja të tjetërsimit. Diku ato morën formën e pervertuar të spektaklit, diku thjesht u orientuan në kahje liberale. Liritë seksuale duke iu nënshtruar dinamikës së dëshirës shndërruan seksin në konsum masiv, duke rritur objektifikimin, pa e rritur përkushtimin për tjetrin. Edhe një dëshmi tjetër që pa transformim ekonomik e shoqëror, gjithçka mund të ndryshojë pa ndryshuar esencialisht asgjë. Edhe një këmbanë tjetër për rëndësinë e fjalëve “strukturë” dhe “sistem”, kur ato nuk përdoren dogmatikisht si justifikim për pasivitetin dhe si strehë për oportunizmin.
21 gusht 68’ : tanket sovjektike me mbi 250 mijë trupa pushtojnë Çekosllovakinë. Vera e Pragës kërkonte de-stalinizimin e Çekosllovakisë, një proces që po ecte mjaft ngadalë. Pluralizmi e decentralizimi i pushtetit ishte gabim i patolerueshëm për bishën sovjetike të humbur në frikë, mosbesim e paranojë. Kritika për ‘kultin e personalitetit’ u vlerësua e pamjaftueshme për ta shpjeguar një makineri të tërë vrasëse. Tekefundit, ajo ishte veçse përpjekje shpjeguese në nivel të superstrukturës. Nuk pyeti kush për kushtet, mundësitë dhe rrethanat që kushtëzuan diçka të tillë: Paqja e Brestit, ndërtimi i socializmit brenda një shteti, kolektivizimi i dhunshëm – janë veç disa nga pyetjet që nuk u prekën. Mjaftoi demonizimi i figurës edhe ashtu monstruoze të Stalinit për t’u bërë i pamundur korrigjimi i sistemit.
Partia si subjekt përcaktues
Kërkesa për më shumë liri, më shumë autonomi, më pak modele uniforme, për një shoqëri kur realizohet individi dhe jo mohimi i tij, përbëjnë transversalen e pikëtakimit të Pragës dhe Parisit. Dy botë të ndryshme, të ndara me mure e perde, secila duke pretenduar vërtetësi e universalitet u zhveshën dhe u përgënjeshtruan nga ngjarjet e këtij viti.
Zgjedhjet në Francën e ‘68 siguruan edhe 13 vjet pushtet për të djathtën, por varrimin e majit 68’ e bëri pikërisht e majta më 1981 pasi erdhi në pushtet dhe forcoi autoritarizmin. Ngjarjes i humbi mrekullia kur ajo u përball me procedurën e zgjedhjeve. E reja ktheu rrugën e vjetër e të gjatë të përsëritjes. Aty mori goditjen fatale rezistenca me gjithë partitë e majta që sabotuan rezistencën për llogari të pushtetit të tyre. Maji 68’ nuk do ta kishte këtë epilog pa qëndrimin dogmatik, konservator dhe oportunist të Partisë Komuniste Franceze që kishte në kontrollë sindikatat kryesore.Të mbyllur në instruksionet e vjetra, për Partinë rinia studentore ishte shtresë e privilegjuar që duhej t’i nënvendoset sindikatave, kurse sindikatet partisë pararojë, agjentit historik që do t’i edukonte dhe kaliste klasat e shfrytëzuara drejt revolucionit. Ky aparat i mbyllur konceptual nuk mund të prodhonte gjë të re. Punëtorët ishin subjektivuar, vetëm kur kishin rreshtur së qeni thjesht punëtorë që luftojnë për të drejtat e tyre. Është pikërisht momenti kur tejkalohet “ekonomizmi”- si situatë partikulare për ta parë tërësinë si kontradiktë strukturore dhe vrapuar drejt saj, momenti i hapjes universale. Kur secili është në punën e tij, në vendin e tij, asnjë ngjizje, asgjë e re nuk do të ngjajë. Studentët tek e kritikonin Universitetin nuk po qaheshin për veten e tyre. Duke e përvetësuar Universitetin, ata po e mohonin në vepër riprodhimin e sistemit shtypës që mundësonte Universiteti.
Hierarkia e roleve shoqërore që Partia kishte caktuar për secilin, bashkë me determinizmin historik e bëri vetë Partinë pjesë të rendit policor. Nëse në Paris është dogma që në situatën konkrete përkthehet në oportunizëm, simotra e saj në lindje është në gjendje tjetër. Ajo ia njihte vetes rolin e subjektit përcaktues për domosdoshmërinë historike, e shihte veten si mjeti i vetëm për zbatimin e kësaj të vërtete, të cilës ia dinte paraprakisht edhe ligjësitë shoqërore, edhe historike. Për Partinë që vetë ishte tëhuajsuar, kontingjeca e singulariteti ishin të huaja. Kjo mbyllje e fushës, ky qark i mbyllur nuk është kërkues në shkencë, as subjektivues në politikë. Nëse tek e para ky fenomen shpërfaq ortodoksi e dogmatizëm, në politikë kjo mendësi dmth fushata masive vrasjesh, internimesh e përndjekjesh.
Fundi i një sekuence
Por, cilat janë mësimet që mund t’i nxjerrim nga plaga që ende kullon?! Saktësisht në ç’kuptim jemi akoma bashkëkohës të kësaj Ngjarjeje?! Ç’do të thotë kjo për ne, në Kosovë?
Si për të treguar se historia nuk ecën me një marsh, Kosova është bashkëkohëse e ngjarjeve të vitit 68’, sepse 50 vjet pas këtyre ngjarjeve po e vuajmë traumën e rëndë të përballjes me fundin e një ëndrre. Ëndërr kjo e shkatërruar nga e njëjta mendësi dhe e njejta formë organizimi. 50 vjet pas na është kthyer këmbëkryq mendësia e partisë-shtet. Ngjarjet e këtij viti që sollën deri tek ndarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë rikthyer në formë cinike e perverse të gjitha fenomenet e shekullit të kaluar: nga ortodoksizmi, armiqtë e brendshëm, fshehja e instrumentalizimit nën petkun e strategjisë e taktikës, pretendimit posesiv mbi të vërtetën e deri te akuzat për borgjezi brenda partisë. Asnjëri që u dorëhoq nuk mund të konceptohej se mbase po del për shkak të mospajtimeve. Dikush po përgatiste konspiracionin, dikush po shantazhohej seksualisht, dikush ishte borgjezuar financiarisht, dikush ideologjikisht, disa të mashtruar nga shoqëria, por asnjë pa gjyq.
Maji 68’ është lajmërimi i hershëm (para rënies së Murit) për fundin e një sekuence dhe dy formave të organizimit që prodhoi kjo sekuencë: pararoja bolshevike që edukon punëtorët në frymën e revolucionit; dhe partia e organizuar demokratikisht përmes përfaqësuesve, bashkë me sindikatat duke synuar ndryshimin e sistemin nga brenda, pak nga pak. E para e dalë nga socialdemokracia ruse, e dyta nga ajo gjermane. Njëra përfundoi në krahët e liberalizmit, kurse tjetra në një diktaturë totalitare.
Një subjekt; një formë organizimi që është në gjendje të mobilizojë dhe të ndërtojë hegjemoni pa përfunduar tek figura e Njëshit.Një subjekt; një formë organizimi që i di limitet dhe nuk kufizohet me përfaqësimin. Një subjekt; një formë organizimi që afirmon përpjekjet e kërkimin e të vërtetës; pa pretenduar se e ka kapur atë. Një subjekt; një formë organizimi që zhvillohet demokratikisht me hetorodoski dhe pluralitet, që nuk e shndërron përpjekjen e vazhdueshme emancipuese në gjendje statike shtetërore.
Viti 1968 është këtu me ne; këto janë veç disa pika për të parë çfarë na duhet të mos bëjmë; disa gjurmë që duhet të mos i ndjekim që të mos përsëritemi. Së paku të mos përsëritemi njejtë. Për ta mbyllur me një frazë që kërkon hapjen ndërmendim Beckettin: radhën tjetër “të dështojmë më mirë!”