Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Mendimtarë të dobët

Pse disa njerëz besojnë në teori konspirative? Nuk është puna se kush janë ata dhe çfarë dinë ata. Kjo është çështje e karakterit intelektual

Njihuni me Shefqetin. Si shumë prej shokëve të tij, Shkefqeti mendon se ai është ekspert për 11 shtatorin. Ai kalon shumicën e kohës së lirë duke shikuar uebsajte konspirative dhe hulumtimi që ka bërë e ka bindur atë se sulmet terroriste në Nju Jork dhe Uashington, më 11 shtator 2001, qenë marifet i brendshëm. Përplasja e aeoroplanit dhe flakët që pasuan nuk mund të kenë shkaktuar shembjen e Kullave Binjake dhe Qendrës Botërore të Tregut. I vetmi shpjegim i qëndrueshëm, mendon ai, është se agjentët qeveritarë kishin vendosur eksplozivët paraprakisht. Ai e kupton, natyrisht, se qeveria e akuzon Al Qaedan për 11 shtatorin por përgjigjja e tij e parashikueshme është Mandy Rice-Davis e pastër: ata nuk do ta pohojnë këtë, apo jo?

Faktet e sondazheve japin të kuptojnë që pikëpamjet e Shefqetit rreth 11 shtatorit nuk janë aspak të pazakonta. Në fakt, teori të veçanta për lloj-lloj gjërash tash janë të përhapura kudo. Ka teori konspirative rreth përhapjes së AIDSit, aterimeve në hënë, UFOve, dhe rreth vrasjes së John Kennedyt. Me raste, teoritë konspirative dalin të jenë të vërteta – Watergate qe vërtet konspiracion – megjithatë shumica prej tyre janë gjepura. Ato janë në të vërtetë ilustrime të pastra të një të vërtete mahnitëse për qeniet njerëzore: sado inteligjentë dhe të mirinformuar që mund të jemi në mënyra tjera, shumë prej nesh ende besojmë në gjërat më të çuditshme. Mund të gjeni njerëz që besojnë se janë rrëmbyer nga jashtëtokësorët, që Holokausti nuk ka ndodhur, dhe se kanceri mund të shërohet duke menduar pozitivisht. Në një sondazh të Harris Poll më 2009  u gjet që diku mes një të pestës dhe një çereku të amerikanëve besojnë në rimishërim, astrologji dhe në ekzistencën e shtrigave. Për çfarëdo dukurie që mund t’ju shkojë nërmend, me gjasë do të jetë dikush që e beson.

Ju e kuptoni, sigurisht, se teoria e Shefqetit për 11 shtatorit nuk ka ndonjë bazë, dhe kjo mund t’iu bëjë të pyesni veten se pse ai e beson. Pyetja ‘Pse Shefqeti beson se 11 shtatori qe një marifet i brendshëm?’ është vetëm një verzion i pyetjes më të përgjithshme të shtruar nga skeptiku amerikan Michael Shermer: pse njerëzit besojnë gjera të çuditshme? Sa më i çuditshëm besimi, aq më i habitshëm fakti që dikush mund ta ketë atë besim. Të pyesësh pse njerëzit besojnë në gjëra nuk është sikur të pyesësh pse ata besojnë se po bie shi përderisa shikojnë përtej dritares që po bie rigon. Është e qartë se pse njerëzit besojnë se po bie shi përderisa kanë dëshmi të forta, por është larg së qeni e qartë pse Shefqeti beson se 11 shtatori qe një marifet i brendshëm kur ai ka qasje në dëshmi të forta se nuk qe një marifet i brendshëm.

Unë dua të argumentoj diçka që është kundërthënëse, edhe pse unë besoj se është gjithashtu intuitive dhe e aryseshme. Pretendimi im është ky: Shefqeti beson në atë që beson sepse ai është lloji i mendimtarit që është ose, thënë troç, sepse ka diçka që nuk shkon më mënyrën se si ai mendon. Problemi me teoricienët konspirativë nuk është se, siç pohon studiuesi amerikan Cass Sunstein, ata kanë pak informacione relevant. Çelësi për të kuptuar atë të cilën ata përfundojnë së besuari është te ajo se si i interpretojnë dhe se si i përgjigjen ata sasisë së madhe të informacionit relevant që kanë në dispozicion. Unë dua të sugjeroj se kjo ka të bëjë thellësisht me atë se çfarë ata janë. Shefqeti nuk është i çmendur (apo të paktën, ai nuk nevojitet të jetë i tillë). Sido që të jetë, besimet e tij rreth 11 shtatorit janë rezultat i veçorive të ndërtimit të tij intelektual – me një fjalë, i karakterit të tij intelektual.

Zakonisht, kur filozofët provojnë të shpjegojnë pse dikush beson në gjëra (të çuditshme apo jo), ata fokusohen te arsyet e atij personi në vend se te tiparet e karakterit të tij. Sipas kësaj pikëpamjeje, mënyra për të shpjeguar pse Shefqeti beson se 11 shtatori qe një marifet i brendshëm është që të identifikohen arsyet e tij për ta besuar këtë, dhe personi që është në pozitën më të mirë për të treguar arsyet e tij është Shefqeti. Kur shpjegoni besimet e Shefqetit duke dhënë arsyet e tij, ju jepni një ‘shpjegim të racionalizuar’ të besimit të tij.

Problemi me këtë është se racionalizimi i shpjegimeve nuk mund t’iu çojë larg. Po e pyetet Shefqetin pse ai beson se 11 shtatori qe marifet i brendshëm ai do të jetë, natyrisht, shumë i kënaqur t’iu japë arsyet e tij: duhej të ishte marifet i brendshëm, ngulmon ai, sepse përplasja e aeroplanit nuk mund të kishte rrëzuar Kullat. Ai e ka gabim, por sido që të jetë, ky është shpjegimi i tij, dhe ai do të ngul këmbë në të. Çfarë ai ka bërë, në fakt, është të shpjeguarit e njërit prej besimeve të tij të dyshimta përmes referimit të një tjetër besimi, jo më pak të dyshimtë. Fatkeqësisht, kjo nuk na tregon pse ai ka cilindo prej këtyre besimeve. Ka diçka për të cilën ne ende nuk e dimë se çfarë po ndodh me të.

Tash le ta zgjerojmë pak tregimin e Shefqetit: le të themi se del që ai beson në shumë e shumë teori të tjera të konspiracionit përveç asaj për 11 shtatorin. Ai beson se aterimet në Hënë qenë falsifikuar, se Diana, princesha e Uellsit, është vrarë nga MI6, dhe se virusi Ebola është një armë biologjike e vjedhur. Ata të cilët e njohin mirë atë thonë se ai mashtrohet lehtë, dhe ju keni dëshmi të pavarura që ai është i pakujdesshëm në të menduarit e tij, që nuk e kupton mirë dallimin mes dëshmive të pastra dhe spekulimeve të pabaza. Papritmas gjithçka fillon të marrë kuptim, por vetëm sepse fokusi është zhvendosur prej arsyeve të Shefqetit te karakteri i tij. Ju tash mund t’i shihni pikëpajmet e tij për 11 shtatorin në kontekstin e sjelljes së tij intelektuale në përgjithësi dhe kjo hap rrugën e mundësisë së një shpjegimi tjetër më të thellë për besimin e tij se sa shpjegimi që ai ofron: ai mendon se 11 shtatori qe një marifet i brendshëm sepse ai është sylesh në një mënyrë të caktuar. Ai ka atë që psikologët socialë e quajnë ‘mendësi konspirative’.

Vini re që shpjegimi i propozuar i karakterit nuk është shpjegim i racionalizuar. Mbi të gjitha, të qenit sylesh nuk është arsye për të besuar çkadoqoftë, edhe pse kjo ende mund të jetë arsyeja pse Shefqeti beson se 11 shtatori qe marifet i brendshëm. E përderisa nga Shefqeti mund të pritet që të dijë arsyet e tij për të besuar se 11 shtatori qe një marifet i brendshëm, ai është personi i fundit për të kuptuar se ai beson çfarë beson për shkak se ai është sylesh. Është në natyrën e shumë tipareve të karakterit intelektual që të mos kuptosh se i ke, dhe kështu të mos jesh i vetëdijshëm se në çfarë mase të menduarit tuaj është i ndikuar prej tyre. Syleshët rrallë besojnë se janë syleshë dhe mendjengushtët nuk besojnë se janë mendjengushtë. E vetmja shpresë për tejkalimin e vetinjorancës në këto raste është të pranuarit se njerëzit e tjerë – kolegët tuaj, bashkëshorti/ja juaj, shokët tuaj – me gjasë e njohin karakterin tuaj intelektual më mirë se sa vet ju. Por madje as kjo mund të mos bëjë punë. Në fund të fundit, mund të jetë që të refuzosh të dëgjosh se çfarë thonë të tjerët për ju është njëri prej tipareve të karakterit tuaj intelektual. Disa defekte janë të pashërueshme.

Syleshësia, pakujdesia dhe mendjengushtësia janë shembuj të asaj që filozofja amerikane Linda Zagzebski, në librin e saj Virtyte të Mendjes [Virtues of the Mind] (1996), i quan ‘vese intelektuale’. Të tjera nga këto përfshijnë neglizhencën, përtacinë, ngurtësinë, topitjen, paragjykimin, mungesën e plotësisë, dhe pandjeshmërinë ndaj detajit. Tiparet e karakterit intelektual janë shprehi apo stile të të menduarit. Të përshkruash Shefqetin si sylesh ose të pakujdesshëm do të thotë të thuash diçka për stilin e tij intelektual apo botëkuptimin – për shembull, për atë se si ai rreket të zbulojë gjëra për ngjarjet si 11 shtatori. Tiparet e karakterit intelektual që i ndihmojnë hulumtimit të efektshëm dhe të përgjegjshëm janë virtyte intelektuale, përderisa veset intelektuale janë tipare të karakterit intelektual që pengojnë hulumtimin e efektshëm dhe të përgjegjshëm. Përulësia, maturia dhe vëmendja janë prej virtyteve intelektuale të cilat i mungojnë qartazi Shefqetit, dhe kjo është arsyeja që tentimet e tij për t’i rënë në fije 11 shtatorit janë aq të gabuara.

Shefqeti është fiksional, por shembuj të vërtetë të veseve intelektuale në veprim nuk është vështirë të gjenden. Merrni rastin e ‘bombarduesit në brekë’ Umar Farouk Abdulmutallab, i cli u përpoq të hidhte në erë një fluturake që u nis nga Amsterdami për në Detroit më 2009. Abdulmutallab u lind në Lagos të Nigerisë nga prindër të arsimuar dhe me ndikim, dhe u diplomua në University College London në degën e inxhinerisë mekanike. Ai u radikalizua prej predikimeve online të militantit islamik Anwar al-Awlaki, i cili më pas u vra nga një sulm amerikan me dron. Është vështirë të mos vihet re fakti se Abdulmutallab u josh nga predikimet e Awlakit të paktën pjesërisht për shkak të karakterit të tij intelektual. Po të kishte Abdulmutallabi karkaterin e tillë intelektual që të mos mashtrohej nga Awlaki, atëherë mbase ai nuk do të përfundonte në një fluturake transatlantike me eksplozivë në brekë.

Shpjegimet e karakterit intelektual për besimet e dyshimta janë më kundërthënëse se sa që mund të merret me mend. Për shembull, është thënë se të shpjeguarit e sjelljeve të këqija ose besimeve të çuditshme të njerëzve duke iu referuar karakterit të tyre na bën më jotolerantë dhe më pak empatikë ndaj tyre. Sido që të jetë, nuk është e qartë se si shpjegimet e karakterit do të duhej të na bënin më jotolerantë ndaj të metave të të tjerëve. Le të supozojmë që Shefqeti s’mundet ndryshe veçse të jetë një lloj personi që tërhiqet prej teorive konspirative. A nuk do të duhej të na bënte kjo më shumë se sa më pak tolerantë ndaj besimeve të tij të çuditshme?

[…]

‘Situacionistët’, siç quhen, thonë se sjelljet tona janë përgjithësisht më mirë të shpjeguara përmes faktorëve situacionalë se sa përmes tipareve të supozuara të karakterit. Disa e shohin këtë si arsye të mirë për të qenë skeptikë rreth ekzistencën së karakterit. Në një eksperiment, studentëve të një seminari teologjik iu kërkua që të japin fjalim diku jashtë kampusit. Njërit grup iu kërkua që të flasin për alegorinë e Samaritanit të Mirë, përderisa të tjerëve iu dha një detyrë tjetër. Disave iu ishte thënë se kishin plot kohë për të arritur në vendin ku do të mbahej ligjerata, përderisa të tjerëve iu ishte thënë që të nguteshin. Gjatë rrugës për në vendtakim, të gjithë studentët u ndeshën me një person (aktor) i cili dukshëm kishte nevojë për ndihmë. Gjatë ngjarjes, e vetmja variabël që bëri diferencën në atë se a u ndalën ta ndihmojnë qe ajo se sa për ngut ishin ata; studentëve që iu dukej se po vonoheshin kishin më pak gjasa që të ndaleshin dhe të ndihmonin, se sa ata që menduan se kishin kohë. Sipas filozofit nga Princeton Gilbert Harman, mësimi i eksperimenteve të tilla është që ‘ne duhet të bindim njerëzit që të fokusohen te faktorët situacionalë dhe që të mos provojnë të shpjegojnë gjërat sipas tipareve të karakterit’.

Tiparet e karakterit për të cilat po fliste Harman janë virtyte morale sikurse mirësia dhe zemërgjërësia, por disa situacionistë kundërshtojnë poashtu idenë e virtyteve dhe veseve intelektuale. Për shembull, ata shenjojnë kah dëshmia se njerëzit performojnë shumë mirë në detyrat e zgjidhjes së problemeve kur  ata janë në disponim të mirë. Nëse faktorët e rëndomtë situacionalë si disponimi dhe uria mund të shpjegojnë më mirë sjelljen tuaj intelektuale se sa i ashtuquajturi karakter i juaji intelektual, atëherë cili është arsyetimi i të besuarit në ekzistencën e tipareve të karakterit intelektual? Nëse ekzistojnë tipare të tilla, atëherë a nuk do të duhej që të shpjegonin sjelljen intelektuale të dikujt? Absolutisht, por shembulli sikur ai i Shefqetit sugjeron se tiparet e karakterit intelektual e shpjegojnë sjelljen intelektuale të një personi në një numër të rëndësishëm rastesh. Njerëzit nuk besojnë në gjëra të çuditshme për shkak se ata janë të uritur ose pse janë në disponim të keq (të mirë). Pikëvështrimi se njerëzit nuk kanë tipare të karakterit si syleshësia, mospërfillshmëria apo paragjykimi, ose që njerëzit nuk dallojnë sipas karakterit intelektual, na privon nga shpjegime dukshëm bindëse të sjelljes intelektuale të Shefqetit.

Të supozojmë se del që Shefqeti jeton në një vend ku teoritë konspirative janë të përhapura apo se ai është nën ndikimin e shokëve të cilat janë të përkushtuar ndaj teoricienëve konspirativë. A nuk do të ishin këto shpjegime situacionale jo të karakterit përsosshmërisht të qëndrueshme lidhur me besimet e tij për 11 shtatorin? Vetëm deri diku. Vet fakti që Shefqeti ndikohet lehtë prej shokëve tij na tregon diçka rreth karakterit të tij intelektual. Vendi ku Shefqeti jeton mund të ndihmojë në të shpjeguarit e besimeve të tij, por edhe nëse teoritë konspirative janë të përhapura në çdo cep të vendit të tij, ne ende na duhet të kuptojmë pse disa njerëz në rajonin e tij i besojnë ato, derisa të tjerët jo.

Dallimet në karakterin intelektual ndihmojnë për të shpjeguar pse njerëzit në të njejtën situatë përfundojnë së besuari gjëra aq të ndryshme. Që të mendoni se tiparet e karakterit intelektual janë relevante për sjelljen intelektuale të një personi, ju nuk duhet të mendoni që faktorët tjerë, duke përfshirë faktorët situacionalë, janë jorelevantë. Karakteri intelektual shpjegon sjelljen intelektuale vetëm në ndërthurje me shumë gjëra të tjera, duke përfshirë situatën tuaj dhe mënyrën se si truri juaj i proceson informatat. Situacionizmi vërtet do të ishte problem për pikëvështrimin se tiparet e karakterit shpjegojnë sjelljet tona pa marrë parasysh faktorët situacionalë, por ai nuk është një vështrim i karakterit që ndokush ndonjëherë ka dashur ta mbrojë.

Në terma praktikë, njëra prej gjërave më të vështira në përballje me njerëz sikurse Shefqeti ështe se ka shumë gjasa që ata t’ju akuzojnë për të njëjtat vese intelektuale të cilat ju i vëreni te ta. Ju thoni që Shefqeti është sylesh meqë e beson teorinë e tij konspirative për 11 shtatorin; ai iu kundërshton që ju jeni sylesh meqë besoni në konkluzionet e Komisionit të 11 shtatorit. Ju i thoni se ai i shpërfill gjetjet zyrtare të 11 shtatorit sepse ai është mendjengushtë; ai ju akuzon juve për mendjengushtësi për shkak të refuzimit për të marrë teoritë konspirative seriozisht. Nëse ne jemi shpesh të verbër ndaj veseve tona intelektuale atëherë kush jemi ne për të akuzuar Shefqetin për dështimin për të kuptuar që ai i beson teorive të tij për arsye se ai është sylesh?

Të gjitha këto janë pyetje legjitime, por është me rëndësi të mos jeni shumë të hutuar nga kjo përpjekje për t’i kthyer gjërat përmbys. E vertetë, askush nuk është imun ndaj vetinjorancës. Kjo nuk e përjashton as Shefqetin. E vërteta është se teoria e tij s’vlen gjë, përderisa ka plot arsye për të besuar që përplasja e aeorplanëve shembi Kullat Binjake. Vetëm sepse ju i besoni gjetjeve zyrtare të asaj çfarë ndodhi më 11 shtator, nuk do të thotë që jeni sylesh përderisa ka arsye të forta për të besuar ato gjetje. Njëlloj, të qenit dyshues lidhur me pretendimet më të çmendura të teoricienëve konspirativë të 11 shtatorit nuk do të thotë që jeni mendjengushtë përederisa ka arsye të forta për të qenë dyshues. Shefqeti është sylesh sepse ai beson në gjëra për të cilat ai nuk ka dëshmi të forta, dhe ai është mendjengushtë sepse ai shpërfill pretendimet për të cilët ka dëshmi të pastra. Është me rëndësi që të mos futesh në grackën e të menduarit se ajo çfarë llogaritet si dëshmi e pastër është vetëm një çështje subjektive. Të thuash që Shefqetit i mungojnë dëshmitë e forta do të thotë të tërheqësh vëmendjen për mungesën e dëshmitarëve ose mbështetjes forenzike për teorinë e tij rreth 11 shtatorit, dhe për faktin se teoria e tij është hedhur poshtë nga ekspertët. Shefqeti mund të mos pranojë asnjërën nga këto por kjo do të qe, përsëri, një pasqyrim i karakterit të tij intelektual.

Atëherë kur e tejkaloni idenë që Shefqeti ia ka dalë disi që t’iu kthejë gjërat përmbys, aty mbetet problemi se çfarë të bëhet me njerëz të tillë si ai. Nëse ai është vërtet mendjengushtë atëherë mendja e tij do të jetë me gjasë e mbyllur ndaj idesë se ai është mendjengushtë. Mendjengushtësia është njëra prej veseve intelektuale më të vështira për t’u përballur sepse është në natyrën e vet asaj që të jetë e fshehur prej atyre që e kanë tipar. Edhe nëse ju i bëni Shefqetët e kësaj bote që disi të pranojnë veset e tyre, kjo nuk do t’i përmirësojë domosdoshmërisht gjërat. Të përballurit me veset intelektuale kërkon më shumë se sa dije për vetveten. Ju gjithashtu duhet të jeni të motivuar për të bërë diçka rreth tyre, dhe në fakt të jeni të aftë për të bërë diçka rreth tyre.

A duhet të dënohet Shefqeti për dobësitë e tij? Filozofëve iu pëlqen t’i shohin virtytet si të pasurit e motiveve të mira dhe veset si të pasurit e motiveve të këqija, por motivet e Shefqetit s’është e thënë të jenë të këqija. Ai mund të ketë tamam të njejtën shtytje për dije sikurse personi intelektualisht i virtytshëm, e prapëseprapë të humbë rrugën në oborr për shkak të syleshësisë dhe mentalitetit konspirativ. Pra, edhe sa i përket motiveve të tij edhe sa i përket përgjegjësisë për veset e tij intelektuale, Shefqeti mund të mos jetë doemos i fajshëm. Kjo nuk do të thotë që s’duhet të bëhet asgjë rreth tyre ose rreth tij. Nëse na intereson për të vërtetën atëherë ne duhet të interesohemi që të pajisim njerëzit me mjetet intelektuale për të arritur te e vërteta dhe për të shmangur pavërtetësinë.

Edukimi është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. Veset intelektuale janë vetëm prirje për të menduar në mënyra të caktuara, dhe prirjet mund të kundërshtohen. Veset tona intelektuale baraspeshohen prej virtyteve tona intelektuale, prej tipareve të karakterit intelektual si mendjehapja, kureshtja dhe rigoroziteti. Karakteri intelektual është një përzierje e virtyteve dhe veseve intelektuale, dhe synimet e edukimit duhet të përfshijnë kultivimin e virtyteve intelektuale dhe zvogëlimin e veseve intelektuale. Filozofi Jason Baehr flet për ‘të edukuarit për virtyte intelektuale’, dhe kjo është në parim mënyra më e mirë për t’u përballur me njerëz si Shefqeti. Një raport i vitit 2010 i Këshillit të University College London lidhur me rastin e Abudlmutallabit erdhi në një përfundim të ngjashëm. Raporti këshillonte ‘zhvillimin e trajnimeve akademike për studentë, për t’i inkurajuar dhe përgatitur që jo vetëm të mendojnë kritikisht por që të sfidojnë pikëpamjet e papranueshme’. Sfida është që të gjendet mënyra më e mirë për ta bërë këtë.

Çfarë nëse Shefqetit i ka ikur koha dhe s’është në gjendje të ndryshojë bindjet e veta edhe po deshi ashtu? Sikurse shprehitë tjera të këqija, shprehitë e këqija intelektuale mund të jenë të ngulitura thellë-thellë për t’u ndryshuar. Kjo do të thotë të bashkëjetosh me pasojat e tyre. Të përpiqesh të arsyetosh me njerëz të cilët janë kokëfortësisht mendje-ngushtë, dogmatikë dhe me paragjykime vështirë se do të prodhojë ndonjë gjë. I vetmi ilaç në raste të tilla është të përpiqesh të zvogëlosh dëmin që veset e tyre iu shkaktojnë atyre dhe të tjerëve.

Ndërkohë, ata të cilat kanë vrerin për të dhënë predikime rreth veseve intelektuale të njerëzve të tjerë – në këtë mes jam edhe unë – duhet të pranojnë se edhe ata janë larg së qeni të përsosur. Në këtë kontekst, sikur në shumicën e tyre, pak përulësi do të bënte mire. Është një gjë të mos turbulloheni prej përpjekjeve të Shefqetit për t’i kthyer gjërat mbrapsht, por ai e ka një arsye të paktën deri në këtë masë: askush prej nesh nuk mund të mohojë që veset intelektuale të një lloji apo tjetër janë në funksion në së paku një pjesë të të menduarit tonë. Të qenit të vetëdijshëm për këtë mundësi është shenjë e një mendjeje të shëndoshë.

____________

Përktheu: Bardhi Bakija

Quassim Cassam është profesor i Filozofisë në Universitetin e Uaruikut në Koventri. Librat e tij të fundit janë: Gjëza e Berkeleyt: Çfarë na Mëson Përvoja? [Berkeley’s Puzzle: What Does Experience Teach Us?] (2014) dhe Vetënjohja për Njerëzit [Self-Knowledge for Humans] (2014)

Artikulli origjinal i publikuar në Aeon më 13 mars 2015

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.