Diskursi politik mbi Mitrovicën, ndërmjet semantikes dhe realitetit
Viteve të fundit, si asnjëherë më parë, është aktualizuar në masë të madhe debati mbi përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, indirekt me krijimin e një qendre të vëmendjes në qytetin ku jetoj, Mitrovicën. Kësaj, me gjasë, i ka kontribuuar edhe marrëveshja për Normalizim të Marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Pa hyrë në analizë të marrëveshjes dhe entiteteve politike që dalin nga ajo, është me rëndësi të përmendet diskursi politik që është prodhuar tërë këto vite, e që detyrimisht reflektohet tek shoqëria në qytetin ku jetoj, në një anë, tek riciklimi i ideve politike, duke prodhuar ligjërime populiste, të përfaqësuara politikisht nga niveli lokal dhe ai qendror, si dhe në anën tjetër, një ndjeshmëri e ngjeshur për situata të caktuara politike, e që më pastaj prodhon qasje semantike dhe jo mendim kritik. Kjo ndjeshmëri dikur ka qenë e gatshme për të reaguar skajshmërisht ndaj problemeve që lindin nga situata të ndryshme politike, që shfaqen në vende në zhvillim e sipër.
Besoj që të gjithë jemi të njohur me situatën politike që ka shoqëruar qytetin që nga paslufta e deri më sot*. Ndër tjerash, ajo ka prodhuar një izolim, margjinalizim dhe shkëputje të komuniteteve, thënë më saktë, grupeve përbrenda tij, ndaj njëri tjetrit, përmes rrjeteve tërësisht të ndara të organizatave politiko-shoqërore. Për më tepër, nuk ka prodhuar arritje evoluese që do të parakuptonte një nivel zhvillimi më të lartë, një nivel organizimi dhe gjetje alternativash. Në shembull tipik të kësaj që e thashë, grupet e ndryshme përmës këtij sistemi shoqëror, që përbëhen nga komunitetet e ndryshme, pa dallim, kanë përfaqësuar një mobilitet jashta përfaqësimit të tyre politik, i cili në shumë raste ka qenë larg pritshmërive.
Në parim, bazë për shoqëritë moderne është komunikimi, të cilat nëpërmjet angazhimit politik, krijojnë mjedise për njëra-tjetrën, ku ndërveprimi do të zëvendësonte izolimin dhe do të rriste presionin tek elitat që përfaqësojnë këto grupe, duke incuar çështje me interes të përbashkët. Fatkeqësisht, elitat politike përfaqësuese kanë dështuar në pikat e lartëcekura, duke kufizuar edhe më tutje komunitetet, në angazhimet dhe aktivizimin e tyre shoqërorë.
Pse po e vë theksin tek nevoja imediate e organizimit të komuniteteve, ka të bëjë me kapërcimin e retrospektives historike, e cila nuk po na krijon pamje të qartë ndaj llojeve të ndryshme të sistemeve politike, aq më tepër, po thellon idenë e ndarjes etnike dhe problematizimin e çështjeve të caktuara politike.
Jashta këtij dominimi elitar, i cili në vend se të prodhonte vulnetarizëm politik dhe të krijonte iniciativa rajonale për zhvillimin e demokratizimit shoqëror, ka prodhuar një diskurs që ka segmentarizuar strukturën etnike të shoqërisë. Ajo që vlen për t’u përmendur dhe rekomanduar tutje, është investimi në aktivizmin e shoqërisë civile të përfaqësuar nga akterë të organizatave politike, media, përfaqësuesë të universiteteve, si dhe investimet në hapësira ku shkëmbehen mallra dhe shërbime, të përfaqësuara në formë tregu dhe qendrash të vogla tregtare. Këto dy entitete, kanë prodhuar subjekte të cilat kanë tejkaluar ligjërimin populist të disa përfaqësuesve politikë dhe mosprogresin e tyre në politikbërje si dhe kanë thelluar bashkëpunimin ndëretnik, duke krijuar një sistem shoqëror, ku premisë kryesore është ndërveprimi dhe jo vija ndarëse sa i përket parimeve multietnike.
____________
*
Shoqëria në Mitrovicë, e përfaqësuar nga dy komunitetet, përpara problemeve politike, në radhë të parë përballet me probleme socio-ekonomike, ku shumica e të rinjëve nuk janë më marrëdhënie pune. Kjo është vërejtur gjatë punës sime si hulumtues në teren dhe angazhimit civil, si dhe bazuar në punën hulumtuese të organizatave të shoqërisë civile.