Integrimi administrativ i veriut të Kosovës, pa marrëveshje të nënshkruar shoqërore me veriun, do t’i kontribuojë jostabilitetit ekonomik dhe shoqëror në Kosovë.
Kufijtë e kësaj bote nuk i ka vizatuar Zoti, e as që kanë lindur si rezultat i Shpërthimit të Madh, por ato krijohen në bazë të marrëveshjeve shoqërore të njerëzve në një territor të caktuar. Në kontekstin e Kosovës, ajo marrëveshje shoqërore me veriun nuk është nënshkruar. Mu ashtu sikur që shoqëria serbe atëbotë nuk ka arritur ta nënshkruante këtë marrëveshje me popullsinë shqiptare në Kosovë.
Pra, sa i përket marrëveshjes shoqërore të Kosovës: në njërën anë kemi qeverinë e Kosovës përpara pjesës shqiptare të shoqërisë kosovare dhe në anën tjetër kemi territorin me 4 komuna më veriore dhe me popullsinë brenda tyre. Popullsia e atyre 4 komunave nuk është e kënaqur me të drejtat dhe obligimet të cilat i ofron ajo marrëveshje. E marrëveshja ofron: integrim sipas planit (të pakompletuar) të Ahtisarit në shoqëri dhe në sistem institucional ndaj të cilit ekziston droja dhe mosbesimi, e i cili njëkohësisht nuk është aspak tërheqës në aspektin ekonomik. Popullsia më me dëshirë do ta nënshkruante marrëveshjen shoqërore me Serbinë.
Sipas mendimit tim, ekzistojnë tri arsye kryesore për këtë mospajtim të veriut për integrim.
Së pari, arsyet janë emocionale. Njerëzit në veri të Kosovës dëshirojnë të jetojnë në shtetin amë, ku janë shumicë etnike. Ndjenja e përkatësisë me shumicën ofron komoditet dhe siguri të caktuar.
Pastaj kemi arsye ekonomike. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për paga në sektorin publik dhe për nivelin e mirëqenies sociale e shëndetësore që i ofron sistemi serb. Kosova nuk ofron kushte të njëjta për prosperitetin ekonomik si Serbia kur krahasoni nivelin e sundimit të ligjit dhe treguesit makroekonomikë të Serbisë dhe të Kosovës. Këto të dhëna mund të shihen në uebfaqen e Bankës Botërore si dhe në dokumentet e të dy qeverive.
Dhe në fund, e që është shumë me rëndësi, është mungesa e besimit dhe droja ndaj institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë së Kosovës.
Tingëllon mirë ajo klishe e përfaqësuesve të shoqrisë civile dhe të elitave politike të Kosovës të cilën pambarimisht ua përsërisin ndërkombëtarëve: “Kosova i ka standardet më të larta për pakicat në krejt Europën”. Bukur duket ajo në letër, në google translate në serbisht.
Ja disa masa diskriminuese të cilat kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes:
A e keni ditur se patentë shoferi im, të cilën e kam tash e 10 vjet, vlen gjithkund në botë pos në Kosovë, ku unë jetoj? Atë e kanë lëshuar “institucionet paralele” ani pse në vitin 2006 ato kanë qenë institucioni i vetëm ku kam mundur ta kaloj provimin e vozitjes, pra, nuk ka mundur të jetë paralele kundrejt ndonjë institucioni tjetër. Komuna e Kosovës nuk mund të më lëshojë patentë shoferi të Kosovës në bazë të kësaj “paraleles”, dhe thonë: “Nuk i njohim dokumentet ilegale”. Njëkohësisht, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përveç dokumenteve të Kosovës kërkon nga shfrytëzuesit serbë të ndihmës sociale t’i shohë edhe këto letërnjoftime “paralele”, për ta dëshmuar vendbanimin e Kosovës, dhe në këtë mënyrë ta ruajnë të drejtën për shtesa sociale. Pra, nganjëherë janë ilegale, nganjëherë jo.
Pra, ka njerëz të cilët sistemi, përmes procedurave të pamundura byrokratike, i bllokon që t’i nxjerrin dokumentet e Kosovës. Në anën tjetër, praktika e re e qeverisë së Kosovës është që të bëhet e shurdhër karshi kornizave të veta ligjore të cilat e rregullojnë të drejtën për shtetësi të dyfishtë. Pasaportat e nxjerra nga Zyra Koordinuese janë shpallur dokumente ilegale. Zyra Koordinuese është njësi e centralizuar brenda MPB-së së Serbisë, pra nuk është institucion “paralel”.
Në kuptimin figurativ, ka njerëz të cilët nuk mund t’i marrin dokumentet e Kosovës, e dokumentet e tyre serbe janë shpallur ilegale, me çka ata efektivisht bëhen të burgosurit e vilajetit të Kosovës Veriore. Integrimi ekonomik dhe krijimi i ndërvarësisë më të madhe ekonomike të veriut dhe jugut ndoshta do t’i kontribuonte zbutjes së tensioneve, mirëpo, parakushti themelor për integrimin ekonomik dhe shoqëror – liria e lëvizjes për qytetarët e veriut, nuk është përmbushur.
Kërcënime me spastrim etnik nga ana e kryesuesit të Komisionit për Siguri të Kuvendit të Kosovës, sulmet ndaj të kthyerve, mosplotësimi i kuotave të punësimit në sektorin publik, uzurpimi i pronave private, ndalimi i importit të librave në gjuhën serbe në Kosovë, google translate nëpër institucione që fyen çdo dinjitet, alfabeti cirilik si alfabet i papranueshëm në Kosovë, megjithëse garantohet legaliteti i tij. Si të pritet pra plotësimi i çfarëdo të drejte tjetër nëse diçka aq e parrezikshme e cënon Kosovën?
Lista vazhdon, e të gjitha këto çojnë në përfundimin se qeveria e Kosovës dëshiron ta integrojë territorin, e jo edhe popullsinë.
Cilat nga këto gjëra i ka adresuar shoqëria civile shqiptare e Kosovës? A i përfaqësojnë ata vlerat qytetare vetëm në statutin e tyre?
Por, të kthehem te marrëveshja shoqërore.
Natyrisht, edhe nëse veriu nuk dëshiron ta nënshkruajë atë marrëveshje, ekziston një anashkalim në formë të Qeverisë së Serbisë, e cila në emër të veriut po e nënshkruan atë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës. Në bazë të asaj marrëveshjeje, veriu ëështë në proces të integrimit administrativ. Por, duke marrë parasysh mënyrën se si është nënshkruar marrëveshja, integrimi administrativ nuk nënkupton edhe integrimin shoqëror për shkak të arsyeve të lartpërmendura.
Kushtet e tilla të kohezionit të detyruar të territorit të caktuar pa pëlqimin e brendshëm shoqëror i kontribuojnë jostabilitetit, gjithashtu për shkak të arsyeve të lartpërmendura. Se është e natyrshme që ai i cili është i pakënaqur dhe i cenuar të ankohet e të kërkojë mbrojtës. Në këtë rast, serbët gjithmonë do t’i kthejnë sytë nga Beogradi.
Si përfundim, në rrethanat e këtilla, jostabiliteti në veri është gjithmonë i mundshëm.
Përveç faktit se është arsyetim i shkëlqyeshëm i elitave politke për menaxhim të keq, jostabiliteti në sistemin e caktuar administrativ, ciklik e me lidhje shkak-pasojë nënkupton klimë të keqe investive dhe ngecje ekonomike.
Edhe pse shkaqet e jostabilitetit në Kosovë dhe shkaqet e marrëdhënieve të këqija ndëretnike janë shumë më të thella e më komplekse, konsideroj se një pjesë e zgjidhjes së problemit të jostabilitetit qëndron pikërisht në marrëdhëniet e pjesës shqiptare të shoqërisë së Kosovës karshi serbëve në Kosovë.
Përse përgjegjësia kryesore bie mbi shoqërinë e Kosovës e jo mbi elitat politike dhe institucionet?
Diskursi publik dhe forma e sjelljes së elitave politike dhe institucioneve krijohet nga shoqëria dhe elitat politike, si dhe nga ndikimet e tyre të ndërsjella. Në atë proces i cili është i dykahshëm, shoqëria megjithatë e ka primatin më të rëndësishëm në krijimin e tyre. Elitat politke krijojnë diskursin dhe sjelljen e tyre në bazë të kërkesës në treg, pra, në bazë të asaj që elektorati kërkon të dëgjojë dhe të shohë. Rrjedhimisht, ndërsa rrethanat në ndonjë shoqëri ndryshojnë, edhe diskursi publik dhe sjellja e elitave politike dhe institucioneve ndryshon dhe përshtatet.
Përse gjatë gjithë kohës e theksoj përgjegjësinë e pjesës shqiptare të shoqërisë së Kosovës, dhe nuk e theksoj përgjegjësinë e serbëve nga Kosova karshi sistemit të Kosovës? Për shkak se shumica është gjithmonë përgjegjëse për integrimin e pakicës, ashtu siç shoqëria serbe ishte përgjegjëse për integrimin e pakicës shqiptare në atë kohë, dhe nuk e arriti këtë qëllim.
Gjithsesi konsideroj se duhet të ekzistojë proces i ndërsjellë i eliminimit të paragjykimeve ndaj njëri-tjetrit pavarësisht proceseve politike dhe statusore. Sepse, kultivimi i paragjykimeve nuk është punë e shëndoshë dhe askush prej neve nuk ka zgjedhur nëse do të lindë si serb, si shqiptar apo si rom.
Megjithatë, duket se zhvillimi ekonomik, shoqëria qytetare dhe marrëveshja shoqërore janë shumë larg.