Shkas i këtij shkrimi të shkurtë sot në Sbunker asht nji komunikim për nji artikull të Aristea Kolës në gazetën Mapo (Shqipni), të datës 9 Shtator të këtij viti. Artikullin në fjalë mundeni me e gjetë këtu. Para se me nisë me nja dy sqarime të vogla, na lejoni me ju ba me dije se autorja në fjalë (për të gjithë ata që në rrjetin social facebook kanë shtrue pyetjen se kush asht ajo) ka fitue gradën Master i Shkencave në Universitetin e Tiranës (drejtimi: Teori dhe Kritikë letrare, VV. AA. 2013-2015), – universitet nga i cili asht nderue me medalje ari [për ata që nuk e dinë, kjo medalje jepet kur studenti e mbaron ciklin studimor me rezultatin 10. 00]. Po ashtu deri tash ajo ka kontribute kritike në disa organe brenda dhe jashtë vendi, si: ‘Hylli i Dritës’, ‘Letra’, ‘Gegnia’, ‘Dielli’, ‘Standard’, ‘Panorama’ etj. Njikohësisht me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipnisë, gjatë viteve 2015-2016, ka krye dhe workshope për Creative Writing. Përveç këtyne, kjo autore që asht e datëlindjes 1990 (kur shumica kujtojnë se ka punue edhe në komunizëm) asht bashkëdrejtuese dhe kryeredaktore e revistës kritike online ‘Kêns’, nr. I/2017, ISSN: 2521-7348. Për ma tepër: www.kens.al ose shih intervistën mbi themelimin e revistës.
Ma e keqja asht se komentuesit (nisë prej atyne që pandehin se ky emën asht anonim a pseudonim) nuk kanë kërkue ndonji rezultat në internet mbi këtë emën. E vetmja gja që kanë arritë me ba asht se janë marrë me personin e jo tekstin, i cili ka trajtue nji fenomen estetik, letrar e jo autoret! Mandej, shkruesit kanë gjetë disa informata krejt pa randësi, se ajo asht dhe bashkëshortja e L. Kolës, dhe disa të tjerë kanë shpifë e akuzue se ky i fundit asht personi që e ka shkrue artikullin, por asht fshehë pas emnit të së shoqes. Pyetje: kush e pengonte që artikullin me e shkrue L. K., dhe me dalë me emnin e tij? I duhej të ishte fshehë, kur ka vite që reagon mbi institucionet vendase me shkrim e me figurë, apo qoftë mbi realitete kulturore? Kjo punë si duket, ka shqetësue komentuesin ma inkompetent deri tek ata kompetentët: studiues, përkthyes e albanologë. Na dilka në disa pohime, se po sulmohet gegënishtja (!!!???), në nji kohë që – elementi ma parësor – vetë artikulli asht në gegënisht. E kështu kanë nisë tue tjerrë muhabet, në këtë rrjet social, me supozime, hamendsime, e akuza!
E vetmja gja që u themi personave që shtypin tastet asht: ju lutem lexojeni tekstin para se të nisni komentin. Mos u mjaftoni me u përzi (idiomën e këtij fenomeni kërkojeni vetë në Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe) vetëm për hir të nji komenti. Le të ketë nji reagim ma të gjanë, jo brenda nji hapësine ku marrin pjesë nji numër i caktuem njerëzish, por siç ka ba autorja (në nji gazetë, e cila bie në kontakt me miliona shqiptarë/shqipfolës). Kështu diskutimi bahet ma demokratik dhe u jepet mundësia kategorive të ndyshme të lexuesve, e jo vetëm 100 miqve në Fb. Në këtë mënyrë kuptohet se kush po fshihet… Dhe e fundit: nuk asht faji i autores, Aristea Kolës, se nji pjesë e shkrimit ka përkue me realitetin e ndokujt, qoftë edhe atëherë kur nuk ka qenë në qëllimin e saj.