Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Vetoja” e Listës Srpska në ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësim në UNESCO

Tani më duket se Kosova ka arritur të sigurojë pëkrahjen e shteteve për anëtarësim në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO). Në rast të pranimit në UNESCO, Kuvendi i Kosovës nevojitet të nxjerrë ligj për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për anëtarsim në këtë organizatë (këtu e tutje: Ligji për UNESCO).

Duke e parë të vështirë betejën në UNESCO, politikanë serb kanë ngritur idenë se anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare do të bllokohet në Kuvendin e Kosovës nga deputetët serb. Më saktësisht, Radmilla Trajkoviq ka argumentuar se meqë Ligji për UNESCO prekë çështjet e trashëgimisë kulturore dhe edukimit, ai nuk mund të kalojë në Kuvend pa siguruar edhe shumicën e votave të deputetëve serb. Këtë ajo e bazon duke u thirrur në nenin 81 të Kushtetutës së Kosovës, dispozitë kjo që rregullon mënyrën e aprovimit të “Legjislacionit të Interesit Vital”.

Neni 81 precizon se për miratimin e ligjeve që ndërlidhen, ndër të tjera, me trashëgiminë kulturore, përdorimin e gjuhëve, liritë fetare dhe arsimin kërkohet shumica e votave edhe e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kosovë. Në njëfarë forme kjo dispozitë e krijon të drejtën e “vetos” duke iu mundësuar kështu deputetëve të një etnie të bllokojnë ligjet kur ato prekun interesin e tyre në tema të caktuara. Një dispozitë e ngjashme (por jo e njejtë) mbi legjislacionin e interesit nacional ekziston edhe në Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

E drejta e “vetos” në raste të tilla edhe pse është e paraparë për qëllime fisnike (p.sh. pamundësia që komuniteti shumicë ti limitoj apo abrogoj të drejtat e minoriteteve) ajo mund të përdoret edhe për destruktivitet. Kjo mund të jetë destruktive kur deputetët e një etnie thjesht bllokojnë cdo gjë duke u thirrur në interesin e tyre identitar. Në lidhje me këtë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka sqaruar se ligjet e interesit nacional kanë për qëllim të sigurojnë:

“pjesëmarrjen efektive të grupeve etnike … për ligjvënie demokratike në institucione të shtetit multi-etnik… [Megjithatë] kjo nuk mund të transformohet në dominimin etnik të njërit grup ndaj tjetrit, për shembull, duke përdorur fuqinë e vetos në mënyrë të pakufizuar, dhe duke mundësuar që një grup minoritar … të imponoj pafundësishtë vullnetin e tyre ndaj shumicës.

Duke e njohur qëndrimin publik të zonjës Trajkoviq se neni 81 i Kushtetutës duhet të përdoret nga deputetët serb për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës, institucionet vendore duhet te jenë koshiente në krijimin e praktikës interpretuese të kësaj dispozite.

Neni 81 duhet të shihet si dispozitë që garanton përfaqësimin demokratik të të gjitha komuniteteve në Kuvend dhe fuqinë e tyre të barabartë me komunitetin shumicë për ligjvënie në çështjet që prekun të drejtat e tyre identitare (fe, gjuhë, kulturë etj). Referimi në këtë dispozitë duhet të jetë në rastet kur aprovohen ligje të reja të cilat përmbajnë dispozita që limitojnë të drejtat ekzistuese të minoriteteve apo kur ato komunitete kërkojnë të drejta të plotësuara. Ta zëmë, komuniteti shumicë në Kuvendin e Kosovës nuk mund të aprovoj ligj për ndalimin e përdorimit të gjuhës serbe, apo pengimin e edukimit në atë gjuhë.

Megjithatë, neni 81 nuk mund të kuptohet si mundësi e pengimit të çfarëdo legjislacioni për edukim, kulturë, gjuhë apo çështje të tjera edhe kur ka për qëllim ratifikimin e konventave ndërkombëtare apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të cilat mëtojnë të promovojnë liritë dhe të drejtat universale, përfshirë këtu ato të komuniteteve pakicë.

UNESCO në Kushtetutën e saj sqaron se qëllimi i organizatës është “të kontribuoj për paqen dhe sigurinë në Botë duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtarë përmes arsimit, shkencës dhe kulturës”. Preambula e saj gjithashtu thekson se “injoranca… dhe mosbesimi ndërmjet popujve të Botës të cilët kanë vënë në pah dallimet e tyre shpeshherë kanë qenë shkaktarë të luftrave”.

Nga Kushtetuta e UNESCO-së dhe puna e saj do të ishte absurde të argumentohet se anëtarësimi në këtë organizatë cënon interesin e çfarëdo etnie në Kosovë apo gjetiu. Në fakt e kundërta mund të argumentohet.

Si përkrahës i të drejtave të njeriut, përshirë i të drejtave të minoriteteve, besoj fuqishëm në rëndësinë e nenit 81 dhe zbatimin e sakt të tij. Rrjedhimisht, komunitetet shumicë, nuk duhet të shmangin rëndësinë kushtetuese të kësaj dispozite kur në mënyrë të matshme dhe praktike preken të drejtat e çfarëdo komuniteti në Kosovë. Megjithatë, neni 81 nuk krijon të drejtë kushtetuese për deputetë të një etnie për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, pengimin e shtetit në procese integruese apo avansimit të saj. Në bazë të nenit 74 të Kushtetutës, çdo deputet është i obliguar të “ushtrojë funksionin e tij në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës”. Devijimi i deputetit nga ky obligim kushtetues vetëm e zbeh legjitimitetin dhe qëllimin fisnik të nenit 81 me çka edhe e cënon pozitën e komunitetit të cilin e përfaqësojnë.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.