Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Gjergj Fishta në landfillin e letërsisë shqipe

Në parantezë, më duhet të pohoj se këtë shkrim nuk duhej ta kisha ba unë por kushdo nga kolegët, studiuesit, profesorët, njerëzit e letrave – që janë në dijeni të problematikës që kam parashtue tash pesë muej – për arsye se interpretimi ndaj Fishtës i përket edhe opinionit të përgjithshëm publik. E pleqnova me vete se kaq kohë asht e mjaftueshme për kêdo. Por me sa duket heshtja po flitka shumë. Gjithashtu, po baj me dije se ky reagim asht vetëm profesional, pastërtisht i tillë si të gjitha shkrimet e tjera të miat në shtypin e përditshëm.

Në dy artikujt e mi ‘Autoplagjiatura në shkencën shqipe’, botue në ‘Panorama’ (8 maj 2018, f. 19) dhe ‘Fishtologjia sot’, botue në ‘Hyllin e Dritës’, (1-2018, ff. 146-169) kam shtrue shqetësimin e rrenimit të Fishtës si autor, në veprën ‘Hulumtime…’ të studiueses Blerina Suta. Kjo gja nuk vonoi dhe u vërtetue në artikullin ‘Një tjetër dritë mbi veprën e At Gjergj Fishtës’ (‘Panorama’, 01 tetor 2018). Në dukje asht nji artikull i cili e ndërton artikulimin e vet sikur mbi këtë vepër të Sutës nuk ka ekzistue asnji vlerësim kritik paraprak. Le të gjykojmë se kjo asht nji çeshtje preferenciale për mos me u përfshî në nji diskutim që dikush tjetër e ka nisë ma heret (jo pak por nji ekzaminim 23 ff. reviste, shto ma përpara dhe ato në gazetë). Edhe pse duhet thanë se mohimi i ekzistencës së kontributit të nji tjetër studiuesi nuk asht etikë profesionale. Le ta harrojmë edhe faktin se autori i këtyne rreshtave punon në të njejtin departament me autoren e recensionit. Gjithsesi… Ajo çka asht ma shqetësuese, përtej këtyne, asht fati shkencor i Fishtës. Konkretisht, mendimi aktual i disa studiuesve për ‘receptimin’ e tij në letërsinë shqipe. Artikulli në fjalë ‘Një tjetër dritë’ asht nji ripohim (rpt) i mbërritjeve shkencore të Sutës, në total. Aty madje vêhet theksi në pohime të tilla si: ‘Fishta mund të kanonizohet si poet i stilit dhe jo i kombit’ që e çojnë këtë autor menjiherë në landfillin e letërsisë shqipe. Mos vallë ndonji nga autorët e letërsisë së bejtexhijve duhet të konsiderohet poet i kombit? – Që të bajmë në këtë mënyrë nji thyemje vertikale të mitit. Ose pika tjetër: nënkuptohet që Fishta me ba hije nën letërsinë sllavo-jugore. Këtë e çeshtje të ngjashme i kam rrahë tashma, e nuk asht vendi me i risjellë në vêmendje. Që me e groposë edhe ma shumë Fishtën, riciklohet mendimi i kudondodhshëm ndër shqiptarë, se ‘Lahuta e Malcís’ ka probleme receptimi me nxanësit e me lexuesit shqiptarë pikërisht nga ‘modeli i gegënishtes’ që ofron vepra. Kjo temë do merrte nji shtrimje mjaft të gjanë përtej gazetës, në konferenca e departamente aty ku asht vendi i duhun. Vetëm me gjykime të tilla mund të birret aspekti i nacionalitetit në letërsi. Aq ma tepër nga specialistë të fushës. Tashma nga studiues bazikë asht pranue se vepra e Fishtës asht pikë e fortë e identifikimit etnik, dhe se ai këtë e ka ba me vetëdije të plotë, për me i dhanë veprës (veçan ‘Lahutës’) frymën kombtare. Sa mirë, po e ripërsëris, italianët nuk ia prekin presjen Dantes? E pra ‘Komedia Hyjnore’ ka dhetëfishin e moshës me ‘Lahutën’... ata nxanës të gjimnazit a kanë të njejten moshë me gjimnazistët tonë? Vetëm në nji vend si Shqipnia diskutohen këto probleme. Aspekti i ‘vjetrimit’ të Fishtës asht sindrom i njohun te disa studiues, të cilët i kanë hy vargjeve të këtij autori me traktorin e kooperativës. Ne jemi të ndërgjegjshëm se Fishta ‘mund’ të ketë po aq probleme sa Naimi në lexim, ose Koliqi po aq sa Kuteli. Po të gjithë janë autorë të nji letërsie kombtare, e nuk kanë asnji problem në lexim. Sigurisht nuk mund ta bajmë ‘Lahutën’ as ‘Vjeshtën e Xheladin Beut’ si ‘Kronikë në gur’ (po flas në aspekt gjuhësor).

Rindeshet sërish rasti ‘i gjuhës së përditshme’ në veprën e Fishtës (poezinë); pavarësisht se pretendohet për nji përdorim ‘gjenial’ të saj. Ky asht ndër mendimet ma të kontestueshme të studimit të Sutës. Sidoqoftë, tash nga nji bahen dy në thyemjen kanonike të teorisë së letërsisë ndër shekuj. Poezia e Fishtës, e defamiljarizon patjetër gjuhën e përditshme, materie me të cilën ai punon doemos – sepse ka vizion nacional: si shumë sivllazën të tij, Gjeçovi, Palaj, Kurti.

Nëse rezultati i nji (auto)plagjiature dhe i gabimeve shkencore, prej te keqshkrimi i emnave dhe i veprave të autorëve e deri tek kuptimi i ullirit në vend të dëllinjës ose kompilimi i nji vepre edhe me materiale e sythe të punimeve të hershme, mund të jenë ‘kualitet profesional’ dhe që ‘meritojnë vëmendjen e institucioneve dhe komunitetit të studiuesve’, atëherë më lejoni të tham – siç e nisa në krye – se parashikimi im nuk ka vonue me dalë as dy muej nga botimi i HD. Po i referohem vetëm fjalisë së fundit, të atij artikulli: “kolapsin e shkencës letrare shqipe e kemi mbas dere”. Dhe këtë kolaps po e institucionalizojmë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.