Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Kur taksat shndërrohen në vjedhje nga ana e shtetit

Para rreth katër muajsh, kur ende rrugët në bjeshkët e Tropojës ishin të hapura, ndërmora një udhëtim në Dobërdol, që është një ndër perlat alpine të Shqipërisë. Bëhet fjalë për skajin verilindor të Shqipërisë ku bashohen kufijtë e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi me një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm malor e madje edhe për skijim por që ende neglizhohet e lihet pa shfrytëzuar. çdo lexuesi ia rekomandoj fortë që ta eksplorojë atë zonë marramëndese por nuk është ky thelbi i artikullit. Një ndër gjërat e para që të bie në sy e ta këput shpirtin është mungesa totale e infrastrukturës. Rrugët janë ato që i ka pas lënë ushtria popullore e RPSSH dikur e vendosur në masë për të mbrojtur kufijtë por tani janë të mbushura me baltë e janë të kapërcyeshme vetëm me makina të larta 4×4. Kur mbërrin tek stanet e Dobërdolit sheh se nuk ka as rrymë, as sinjal telefonik as sinjal televiziv por kishte taksa. Vetëm mobitel malazez kapte. Pra shteti nuk iu jepte asnjë gjë atyre banorëve të atjeshëm të cilët mezi mbanin bagëtinë e tyre dhe mezi kishin organizuar disa bujtina rudimentare për turistë të apasionuar pas maleve por ndërkohë iu merrte taksa. Jepnin taksa në këmbim të asgjëje. Kontratë sociale është kur shteti jep diçka në këmbim të asaj që merr mirëpo kur nuk kthen asgjë atëherë kjo situatë nuk mund të quhet tjetër përveçse vjedhje nga ana e shtetit.

Ajo situatë absurde me kujtoi një thënie të famshme të Benjamin Franklin i cili thoshte se “‘Në këtë botë asgjë nuk mund të thuhet të është e sigurt, përveç vdekjes dhe taksave”. Pra rasti i Dobërdolit tregon se ka taksa por s’ka shtet ose më saktë shteti nuk jep ndonjë gjë për taksat që merr. Fatkeqësisht askush nuk e analizon siç duhet se çfarë jep shteti për qytetarët në këmbim të taksave që ata japin. Madje në opinonin publik ka pak debat se si shpenzohet paratë e taksapaguesve politikanët të cilët nuk e kanë për gjë që të bëjnë bamirësi e japin shpërblime me paratë e buxhetit sikur të ishin paratë e trashëguara prej babait të tyre. Shpenzimet buxhetore nuk i trajtojnë si borxh që ata ia kanë qytetarëve por i shesin investimet si favor për të cilat ata duhet të shpërblehen e kompensohen duke dhënë votën. Tek ne taksat rriten gradualisht pa kuptuar, rregullat e lojës ndryshohen e improvizohen shpesh çdo vit. Në shumicën e rasteve këto ndryshime nuk bëhen për të rritur ekonominë e vendit dhe mirëqënien e qytetarëve por për të favorizuar aktorë të caktuar ekonomikë apo segmente të posaçme elektorale. Mirëpo ndërkohë që taksat rriten, nuk rritet cilësia e shërbimeve publike si drejtësia, arsimi, shëndetësia që shteti i jep qytetarëve. Për mos të folur që investimet infrastrukturore janë pothuaj inekzistente viteve të fundit.

Për të krijuar një ide se sa e rëndë është barra e taksave në Shqipëri mjafton të shikohet renditja që ka në raportin Paying Taxes të IFC-së dhe Priceëatercooper dhe të krahasohet me vendet e tjera fqinje. Ky raport i rendit vendet në varësi të lehtësisë së pagesës së taksave, numrit të taksave dhe vëllimit të tyre.  Shqipëria del dukshëm më keq se fqinjët e saj duke mbajtur vendin 122-të. Ndërkohë Kosova është në vendin 44, Serbia 79, Mali i zi 68 dhe Maqedonia 31. Për të kuptuar se sa e madhe është ndërhyrja dhe përmasa e shtetit shqiptar në ekonomi duhet parë raporti i përvitshëm “Doing Business”. Ky raport i nxjerrë prej Bankës Botërore për klimën e biznesit e nxjerr Shqipërinë në pozicionin më të keq në rajon. Sivjet Shqipëria renditet në vendin e 63-të ndërkohë që Kosova 44, Mali i zi 50, Serbia 48 dhe Maqedonia 10.  Po ashtu në raportin e lirisë ekonomike të botuar nga fondacioni prestigjioz amerikan Heritage, ekonomia e Shqipërisë konsiderohet si pjesërisht e lirë duke u renditur në vendin e 65-të. Pra nderhyrja e shtetit në ekonomi është e madhe, qytetarët paguajnë shumë taka, mirëpo marrim shumë pak në këmbim të asaj që paguajnë.

Për të kuptuar më saktë marrëdhënien mes popullit dhe taksave duhet analizuar struktura e të ardhurave buxhetore në Shqipëri duke shqyrtuar buxhetin e vitit 2019. Taksa që mendohet se do të sjell ëmë shumë të ardhura në buxhet në Shqipëri është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që në buxhetin e vitit 2019 pritet të sjellë më shumë se një të tretën 31.5% e  të ardhurave totale buxhetore. Akciza për naftë, alkohol etj. pritet të sjellë në total 9.9% të të ardhurave, duke bërë që së bashku me TVSH-në këto taksa të konsumit do të të përbëjnë mbi 41% të parave të planifikuara për t’u mbledhur vitin e ardhshëm. Tatimfitimi që pritet të merret këtë vit nga bizneset parashikohet se do të sjellë diku tek 7% të të ardhurave të shtetit ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale do të përbëjënë diku tek 8.5% të totalit. Pra të ardhurat që vijnë nga suksesi i shoqërisë pra fitimet apo të ardhurat personale, përbën një copëzë të vockël të të ardhurave në Shqipëri. Pjesa tjetër e buxhetit përbëhet nga të ardhurat prej pushtetit vendor, të ardhurat nga fondet speciale  ( ku spikasin sigurimet shoqërore) që do të sjellin  që pritet të sjellin 20% të totalit si dhe të ardhurat jo-tatimore me rreth 7.4%.

Fakti që shteti i siguron të ardhurat e vete dërrmuese në mënyrë indirekte nëpërmjet taksimit të konsumit shkakton dy probleme kryesore. Së pari buxheti i shtetit dhe për rrjedhojë edhe shpenzimet që bën nuk varen prej suksesit të shoqërisë sepse diku tek 15.5% e të ardhurave buxhetore vijnë nga tatim fitimi i sipërmarrësve dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale. Kjo do të thotë që qeveritarët janë indiferenctë e moskokëçarës për mbarëvajtjen e biznesmenëve apo të ardhurat e qytetarëve sepse këto elemente ndikojnë fare pak në mbushjen e thesit të buxhetit të shtetit ku e fusin dorën në mënyrë të shkujdesur për ta harxhuar.

Së dyti, fakti që qytetarët e thjeshtë apo biznesmenët paguajnë vetëm një pjesë të vogël të buxhetit në mënyrë të drejtpërdrejtë, i bën ata të ndihen më pak pronarë të buxhetit shtetëror. Pra, në kushtet kur nuk i shikojnë dhe nuk e kuptojnë se paratë shteti është duke ia marrë në mënyrë indirekte, ata edhe kërkojnë më pak llogari ndaj qeveritarëve. Kjo është arsyeja kryesore përse qeveritarët flasin për investime apo shpenzime buxhetore si të ishin paratë e tyre dhe këtë gjë qytetarët e marin të  mirëqenë. Duke mos u varur buxheti prej të ardhurave të tyre si individë apo sipërmarrës, ata nuk ndihen se kanë të drejtë të kërkojnë llogari për mënyrën se si shpenzohet buxheti dhe ndihen madje mirënjohës nëse kanë ndonjë përfitim minimal pre shpenzimeve buxhetore.

Nuk është aspak rastësi që banorët e Kukësit bënë një protestë të dhunshme kundër tarifës së kalimit të autostradës së kombit vetëm atëhere kur e panë në mënyrë të prekshme e materiale se do të nxirrnin 5 euro nga xhepi. Mirëpo ndërkaq për vite me radhë kanë paguar shumë më shumë se aq në mënyrë indirekte nëpërmjet 20 centëve të paguara për çdo litër si taksë qarkullimi. Faturën për përdorimin e rrugës ishin tashmë duke e paguar prej kohësh në mënyrë masive në formën e një çmimi të kripur prej taksës për qarkullimin por nuk e kuptonin dhe prandaj nuk u revoltuan asnjëherë. Vetëm kur u desh ta nxirrnin drejtpërdrejtë nga xhepi e tia jepnin në dorë punonjësve të traut atëhere u vetëdijësuan për padrejtësinë dhe taksëimin e tepruar. Po ashtu duhet theksuar se nafta në Shqipëri është më e shtrenjta në rajon sepse përveç kostos me të cilën importohet ngarkohet me  37 lekë për litër për akcizën, 27 lekë për litër si taksë qarkullimi; 3 lekë për litër si taksë karboni, 1 lekë për litër si tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, ndërsa TVSH totale arrin në 28 lekë për litër. Po ashtu studentët u revoltuan e dolën në protestë prej tarifimit të provimeve të mbartura që iu rëndonin xhepin, por nuk e kanë vrarë mendjen dhe skanë treguar kurrfarë ndjeshmërie për taksat indirekte që janë shtuar gradualisht dhe i kanë rënduar në formë të fshehur prej vitesh.

E gjithë kjo situatë na lë të kuptojmë se kemi nevojë që të rishqyrtojmë marrëdhënien me shtetin sepse kemi një publik ende të pasqaruar e pandërgjegjësuar.  Kjo do të thotë se kemi nevojë për një fushatë të mirëfilltë mbarëkombëtare të edukimit për ekonominë e tregut dhe botën financiare. Kemi nevojë për më shumë vëmendje e vigjilencë për administrimin e taksave tona të drejtpërdrejta dhe indirekte dhe për presion më të madh që ato të trajtohen me përgjegjshmëri e transparencë prej qeveritarëve. Kemi nevojë që t’i japim më shumë hapësirë temave ekonomike në debatin tonë publik dhe ta përqëndrojmë më shumë vëmendjen tek mënyra se si hartohet buxheti i shteti, se si planifikohen shpenzimet buxhetore dhe ajo që është më e rëndësishme tek ajo që marrim në këmbim të taksave tona.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.