Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rini n’konservë!

Illustration: Big Eye

Të rinjtë e Kosovës po vazhdojnë të përballen me një sistem i cili nuk e zhvillon të menduarit kritik dhe masën kritike mes tyre, mirëpo, përkundrazi po i vendos brenda katër mureve të të menduarit pa iu lënë hapësirë për kureshtje, pyetje e kreativitet për fenomenet të cilat ndodhin jashtë këtyre katër mureve dhe pa asnjë lloj guximi për çmitizim të autoritetit dhe kritikë ndaj krijuesve të mureve – prindërve, pedagogëve, hoxhallarëve dhe priftërinjve.

Kjo mungesë e kritikës nga të rinjtë e Kosovës, e cila e përbën shumicën e tërësisë së popullësisë po bën që ata/ato të mbajnë një “status quo” kundrejt traditës dhe të mos ekzistojë revolta dhe dëshira për kontestimin e padrejtësive shoqërore dhe politike të cilat vijnë si pasojë e trashëgimit të ideve dhe kulturave të mëhershme ndër gjenerata. E gjithë kjo po bën që të rinjtë burimin kryesor të bindjeve dhe vlerave të tyre ta kenë institucionin e familjes dhe religjionit si institucionet më të afërta dhe “më të besueshme” në rrethin shoqëror të tyre, e sidomos të të rinjëve të cilët jetojnë në zona rurale.

Këta të rinj nga këto rrethe shoqërore, duke u rritur në një ambient shumë të mbyllur i cili nuk observon ide të reja ose të ndryshme bën që të krijohet shumë pak hapësirë që bindjet e tyre të mos formësohen konform me familjen dhe religjionin. Përkundrazi, këto dy institucione po i fusin rrënjët thellë në mendësi të të rinjëve meqenëse shumica dërrmuese e të të rinjëve kanë lindur dhe janë rritur në kohën e zhvillimit të teknologjisë, qasjes më të lehtë në informacione dhe zhvillimit të mendësisë për pranimin e ideve të tjera dhe diversitetit në nivel global.

Për ta argumentuar këtë fenomen të vazhdimit të moskontestimit të traditës nga të rinjtë, në bazë të një hulumtimi të këtij viti për të të rinjtë e Kosovës, del se të rinjtë kanë mendësi më konservatore seç kemi menduar meqë: më shumë u besojnë institucioneve fetare sesa institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare; 70% e të rinjve e shohin martesën dhe religjionin si vlera më të rëndësishme sesa angazhimin civil ose politik; 71% e të rinjve nuk ndihen mirë me pasë një çift homoseksual si fqinj afër shtëpisë dhe 60% e tyre e shohin virgjërinë si vlerë dhe faktor të rëndësishëm për zgjedhjen e partnerit/es.

E një fenomen i cili është edhe më i rëndë është që në diskursin politik e shoqëror në Kosovë nuk është diskutuar shumë për këto shifra, shifra të cilat nëse do të ndodhnin në një shtet dhe shoqëri funksionale do të kërkohej reformim i sistemit të arsimit dhe reflektim nga të gjitha institucionet të cilat punojnë dhe përfshihen direkt në mënyren e jetesës së të rinjve, jo vetëm në zonat urbane por të rinjve të të gjithave zonave, deri në fshatin më të thellë të Kosovës.

Në bazë të përvojës së aktivizmit me të rinj nga e gjithë Kosova, vërehet se rezistenca ndaj traditës është më e theksuar tek të rinjtë jashtë komunës së Prishtinës, e kjo për shkak të mungesës së aktiviteteve kultore dhe shoqërore nëpër këto komuna. Duke qenë se shumica e aktiviteve janë të centralizuara në Prishtinë, të rinjtë të cilët jetojnë në komuna të tjera nuk e kanë mundësinë që kohën e lirë ta shfrytëzojnë në mënyrë produktive, duke i bërë direkt të hapur ndaj mendësive konservatore të cilat e mbushin këtë hapësirë të lënë anash nga institucionet dhe shoqëria civile. Shembull, në Prishtinë ka shumë hapësira në të cilat të rinjtë dhe aktivistët mund të takohen dhe të marrin pjesë në diskutime të ndryshme, duke e bërë kohën e lirë më produktive, ndërsa në qytetet e tjera lëre që nuk ekzistojnë hapësira të tilla, por as qendrat rinore nuk janë funksionale. E në fakt hapësirat të cilat janë shumë  në numër dhe funksionale janë institucionet fetare.

Një faktor tjetër i cili mund të luajë rol kyç në konservimin e mendësisë tek të rinjtë është edhe mungesa e vendeve të punës e cila lidhet direkt me varësinë ekonomike nga familja. Shumë të rinj të cilët janë të varur ekonomikisht nga prindërit, presin që të vijnë në Prishtinë për studime ose punë në mënyrë që të largohen nga presioni shoqëror dhe konservativ dhe të jetojnë me bindjet e tyre të cilat mund të jenë më të pranueshme në Prishtinë. Personalisht, duke ardhur nga një qytet konservator, e kam pasur shumë më lehtë që në Prishtinë të mund të gjej njerëz me mendësi më progresive, rrjedhimisht duke e bërë shumë më të lehtë të pranohesh në një rreth pa marrë parasysh dallimet të cilat mund të jenë në mes të këtij rrethi shoqëror. Mirëpo, shumë pak të rinj e kanë privilegjin që të mund të largohen për studime ose punë në Prishtinë, e kjo bën që shumë të rinj të cilët mendojnë ose ndjehen ndryshe nga rrethi ku janë rritur të konformohen në mendësinë e shumicës.

Faktori i tretë por shumë i rëndësishëm, meqë është bërthama e të gjithë faktorëve tjerë është sistemi i arsimit i cili e shtyn nxënësin/en që të mendojë njëjtë me mësuesin/en e t’i marrë shumë mësime si të mirëqena, pa e lejuar hapësirën më të vogël për kritikë e kreativitet. E mungesa e të të nxënit në mënyrë kritike bën që pastaj të rinjtë të kthehen tek familja për m’i marrë informacionet për mënyren e organizimit të jetesës. E duke u bazuar në mendësinë në shoqërinë tonë, këta të rinj do të rriten duke marrë informata seksiste, homofobike, raciste e duke iu besuar dogmave fetare.

Prandaj, në mënyrë që  të kemi shoqëri të hapur, kritike dhe të drejtë për secilin individ i cili jeton në këtë shoqëri na duhet një ndërhyrje dhe bashkëpunim i shpejtë i të gjitha instancave të cilat mund të luajnë rol në ndryshimin e kësaj mendësie, duke u nisur nga institucionet shtetërore të cilat duhet t’u ofrojnë kushte më të mira të jetesës dhe edukimit dhe largimit të nepotizmit e korrupsionit në mënyrë që të rritet edhe besueshmëria ndaj institucioneve; institucioneve ndërkombëtare të cilat duhet t’u ofrojnë barazi të rinjve të Kosovës me bashkëmoshatarët evropianë që të ndihen se i përkasin të njëjtit sistem të vlerave; dhe decentralizimit të aktiviteve sociale dhe kulturore nëpër Kosovë nga shoqëria civile. Në të kundërtën, shoqëria kosovare ka me qenë vështirë e jetueshme për persona të cilët mund të vuajnë nga mendësia e trashëguar paragjykuese dhe konservatore.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.