Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Mision për parandalim të përballjes mes mllefit e urrejtjes

 

Incidentet e janarit dhe kërcënimet direkte për luftë kundrejt Kosovës nga krerët institucionalë të Serbisë treguan se sa e cenueshme është paqja në Ballkan. Rrethuar edhe nga paqartësia rreth kursit të politikës së re amerikane të javëve të para të presidencës së re atje si dhe fuqizimi i ndikimit rus, u krijua një perceptim se një luftë e re me Serbinë është e mundshme. Siguria që konfliktet e reja janë të pamundshme, e shitur gjatë tërë pasluftës nga politikanët, në perceptimin publik u rrënua për pak ditë. Politikanët filluan të krekoseshin duke injoruar faktin që një konflikt i armatosur mes Kosovës dhe Serbisë do të kishte pasoja të tmerrshme për të dy palët.

Në dy shekujt e kaluar në Serbi është ushqyer një propagandë të vazhdueshme kundër shqiptarëve. Ajo propagandë për synim ka pasur de-humanizimin e shqiptarëve për të krijuar kushtet për ekspansion territorial dhe kryerjen e të gjitha punëve që do të duheshin për një mision të tillë. Kështu, kjo propagandë ka hiperbolizuar mundësinë që “shqiptarët e egër” do të kryenin ekspansion në ”territore serbe” ka krijuar një fobi të pa-arsyeshme kundër shqiptarëve. Kjo fobi duhet të jetë origjina e një urrejtjeje të paprecedent kundër shqiptarëve që të gjitha anketat e nxjerrin në Serbi.

Në anën tjetër, për shkak të dhunës së vazhdueshme dhe synimit të hapur për shfarosje të shqiptarëve, në Kosovë ekziston një mllef kundër serbëve. Ky mllef nuk është shfryrë gjatë 1999-tës, por vetëm është rritur. Kosova e vogël, në mënyrë konsistente vazhdon të vuajë kosto të madhe nga sjellja destruktive e Serbisë edhe sot. Fatkeqësisht, gjuha e urrejtjes nga Serbia dhe mungesa e kërkimfaljes nga ky shtet, këtë mllef e ka mbajtur vazhdimisht të gjallë në Kosovë.

Në këto kushte, një përballje mes serbëve dhe shqiptarëve, do të ishte mejdan në mes të urrejtjes dhe mllefit. Pasojat e një konflikti të tillë do të ishin të paimagjinueshme në popullatën civile, të të dy popujve. Rrethuar kjo nga skenari i tmerrit i një lufte ‘proksi,’ ku të dy palët do të kishin përkrahje, njëra nga Perëndimi e tjetra nga Rusia, e bën prospektin e një konflikti të llahtarshëm. Andaj, kushdo që ka dy palë mend te të dy palët, do të duhej të angazhohej që një konflikt i ri të mos ndodhë. Për më shumë, të dy palët do të duhej të ndërtonin një marrëveshje shekullore që do të garantonte kufijtë dhe rrjedhimisht paqen mes palëve për 100 vitet e ardhshme. Por kjo marrëveshje nuk mund të arrihet pa një konsensus vizionar që në themel ka mirëqenien e qytetarëve.

*

Ka një numër vitesh që Kosova ndjekë rrugën e dialogut teknik me Serbinë, në Bruksel. Sado i kontestuar, dialogu me fqinjët e aq më shumë me fqinjët problematikë nuk ka alternativë. ‘Dialogu’ apo komunikimi dhe negocimi për gjetjen e zgjidhjeve për problemet e përbashkëta është dhe do te jetë imperativ. Problemi rreth dialogut aktual, besoj që rrjedh nga mungesa e një vizioni shoqëror dhe misioni shtetëror të i vendit. Natyrisht që ai vizion e mision do të duhej të ndërtohej rreth zhvillimit e progresit, por paqja me fqinjët do të duhej të ishte pjesë integrale. Mungesa e këtij vizioni në këto 18 vitet e pasluftës e ka shndërruar vendin në një gjah për pasurim e kontroll dhe jo në një atdhe të dashur që ata do të duhej zhvilluar e përparuar. Në këto kushte, bisedimet për çështje të ndjeshme bëhen obligative të realizohen në kushte të konsensusit. Nëse ai konsensus nuk ndërtohet, mungesa e besimit në vullnetin e mirë të politikanëve shtyn forcat alternative të besojnë që negociatat po zhvillohen për përfitim personal të negociatorëve. Rrjedhimisht, ata shfrytëzojnë fuqinë e tyre bllokuese e cila pastaj e vendos tërë vendin në stagnim. Ky mund te jetë një përshkrim i asaj çfarë ka ndodhur këto vite dhe mësimi i hidhur për qytetarët e vendit është se ose duhet vizion i ri (përfytyrim i përbashkët i asaj si duam ta shohim vendin tonë në afat të gjatë) dhe mision shtetëror (përcaktim i veprimeve që si shtet dhe shoqëri duhet të ndërmarrim për të jetësuar përditë e më shumë atë vizion).

*

Mungesën e vizionit për vendin, politikanët e kanë zëvendësuar me misionin për kapjen e sa më shumë pushteti. Ata kanë keqpërdorur në mënyrë dinake naivitetin popullor dhe frikën shoqërore, pas përvojave tronditëse gjatë të nëntëdhjetave. Së pari, në mungesë të rezultateve të prekshme zhvillimore, politikanët kanë paraqitur legjitimitetin e tyre si të buruar prej miratimit nga diplomatët perëndimorë për ta. Këtu kritikë meritojnë edhe ambasadat që kanë toleruar një situatë të tillë. Kasta politike i ka ikur nënshtrimit ndaj demokratizimit të vërtetë, për çka ata flasin tërë kohën. Fshehja nën petkun nacionalist dhe të së kaluarës, i bën ata të ndihen superior ndaj atyre që dëshirojnë ndryshime dhe progres.

Manipulimi i tjetër ka ndodhur nëpërmjet hedhjes së përgjegjësisë për veprimet dhe mos-veprimet e veta te ‘miqtë ndërkombëtarë’. Këtu hyn edhe “dialogu me Serbinë” i cili vazhdimisht është shitur si i imponuar nga “bashkësia ndërkombëtare” dhe jo si nevojë e vendit për ndërtim të njohjes reciproke dhe ndërtim të normalitetit me fqinjët.

Dialogu apo komunikimi dhe negocimi për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve të përbashkëta me vendet fqinje nuk ka alternativë. Komunikimi i vazhdueshëm dhe i strukturuar me të gjithë fqinjët, në funksion të përmirësimit të kushteve të jetës së qytetarëve duhet të bëhet mënyrë e jetës. Por shteti, grupacionet politike, shoqëria civile dhe intelektualët do të duhej të angazhoheshin që të ndërtonin një mision shekullor dhe vizion dinamik afatgjatë për shoqërinë tonë. Të gjitha veprimet me fqinjët do të duhej të ishin pjesë e përmbushjes së këtij misioni.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.