Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Frikë nga vetja (I)

Foto nga Mike Chai.

Në procesin e zhvillimit shoqëror ka lloj-lloj interpretimesh dhe praktika që jo gjithherë mund të njëjtësohen. Në këtë pikë nuk mund të njëjtësohet edhe ndjenja që shoqëritë e caktuara kanë mbi lirinë. Për këtë fenomen ka trajtime përgjatë gjithë historisë njerëzore. Madje një ndër teoritë kritike bashkëkohore mbi shoqërinë, ndër më të rëndësishmet, është kritika që vjen nga Shkolla e Frankfurtit. Teoricienë të ndryshëm të kësaj rryme kanë trajtuar karakterin e shoqërisë perëndimore, ku për bazament kishin edhe raportin e këtyre shoqërive me lirinë. Në shumicën dërmuese të këtyre studimeve del se liria është një nga femomenet shumë komplekse si për kah ballafaqimi me të, po ashtu edhe për kah kompleksiteti i saj për trajtim. Një raport i tillë është identifikuar në procesin e linjave psikologjike. Pothuajse, i gjithë ky raport psikologjik intensifikohet në një tension dihotomie të vazhdueshëm mes racionales dhe të pavetëdijshmes. Mbase një proces i tillë si rezulltat do ta prodhojë edhe frikën nga liria, e që kjo frikë pastaj do të lindë nevojën për nënshtrim. Pra, dëshira për të qenë të lirë dhe liria si realitet shpeshherë prodhojnë efektin e frikës, sepse liria e përfshin përgjegjësinë, dhe shumica e njerëzve janë të frikësuar nga përgjegjësia. Shumica e njerëzve e dëshirojnë lirinë, por vetëm se përgjegjësia t’mos jetë si attachment i saj. Gjithë kjo ndjenjë do të prodhojë (me shumë gjasa) një sjellje shoqërore çorientuese, anarkike, e që do të përcillet me efekte traumatike.

Pra, shoqëritë që kanë kaluar nëpër një traumë kolektive (siç jemi edhe ne), do ta kenë shumë të vështirë gjendjen post-traumatike nëse nuk do të ketë një trajtim të thellë dhe të sinqertë të gjendjes së saj. A ka ndodhur një trajtim i tillë në shoqërinë tonë? Jo! Dhe kjo mund të ketë shumë shpjegime, por diçka është mëse e rëndësishme në këtë mes: duke qenë që për një kohë të gjatë kemi qenë të nënshtruar, nuk kemi qenë të ngarkuar me aktin e përgjegjësisë, dhe kjo bëri që ne të mos e përvetësojmë atë. Gjendja nën pushtim krijoi tek qytetari një papërgjegjësi ndaj sferës publike, sepse një sferë e tillë ishte e uzurpuar dhe për ne nuk përbënte asnjë lidhje emocionale, mbase, në fakt, në forma të ndryshme edhe mund t’kemi qenë kundër saj. Shteti nën të cilin mbaheshim dhunshëm nuk e perceptonim, nuk e ndjenim diçka që na përkiste, sepse nuk ishte i yni. Një shprehje e tillë ndaj shtetit gradualisht erdhi e u bë mendësi, pjesë e kulturës sonë. Nënshtrimi i gjatë krijoi tek shoqëria jonë ndjenjë të frikës. Paradoksalisht frika u bë udhërrëfyesi ynë. Gjithçka peshohej në ballafaqim me këtë ndjenjë. Kështu peshohet dikur, kështu peshohet edhe sot. Vitet e ’99-ta, sistemi paralel që u krijua, ndër të tjera u bë edhe vula e kësaj frike. Gjithçka dhe për çdo gjë artikulohej duke e pasë qoftë edhe në të pavetëdijshmen frikën. Pra, trauma jonë sa më shumë që shtrihej horizontalisht, aq më shumë thellohej në psikën tonë, saqë edhe sot e kësaj dite, kur tanimë jemi të çliruar dhe jemi shtet kjo frikë na ndjek si një fantazmë.

Çlirimi ynë i vërtetë, pra, çlirimi shpirtëror dhe psikologjik nuk ndodhi atëherë kur pushtuesi u detyrua të largohej. Ai u largua, por mbrapa la të rrënjosur thellë në psikën tonë ndjenjën e nënshtimit. Një ndjenje të tillë i kontribuoi (edhe fuqishëm madje), sistemi paralel i viteve të ’99-ta. Gjithashtu, edhe forcat çlirimtare luftën po e zhvillonin në emër të bashkimit me një shtet tjetër që konsiderohej se ishte i yni, por që doli se nuk do të jetë ashtu, i kontribuoi kësaj frike. Pas luftës, trauma që kishim nuk po trajtohej për t’u shëruar, por po rishfaqej në një formë tjetër, në fakt tani po rimodelohej. Gjithçka ishte na rrëshqiste nën këmbë. Edhe shpresa se bashkësia ndërkombëtare do t’na i zgjidhë problemet që kishim, sa vinte dhe zbehej dhe gradualisht filluam të orientohemi nga politikanët vendorë, tek të cilët shpresa ishte tepër e zbehur, derisa sot kemi ardhur në pozitën që, jo se nuk i konsiderojmë si shpresë, por shpeshherë i perjetojmë si antishpresë.

Pas gjithë kësaj gjërat fillojnë dhe marrin formë, për të keq normalisht. Mospasja apo moskonsolidimi i përgjegjësisë si mendësi kulturore ka rrënuar të gjithë aparatin social, dhe jo vetëm. E gjithë kjo mund të paraqitet si simptomë e një procesi të gjatë nënshtrimi, por duhet ta kemi parasysh se kur qe shansi që ne ta heqim nga supet këtë ndjenjë të frikës, ne vetëm sa na u perkeqësua gjendja, sepse politikanët tanë si formë për arritjen/mbajtjen e pushtetit na e imputuan armikun e dikurshëm si pjesë e pandashme e jetës sonë. Kështuqë, e gjithë politika kosovare u katapultua në pozitat e pushtetit, duke proklamuar mundësinë e rikthimit të aparatit të dhunës (Serbisë) dhe në emër të kësaj, kjo politikë është kthyer vetë në dhunuese. E tëra është përmbysur pothuajse. Shpresa që dikur kishim ndërtuar për veten, për vendin, për lirinë tani na u përplas për fytyrë në formën e saj më të keqe, sepse tani rolin e dhunuesit e kanë marrë politikanët tanë. Prandaj, kjo formë e shpërfaqur ka bërë që shoqëria të kalojë në një frikë neurotike, siç do të thoshte Freud-i, dhe na vë pra një enigme që qëndron në faktin se e humbasim plotësisht nga pamja lidhjen midis frikës dhe rrezikut kërcënues (Frika, 131). Pra, ne nuk e dimë pse kemi frikë, sepse na është mjegulluar rreziku potencial.

Një gjendje e tillë ka prodhuar edhe një formë të shprehjes me karakter histerik në raport me shtetin. Me vetë faktin që ne shtetin tonë e perceptojmë si diçka të përkohshme, flet shumë për histerinë që kemi. Atë që e krijuam me shumë mund, e shpërfillim me një lehtësi. Madje mendojmë dhe punojmë që sa më shpejt ta zhbëjmë. Vuanim për ta fituar, por tani që e kemi vuajmë që ta prishim. Kjo ikje e jonë nga përgjegjësitë tregon keqkuptimin tonë që kemi me lirinë dhe që kjo pastaj si rrugë do ta ketë arratisjen e përhershme nga vetvetja. Gjithçka që ndërtojmë e shohim si një përkohshmëri të vazhdushme dhe kjo të krijon përshtypjen se ne jetojmë në një përkohshmëri të përjetshme. Liria që kishim fituar (liria nga) nuk qe e mjaftueshme qe ne të ecim përpara. Ne na duhet guximi që ta ushtrojmë lirinë për, sepse vetëm atëherë ne do të fillojmë të çlirohemi nga ndjenja e frikës. Për aq kohë sa nuk e kuptojmë dhe nuk e përbrendësojmë njëkohësisht se liria dhe shteti që kemi është mundësia jonë për të ecur përpara, për t’u zhvilluar dhe në fund për t’u çliruar nga ankthi i frikës që kemi, ne nuk do të kemi zhvillim, por do të peshkohemi nga pushtetet e ndryshme pa asnjë mëshirë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.