Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Nëse nuk jemi thjesht kafshë, çfarë jemi ne?

Filo

Filozofët dhe teologët në traditën e krishterë i kanë konsideruar qeniet njerëzore si të dallueshëm prej kafshëve të tjera, për shkak të pranisë së një shkëndije hyjnore përbrenda tyre. Ky burim i brendshëm i ndriçimit, shpirti, nuk mund të mbërthehet asnjëherë nga jashtë, dhe është në një farë mënyrë i shkëputur nga rendi natyror, ndoshta duke u ngritur në një vend të mbinatyrshëm kur trupi kolapson dhe vdes.

Përparimet e kohës së fundit në gjenetikë, neuroshkencë dhe psikologji evolucionare pothuajse e kanë rrëzuar atë ide. Por, megjithatë, ato kanë ngritur pyetjen se çfarë të vendoset në vend të saj. Meqë haptazi, edhe pse ne jemi kafshë, të lidhur ngushtë në rrjetin e shkakësisë që na bashkon në zoosferë, ne nuk jemi vetëm kafshë.

Ka diçka në gjendjen njerëzore që sugjeron nevojën për trajtim të posaçëm. Gati të gjithë njerëzit besojnë se është krim të vrasësh një njeri të pafajshëm, por jo që të vrasësh një tenjë të pafajshme. E gati të gjithë njerëzit i konsiderojnë tenjat si të paafta për pafajësi në cilindo rast – jo sepse ato janë gjithmonë fajtore, por sepse dallimi mes të pafajshmes dhe fajtores nuk zbatohet te ta. Ato janë lloj i gabuar i gjësendit.

Ne, sidoqoftë, jemi lloji i drejtë i gjësendit. Atëherë çfarë lloji është ky? A i përkasin qeniet e tjera, kafshë ose jo, këtij lloji? E çfarë rrjedh nga kjo? Këto pyetje shtrihen në thelbin e kërkimit filozofik sot, siç kanë qenë që prej grekëve të lashtë. Ne i dallojmë njerëzit në mijëra mënyra prej pjesës tjetër të natyrës, dhe e ndërtojmë jetën tonë përkitazi me këtë. Ne besojmë se njerëzit kanë të drejta, se ata janë sovranë të jetëve të tyre, dhe se ata që jetojnë duke skllavëruar apo keqtrajtohen nga të tjerët janë duke e mohuar humanitetin e tyre. Sigurisht ka një themel për ato besime, sikurse ka themel për të gjithë traditat morale, ligjore, artistike dhe shpirtërore që e mveshin dallueshmërinë e jetës njerëzore si pikën e tyre fillestare.

Nëse, siç besojnë shumë njerëz, ka një zot, dhe ky zot na ka bërë sipas shëmbëlltyrës së tij, atëherë sigurisht se ne jemi të dallueshëm nga natyra, sikurse është edhe Ai. Por të flasësh për shëmbëlltyrën e zotit është një metaforë  për vetë faktitn se ne na duhet të shpjegojmë, se në të vërtetë ne i trajtojmë qeniet njerëzore si një gjë të ndarë nga të tjerët, një gjë të mbrojtur nga një aurë e shenjtë – thënë troç, hiçfare si një gjë, por si person.

Shumë prej filozofisë së shekullit të njëzetë i adresohet pyetjes sesi të përkufizohet ky fakt në terma shekullare, pa u bazuar në ide fetare. Kur Sartre dhe Merlau-Ponty shkruajnë për “Le regard” – shikimin – dhe Emmanuel Levinas për fytyrën, ata po përshkruajnë mënyrën në të cilën qeniet njerëzore veçohen nga mjedisi i tyre dhe i qasen njëri tjetrit me kërkesa absolute nga të cilat asnjë gjë e thjeshtë nuk mund të jetë një objekt. Wittgenstein jep një argument të ngjashëm kur përshkruan fytyrën si shpirtin e trupit, sikurse edhe Elizabeth Anscombe kur përshkruan shenjën e veprimit të qëllimshëm si aplikueshmëri të një kuptimi të caktuar të pyetjes “Pse?”

Qeniet njerëzore jetojnë në përgjegjësi të ndërsjellë, secili përgjegjës ndaj tjetrit dhe secili objekt i gjykimit. Sytë e të tjerëve na adresojnë me një pyetje të pashmangshme, pyetjen “pse?” Mbi këtë fakt është ndërtuar ngrehina e të drejtave dhe detyrave. Dhe kjo, në fund të fundit, është ajo mbi të cilën shtrihet liria jonë – përgjegjësia për të dhënë llogari për atë çfarë bëjmë.

Psikologët evolucionarë na tregojnë një storie. Moraliteti, thonë ata, është një adaptim. Nëse organizmat hahen për resurse, atëherë strategjia e bashkëpunimit, në një afat më të gjatë, do të jetë më e suksesshme sesa strategjia e egoizmit të kulluar. Prandaj tiparet bashkëpunuese të një organizmi do të selektohen përgjatë kohës. Dhe gjithçka që është e veçantë në gjendjen njerëzore mund të kuptohet në këtë mënyrë – si rezultat i një procesi të gjatë të adaptimit që na ka dhënë një përparësi të patejkalueshme të moralitetit, prej ku ne mund të zgjidhim konfliktet tona pa luftuar dhe të përshtatemi ndaj kërkesave, të cilat na sulmojnë nga të gjitha anët.

Pajisja e mahnitshme morale e qenieve njerëzore – duke përfshirë të drejtat dhe detyrat, obligimet personale, drejtësinë, lëndimin, gjykimin, faljen – është depozita e lënë nga mijëvjeçarët e konfliktit. Moraliteti është si një fushë me lule përfundi së cilës ka kufoma të stivuara në mijëra shtresa. Ky është një mekanizëm i evoluar, ku organizmi njerëzor kalon nëpër jetë i mbështetur nga të gjitha anët prej lidhjeve të interesit të ndërsjellë.

Unë jam shumë i bindur se figura e vizatuar nga psikologët evolucionarë është e vërtetë. Por jam gjithashtu i bindur se ajo nuk është e vërteta e plotë, dhe se ajo lë jashtë teorisë së saj pikërisht gjënë më të rëndësishme, e që është subjekti njerëzor. Ne, qeniet njerëzore, nuk shohim njëri tjetrin siç shohin kafshët njëra-tjetrën, si anëtarë të tjerë të llojit. Ne lidhemi me njëri tjetrin jo si objekte por si subjekte, si krijesa të cilat e adresojnë njëri tjetrin “unë” dhe “ti” – një argument që u bë qendror për sa i përket gjendjes njerëzore nga Martin Buber, në medimitin e tij mistik të mrekullueshëm “Unë dhe Ti.” [“I and Thou”].

Ne e kuptojmë vetveten në veten e parë, dhe për këtë arsye ne i adresojmë vërejtjet, veprimet dhe emocionet tona jo thjesht vetëm trupave të njerëzve të tjerë, por fjalëve dhe shikimeve që nisin në horizontin subjektiv, ku ata dhe vetëm ata mund të qëndrojnë.

Ky fakt i mistershëm pasqyrohet në çdo nivel të gjuhës tonë, dhe kjo është në rrënjë të shumë paradokseve. Kur flas për vetveten në veten e parë, unë shpreh çështje të cilat i pohoj pa asnjë bazë dhe për të cilat, në një numër të madh rastesh, nuk mund të jem gabim. Por mund të jem krejtësisht gabim lidhur me këtë qenie njerëzore që po flet. Atëherë si mund të jem i sigurt se po flas pikërisht për atë qenie njerëzore? Si mund ta di, për shembull, se unë jam Roger Scruton dhe jo David Cameron që po vuan nga deluzione të madhështisë?

Thënë shkurt: Duke folur në veten e parë, ne mund të deklarohemi për vetveten, t’i përgjigjemi pyetjeve, dhe të përfshihemi në arsyetim dhe këshilla në mënyra të cilat i bien rrotull të gjitha metodave normale të zbulimit. Si rezultat, ne mund të marrim pjesë në dialogë të bazuar mbi sigurinë se, kur që të dy, ti edhe unë, flasim sinqerisht, ajo çfarë themi është e besueshme: Ne jemi duke “shprehur mendjet tona.” Kjo është zemra e takimit Unë-Ti.

Kështu që, si persona, ne banojmë në jetë-botën [life-world] që nuk është e redukutueshme në botën e natyrës, po aq sa jeta e një pikture është e reduktueshme në vijat dhe pigmentet prej së cilës është kompozuar. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë filozofia ka diçka për të bërë, në mënyrë që t’i japë kuptim gjendjes njerëzore. Filozofia ka për detyrë të përshkruajë botën në të cilën jetojmë – jo botën siç e shpjegon shkenca, por botën siç na përfaqësohet në marrëdhëniet tona të ndërsjella: një botë e organizuar nga gjuha, në të cilën ne takojmë njëri tjetrin Unë me Unë.

______

Roger Scruton është autor i shumë librave, duke përfshirë së fundi , “Mbi natyrën Njerëzore” [“On Human Nature.”]

Përktheu për sbunker: Bardhi Bakija

Artikulli origjinal

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.